E diele, 28.04.2024, 12:32 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kodi “Casablanka” gjeopolitik dhe fronti i tretë kundër Europës në Tunizi

E shtune, 29.01.2011, 08:57 PM


Kodi “Casablanka” gjeopolitik dhe fronti i tretë kundër Europës në Tunizi

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

“As time goes by”

Nëse doni që të kuptoni atë që ndodhi në Tunizi, dhe që është pikënisja e një fronti të tretë kundër Europës, duhet që të sillni ndërmend filmin e famshëm “Casablanka”, me Humphrey Bogart dhe Ingrid Bergman. E kush nuk e ka parë filmin “Casablanka”, i cili qëkurse është shfaqur për herë të parë në 1942 mbetet një nga filmat më të ndjekur të të gjitha kohërave! Ky është një film paradigmatik. “As time goes by”, siç thotë kënga e filmit, kjo bëhet edhe më e qartë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që shfaqja e një filmi të koincidojë me një ngjarje të madhe që ka lidhje me filmin, çka do të thotë që filmi të shfaqet në atmosferën më të mirë të mundshme publicitare, në të cilën është shfaqur ndonjëherë një film. Kjo ndodhi jo rastësisht me filmin “Casablanka”. Filmi u shfaq për herë të parë në 26 nëntor 1942, vetëm 18 ditë pasi kishte filluar zbarkimi i ushtrisë amerikane në Afrikën e Veriut, ku beteja kryesore ishte ajo e Casablanka-s, në Marok. Casablanka, qyteti më i madh maroken, ishte dhe baza kryesore e flotës ushtarako-detare franceze në Afrikë.

Sipas Armëpushimit të Compiegne, të qershorit 1940, të arritur mes Mareshalit Petain dhe Hitlerit, Afrika Veriore Franceze dhe forcat ushtarake franceze që gjendeshin në të, do të ruanin asnjëanësinë në luftë, çka edhe ndodhi se amerikanët nuk u përballën me asnjë lloj force ushtarake gjermane kur zbarkuan në Marok dhe Algjeri. Amerikanët në këto vende u përballën vetëm me ushtarë francezë. Gjithçka që kanë arritur të thonë amerikanët për praninë gjermane në këtë luftë janë dy nëndetëse gjermane të flotës të Atlantikut, të cilat erdhën në teatrin e luftimeve në kohën e zbarkimit amerikan. E megjithatë, në tekstet e historisë ushtarake amerikane, kapiteni i njërës prej nëndetëseve gjermane është “nderuar” së bashku me gjeneralin francez, i cili komandonte 60 mijë ushtarët francezë që gjendeshin në Marok dhe Algjeri, me detyrën e komandantit të forcave kundërshtare! Sikur kjo gjë të ishte bërë në një komedi të shfaqur në Broadway, mirë, por ja që kjo është bërë në tekstet zyrtare historike amerikane, ku thuhet se Gjenerali Eisenhower, komandanti i forcave amerikane, kishte si homologun e vet nga pala kundërshtare, përveç një gjenerali francez, edhe kapitenin e nëndetëses gjermane, Ernst Kalst!

Alexis de Tocqueville, në librin e vet të famshëm “Mbi demokracinë në Amerikë” shkruan: “Amerikanët, të cilët gati gjithherë kanë qëndrim të matur dhe pamje të ftohtë, megjithatë lejojnë që t’ i bartë shpesh shumë larg kufijve të arsyes një pasion i papritur ose një botëkuptim i pamenduar, prandaj u ndodhin vërtet pakujdesi të çuditshme" (Aleksis dë Tokëvilë: “Mbi demokracinë në Amerikë”, Shtëpia botuese “Dukagjini”, Pejë 1998, f. 572)

Në vitin 1942, makineria amerikane e propagandës së luftës u mundua mjaft që t’ u shpjegonte qytetarëve amerikanë se përse, në një kohë që President Roosevelt u thoshte atyre se do të luftonin për të çliruar Europën nga gjermanët, forcat ushtarake amerikane kishin zbarkuar në Afrikë dhe po luftonin kundër ushtrisë franceze! Derisa forcat amerikane qenë angazhuar tashmë në luftë kundër japonezëve në Oqeanin Paqësor, në Europë nuk ishte angazhuar në luftime kundër gjermanëve qoftë edhe një ushtar i vetëm amerikan, edhe pse ishte premtuar nga aleatët hapja e Frontit të Dytë që në vitin 1942. Por në vitin 1942 amerikanët nuk kishin asfare ndërmend që të zbarkonin në Europë, për të luftuar me gjermanët. Në vitin 1942 ushtria amerikane zbarkoi në Afrikën e Veriut, për të luftuar kundër… francezëve. Ky fakt, pra se gjatë Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të e filluan luftën në Europë, duke luftuar kundër francezëve, sikur u harrua me kalimin e kohës.     

Filmi “Casablanka”, në të cilin paraqiteshin gjërat sikur Maroku (nënkupto krejt Afrika Veriore Franceze) qenë të mbushura me ushtarakë gjermanë, të cilët silleshin atje si në një vend të pushtuar, ishte një ndihmë e madhe për makinerinë amerikane të propagandës së luftës, ose më saktë ishte pjesë e saj. Ky film romantik, në fakt është një PSYOP, siç quhet shkurt psychological operation, domethënë manipulimi i psikes kolektive, duke i bërë njerëzit të besojnë një gjë të caktuar. Më saktë filmi “Casablanka” ishte një ekspedient i PSYWAR (Psychological Warfare), domethënë operacion psikologjike që synon manipulimin e psikes kolektive në kohë lufte. Ekziston një koincidencë kurioze, e cila nuk mund të quhet thjesht koincidencë. Idea për filmin “Casablanka” dhe nisja e punës për prodhimin i tij, erdhën pikërisht në kohën kur Washington, planifikuesit ushtarakë amerikanë patën idenë që ushtria amerikane të zbarkojë në Afrikën Veriore, duke pasur si objektiv parësor pikërisht qytetin e Casablanka-s! Praktikisht, filmi “Casablanka” eci paralel me përgatitjen e Operacionit “Torch”, zbarkimit amerikan në Afrikën Veriore franceze dhe vetë shfaqja e filmit mund të konsiderohet si akti i fundit i Operacionit “Torch”!

“It's still the same old story?”       

Por ka dhe një tjetër koincidencë shumë interesante. Skenari i filmit “Casablanka” është bazuar në dramën “Everybody comes to Rick’s”, e Murray Burnett dhe Joan Alison, e shkruar në vitin 1940. Në këtë dramë ngjarjet ndodhin në Bregun e Kaltër, në Cafe Americaine Rick’s, në Francën Jugore, para pushtimit gjerman të Francës. Në film ngjarjet ndodhin në Marok, në Casablanka. A mund të besohet se skenaristët e filmit (të cilët ishin katër veta) e patën papritur idenë për ta zhvenduar vendin ku ndodhnin ngjarjet nga Franca Jugore, në Marok, e pikërisht në Casablanka, një emër ky krejt i panjohur për publikun amerikan deri më atëherë? Natyrisht se jo! Sipas të gjitha gjasave skenaristëve të filmit kjo zhvendosje u është sugjeruar nga qeveria amerikane, posaçërisht zyrat e Psychological Warfare. Kur ata që bënë filmin i vunë atij titullin jopremtues “Casablanka”, e dinin mirë se kur të shfaqej filmi ky qytet do të ishte bërë shumë i njohur për publikun amerikan. Në kalkulusin e zyrës së PSYOP në Washington, filmi duhet ta paraqiste Afrikën Veriore Franceze si një bastion nazist, çka do të justifikonte zbarkimin e ushtrisë amerikane atje, dhe jetët e humbura të ushtarëve amerikanë në këtë luftë.

462 ushtarë amerikanë u vranë në luftën kundër francezëve për pushtimin e Marokut dhe të Algjerisë, nga 8-16 nëntor 1942. 1400 ushtarë francezë u vranë duke i bënë rezistencë sulmit amerikan. Publiku amerikan nuk mund të mos pyeste se përse duhej kjo luftë kundër Francës dhe ushtrisë franceze në Afrikë, kur ato po qëndronin neutrale dhe qenë larg teatrit të luftimeve në Europë? Beteja kryesore e kësaj lufte u bë pikërisht në Casablanka, ku amerikanët dhe francezët pësuan humbjet më të mëdha në një fushbetejë të vetme, gjatë kësaj lufte. Filmi “Casablanka ” erdhi pikërisht në kohën e duhur, vetëm 10 ditë pas përfundimit të luftës, ashtu që amerikanët të besonin se kjo luftë në Afrikën Veriore dhe amerikanët e vrarë në të, u bënë për t’ i dhënë fund një bastioni nazist në Afrikën Veriore, çka nuk ishte e vërtetë. Por filmi “Casablanka” nuk koincidoi me Betejën e Casablanka-s, por pasiqë planifikatorët ushtarakë amerikanë planifikuan fushatën në Afrikën Veriore dhe Betejën e Casablanka-s, u vendos që të bëhet filmi “Casablanka”. Ironikisht, nuk ishte “still the same old story”, ashtu siç thuhet në këngën e filmit “As time goes by”, e cila luhet shpesh në film”: “It's still the same old story/A fight for love and glory/A case of do or die./The world will always welcome lovers/As time goes by”. Pas një historie melodramatike ishte kamufluar një histori inteligjence. Në fakt filmi kërkonte që ta bënte shikuesin amerikan idiot, po aq sa kur Humphrey Bogart, për të cilin të gjithë e dinin se ishte mjaft më i shkurtër se Ingrid Bergman, dukej në film më i gjatë se ajo!

A ishin vërtet ushtarët francezë që luftuan kundër amerikanëve në Kasablanka, kolaboracionistë të zellshëm të gjermanëve, ashtu siç paraqitet në film Kapiteni Renault, shefi i policisë franceze në Kasablanka? Në maj 1945, gjenerali francez Leclerc, komandanti i një armate franceze e cila iu  cili u ishte bashkuar forcave angloamerikane, u ndesh me një grup francezësh ish-ushtarë të Divizionit SS francez “Charlemagne”, të cilët kishin rënë robër të aleatëve perëndimorë. Gjenerali i pyeti ata përse mbanin veshur uniforma gjermane (në fakt ata mbanin flamurin francez në uniformë). Një prej robërve, të cilët i përkisnin batalionit të famshëm të kapitenit Henri Joseph Fenet, i cili ishte forca që u largua e fundit nga kancelaria-bunker e Hitlerit, tre ditë pas vdekjes së tij, iu përgjigj me përbuzje gjeneralit se përse ai mbante veshur një uniformë amerikane. Gjenerali nuk dinte ç’ ti përgjigjej dhe të 12 robërit u ekzekutuan pa gjyq, duke mos u quajtur robër lufte. Reparti i tyre kishte shkatërruar 62 tanke sovjetike në rrugën pranë kancelarisë në Berlin, duke u bërë pengesë që rusët të mos e pushtonin kancelarinë në 1 maj, në ditën e festës së tyre ideologjike. Pesë muaj pas këtij episodi gjenerali Leclerc do të gjendej në Vietnam si komandant i forcave ushtarake franceze që luftonin kundër komunistëve të mbështetur nga rusët, një luftë kjo të cilën do ta trashëgonin amerikanët. Ironikisht, Leclerc tashmë ishte duke bërë luftën e atij ushtarit të Divizionit SS “Charlemangne” me të cilin pati fjalëshkëmbimin e mësipërm.

Në film rrëfehet historia përpjekjeve të një veprimtari të rezistencës antigjermane në Çekosllovaki, Victor Laszlo, i cili vjen në Casablanka me gruan e tij, në përpjekje për t’ u shpëtuar ndjekjeve të gjermanëve dhe prej nga ku kërkon që të arratiset në Amerikë. Në film tregohet se si gjermanët e ndjekin Laszlon edhe në Marok dhe u kërkojnë autoriteteve franceze që ta gjejnë dhe dorëzojnë atë. E gjithë historia është qesharake, se në atë kohë në Marok jetonin 250 mijë hebrej, nga të cilët asnjë nuk iu dorëzua gjermanëve prej autoriteteve franceze, edhe pse këto në letër vunë në fuqi ligjet antisemite të cilat regjimi i Petain qe i detyruar që t’ i vinte në fuqi sipas marrëveshjes me gjermanët. Në këtë film çuditërisht, ose ndoshta jo, nuk thuhet asgjë për fatin e hebrejve të përndjekur nga gjermanët, kur Maroku ishte përplot me hebrej.

“You played it for her and you can play it for me”

Zbarkimi amerikan në Afrikë ishte në fakt fillimi i fushatës amerikane kundër perandorive koloniale europiane, në mënyrë që të privoheshin këto vende nga një bazë e rëndësishme e fuqisë së tyre dhe të bëheshin protektorate amerikane në të ardhmen. Njëkohësisht SHBA-të do të vendosnin tutelën e tyre mbi kolonitë e fuqive të mëdha europiane. Shumë nga ish-kolonitë e fuqive të mëdha europiane, më pas kur u bënë “të pavarura” ranë nën një tutelë amerikane që jo rrallë i kapërcente edhe eksperiencat më të këqija të sundimit kolonial, me diktatorë gjakësorë ekzotikë, një alternativë më e keqe se qeverisja gjithsesi e përgjegjshme koloniale.

Ajo që ndodhi pak ditë më parë në Tunizi, dhe mënyra se si u kërkua të shitet nga mediat e mëdha amerikane, deri edhe nga Presidenti Obama, si një lëvizje popullore që përmbysi një diktator, në fakt ishte një karikaturë e Operacionit “Torch”, me operacionin “Casablanka”, si pjesë e tij. Rrëzimi nga pushteti i Presidentit tunizian Ben Ali ishte një akt agresioni ndaj popullit tunizian, i kryer për motive cinike gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Nuk është asfare e besueshme që një njeri si Ben Ali, i cili kishte sunduar për rreth 24 vite, u largua nga pushteti pas 27 ditë protestash për arsye ekonomike, kur gjendja ekonomike në Tunizi është shumë më e mirë se në vende të tjera arabe ku diktatorët qeverisin të pashqetësuar, duke u mbështetur në momentet e vështira tek ushtria. Ben Ali u rrëzua praktikisht me anë të një grusht shteti, kur kundër tij doli ushtria. Ushtarakët tunizianë u nxitën nga amerikanët që të mos i binden atij, kur u shkallëzuan protestat në vend. Siç thuhet në filmin “Casablanka”: “You played it for her and you can play it for me”. Nëse ushtarakët e luajtën këtë lojë për Tunizinë që ajo të mbetej një vend laik, tash e luajtën edhe për Amerikën, që Tunizia të hynte në një spirale kaosi të paparashikueshëm.

Presidenti i rrëzuar tunizian Ben Ali ishte vërtet një diktator, por ai ishte një engjëll sipas standardeve të botës arabe. Nën drejtimin e Ben Ali Tunizia u bë një nga ekonomitë më të zhvilluara të botës islame dhe të Afrikës, duke pasur një nga shifrat më të larta të GDP-së për person. Ekonomia tuniziane, në vitin 2009 u rendit e dyzeta në botë për shkallën e kompetivitetit, një arritje e madhe për një vend afrikan dhe islamik. Ish-Presidenti Ben Ali ishte një kampion i laicizmit në vend dhe e thelloi atë, duke ndaluar hixhabin, shaminë e kokës të femrave, me arsyetimin se ajo ishte një traditë e huaj për Tunizinë. Policia e Ben Ali i kapte meshkujt me mjekrra të modës islamike dhe i çonte me forcë që t’ ua ruanin mjekrrat. Ben Ali, gjatë kohës që ishte në pushtet e luftoi fort opozitën islamike në vend, e cila në fakt ishte e vetmja opozitë reale ndaj regjimit të tij, në një vend që nuk kishte njohur kurrë demokraci. Ben Ali bashkëpunoi me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit. Për të gjitha këto arsye Al Qaeda e përshëndeti rrëzimin nga pushteti të Ben Ali.

“Of all the gin joints in all the towns in all the world, she walks into mine.”

Presidenti i rrëzuar tunizian Ben Ali, kishte të drejtë që të thoshte si Hamphrey Bogart në filmin “Casablanka”, duke parodizuar: “Of all the gin joints in all the towns in all the world, she walks into mine.” Përse CIA, nga të gjithë regjimet diktatoriale që gjenden në botën islamike shkoi pikërisht në Tunizi, që të rrëzonte nga pushteti Presidentin Ben Ali? Përse nuk rrëzohet Mubaraku në Egjipt i cili është shndërruar në një faraon? Se Egjipti është fqinj i Izraelit dhe destabilizimi i Egjiptit, me popullsinë e tij gjigande, kërcënon seriozisht sigurinë e Izraelit. Por e vërteta është se Ben Ali u rrëzua nga pushteti edhe se vendosi që të zhvillojë industrinë bërthamore në vend, për qëllime civile. Ben Ali, pasiqë pa se vendi fqinj, Algjeria, në vitin 2008 nënshkroi një marrëveshje me Francën për zhvillimin industrisë bërthamore për qëllime civile, u inkurajua që të bëjë të njëjtën gjë. Në vitin 2009, kryeministri francez Fillon, i shoqëruar nga 70 përfaqësues të kompanive të mëdha franceze, bëri një vizitë në Tunizi, gjatë së cilës u nënshkrua marrëveshja dypalëshe sipas së cilës Franca do ta ndihmonte Tunizinë që kjo të ndërtonte impiante bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike.

Marrëveshja bërthamore franko-tuniziane nuk u pëlqeu fare amerikanëve, të cilët pikërisht në atë kohë qenë duke bashkëpunuar me fqinjën lindore të Tunizisë, Libinë, që kjo t’ i jepte fund projektit të saj bërthamor. Pikërishti atëherë kur Libia kishte pranuar që reaktori kërkimor të vihej nën mbikqyrjen e inspektorëve ndërkombëtare dhe që të dorëzonte rezervën e saj të uraniumit, për t’ u shkatërruar në Rusi, erdhi lajmi për marrëveshjen bërthamore franko-tuniziane. Diktatori libian, Ghedafi krenar, nuk mund të duronte që fqinji i tij Tunizia, një tjetër vend i vogël afrikan, të zhvillonte industrinë bërthamore, në një kohë që Libia hiqte dorë prej saj. Pikërisht në kohën që lënda radiaktive libiane ishte duke u ngarkuar në anije nën vëzhgimin e inspektorëve amerikanë dhe rusë, qeveria libiane e ndaloi befasisht transportin e saj. Më tutje, në janar 2010 Libia deklaroi se zyrtarisht se do të zhvillojë industrinë bërthamore për qëllime paqësore, duke u rikthyer gjërat në pikën e nisjes.

Për amerikanët, projekti bërthamor libian është tepër shqetësues se ai do të sjellë që edhe fqinji i Libisë, Egjipti të zhvillojë një projekt bërthamor. Egjipti, i cili ka një popullsi dhjetë herë më të madhe se Libia dhe nevoja të mëdha për energji elektrike, nuk të durojë që t’ ia kalojë fqinji i vet i vogël perëndimor. Dhe vërtet në gusht 2010 Presidenti egjiptian Mobarak shpalli se Egjipti do të ndërtojë industrinë bërthamore. Projekti bërthamor egjiptian është shumë shqetësues për Izraelin se Egjipti është vend që kufizohet me Izraelin. Por nëse Egjipti bie nën kontrollin e radikalëve islamikë, atëherë kjo do të thotë që Izraeli të ballafaqohet me një tjetër “Iran” në kufirin lindor, një fuqi nukleare tetëdhjetëmilionëshe. Shqetësimi izraelit natyrisht se reflektohet në Washington. Pas Egjiptit edhe fqinji lindor i Izraelit, Jordania, deklaroi se do të zhvillojë industrinë bërthamore. Më tutje në lindje, edhe Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shpallur të njëjtën gjë.

 

“Play it once, Sam, for old times’ sake”

Amerikanët dhe izraelitët e identifikuan Presidentin Ben Ali si shkakun e efektit domino bërthamor në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme, në drejtimin nga lindja në Perëndim. Është e vërtetë se së pari ishte fqinji i Tunizisë, Algjeria, ajo që arriti një marrëveshje bërthamore me Francën që në vitin 2008, por Algjeria gjendet në skajin perëndimor të Afrikës Veriore, shumë larg Izraelit, për të përbërë kërcënim për të. Pastaj SHBA-të nuk mund të hapnin një konflikt të ri me një vend të madh islamik si Algjeria, në një kohë kur qenë në luftë në Irak dhe Afganistan dhe kishin një konflikt me Iranin për çështjen bërthamore. Por projekti bërthamor algjerian nuk mund të bëhej shkak i një efekti domino bërthamor nga Afrika Veriore në Lindjen e Mesme, nëse këtë hap nuk e ndërmerrte një vend fqinj i Algjerisë. As Egjipti, as Jordania, as Arabia Saudite, madje as Maroku, një vend tradicionalisht proamerikan, nuk do të kishin guxuar që t’ i hynin sfidës bërthamore, nëse këtë gjë nuk do ta kishte bërë më parë Tunizia, pa folur këtu për Libinë. Kjo kuptohet nga fakti se edhe marrëveshja bërthamore franko-marokene, anipse Maroku është fqinji perëndimor i Algjerisë, nuk erdhi pas marrëveshjes bërthamore franko-algjeriane, por pas asaj franko-tuniziane.

Presidenti tunizian Ben Ali në fakt e kapërceu “Rubiconin” bërthamor, duke krijuar një efekt domino bërthamor në krejt Afrikën Veriore. Kjo e bëri atë shënjestrën e amerikanëve dhe izraelitëve. “Play it once, Sam, for old times’ sake” thotë Ilsa pianistit në filmin “Casablanka”, kur hyn në kafe “Americain” dhe gjen të njëjtin mjedis dhe të njëjtin pianist që ka njohur në Francë. Uncle Sam luajti përsëri muzikën e vjetër, të filluar në Casablanka në 1942, këtë herë në Tunizi. Këtë herë jo me duke çuar ushtrinë, por me anë të shërbimeve inteligjente. Ekzistonte një traditë e hershme për bashkëpunimin amerikano-tunizian, e cila duket se shërbeu në këtë rast, tradita e pakteve të famshme mes SHBA-ve dhe piratëve tunizianë në shekujt XVIII-XIX. Atëherë, qeveria amerikane, për shkak të sulmeve të piratëve të famshëm tunizianë kundër anijeve tregtare amerikane në Mesdhe, lidhën dy herë, në 1797 dhe 1815 traktate me piratët tunizianë, sipas termave të të cilëve traktate, SHBA-të do t’ i paguanin tribut shefit të piratëve, Beut të Tunizit, që anijet tregtare amerikane të mos sulmoheshin më në Mesdhe prej tij. Këtë herë në vend të piratëve qenë gjeneralët tunizianë, amerikanët ashtu si në të kaluarën paguan tributin për shërbimin. Për gjeneralët tunizianë, të cilët si çdo tunizian janë krenarë për traditën pirateske të vendit të tyre, duke e paraqitur atë në një dritë tjetër, duket se nuk ishte asfare ide e keqe që ta rrëzonin qeverinë e vendit të tyre, me ndihmën e ish partnerit të paraardhësve të tyre. Tekefundit kjo ishte vetëm një zhvillim i marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe piratëve tunizianë. Në të dy rastet ata që paguan qenë amerikanët.

“We’ll always have Paris.”

Por projekti bërthamor i Presidentit Ben Ali ishte krejt në kuadrin e strategjisë ekonomike të Francës për zhvillimin e industrisë bërthamore në vendet e Magrebit (Afrikës Veriore), ish-koloni franceze, ashtu që këto vende të zhvilloheshin ekonomikisht dhe të përbënin tregje të gjëra për eksportet franceze. Tunizia është një ish-koloni franceze e cila nga Franca mbahet si histori suksesi e marrëdhënieve të Francës me ish-kolonitë islamike, se në Tunizi bashkëpunimi me Francën kishte prodhuar një regjim laik stabil dhe ekonomi relativisht të prosperuar, në një kohë që alternativa qenë forcat fundamentaliste, të cilat kërkonin të sillnin në fuqi diktatura islamike me ekonomi të dështuara. Franca është partneri i parë tregtar i Tunizisë. Në sajë të marrëdhënieve me Francën, 75% e eksporteve tuniziane shkojnë në Bashkimin Europian dhe 72 % e importeve tuniziane vijnë prej Bashkimit Europian.

Tunizia është vendi arab që ka tërhequr më së shumti investime të huaja jashtë industrisë së naftës. Deri edhe “Airbus” ka investuar në Tunizi. Tunizia ka një turizëm shumë të zhvilluar, duke qenë një destinacion i pëlqyer prej turistëve perëndimorë. Edhe këtu ka pasur investime të mëdha franceze. Shkurt Tunizia ishte deri më tash për Francën prova më bindëse se ish-kolonitë thonë për të atë thënien e famshme të filmit “Casablanka”: “We’ ll always have Paris.” Ky realitet ekonomik inkurajues ka pasur si parakusht një regjim laik të llojit të despotizmit të ndritur, çka ishte ai i Ben Ali i cili siguronte stabilitetin e nevojshëm politik në këtë vend islamik.

Kokota e Institut d’ Etudes Politiques de Paris

Kryetarja e Partisë Socialiste Franceze (në fakt titulli zyrtar i saj është “sekretarja e parë”), Martine Aubrey, kur filluan demonstratat në Tunizi e qortoi Presidentin Sarkozy se nuk mbante qëndrim të ashpër kundër Presidentit Ben Ali, duke dënuar represionin shtetëror ndaj protestuesve, madje e ftoi qeverinë franceze që ta bënte këtë gjë. Zonja Aubry tha: “Unë dua t’ i them popullit tunizian se ai ka mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të Partisë Socialiste Franceze dhe që Franca të adoptojë një pozicion të fortë duke dënuar represionin e papranueshëm”.

Zonja Aubry me këto fjalë tregoi se ajo është sharlatania më e madhe në politikën franceze që nga koha kur femra e parë hyri në politikën franceze me Jeanne D’ Arc (Zhanë D’ Ark), me gjithë respektin për Virgjëreshën e Orleanit. Martine Aubry, e cila ka kryer Institut d’ Etudes Politiques de Paris, një shkollë e përgatitjes së elitës franceze, duket se nga moto e kësaj shkolle të famshme (Excellence, Innovation, Diversite), paska përftuar vetëm “diversite”. Martine Aubrey, e cila nesër mund të jetë presidente ose kryeministre e Francës, i kërkonte qeverisë franceze hiç më pak se që të merrte një pozicion të tillë ndaj ngjarjeve në Tunizi, që u bënte komoditet atyre që kishin ideuar dhe po zbatonin një skenar atentati edhe ndaj interesave franceze në Tunizi dhe më gjerë në Afrikën Veriore, në traditën e Operacionit “Torch”.

Rick’s Cafe American

Zbarkimi amerikan në Afrikën e Veriut u quajt si Fronti i Tretë, në një kohë që Fronti i Dytë i shumëpritur nuk ishte hapur ende (Fronti i parë quhej Fronti Sovjeto-Gjerman). Njëjtë, edhe ajo që ndodhi në Tunizi ishte Fronti i Tretë, por kundër Europës. Fronti i parë kundër Europës është lufta kundër euros. Fronti i Dytë është Ballkani, gjegjësisht përdorimi i tij për të destabilizuar Europën. Fronti i Tretë kundër Europës u eksperimentua në Tunizi, me rrëzimin e një regjimi laik, ashtu që Tunizia e destabilizuar, me afërsinë e saj të rrezikshme nga Europa, të bëhej një kanal për dyndjen në Europë të miliona e miliona emigrantëve ilegalë islamikë nga Afrika. Kështu, Europa do të ndjehet e dobët dhe do të ndjejë nevojë të përhershmë për të qenë protektorat i SHBA-ve. Ashtu si tek filmi “Casablanka” ku paraqitet figurativisht një paradigmë. Atje europianët e hutuar dhe në konflikt mes tyre shkojnë të gjithë tek “Rick’s Cafe American”. Personazhi kryesor Rick, përfaqëson SHBA-të. Aluzioni është se të gjithë europianët kur kanë konflikte iu drejtohen SHBA-ve për ndihmë, se të gjithë, miq dhe armiq mesvedi, shikojnë nga SHBA-të.

Ngjarja e parë formative për SHBA-të në marrëdhëniet me botën e përtej Atlantikut ishte kontakti me piratët e Afrikës Veriore, duke përfshirë dhe ata tunizianë, me të cilët SHBA-të për rreth një gjysmë shekulli që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit XVIII bënë luftra dhe pakte, sipas termave të të cilëve SHBA-të bëheshin në letër vasalë të regjimeve pirate të Afrikës Veriore, të cilët në letër duhej të ishin nën sovranitetin osman. Amerikanët e përjetuan këtë si një poshtërim para syve të Europës dhe krejt botës, dhe në mendjen e tyre u ngul thellë idea se mënyra më efikase në të cilën ata duhet të silleshin me botën, ishte modeli i marrëdhënieve të tyre me piratët tunizianë, ku këtë herë amerikanët nuk do të qenë viktimat.

Moonlight and love songs/Never out of date./Hearts full of passion/Jealousy and hate.

Çfarë do të ndodhë me Tunizinë tani që atje fitoi i ashtuquajturi Revolucioni i Jasminëve (Zambakëve?) A do të bëhet Tunizia një vend demokratik? Të gjithë ata që e njohin historinë e Tunizisë e kuptojnë se kjo është një gjë e pamundur. Tunizia është një vend arab islamik, i cili është bërë shtet i pavarur vetëm në vitin 1956 dhe që nuk e ka njohur kurrë demokracinë në historinë e saj. E vetmja traditë që ka Tunizia përveç asaj religjioze islamike është tradita e piraterisë në Mesdhe, për të cilën ky vend ka qenë i famshëm, deri në kohën kur vendi u bë koloni franceze dhe piraterisë iu dha fund. Nëse një regjim autoritar laik në Tunizi u rrëzua për shkak të gjendjes së pakënaqshme ekonomike, siç u tha, çfarë do të ndodhë me institucionet demokratike në Tunizi, të cilave do t’ u mungojnë si mjetet financiare për të zgjidhur problemet ekonomike, ashtu dhe mjetet e regjimit autoritar për të ruajtur rendin publik, që do të rrezikohet nga revoltat popullore, për shkak të gjendjes së keqe ekonomike?

Në këto rrethana, demokracia ka shumë gjasa të shkaktojë ose kaosin, ose të sjellë në fuqi regjime fundamentaliste islamike, një spirale kjo që do të përfundojë më diktatura ushtarake. Zgjedhjet, herët a vonë do të sjellin në pushtet partitë islamike, se ato do të përfitojnë nga pakënaqësia popullore, siç është verifikuar të ketë ndodhur edhe në vende të tjera islamike ku janë zhvilluar zgjedhje. Për të mos shkuar larg, pikërisht në vendin fqinj të Tunizisë, në Algjeri. E famshmja, Rruga Arabe, tekefundit do të sugjestionohet nga propogandistët islamikë, më të zotët në botë pas atyre të Kominternit.

Rritja e rolit të ushtrisë në politikën e vendit do të bëjë që të marrë fund arritja madhore e Ben Ali, i mbajtjes së një ushtrie të vogël profesioniste dhe vendi do të fillojë të shpenzojë më tepër për ushtrinë, duke u bërë barrë e papërballueshme për ekonominë e vendit. Aq më tepër kur investimet e huaja dhe turistët do t’ i jenë larguar vendit për shkak të destabilitetit kronik. Në të ardhmen e Tunizisë është hija e Sudanit. E shkuara ka treguar se në vendet e varfra islamike rritet fanatizmi dhe kjo do të sjellë fundit e laicizmit tunizian. Tunizia ka krijuar një traditë të brishtë laike falë periudhës kur ka qenë koloni e Francës. Laicizmi në Tunizi është produkt i një elite intelektuale-ushtarake të formësuar nga shkollat franceze, si dhe nga shkolla tuniziane e ndërtuar sipas modelit francez. Por tashmë partitë politike në vend, për të fituar vota, do ta venë theksin tek arabizmi, jo tek frankofonia. Gjithashtu, një Tunizi e cila ndërpret shumë nga lidhjet ekonomike me Francën, do të shkojë sigurisht kah zbehja e traditës frankofone dhe me këtë rast edhe e laicizmit. E ardhmja e Tunizisë është si një parodi e atyre vargjeve të këngës së përmendur më lart të filmit “Casablanka”: “Moonlight and love songs/Never out of date./Hearts full of passion/Jealousy and hate”.

E ardhmja e Tunizisë është nën dritën e Gjysmëhënës, e cila gjendet edhe në flamurin e saj, e këngëve të dashurisë për Allahun, e zemrave plot pasion, xhelozi dhe urrejtje islamike, më së pari ndaj Perëndimit, i cili do të bëhet përgjegjës që tunizianët bënë vetëvrasje në 14 janar 2011. Dobësimi i shtetit në vend, do të çojë në ringjalljen e traditës pirateske, me banditizmin, i cili edhe për shkak të pozitës gjeografike të vendit, nuk do të kufizohet vetëm në Tunizi, por do të shtrihet edhe në Europë. Tunizia do të bëhet një bazë e krimit të organizuar në brigjet e Afrikës, një pol manjetik i botës kriminale. Pushteti në vend do të flirtojë me krimin e organizuar, për ta përdorur si bazë fuqie, vendi do të ketë regjime hibride, politiko-kriminale, dhe nëse do të ketë stabilitet, ky do të jetë i llojit të regjimeve të piratëve, pra me regjime mafioze, në interes të veprimtarisë së tyre, viktimë e së cilës do të jetë Europa. Aktiviteti kryesor i piratëve tunizianë dikur ishte rrëmbimi i njerëzve që udhëtonin në anijet europiane dhe amerikane në Mesdhe, për t’ i shitur si skllevër, ose për t’ i liruar kundrejt shpërblimit të madh. Tash, sipas kësaj tradite, do të bëhet e kundërta, do të dërgohen klandestinë afrikanë në brigjet europiane, kundrejt shpërblimit.

Me plot arsye Presidenti francez Sarkozy dhe kryeministri francez Fillon nuk ndanë asfare entusiazmin e Presidentit amerikan Obama për atë që u quajt Revolucioni i zambakëve në Tunizi dhe që çoi deri tek përmbysja e Presidentit Ben Ali. Franca në Tunizi tashmë është si ajo luftanija e madhe franceze “Jean Bart”, e cila u godit në Casablanka dhe mbeti në port si një relike gjatë luftës.

Kodi “Casablanka”

Në këngën e filmit “Casablanka” thuhet: “This day and age we're living in/Gives cause for apprehension/With speed and new invention/And things like fourth dimension”. Koha kur u shfaq më së pari filmi “Casablanka” ishte pikërisht një kohë e tillë, por publiku amerikan nuk kuptoi gjë. Për publikun amerikan të kohës realiteti autentik ishte sikur  dimensioni i katërt, ndërsa melodrama fiction e filmit ishte realitet sugjestionues. Kodi “Casablanka” funksionoi atëherë. Sot ai luhet përsëri. E ashtu si atëherë kur SHBA-të, të cilat hynin në luftë kundër Gjermanisë Naziste në vitin 1941, por e fillonin luftën në Afrikën e Veriut në 1942, për të zbarkuar në Francë vetëm në 1944, sot Presidenti Obama na thotë se duartroket kurajën dhe dinjitetin e protestuesve tunizianë dhe e fton qeverinë tuniziane që të respektojë të drejtat e njeriut dhe të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme. Por këtë gjë nuk ia thotë Mubarakut në Egjipt, i cili ka shpikur metodën e shtypjes së protestave popullore me mitralim nga helikopterët.

Ajo që ka rëndësi për amerikanët, projekti për zhvillimin e industrisë bërthamore në Tunizi do të anulohet nga autoritet tuniziane “demokratike”. Vetë Franca nuk do të guxojë që të asistojë ndërtimin e industrisë bërthamore në një Tunizi jostabile, çka do të jetë ky vend në erën e “demokracisë”. Kështu amerikanët do të kenë një argument shtesë për ta bindur Libinë që të heqë dorë nga planet e saj bërthamore.

Nesër kur Tunizia e destabilizuar të bëhet kanal i dyndjes në Europë të turmave të emigrantëve klandestinë nga Afrika, Obama, apo pasardhësi i tij, do t’ i kërkojnë Europës që të marrë përgjegjësitë e veta, për sigurinë në Mesdhe, në Frontin e Tretë të saj, të hapur sipas Kodit “Casablanka”. Pastaj, të gjithë, europianë dhe afrikanë, do të tubohen tek “Rick’s Cafe American” ku do të kërkojnë shpëtimtarin që të arbitrojë dhe të zgjidhë konfliktin dhe problemin e tyre.  Kështu, “As time goes by”, gjërat mbeten ashtu siç kanë qenë.

Ajo që ndodhi në Tunizi hedh një hije tjetër dyshimi mbi angazhimin amerikan në Ballkan, se nëse amerikanët veprojnë kështu në Afrikën Veriore, një vend kaq pranë Ballkanit, nga pikëpamja e ndërvarësisë së zonave gjeopolitike të një superfuqie që e shikon gjeografinë në sens të gjerë të efektit të ndërsjelltë të ngjarjeve, atëherë qëllimet e tyre afatgjata në Ballkan, nuk mund të mos shihen me dyshim të madh. Ajo që ndodhi në Tunizi duhet të jetë një tjetër moment për reflektim në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, për shqiptarët në të dy anët e kufirit. A janë vërtet SHBA-të për ne “Rick”-u i mirë dhe i ndershëm i Cafe Americane të Casablanka, i cili zgjidh problemet, apo janë diçka tjetër? Ajo që ndodhi në Tunizi gjithashtu duhet të bëhet shkak për një rivlerësim urgjent të marrëdhënieve shqiptaro-franceze, jo vetëm të Republikës së Shqipërisë, por të krejt kombit shqiptar, në dy anët e kufirt, me Francën, temë për të cilën do të shkruaj një herë tjetër.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora