E merkure, 01.05.2024, 02:03 AM (GMT+1)

Mendime

Intervistë me ish ambasadorin e Çekisë në Kosovë, Janina Hrebiçkova

E diele, 30.01.2011, 03:07 PM


Të mirat dhe të këqijat e Kosovës

(Intervistë me ish/ambasadorin e Çekisë në Kosovë, Janina Hrebiçkova)

 

Kosova do ta dëshmojë vetën para botës, sepse bota ende nuk ka zbuluar vendin më të ri në botë.  Nuk është e lehtë, që shprehur simbolikisht, brenda ditës apo javës ose brenda muajit, të themelosh një shoqëri demokratike, laike, të lirë, të pavarur, të fortë ekonomikisht dhe të drejtë më respektim të ligjit në një vend që është filluar nga e para.

Ambasadorja e parë e Republikës së Çekisë në Republikën e Kosovës zonja Janina Hrebiçkova ka njohuri të veçanta për Ballkanin Perëndimor. Ajo shumë herë ka rrezikuar jetën për të shpëtuar ata që u rrezikohej jeta. Ka punuar gazetare, ka prodhuar filma dokumentar, ka udhëhequr media, e viteve të fundit si ambasadore ka shërbyer në vendet të rrezikshme të botës si në: Izrael, Palestinë, Liban, Irak, e në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Para dy jave ambasadorja Janina Hrebiçkova e la Kosovën për të marrë detyrën e re në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Çekisë, në Pragë, duke u bërë Drejtoreshë e Departamentit për të Drejtat e Njeriut, Tranzicion dhe Projekte të Demokratizimit. Në intervistën ekskluzive për Info Globin, Hrebiçkova fletë për përvojat e saj pozitive dhe negative gjatë qëndrimit 8 vjeçar në Kosovë; për devijimet e procesit zgjedhor; për vlerat e kosovarëve; për varfërimin e shumicës dhe pasurimin e pakicës; për veriun, Nënë Terezën, për Ballkanin dhe perspektivën e tij në BE.


Intervistoi: Evliana BERANI

infoGlobi: Sapo mbaruat misionin tuaj diplomatik në Kosovë, ku qëndruat gjatë dhe patët rastin të takoni shumë njerëz, politikanë, shkrimtarë, piktorë, sportistë, humanistë, gazetarë, persona me aftësi të kufizuar, bujq…Me çka do ta kujtoni Kosovën për të mirë, e me çka për të keq?

Janina Hrebiçkova: Unë vërtetë e njoh Kosovën mirë, sepse aty kalova tetë vjet jete. Kujtimet për Kosovën do jenë kryesisht të mira. Ky është një vend miqësor e i këndshëm, vend me njerëz punëtorë, solidarë e entuziastë. Njerëz me zemër të madhe, të gatshëm për të ndihmuar.  Ndjenja e tyre për humor përkundër traumave që  kanë përjetuar, është e rrallë. Kosovarët janë energjik, të motivuar dhe të përqëndruar. Kultura e tyre, tradita dhe ushqimi janë jashtëzakonisht të mira. Natyrën e Kosovës ka ditur ta krijoj vetëm Zoti. Në raportet e punës, njerëzit në Kosovë kanë qenë shumë të mirë, të hapur, profesionistë dhe transparent. Por, do të doja që Kosova të luftojë me sukses kundër okupuesve të saj të korruptuar thellësisht. Do të doja të ketë më shumë ngjarje kulturore në qytete e fshatra të Kosovës. Më shumë të rinjë të përfshirë në to.

Do të ishte mirë sikur shoqëria civile të përfshihet në krijimin e politikës dhe të jetës në Kosovë dhe bashkë me mediet të themi, të kontrolloj njerëzit në pushtet, t’i detyrojë ata të japin llogari para elektoratit. Do të doja të shoh më shumë vizion, më shumë skenare të krijimit të ardhmërisë së Kosovës, në mënyrë që institucionet të jenë më shumë aktive sesa reaguese. Por, në përgjithësi, unë përgëzoj Kosovën për të arriturat e veta në më pak se tri vite të pavarësisë. Janë të arritura të mrekullueshme kur krahasohen me shumë vende tjera të botës. Besoj se Kosova ka potencial të madh, të fjetur diku, por në çastin kur të zgjohet në tërësi dhe të qeveriset dhe të udhëhiqet si duhet, Kosova do ta dëshmojë vetën para botës, sepse bota ende nuk ka zbuluar vendin më të ri në botë.   

infoGlobi: Njerëzit që ju njohin mirë thonë se ju keni një ndjenjë të veçantë ndaj veprës dhe personalitetit të Nënë Terezes, dhe për një fshat të vogël në pjesën lindore të Kosovës, fshatin Binçë. A është e vërtetë kjo?

Janina Hrebiçkova: Nëna Tereze është personalitet i njohur në gjithë botën për sakrificën e saj për të mirën e njerëzve, për lirinë e tyre dhe për dashurinë që ia dhuroi gjithë rruzullit tokësor. Ajo ka ndihmuar miliona njerëz për çfarë është respektuar në tërë botën. Unë, e kam njohur ate, të kaluarën e saj, dhe kam lexuar shumë libra të shkruara për te, kryesisht nga Don Lushi. Filozofia e jetës së saj dhe e Don Lushit është e ngjashme me timen, në qasjen ndaj njerëzve, në qasjen ndaj dashurisë dhe të jetës.

Binça është vendi kur për herë të parë, më 1999, e kam takuar Don Lushin, i cili më ka impresionuar tej mase. Ai ishte nga të rrallët, që ka ndihmuar njerëzit pavarësisht nga origjina e tyre etnike apo fetare. Ai u ndihmoi dhe u tregoi atyre shtegun e ardhmërisë dhe mundësitë, pavarësisht se politikisht ishte shumë e rrezikshme për te. Në Binçë është edhe Kisha Katolike ku ai ka punuar dhe ishte fshat i bashkëjetesës, madje edhe në kohët kur njerëzit mund ta vrisnin njëri-tjetrin. Është një fshat i dashur dhe i këndshëm me shumë njerëz të mirë dhe me udhëheqës të mençur fetar të cilët sillen njëllojë dhe kujdesen njësojë për të gjitha qeniet njerëzore, pa asnjë dallim nëse njerëzit janë, thënë figurativisht, të verdhë apo të gjelbërt. 

infoGlobi: Ju e pranoni se Vaclav Havel ka ndikuar shumë në jetën tuaj intelektuale dhe profesionale. A ka Kosova Vaclav Havela?

Janina Hrebiçkova: Po, Vaclav Havel do të ngelet gjithëherë i ashtuquajturi guruja im (nga Hinduismi-Mësuesi i popullit-vërejtja e InfoGlobit) i cili ka ndikuar në formimin tim dhe kapacitetet e mia intelektuale. Ai është , njeri të cilin e admiroj pafundësisht. Unë jam mishëruar me mënyrën e tij të të menduarit. Do të dëshiroja që bota të kishte më shumë njerëz si ai.

Në Kosovë, kam takuar shumë njerëz të pjekur, të mençur dhe të përqëndruar. Fatkeqësisht disa nga këta zëra nuk janë dëgjuar ende. Kam takuar aty shumë njerëz që kanë potencial të thellë moral dhe njerëzor. Po e zëmë, unë kurrë nuk do ta harrojë Ibrahim Rugovën apo Don Lush Gjergjin, ndikimi i të cilëve në jetën time dhe në vlerësimin tim për çështjet e ndryshme është i qartë.

infoGlobi: Keni kaluar shumë kohë në Kosovë. Shikuar nga këndvështrimi juaj në cilat çështje Kosova po përparon dhe në cilat po ngecë?

Janina Hrebiçkova: Varet nga cili këndvështrim e shehë situatën. Nëse e shikon nga këndvështrimi i Kosovës, duke qenë shteti më i ri i pavarur në botë, atëherë kujtoj se vendi po ecë rrugës së mirë dhe se Kosova duhet të jetë krenare për këtë. Nëse e shikon nga këndvështrimi i suksesit të procesit të reformave të vendit që është në tranzicion atëherë nuk mund të jeni të lumtur, sepse reformat po ecin ngadalë: privatizimi i ngadalë, korrupsioni po shtohet, ligji nuk po respektohet, ka mungesë të veprimtarive të kulturës e artit, papunësia është e lartë, etj.

Qytetarët e Kosovës do zgjedhin udhëheqësit e tyre, shoqëria civile do të shtyjë këta udhëheqës të përmbushin premtimet e tyre, mediet e Kosovës do të kenë fuqinë e kontrollimit të veprimeve të udhëheqësve të tyre dhe t’i sfidojnë ata me fjalët e tyre nëse nuk i kanë matur veprimet e tyre. Nuk është e lehtë, që shprehur simbolikisht, brenda ditës apo javës ose brenda muajit, të themelosh një shoqëri demokratike, laike, të lirë, të pavarur, të fortë ekonomikisht dhe të drejtë më respektim të ligjit në një vend që është filluar nga e para.

Madje, është edhe më vështirë ta arrish këtë nëse udhëheqësit nuk kanë përvojë për të realizuar këto synime, dhe kur Kosova nuk është njohur nga të gjitha vendet e BE-së. Kjo kërkon durim, që vendi të mos radikalizohet vetvetiu dhe të mos marrë rrugë të gabuar, edhe atëherë kur kjo rrugë lë përshtypjen sikur është më e lehta. Kosova ka shumë sfida të vërteta por, poashtu edhe shumë potencial për t’ia dal mbanë.

infoGlobi: Nëse më kujtohet saktësisht, në takimin tuaj lamtumirës keni thënë perafërsisht se “Qytetarët e Kosovës gjatë 500 vjetëve të historisë së tyre, përjetuan që ligjet shkruheshin kundër tyre…”.

Janina Hrebiçkova: Po, për qindra vjet Kosova nuk e dëshironte sistemin ligjor shtetëror sepse shteti e përdorte ligjin kundër njerëzve të Kosovës, kundër lirisë së tyre dhe kundër të drejtave të tyre. Për këtë arsye Kosova nuk pati rrugë tjetër pos të krijojë sistemin e vet ligjor, kodin e vet të sjelljes dhe të mirësjelljes. Është ngazëllyese, sesi në shumicën e çështjeve, një kod i tillë i bënte krenar njerëzit e Kosovës.  Por, në këtë kishte edhe çështje negative. Tash, Kosova ka një kushtetutë demokratike dhe shtetin e vet. Njerëzit duhet të mësohen të respektojnë aktet e veta juridike dhe si t’u përkushtohen atyre. Pa e përmbushur këtë kriter shteti i Kosovës nuk paraqet asgjë më shumë se zero.

Respektimi i ligjit nga institucionet dhe nga njerëzit është një domosdoshmëri nëse duam që proceset e parapara të kenë sukses. Shumë vende të tjera në fillimin e ekzistencës, vendet në transicion, vendet të ballafaquara me kriza dështuan të respektojnë ligjet. Kështu ishte edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të përkujtojmë se si nuk kishte funksionuar sistemi ligjor ta zëmë në Los Ageles gjatë viteve të 1920-ta, sesi gangsterët dhe mafia vepronin në vend të policisë, në vend të gjyqeve, në vend të udhëheqësve komunal duke e marrë pushtetin në duar dhe duke krijuar një gjendje shkatërruese. Vetëm duke e respektuar sistemin ligjor me të gjitha mjetet jeta shkoi në drejtimin e duhur.  Kosova nuk ka nevojë më të kundërshtojë ligjet dhe sistemin juridik e politik represiv, sepse ky i tashmi nuk është i tillë, dhe qytetarët dhe institucionet duhet të mësohen ta respektojnë ate në tërësi. 

infoGlobi:  Kosova sapo kaloi procesin zgjedhor, thuhet mbase më të keqin në dhjetë vjetët e fundit. Si e shpjegoni atë që ndodhi gjatë zgjedhjeve?

Janina Hrebiçkova. Unë besojë se ky ishte kulminacioni i frustrimeve gati te secili që jeton në Kosovë. Njerëzit shpresonin se që nga viti 1999, kur OKB-ja, mori kontrollin dhe administrimin në Kosovës nga Serbia, e deri tash është dashur të përmbyllet demokratizimit dhe të themelohet një shtet funksional, Procesi u zgjatë shumë dhe nuk ka rezultate të qëndrueshme. Shumica e njerëzve edhe më tej janë pa punë, nuk mund të udhëtojnë pa viza dhe ndjehen të ndarë, të izoluar e të diskriminuar në krahasim me njerëzit e vendeve tjera. Qytetarët edhe me tej nuk shohin investime të mëdha, e as privatizim të duhur që do të sillte rezultate pozitive në jetën e tyre. Ata po shohin pasurim të madh të një grupi të vogël njerëzish, kurse shumica po varfërohet.


Në Kosovë nuk ka shtresë të mesme shoqërore të fortë. Atje, poashtu nuk ka zëra të fortë që ta kundërshtojnë këtë situatë. Njerëzit janë të frustruar, që edhe më tej, pjesa veriore e vendit të tyre nuk është nën kontroll të drejtësisë dhe të institucioneve përkatëse. Ata ndjejnë se bota po lejon diskriminimin në mes të jugut dhe veriut. Këto kritere të dyfishta po lejohen e që është një kancer për tërësinë e Kosovës.

Disa njerëz të partive politike mund të kenë menduar se duke i vjedhur votat apo duke penguar lëvizjet e rregullta ata “do t’u qesin hi syve” njerëzve të vet por edhe vëzhguesve ndërkombëtar. Ky ishte një gabim i madh. Duke vepruar kështu ata e lënduan shumë Kosovën dhe vonuan përparimin e saj. Unë shpresojë se institucionet që do të merren me këto parregullsi do të nxjerrin përfundime të drejta, përshtypja për Kosovën në botë do të përmirësohet dhe qytetarët e saj do ta këthejnë sërish besimin e tyre.   

infoGlobi: Qytetarët e Kosovës e dinë arsyetimin e përsëritur të pesë vendeve të Bashkimit Evropian për mosnjohjen e Kosovës. Si do të tejkalohet kjo gjendje, që është bërë një pengesë e madhe në zhvillimin e Kosovës? 

Janina Hrebiçkova: Secili vend ka të drejtën vetanake që të njohë apo jo një shtet tjetër. Kosova duhet të koncentrohet në punët e veta dhe në sjelljet e veta. Kosova duhet të përmirësohet në pikat e veta të dobëta, të dorëzojë dhe të prezantojë vizionin e saj, të hartojë dhe të prezantojë skenarin e vet.  Kosova duhet të bind shtetet që e kanë njohur dhe ato që nuk e kanë njohur sikurse edhe ato vende që po mendojnë ta njohin, se njohja e saj është veprim i duhur ngase: Kosova e di çfarë do, për çfarë ka nevojë dhe se e di si ta arrijë ate, se Kosova di si të ballafaqohet dhe luftojë kundër vështirësive dhe pikave të veta të dobëta.

Kosova duhet të flas më shumë hapur si në skenën e brendshme dhe ate të jashtme. Është detyrë e politikanëve që të bindin të tjerët në botë, që t’i bindin ata se udhëheqësit e Kosovës e dinë si të luftojnë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, si ta mbajnë buxhetin e shtetit të qëndrueshëm, se si t’i integrojnë pakicat, si ta përmirësojnë sistemin shëndetësor, dhe shumë detyra të tjera.

Zërat e shoqërisë civile në Kosovë duhet të bindin të tjerët jashtë vendit të tyre se ata e dinë se si t’i detyrojnë udhëheqësit e vet të kryejnë punën se duhet dhe se dinë se si të bashkëpunojnë me ta. Poashtu, mediet e Kosovës me punën e tyre të dëshmojnë se janë llogaridhënës vetëm para interesit të qytetarëve dhe të askujt tjetër. Unë e shoh rrugëdaljen atëherë kur Kosova si tërësi të mund të demonstrojë  para të tjerëve përkushtimin konkret, planin, strategjitë dhe përkushtimin ndaj rendit ligjor. Për ta realizuar këtë kërkohet shumë përkushtim, intelektualistet dhe punë të rënd e të përqëndruar sikurse edhe një punë konkrete e komunikimit me publikun. 

infoGlobi: Ku po e shihni perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Janina Hrebiçkova: Unë, e shoh nga një këndvështrim pozitiv ngase pjesa më e madhe e Evropës e kupton se Ballkani Perëndimor nuk është një ujëdhesë e izoluar apo një subjekt i ndarë. Ballkani Perëndimor është vërtetë pjesë e Evropës. Pas përmbushjes së kushteve të domosdoshme, këto vende do të përfshihen në BE.

infoGlobi: Janë aktuale bisedimet Kosovë-Serbi. A mendoni se çështjet e proklamuara si “teknike” mund t’i shmangen çështjes së statusit?

Janina Hrebiçkova: Po, por e tëra varet nga cilësia dhe synimi i vërtetë i udhëheqësve të dialogut nga Kosova dhe Serbia.  Nëse ata duan të arrijnë kushte më të mira të jetës për qytetarët e tyre dhe nëse ata vërtetë duan që vendet e tyre të bëhen anëtare të BE-së, nëse ata vërtetë duan që të luftojnë kundër korrupsionit dhe të luftojnë kundër veprimeve të tjera kundërligjore, nëse ata duan një shtet laik dhe një shoqëri jo përjashtuese, atëherë, ky dialog për çështjet teknike do të shmanget nga pikat e statusit.     

infoGlobi: Jeni një nga diplomatet e rralla që keni shëtitur pothuajse secilën pjesë të Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore. Cila është zgjidhja e veriut të Kosovës? Kush do të jetë ai që do të vej gurëthemelin e stabilitetit të qëndrueshëm aty? Deri tash, këtë nuk e bëri as KFOR-i, as UNMIK-u e, as EULEX-i?

Janina Hrebiçkova: Ne të gjithë duhet të mësohemi për kompromise politike dhe të hulumtojmë për rrugët më të mira të mundshme që nuk do të kënaqin qind për qind asnjërën palë. Çështja thelbësore është t’u mundësohet njerzëve të jetojnë nën sistemin ligjor.

infoGlobi: Ju ka shkuar ndonjëherë në mend çfarë iu ka dhënë karriera juaj profesionale, për çfarë ju mund të jeni krenare, dhe çfarë iu ka marrë që ju detyron të ndjeni keqardhje?

Janina Hrebiçkova: Gjatë gjithë karrierës sime profesionale, unë gjithnjë e kam pasur vetëm një parim qenësor. Parimin si ta ushtrojë detyrën time sa më mirë që mundem, që të mos e bëjë punën time kurrë në mënyrë mekanike e as teknike. Jam krenare që kisha mundësi t’u them njerëzve të vërtetën, që atyre “t’ua hapë sytë”, t’u ofrojë zgjidhje, t’i lejojë të flasin lirshëm, t’u lejojë të përcaktohen sipas bindjes së tyre, e jo ti nënshtrohen mendimeve kolektive.

Jam krenare që jam pjesë e njerëzve të cilët punojnë për lirinë e tjerëve, që u ndihmojnë të tjerëve të rindërtojnë strukturat e shkatërruara, të ndihmojë kundër shkatërrimit të mendjeve, të atyre njerëzve që u shtrijnë dorën njerëzve që ishin persekutuar, t’u ndihmojë njerëzve të dhunuar, njerëzve me aftësi të kufizuar, të jenë pjesë e paqes dhe të ndërtimit të besimit të shtetit dhe të sistemit ligjor e institucional, që me të tjerët u tregon rrugën grave për të realizimin e të drejtave të tyre.

Jam krenare që ndihmoj në krijimin e sistemeve qeveritare,  të cilat nuk janë themeluar sipas parimit nacionalist, fashist, diktatorial apo autoritar, por mbi themelet e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, të ndërtimit të administratave ku lejohet dëgjimi i zërave tjerë poashtu.

Ndjej keqardhje që nuk kam ndikim më të madh, që të vazhdojë të përsëris me zë të lartë, se nëse ne vazhdojmë të persekutojmë liritë dhe të drejtat e të tjerëve, për shkak të frikës që kanë ata, apo vetëm për shkak të interesit të biznesit të tyre. I gjithë shkatërrimi do të na kthehet tek të gjithë ne, me një intensitet edhe më të madh. 

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora