E shtune, 27.04.2024, 06:58 PM (GMT+1)

Mendime

Murat Gecaj: Lart flamurin, lart dinjitetin kombëtar shqiptar!

E enjte, 27.01.2011, 08:57 PM


BASHKATDHETARË: LART FLAMURIN, LART DINJITETIN KOMBËTAR SHQIPTAR!

 

Nga: Prof. Murat Gecaj,

publicist e studiues-Tiranë

 

1.

 

Po i shkruaj këto pak radhë, i motivuar nga dy fakte.

 

Së pari, të gjithë e kemi parë përmes ekraneve të televizioneve shqiptare ose jo, kemi lexuar në shtypin tonë e atë ndërkombëtar, për ngjarjet e dhimbshme të datës 21 janar 2011, në kryeqytetin tonë Tiranë. Nuk dua të ndalem e të komentoj atë, se çfarë ndodhi e si ndodhi atë ditë. Kjo, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të atyre skenave tragjike, pra që pak të ashtuquajtur shqiptarë,  vërsuleshin të tërbuar kundër  vëllezërve të tyre shqiptarë, këta të fundit mbrojtës  të popullit e të institucioneve të ligjshme të shtetit tonë demokratik.

 

Një ndër ato skena, që ka mbetur e pashlyer në ndergjegjen e pastër të çdo shqiptari, është ajo, kur një manifestues i papërgjegjshëm dhe pa ndjenja atdhetare e flaku Flamurin Kombëtar Shqiptar përtokë, afër këmbëve të një ushtaraku, që rrinte i gatshëm  për sigurimin e një tubimi, i cili duhej të ishte plotësisht paqësor, por që nuk mbeti i tillë. Sakaq, atdhetari trim, djaloshi Amarildo Yzeiri, ish-paqëruajtes në Irak, u vërsul me shpejtësi rrufeje, e mori ndër duar atë Flamur kuqezi, që kurrë nuk është përulur, as para armiqëve më të egër të Shqipërisë. E palosi atë me kujdes dhe e mori në mbrojtje, në trupin e tij të ngrohtë.

 

Për këtë akt burrëror e të jashtëzakonshëm, Kryeministri i Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha e përgëzoi atë përzemërsisht, në një takim të posaçëm me efektivat e Gardës së Republikës. I emocionuar dhe paksa i përskuqur në fytyrë, Amarildo tha se kishte bërë vetëm detyrën dhe se nuk mund të  lejonte, në asnjë mënyrë, që Flamuri Kombëtar Shqiptar të hidhëj përtokë, si një leckë e të shkelej me këmbë.

 

Pra, si mua dhe çdo shqiptari, nuk na mbetet gjë tjetër, veç të shprehemi nga zemra:

 

-Të lumtë, djaloshi Amarildo Yzeiri! Duke e ngritur lart Flamurin Kombëtar Shqiptar dhe duke e futur e mbrojtur atë në gjirin tënd, ti kreve një detyrë të shenjtë atdhetare, e cila nuk do të harrohet asnjëherë nga  bashkatdhetarët tu.

 

2.

 

Së dyti: Sot paradite, përmes ekraneve të televizioneve, ndoqëm punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Aty do të diskutohej raporti famëkeq i antishqiptarit të përbetuar, Dik Martin. Pamë se si flisnin, njëri pas tjetrit, europarlamentarë të ndryshëm. Dëgjuam edhe fjalët e vendosura të përfaqësuesve të Shqipërisë, të cilët ia çorrën maskën atij raporti të sajuar dhe të pambështetur në asnjë fakt ose prove  ligjore.  Por, ndër ta, folën me cinizëm edhe përfaqësuesit e Serbisë e Rusisë. Ata u përpoqën t’i bindnin dëgjuesit në sallë dhe jashtë saj, duke u bazuar në “raportin” e Dik Martinit, se  na qenkan bërë krime të përbindshme ndaj serbëve, se këta qenkan përdorur si “mish për top” dhe janë masakruar e u janë marrë organet jetësore, nga drejtues të UÇK-së. Bile,  ka shpifur ai në raportin e tij, se na qenkan bërë edhe transplanete të tyre, brenda tokës së Republikës së Shqipërisë e tjerë.

 

Njerëzit gjakftoftë dhe politikanët e arsyeshëm europianë duhet t’i thërrasin arsyes dhe mos të gjykojnë symbyllarizi një “raport”  shovinist, i cili synon ta ulë dinjitetrin e shqiptarëve përpara syve të botës. Se cilët ishin kriminelët në luftën e fundit të shqiptarëve, në mbrojtje të Atdheut e kundër pushtuesve shekullorë serbë, rreth UÇK-së e të mbështetur fuqimisht nga NATO e SHBA, tashmë, bota demokratike e ka më se të qartë. Ata nuk duhet t’i harrojnë kaq shpejt masakrat masive dhe vrasjet makabre ndaj shqiptarëve të Kosovës.  Po kështu, lipset ta dinë mirë se janë me qindra e mijëra kosovarë, që janë zhdukur, që nga viti 1999 dhe askush nuk përgjigjet për ta dhe as bën raporte, për t’i paraqitur dhe diskutuar në ndonjë forum europian.

 

Pra, natyrshëm, më lind pyetja: Kur do të shqyrtohen faktet e dëshmitë e pakundërshtueshme, të krimeve serbe në Kosovë, nga Bashkësia Europiane, Gjykata Ndërkombëtare e tjerë?

 

Kam patur rastin që ta vizitoj Kosovën, menjëherë pas luftës e fitores ndaj rregjimit serb. Në qytete e fshatra, në kujtesën time e në fotografi, fiksova qartë tragjedinë e përjetuar nga vëllezërit tanë kosovarë. Po kështu, u bëra dëshmitar i sa e sa vrasjeve dhe masakrave të pashoqe e antinjerëzore, që janë kryer ndaj tyre  edhe në fundin e shek.XX. Për të gjitha ato, tregon mjaft qartë dhe libri im, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000).

 

Sot Kosova është shtet i lirë demokratik, shpallur dhe njohur ndërkombtarisht,  Republikë e pavarur.  Atje valvitet dhe Flamuri i këtij shteti, më i riu në Ballkan e në Europë. Por, krahas tij, ngrihet lart krenar Flamuri Kombëtar Shqiptar, i cili u priu në beteja  me fitore edhe sa e sa dëshmorëve të lirisë, në ato troje të stërlashta shqiptare.

 

Por, kjo pamje kuqezi dhe valëvitja e Flamurit Kombëtar Shqiptar ua zë sytë armiqëve tanë shekullorë. Ata dëshirojnë që, në udhë e mjete të ndryshme, të pandershmë e të paligjshme, ta ulin atë poshtë dhe, në përgjithësi, ta nënshtrojnë krenarinë shqiptare.  Por, këtë synim djallëzor, ata nuk do ta arrijnë kurrë. Shqiptarët janë mësuar me rrebeshe e furtuna, ndërsa asnjëherë nuk janë përulur. Pra, edhe kësaj radhe, dashakeqët tanë do të dështojnë me turp dhe dinjiteti i shqiptarëve të bashkuar do të mbetet i pacënuar.

 

Në mbyllje, si bashkatdhetar e intelektual, kam një këshillë vëllazerore për të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen: Të jemi sa më të  bashkuar dhe për çdo gjë, në mendime e veprime. Se vetëm kështu mund e duhet t’i përballojmë sulmet antishqiptare, ngado që të na vijnë ato dhe do ta mbajmë gjithnjë lart dinjitetin tonë kombëtar!

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora