E shtune, 27.04.2024, 11:28 PM (GMT+1)

Mendime

Meri Lalaj: “Ty flamur të duam shumë...”

E enjte, 27.01.2011, 08:57 PM


Meri Lalaj

 

“Ty flamur të duam shumë...”

 

            Disa muaj me radhë më duhej të shfletoja shumë dokumente historikë dhe libra duke hulumtuar për figurën e atdhetarit të shquar Fehim Zavalani e ndërkaq më dukej sikur kuvendoja shtruar me ata burra të ditur të fillimshekullit të njëzetë, që nuk kursyen as pasurinë, as jetën e tyre për ta bërë Shqipërinë.

            Sjell në mendje Isa Buletinin teksa përkul gjurin e puth flamurin shqiptar. Sjell në mendje Ded Gjo Lulin kur dërgon luftëtarët për të marrë majën e Deçiçit e për të ngulur atje flamurin, luftëtarët vriten nga turqit njëri pas tjetrit e midis tyre biri i tij. E Ded Gjo Luli thotë: “Deka e lehtë për Shqypni!”

            Në festat e fundvitit u ndodha në Gjermani në Kaiserslautern, atje në një vizitë tek një familje shqiptare më treguan se në vitet ’80 një vogëlushe tetëvjeçare me emrin Shqipe, e cila kishte emigruar me familjen e saj nga Shkupi, nuk pranoi të parakalonte në manifestimin shkollor me flamurin jugosllav, por vrapoi e vendosi duart e saj të vockëla tek flamuri shqiptar që mbante moshatarja e saj emigrantja kosovare duke thënë:”Flamuri im është si i Donikës...”

            Hapini fjalorët enciklopedikë tek flamujt e shteteve, aty më i bukuri nga të gjithë është flamuri shqiptar siç shkruan Fan Noli: “O fushëkuq, o shkabëzi...”, jo vetëm që ai është flamuri i bukur i botës, por ai është imi, yti, i yni, i cilitdo shqiptar kudo që jeton. Edhe kryevargu i himnit tonë kombëtar, që ne për mrekulli e thërrasim “Himni i Flamurit” është: “Rreth flamurit të përbashkuar...”

            Nuk do t’i kisha shkruar këto radhë po të mos e kisha parë atë veprim, të cilin e pa bota mbarë, kur flamurin tim, flamurin e të gjithë ne shqiptarëve e flakën përtokë e përdhosën si leckë, e këtu kujtova fjalët e Biblës: “Fali, o Zot, se nuk dinë se çfarë bëjnë!”, por një çast më tej u mrekullova kur një gardist, një bir nëne shqiptare u përgjunj duke rrezikuar jetën e shpëtoi e ngriti nga toka dhe e shtrëngoi fort pas trupit të vet flamurin kuq e zi, flamurin që na bashkon ne të gjithëve.  Le të mblidhemi rreth flamurit tonë, atij flamurit që shpëtoi ai gardisti trim, flamurit të shenjtë shqiptar, që e duam shumë, që na mban gjallë, që na shenjtëron jetët tona.    

 

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora