E merkure, 01.05.2024, 03:38 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kur unë e ndjeja veten izraelit në tetorin e largët 1973

E diele, 30.01.2011, 08:57 PM


Kur unë e ndjeja veten izraelit në tetorin e largët 1973

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

(Letër e hapur kryerabinit të Shqipërisë, Hirësisë së Tij, Joel Kaplan)

 

I nderuar kryerabin i Shqipërisë, Joel Kaplan!

Së pari ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, megjithëse dhjetori i vitit 2010 duhet të kishte qenë data e ikjes Suaj nga Shqipëria, pas 19 vitesh qëndrimi në vendin tonë, në detyrën që mbani, ose më saktë e kryerabinit, se Ju për nga mosha që keni nuk mund të kishit ardhur si kryerabin në Shqipëri që në vitin 1991. Unë dua të them se ishte dashur që një kryerabin nga Izraeli të vinte në Shqipëri që në vitin 1991, kur ndër hebrejtë vendas nuk kishte teologë të përgatitur, për shkak ndalimit të të gjitha religjioneve prej diktaturës komuniste. Në intervalin mes fillimit të vitit 1991 dhe fundit të vitit 2010, djem nga hebrejtë e Shqipërisë, djem të cilët kishin lindur në Shqipëri, duhet të qenë shkolluar si rabinë dhe ndonjëri prej tyre të ishte rikthyer në Shqipëri si kryerabin në 2010. Unë nuk di që qeveritë shqiptare të kenë nxjerrë ndonjë pengesë që prej vitit 1991 dhe në vitet në vazhdim, për emërimin zyrtarisht të një kryerabini për komunitetin hebre në Shqipëri. Asnjë përfaqësues i komunitetit hebre në Shqipëri, nuk është ankuar për këtë gjë.

Unë nuk mund të mos shpreh habinë time që në Shqipëri filloi të veprojë që në vitin 1991 Fondacioni “Soros”, i multibilionerit shumë të përfolur botërisht hebre, George Soros (fondacioni vepron legalisht në Shqipëri që në 1992), dhe vetëm 19 vite më pas, në dhjetor 2010 u hap sinagoga e parë në Shqipëri, me ç’ rast erdhi kryerabini. Në këto rrethana, çdo njeri ka të drejtë të mendojë se deri më sot Fondacioni “Soros” ka luajtur edhe rolin e sinagogës në Shqipëri, apo të qendrës rabinike.

I shumënderuari Zotëri!

Siç besoj se ju e dini, psikologjia na mëson se mendësia e njeriut përftohet nga ato që quhen formative event, pra ngjarje formuese. Formative event për mua sa u përket hebrejve ka qenë Lufta e Jom Kippurit e vitit 1973, mes vendeve arabe nga njëra anë (kryesisht Egjiptit dhe Sirisë, por edhe vendeve të tjera arabe të cilat dërguan forca më të vogla ushtarake) dhe Izraelit në anën tjetër. Unë në atë kohë, posa kishte mbushur shtatë vjeç (lufta filloi katër ditë pas datëlindjes sime të shtatë, në 6 tetor). Viti shkollor posa kishte filluar- unë isha në shkollën fillore. Për mua dhe shumë të tjerë ajo luftë u bë si një lloj ndeshjeje sportive e kohës së Luftës së Ftohtë. Bashkimi Sovjetik mbështeste dhe armatoste agresorët arabë, Egjiptin, Sirinë si dhe vendet e tjera, ndërsa SHBA-të mbështesnin dhe armatosnin Izraelin. Gjatë asaj lufte unë mësova t’ i njoh pikëpamjet politike të shokëve dhe shoqeve të mia të klasës, të lagjes, nga ekzistenca apo mungesa e një ndriçimi të veçantë në sytë e tyre, varësisht kahjes që merrte kjo luftë. Diktatura komuniste e Enver Hoxhës ishte thellësisht antiizraelite, deri në racizëm. Shteti komunist shqiptar nuk e njihte shtetin e Izraelit dhe nuk mbante marrëdhënie diplomatike me të (edhe pse fillimisht e kishte njohur duke ndjekur shembullin e Bashkimit Sovjetik). Në Luftën e tetorit 1973 regjimi komunist shqiptar ishte në anën e agresorëve arabë, kundër Izraelit. E gjithë makineria propagandistike e përbindshme e diktaturës komuniste ato ditë punonte me të gjithë motorrët duke na bombarduar mendjet me propagandë antiizraelite dhe pro agresorëve arabe.

Në mendjen tonë, timen dhe të bashkëmoshatarëve të mi, përplaseshin dy pikëpamje për luftën në fjalë, ajo e propagandës zyrtare të regjimit, dhe ajo e prindërve tanë.  Por ato ditë në Shqipëri, të gjithë ata njerëz që në shpirt nuk e donin regjimin komunist dhe prisnin rënien e tij, qenë në anën e Izraelit, kundër agresorëve arabë. Feja islame nuk luante rol këtu. Ndër ta kishte njerëz, të cilët e kishin prejardhjen nga paraardhës të kthyer me forcë në fenë islame nga ana e pushtuesve osmanë dhe të cilët tashmë nuk kishin asnjë lloj devocioni ndaj kësaj feje, siç ishte familja ime. Kurse të gjithë ata që e donin me shpirt regjimin komunist qenë me agresorët arabë kundër Izraelit. Madje këtu gjetën rastin që të ngazëllenin edhe ata njerëz të cilët njiheshin si muslimanë praktikues para vitit 1967, kur u ndalua religjioni, dhe të cilët tashmë gjenin rastin që të shprehnin mbështetjen e tyre për agresorët arabë, e cila kishte motive të tjera, pa pasur frikë se akuzoheshin si reaksionarë- termi i regjimit për besimtarët e çdo religjioni.

Pikëpamjet e ne fëmijëve qenë natyrisht produkt i pikëpamjeve të prindërve tanë. Në familjet ku prindërit qenë pro Izraelit dhe kundër agresorëve arabë, siç ishte familja ime, prindërit kujdeseshin që t’ i fshihnin pikëpamjet e tyre nga ne fëmijët, duke pasur frikë se mos flisnim jashtë shtëpisë dhe kështu zbulohej origjina e mendimeve tona. Një nga metodat më të pëlqyera të policisë sekrete komuniste ishte që t’ i zbulonte pikëpamjet “armiqësore” të më të rriturve, me anë të dekonspirimit që u bënin atyre fëmijët, duke folur me bashkëmoshatarët e tyre. Por, gjithsesi, prindërit tanë nuk mund t’ i fshihnin pikëpamjet e tyre nga ne, brenda shtëpisë, se ne, me kureshtjen e të voglit që vrojton sjelljen e më të rriturit arrinim të perceptonin shumë më tepër nga sa donin prindërit tanë. Unë mbaj mend se babai im në ditët e Luftës së tetorit 1973 dëgjonte intensivisht radiot e huaja për të mësuar se si shkonte lufta në të vërtetë. Se radioja, televizioni dhe shtypi zyrtar i regjimit komunist thoshte se Egjipti dhe Siria po fitonin ndaj Izraelit. Në fakt ashtu ndodhi në fillim të luftës, kur ushtritë egjiptiane dhe siriane, për shkak të befasisë arritën disa suksese në luftë. Pastaj vinin diskutimet mes të rriturve në familje, nga të cilat ne fëmijët kureshtarë arrinim që të kapnim mjaftueshëm sa për të mësuar pikëpamjen e të rriturve. 

Prej këtej porositë e shumta të prindërve që të mos flisnim me bashkëmoshatarët në shkollë dhe në rrugë për këto që dëgjonim në shtëpi. Por ç’ mund të na thoshin prindërit tanë për atë ndriçimin në sy që na tradhtonte në shkollë, në rrugë. Se ato ditë, sado e çuditshme që të duket sot, edhe ne të vegjëlit nuk flisnim veçse për Luftën Arabo-Izraelite. Kjo edhe për faktin se diktatura komuniste na bëri që ta përjetonim edhe fizikisht këtë luftë, si luftën tonë. Regjimi komunist në ditët e luftës e ushtroi popullsinë në alarme ajrore ditën dhe natën, a thua se aeroplanët izraelitë do të vinin që të bombardonin edhe Shqipërinë! Dhe kjo në një kohë kur regjimi komunist lejoi kalimin mbi territorin shqiptar, të avionëve sovjetikë të cilët furnizonin ushtritë egjiptiane dhe siriane me armatime. Avionët gjigantë rusë “Antonov” niseshin nga bazat ushtarake sovjetike në Hungari, kalonin në itinerarin më të shkurtër, mbi Jugosllavi, Shqipëri, dhe pastaj mbi det, për shkak se në drejtim tjetër nuk mund të kalonin pasi Greqia, Turqia, të cilat qenë në NATO dhe Irani, i cili atëherë qe proamerikan, nuk lejonin kalimin e aeroplanëve sovjetikë mbi territorin e tyre. Enver Hoxha, edhe pse e quante Bashkimin Sovjetik armik, vend socialimperialist, siç thoshte ai, e lejoi kalimin e aeroplanëve ushtarakë sovjetikë, për hir të agresorëve arabë, të cilët i quante miqtë e tij të ngushtë. Është interesante se si lufta kundër Izraelit i fashiti konfliktet brenda botës komuniste, duke i bashkuar të gjithë, stalinistë, antistalinistë kundër Izraelit. Nejse.

Unë mbaj mend se sirenat e alarmit ajror ranë së paku dy herë, një herë kur isha në shkollë dhe një herë natën vonë, në shtëpi, kur ishim në gjumë, me ç’ rast duhet që të shkonim në strehimet kundërajrore. Për ne fëmijët këto qenë përjetime shumë të forta, aq sa ta bënin luftën temën qendrore të bisedave tona ato ditë. Natyrisht se ne që ishim proizraelitë, kujdeseshim që t’ i fshihnim pikëpamjet tona, por një vëzhgues i sofistikuar do ta kuptonte se ne na tradhëtonte ndriçimi në sy. Në ditët e para të luftës, e cila vazhdoi 19 ditë, sytë u shkëlqenin atyre që ishin kundër Izraelit dhe pro arabëve. Në ditët e tjera, kur filluan të triumfonin izraelitët, sytë na shkëlqenin në që ishim proizraelitë. Nga ndriçimi ose mungesa e tij në sytë e bashkëmoshatarëve të mi ato ditë, mësova të dalloj në mënyrë relativisht të vetëdijshme se cili prej tyre, përkatësisht familjet e tyre qenë me shpirt pro diktaturës komuniste dhe cili qe kundër. Më pas, kur ra komunizmi, dhe njerëzit filluan që t’ i shprehin pikëpamjet hapur, vura re se nuk kisha gabuar asfare në perceptimin tim.

Unë thashë më lart se lufta e vitit 1973 ishte si një lloj ndeshjeje sportive për ne. Unë mbaj mend se babai im ishte tifoz personal i gjeneralit Ariel Sharon, heroit të kësaj lufte, të cilin e shikonim në televizionet e huaja. Babai ngulmonte se gjenerali Sharon nuk ishte kush tjetër përveçse një shoku i tij i fëmijërisë, një hebre i cili kishte ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia së bashku me familjen gjatë Luftës së Dytë Botërore, me dokumente false me një emër të rremë. Babai im kishte luajtur dhe kishte zënë miqësi me këtë hebre, i cili më pas ishte larguar. Babai thoshte se Gjenerali Sharon ngjante krejt si shoku i fëmijërisë së tij dhe se nuk mund të ishte tjetërkush posë tij. Më vonë kur mësova biografinë e Sharon e kuptova se kjo nuk mund ishte e vërtetë. Por ç’ rëndësi kishte kjo, edhe babai im ndoshta nuk e besonte vërtet këtë gjë, por i pëlqente të mendonte se miku i tij i dikurshëm gjendej në këtë luftë dhe kishte kontribuar në disfatën dhe poshtërimin e aleatëve të Bashkimit Sovjetik dhe të diktaturës komuniste shqiptare. Kur Gjenerali Sharon kapërceu kanalin e Suezit, babai thoshte se Arieli do të hyjë në Kajro dhe një ditë do të na ftojë të gjithë ne miqve të tij shqiptarë atje për të parë piramidat.

Unë mbaj mend episode komike nga paslufta. Një herë, kur krejt shkollën tonë e çuan në kinema për të parë një film artistik, sipas praktikës së asaj kohe, para tij u shfaq një film dokumentar, që tregonte për Luftën e Tetorit 1973. Por në këtë film dokumentar, në pajtim me propagandën bajate arabo-sovjetike, e cila ishte përvetësuar edhe nga regjimi komunist shqiptar, dilte sikur arabët e kishin mundur Izraelin. Në një moment kur në ekran u shfaqën ushtarë egjiptianë që sulmonin duke thirrur: “Jalla ja xhamali”, një shoku im pyeti me zë të lartë se çfarë do të thoshin këto fjalë. Sekretari i partisë i shkollës, i cili dëgjoi, dhe donte të tregonte erudicion (para filmit ai kishte mbajtur një fjalim për luftën) tha se këto fjalë do të thoshin: “Para partizanë!”. A thua se ushtarët egjiptianë qenë partizanët komunistë të Luftës së Dytë Botërore. Në fakt fjalët do të thoshin diçka si: në sulm djema! Në një moment kur, megjithë kujdesin e atyre që kishin përzgjedhur sekuencat filmike, dukej qartë se egjiptianët po tërhiqeshin, dikush nga nxënësit e rritur nuk duroi dot dhe tha: “Jalla ja xhamali”. Në sallë plasi e qeshura.

Njëjtë i përjetuam ne edhe luftrat e tjera të ngjashme, siç ishin fushatat ushtarake izraelite në Liban, në 1978 dhe 1982, për t’ u dhënë fund bazave terroriste palestineze atje. Në këto luftra unë isha më i rritur dhe i ndiqja me pasion sportive sukseset izraelite. Veçanërisht kështu ndiqja fushatën izraelite në Liban, në 1982, e cila koincidoi me kampionatin botëror të futbollit. Është e vështirë të them se çka ndiqja me më shumë pasion, ndeshjet e futbollit, apo sukseset izraelite në Liban kundër terroristëve palestinezë. Pastaj erdhi Intifada e Parë e vitit 1987, e cila më solli ndjenjën e përçmimit për Arafatin dhe të vetët, se pasi kishin dështuar me terrorizmin e mirëfilltë, tash kërkoin që t’ i krijonin botës përshtypjen se kinse po luftonin thjesht me gurë përballë armëve izraelite.

Ngjarja tjetër formative për mua, sa u përket hebrejve erdhi pas rënies së komunizmit në Shqipëri, me ardhjen e Sorosit në Shqipëri. Ju duhet ta pranoni i Shumënderuari Zotëri, se për një vend të vogël si Shqipëria, i cili trashëgoi nga  diktatura komuniste një shkatërrim të organizuar, të barabartë me atë të një lufte botërore, ardhja e një njeriu si Soros dhe veprimtaria e tij në Shqipëri, është njëjtë sikur një elefant të fusë feçkën e vet në folenë e lepujve. Se Soros erdhi në Shqipëri për të sponsoruar në mënyrë të njëanshme vetëm njërën anë të shqiptarëve, përkatësisht intelektualëve dhe politikanëve, ata që i qëndruan besnikë ish-partisë komuniste, PPSH, pasiqë ajo ndryshoi emrin duke u bërë Partia Socialiste. Natyrisht se nuk do të kishte asgjë të keqe sikur Soros të ndihmonte edhe intelektualët që mbështesnin PS-në dhe duke i lançuar në politikë, në këtë parti, në rast se njëjtë do të qenë mbështetur edhe intelektualë që nuk qenë pranë kësaj partie. Dhe gjëja më shokuese për mua ishte se Soros në Shqipëri mbështeste të gjithë ata njerëz të cilët kishin qenë në anën e agresorëve arabë dhe kundër izraelitëve, në luftrat që kishin përbërë ngjarje formative për mua. Sorosianët e Shqipërisë janë të gjithë ata, ose bijtë e atyre të cilët kishin përbërë brigadën propagandistike të diktaturës komuniste kundër Izraelit, shpesh me argumente të propagandës naziste. Një provë për këtë është se këta njerëz në librat që botonin me sponsorimin e Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, përdornin fjalën fyese “çifut”, për të cilën unë kam thënë se do ta përdor derisa Ambasada Amerikane të kërkojë falje publikisht për këtë gjë. Gati të bëhej të besoje se në vend të Sorosit në Shqipëri kishte ardhur një bilioner arab, i cili po shpërblente të gjithë ata të cilët kishin qenë në anën e arabëve në luftrat kundër Izraelit.

Kjo solli një paradigme-shift në mendjen time. Atëherë unë, I Shumënderuari Zotëri, fillova të mendoj se këtu ka diçka më të thellë. Unë nuk kisha besuar në teoritë e konspiracionit hebre deri më atëherë, port ash fillova t’ / bëj vetes disa pyetje. Pse këta hebrejtë, të cilët në të gjitha vendet e botës ku jetonin kishin përqindjen më të lartë të komunistëve në raport me numrin e tyre, kur krijuan shtetin e vet të Izraelit, nuk patën një parti të fuqishme komuniste? Se duhej supozuar që partia komuniste në Izrael të merrte një të tretën e votave, si në Francë dhe në Itali, kur në fakt ajo ishte dhe mbeti e papërfillshme! Çfarë dinin këta hebrejtë për komunizmin, të cilën nuk e dinim ne të tjerët? Kjo pyetje më torturon ende.

Gjithashtu Soros në Shqipëri sponsoroi fuqishëm të ashtuquajturën luftë kundër nacionalizmit, në emër të së cilës predikohej dhe punohej për shpërbërjen e kombit (nacionit). A nuk është e habitshme I Shumënderuari Zotëri, që pikërisht nga hebrenjtë, populli i cili e ka shndërruar historinë e vet në fenë e vet, kanë dalë kaq shumë studiues të çështjeve nacionale, si Ernest Gellner, Eric Hobsbawm, Hannah Arendt, Karl Popper, Alen Finkelkraut etj., të cilët elaborojnë teori se nacioni (kombi) është një fenomen modern, i cili ka lindur pas krijimit të shtetit, dhe se ekzistenca historike e kombit është thjesht një mit, një komunitet imagjinar, se individi me identitet nacional është krijim i shtetit-komb. Ironia është se këta studiues të zellshëm hebrenj nuk e kuptojnë se kështu bëhen mohues të Holokaustit, se nëse kombet nuk kanë ekzistuar para krijimit të shtetit, atëherë edhe kombi hebre nuk ka ekzistuar para vitit 1948, kur u krijua shteti i Izraelit, ashtu siç nuk kanë ekzistuar individët me identitet nacional hebre. Kështu, me dashakeqësi mund të thuhet që Holokausti nuk ekziston, se nazistët nuk kanë vrarë hebrenj, por njerëz që i imagjinonin si hebrenj, dhe që vëtëimagjinoheshin si hebrenj, por që në fakt nuk qenë të tillë. Pothuajse të gjithë ata që u vranë gjatë Holokaustit nuk flisnin hebraishten që më pas u bë gjuha e shtetit hebre. Pra, kështu del se Holokausti është një mit që duhet destruktuar, sipas shkollës së destruksionit të mitit, të hebreut Derrida, që e zbatojnë sorosianët në Shqipëri për të destruktuar historinë e Shqipërisë dhe figurat qëndrore të saj, si Skënderbeu.

 

Hirësia Juaj!

Por unë personalisht nuk e besoj këtë Hirësia Juaj, unë besoj se hebrenjtë kanë ekzistuar para vitit 1948, ashtu sikurse ka ekzistuar edhe kombi shqiptar. Hebrenjtë janë i vetmi komb historia e të cilëve, e shkruar prej vetë atyre, është shndërruar në religjion të një pjese të madhe të njerëzimit, duke qenë se është në bazë të krishterimit, me Testamentin e Vjetër dhe atë të Ri. Ne hebrenjtë mësojmë në librat e shenjtë se hebrenjtë janë populli i zgjedhur i Zotit, të cilit i është thënë nga Zoti se do të sundojë mbi të gjithë popujt, ne mësojmë bëmat e prijësve dhe mbretërve hebrenj, Abrahamit, Isakut, Moisiut, Davidit, Solomonit, dhe të gjitha këto ne i shohim në mënyrë metaforike, por për hebrenjtë ajo është vetë historia e tyre, dhe ata nuk mund ta përjetojnë njëlloj si ne. Unë imagjinoj Hirësia Juaj, sikur historia shqiptare të ishte religjion i botës, sikur në librat e shenjtë të thuhej se ilirët (paraardhësit e shqiptarëve) të qenë populli i zgjedhur i Zotit, dhe mbretrit ilirë, Hylli, Bardhyli, Batoni, Agroni, Glaukia, Pirro, Teuta, Genti të qenë profetë. A do të kisha faj unë pastaj nëse do të kisha idenë se shqiptarët duhet të sundojnë botën dhe duhet të bëjnë konspiracione për këtë?

Shumëkush mund të thotë se Soros është një individ, dhe se Izraeli dhe hebrejtë e tjerë të botës nuk janë përgjegjës për të. Problemi është se Izraeli, i cili është një shtet i cili mban marrëdhënie të ngushta me Diasporën, nuk mund të mos jetë përgjegjës për veprimet e njerëzve si Soros. Izraeli është një shtet i cili ka si një nga vlerat bazike eksperiencën e Holokaustit, do të thotë plojën që pësuan hebrejtë europianë. Nga kjo pikëpamje nuk mund t’ i iket përgjegjësisë për veprimet e njerëzve si Soros, i cili është shndërruar në një gjenerator të racizmit antihebre, për shkak edhe të luftrave të bujshme që ai bën në tregjet monetare ndërkombëtare, duke shënjestruar dhe sulmuar monedhat e vendeve të ndryshme, me pasoja shkatërrimtare për ekonomitë e tyre dhe qytetarët e këtyre vendeve. Soros është bërë një lloj terroristi finaciar ndërkombëtar, ekuivalent i Bin Laden, një ushqyes i mitit të financierit hebre që denoncohet në “Main Kampf” të Hitlerit. Vitin e kaluar vetë kancelarja gjermane e akuzoi Sorosin për konspiracion kundër euros.

Vetëm një dënim i rreptë i Soros nga komuniteti rabinik ndërkombëtar, dhe distancimi i rreptë i shtetit të Izraelit prej tij, duke u shpallur Soros deri edhe person non grata në Izrael, do t’ i bëjë njerëzit që të besojnë se Soros nuk është pjesë e një konspiracioni hebre për të sunduar botën.

Unë nuk mund të besoj se një njeri si Soros, i cili shkatërron monedhat e vendeve të ndryshme, duke u sjellë vuajtje të mëdha të qytetarëve të tyre, është një njeri që kryen edhe filantropi në shkallë të gjerë. Më tepër është e besueshme, atëherë që e ashtuquajtura filantropi e Soros është një pjesë e agjendës së tij destruktive ndërkombëtare. Nga kjo pikëpamje unë e kam të vështirë që të besoj se njerëzit e privilegjuar nga Soros këto 20 vite në Shqipëri, të cilët janë sponsoruar për të bërë karrierë në një kah të politikës, në PS, janë përzgjedhur thjesht për filantropi politike. Të gjitha të dhënat janë se Soros mbështet për të lançuar në lidershipin politik në Shqipëri, njerëz me origjinë nga kriptohebrejtë e Shqipërisë, ata paraardhësit e të cilëve qenë konvertuar në fe të tjera, në kohën osmane. Kjo, i Shumënderuari Zotëri, ka bërë që akronimi i një partie në Shqipëri, të lexohet praktikisht, Partia e Sinagogës. Në këtë pikë, ju keni detyrimin që të jepni sqarime për veprimtarinë haptazi politike, deri edhe si këshilltar zyrtar i një lideri politik, të një hebreu misterioz me veshje rabinike në Shqipëri, Irving Berkovic, në vitet 1992-2003, i cili ka deklaruar publikisht në televizion dhe në shtyp se kishte ardhur me misionin e ringjalljes së komunitetit hebre në Shqipëri.

Hirësia Juaj,

Willy Brandt, kancelari gjerman i cili kishte qenë antinazist dhe që nuk kishte pasur asnjë përgjegjësi personale për atë që bëri Hitleri, megjithatë në 1970 shkoi dhe u gjunjëzua para cenotaph të Ghetos së Varshavës, ku ndodhi ploja e hebrejve nga nazistët. Njëjtë, as Ju, as një nga kryeministrat apo presidentët izraelitë nuk kanë qenë përgjegjës për krimet që u bënë në sajë të doktrinës komuniste të hebreut Karl Mordechai (Marks), si dhe prej hebrejve të shumtë që morën pjesë në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, në masë shumë më të madhe se komb tjetër, në raport me popullsinë, me emra famëkeq për terrorizmin e kuq, të cilët janë të njohur për të gjithë. Kjo nuk e fajëson asfare krejt kombin hebre, ashtu si Holokausti nuk e fajëson asfare krejt kombin gjerman. Por të gjithë ne që kemi vuajtur nga doktrina e Karl Marks, të gjithë ne që për shkak të tij lindëm praktikisht në Ghetto, se Shqipëria komuniste qe një vend i rrethuar me tela me gjemba dhe mina, siç kishin bërë nazistët me Ghetton e Varshavës, presim që një kryeministër apo president izraelit të përkulet para memoralit të një kampi komunist homolog me atë të Aushvicit, dhe të kërkojë falje në emër të popullit hebre për atë që bëri Marksi dhe doktrinarët faktotumët e tjerë komunistë hebrej të luftës së klasave. Unë pres sinqerisht që së paku Ju ta bëni këtë gjë në Shqipëri. Aq më tepër kur me një ligj të Kuvendit të Shqipërisë, 27 janari është Dita e Kujtesës, citoj ligjin: “Ditë e përkujtimit të viktimave të shfarosjes masive të hebrenjve (Shoah) gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

I Shumënderuari Zotëri!

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Izraelit tashmë është bërë shndërruar tashmë në një skandal në marrëdhëniet shqiptaro-hebreje, për shkak edhe të retorikës së shtetarëve më të lartë izraelitë, çka hedh dyshime të mëdha mbi angazhimin izraelit në Ballkan, aq më tepër po të konsiderosh deklaratat e qeveritarëve më të larta izraelitë për Kosovën. Në 7 gusht 2006, kryeministri izraelit i kohës Ehud Olmert, në një intervistë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”, reagoi kështu ndaj kritikave që erdhën nga Europa për aksionin ushtarak izraelit në Liban: “Ku e marrin ata të drejtën t’ i predikojnë Izraelit? Vendet europiane sulmuan Kosovën dhe vranë dhjetë mijë civilë! Dhjetë mijë civilë! Dhe asnjë nga këto vende nuk kishte vuajtur para kësaj nga një raketë e vetme!”

Kështu Olmert, viktimat shqiptare të genocidit serb në Kosovë, ia atribuon fushatës së bombardimeve të NATO ndaj Serbisë. Kjo është njëlloj sikur të thuhet sot se viktimat e Holokaustit erdhën si pasojë e bombardimeve ajrore të amerikano-britanikëve ndaj Gjermanisë naziste! Kjo gjë për hir të së vërtetës nuk u shkoi ndërmend as nazistëve cinikë që dolën si të akuzuar në Gjyqin e Nurenbergut. Ariel Sharon, në kohën e fushatës ajrore të NATO kundër Serbisë u shpreh kundër veprimit të NATO duke thënë se fushata do të kishte si rezultat krijimin e Shqipërisë së Madhe. Se ç’ dëm i bënte Izraelit që gjendet në Lindjen e Mesme, më shumë se 2000 km larg, kjo “Shqipëri e Madhe” duket e pakuptueshme.

Në rastin e Kosovës ekziston prirja që shqiptarët e atjeshëm të fajësohen për faktin se disa çifutë ju dorëzuan gjermanëve në Kosovë dhe për përndjekjen e supozuar të çifutëve në Kosovë nga Divizioni SS “Skënderbeg”. Por nuk thuhet asgjë për qëndrimin e çifutëve të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe shqiptarëve të Jugosllavisë në përgjithësi. Serbët dhe malazezët (këta e quanin veten serbët më të pastër) i urrenin dhe i dhunonin shqiptarët, por më serbë se serbët qenë hebrenjtë e Jugosllavisë. Për qëndrimin e hebrenjve ndaj shqiptarëve të Kosovës mund të krijojmë një ide nga libri i udhëtimeve më i lexuar në Perëndim për Jugosllavinë. Fjalën e kam për librin e Rebeca West “Black lamb and the gray falcon: a journey through Yugoslavia”. Rebeca West udhëtoi në Jugosllavi, duke përfshirë edhe Kosovën, në vitet 1936-1938, pra në prag të Luftës së Dytë Botërore. Një nga shoqëruesit e Rebeca West gjatë udhëtimit të saj në Kosovë, të cilin ajo e quan “Serbi e vjetër” ishte një hebre me emrin Constantine, të cilin ajo e përshkruan kështu:

“Constantine është i shkurtër dhe i trashë, me një kokë si atë të satirit të mirënjohur në Louvre dhe me pamjen e një ithtari të zotit të verës Dionis, me një kurorë gjethesh rrushi në ballë, edhe pse ai pi pak alkool. Ai është gjithherë i dehur me atë çka del nga goja e tij, jo me atë çka hyn në gojën e tij. Ai flet papushim. Në mëngjes ai del nga dhoma e vet e gjumit, duke lënë përgjysëm një fjali, ndërsa në mbrëmje ai qëndron me shpinë nga ajo, ashtu që të thotë edhe një fjali më tepër. Kur flet, ai automatikisht bën gjeste heshtuese, si masë parandaluese nëse dikujt do t’ i shkojë në mendje që ta ndërpresë. Afërsisht gjithçka ai thotë është e mirë, por disa herë ai me fjalët e tij largohet në një lojë hijesh të ngjyrosura, si ’Netët Fiorentine’ të Heine, e disa herë ai e kristalizon në një rrëfenjë të vogël thelbin e shpresës, të dashurisë e dhimbjes, si një Heine lirik. Nga të gjithë njerëzit që unë kam takuar ai është më i ngjashmi me Heine, e derisa Heine ishte më hebreu ndër shkrimtarët, si rrjedhim Constantine është hebre përveçse serb. Babai i tij ishte një doktor hebre, i cili simpatizonte revolucionarët, dhe që u largua nga Polonia ruse pesëdhjetë vite më parë e u vendos në një qytezë të pasur provinciale në Serbi, ku u bë një nga liderët në profesionin e mjekësisë, që gjithëherë ka qenë këtu më i përparuar se ç’ mendohet. Nëna e tij ishte gjithashtu një hebre polake dhe ishte një muzikante e famshme. Constantine është bërë, vetëm me përshtatje, krejtësisht serb. Ai luftoi me shumë trimëri në Luftën e Parë Botërore se ai është njeri me kurajë të madhe, dhe për të historia serbe është historia e tij, jeta e tij është pjesë e jetës së popullit serb. Ai është tashmë një zyrtar shtetëror, por kjo nuk është arsyeja përse ai beson tek Jugosllavia. Për të një shtet i serbëve, sllovenëve e kroatëve, i kontrolluar nga një qeveri qendrore në Beograd, është i nevojshëm nëse këta njerëz duhet të mbijetojnë përkundër presionit italian dhe europianoqendror në perëndim, dhe presionit bullgar në lindje, që mund të bëhet efektivisht presion europianoqendror”. (Rebeca West, “Black lamb and grey falcon: a journey through Yugoslavia”, Edinburgh 2006, Canongate Books, f. 41-42)

Ky hebre është bërë më serb se serbët për të siguruar privilegje nga shteti serb. Ai ka teorinë se serbët, kroatët e sllovenët duhet të bashkohen kundër rrezikut europianoqendror (eufemizëm për rrezikun gjerman), gjë që do t’ i bënte kroatët e sllovenët të qeshnin dhe ta refuzonin me përçmim. Në Jugosllavi, Gjermania shihej si rrezik vetëm nga serbët, përveç hebrenjve, dhe kjo ishte arsyeja që hebrenjtë e Jugosllavisë qenë bërë filoserbë të flaktë, madje më serbë se serbët. Hebreu Constantine e dëshmon këtë. Pjesa e librit të Rebeca West për Kosovën, të cilën e quan “Serbi e vjetër” fillon kështu:

“Rruga jonë, nga Shkupi në Fushë-Kosovë, Fusha e Mullenjava, na çoi në drejtim të kodrave gri, të vizuara me hije blu, si zymbyla anglezë në një luginë të veshur me ta, një pamje e vjetër që shfaqet në mjedisin jugor porsa ka kaluar periudha e lulëzimit të frutave. Shpejt Dragutini na tha të zbresim meqënëse kishim arritur tek një burim i famshëm, ku ne gjetëm të ulur anës ujit një çift pleqsh muslimanë shqiptarë, të mjerë në zhele dhe me sandale copë-copë, të cilët qenë të gëzuar si mëngjesi. “Mirëdita” u tha Constantine, “Çka jeni duke bërë këtu?” Kjo ishte një pyetje e natyrshme se ky vend qe midis fshatrave dhe ata nuk dukeshin lloji i njerëzve që kishin mjete udhëtimi personale. “Unë nuk po bëj asgjë”, tha më i vjetri. “Çka, asgjë?” “Po, asgjë”, tha plaku me një ngërdheshje që çau tejpërtej mjekrën e tij. Ai duhet të kishte marrë udhëzime diku, ai kishte mësuar mjaft rreth obligimit të punës së rëndë për të gjetur një kënaqësi të vetëdijshme në përtaci. “Turp të keni” i talli Constantine. “E miku juaj, çka po bën?” “Ai ka ardhur të më ndihmojë mua! ” tha shqiptari; dhe mbi pasqyrën e ujrave, që ngriheshin me forcë nga thellësitë malore, ne u tallëm me zellin e tyre”.  (Rebeca West, “Black lamb and grey falcon: a journey through Yugoslavia”, Edinburgh 2006, Canongate Books, f. 835)             

A nuk sillet ky intelektual hebre, poet, me pleqtë shqiptarë si esesët në Gheton e Varshavës me pleqtë hebrenj? A thua se ky hebre, surrogat-serb, nuk kishte parë në Serbi fshatarë pleq të cilët rrinin në natyrë pa bërë kurrgjë, që habitej kaq shumë me këta pleq shqiptarë! Hebreu surrogat-serb sillet me shqiptarët si një eses me hebrenjtë pleq, dhe kjo angleze e ndjek atë në këtë sjellje raciste. E pastaj fajësohen bijtë dhe nipat e këtyre pleqve se përse u dorëzuan disa hebrenj gjermanëve! Natyrisht se nuk dua t’ i shfajësoj ata shqiptarë që e bënë këtë akt të mbrapshtë, por gjykimi nuk duhet të jetë asimetrik.

Hirësia Juaj,

Unë nuk shikoj asnjë arsye përse të ketë armiqësi mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Por unë konstatoj se Izraeli dhe Judaizmi botëror i përfaqësuar në Shqipëri nga Soros, e urrejnë kombin shqiptar dhe duan ta shohin atë në gjendjen e palestinezëve, në Gaza dhe Bregun Perëndimor të Lumit Jordan, ku rolin e izraelitëve ta kenë fqinjët e shqiptarëve sllavët dhe grekët. Kjo urrejtje nuk mund të vijë thjesht se hebrenjtë i shohin shqiptarët si komb që në pjesën më të madhe është musliman. Kjo urrejtje nuk mund të vijë as ngase pretendohet se gjatë Luftës së Dytë Botërore disa pak hebrenj u qenkan dorëzuar nazistëve nga shqiptarët në Kosovë. Edhe qeveria serbe e kohës së okupacionit gjerman bashkëpunoi me nazistët në përndjekjen e hebrenjve, duke u dorëzuar gjermanëve shumë më tepër hebrenj, e megjithatë Izraeli nuk ia ze për të madhe Serbisë sot këtë gjë. Urrejtja e elitës hebreje ndërkombëtare dhe në Izrael ndaj shqiptarëve shkon deri në kufijtë e urrejtjes së nazistëve ndaj hebrenjve. Arsyet e kësaj urrejtje u mbeten ju hebrenjve që t’ i shpjegoni. Unë konstatoj se si reagim, ndër shqiptarët në dy anët e kufirit është duke u rritur një frymë antihebreje, dhe kjo për faj të individëve hebrenj të profilit të lartë, si në Izrael, ashtu edhe në Diasporën hebreje. Pasojat e kësaj mbeten për t’ u parë.

Unë. I Shumënderuari Zotëri, dëshiroj sinqerisht që të rigjej dashurinë time për hebrenjtë, atë të fëmijërisë sime, por kam frikë se kjo nuk ka për të ndodhur. Vitin e kaluar, një profesor izraelit nga Jerusalemi më tha se unë kam shkruar gjëra të turpshme për hebrenjtë dhe më pyeti se ngase vinte kjo që ai e quante urrejtje. Unë e dëgjova me vëmendje dhe doja t’ i thoja se tek të gjitha këto ishte ai djali shtatëvjeçar i cili e ndjente veten izraelit, që tashmë po shprehte zhgënjimin e tij në shkrimet e Kastriotit të rritur. Por do të shkonte shumë gjatë për t’ ia shpjeguar, se i duhej treguar krejt historia që rrëfeva në pjesën e parë të këtij shkrimi. Ashtu si nuk i shpjegova dikujt tjetër që, pas shkrimit tim “Ylli i Kuq i Moskës dhe Guri i Zi i Mekës“ më pyeti për shkakun e urrejtjes sime ndaj muslimanëve praktikues, se edhe këtu, ndër të tjera,  ishte i njëjti djalë shtatëvjeçar që shprehte përbuzjen dhe urrejtjen që e gjithë bota islamike në vitin 1973, i drejtohej njëlloj si Yllit të Kuq të Kremlinit dhe Gurit të Zi të Mekës, se Bashkimi Sovjetik mbështeste dhe armatoste arabët agresorë kundër Izraelit. Në të dy rastet, të dy personat që pyesnin, nuk kishin vërtet interes për përgjigjen se e kishin formuar paraprakisht opinionin e tyre, dhe pyetja ishte në fakt thjesht retorike.

Në fund, I Shumënderuari Zotëri, dua t’ ju shpreh keqardhjen time që ardhja juaj në Shqipëri koincidoi me përgjakjen e politikës shqiptare pas rreth 13 viteve që kjo gjë nuk ndodhte. Natyrisht se Ju nuk jeni përgjegjës për këtë, por dinamika sorosiane në politikën shqiptare është përgjegjëse dhe shumë madje. Nëse ju do të bëni një kalim nëpër libraritë e Tiranës do të shikoni se ndër librat më të shitur janë ata ku flitet për konspiracionin hebre për sundimin e botës. Se përse ka ndodhur kështu është një histori e gjatë, vetëm mund t’ u them se Sorosi ka bërë për nxitjen e racizmit antihebre jo më pak se çdo të kishte bërë një ministri gebelsiane e propagandës, sikur të ekzistonte në Shqipëri. Praktikisht, duke parë këto botime dhe popullaritetin e tyre ndër shqiptarët në dy anët e kufirit, mund të thuhet se tek ne ekziston në luftë e ftohtë kundër hebrenjve. Ju e dini se kështu është edhe në vendet përreth nesh, në Ballkan, në Greqi, Serbi e më tutje. Është sfida juaj, I Shumënderuari Zotëri që të ballafaqoheni me këtë realitet në Shqipëri dhe të përpiqeni për ta ndryshuar atë. Unë e di se për kombin shqiptar lufta me hebrenjtë është një luftë e gabuar, në kohën e gabuar, ndaj njerëzve të gabuar, në vendin e gabuar. Ju, I Shumënderuari Zotëri, bëni një përpjekje të vogël dhe unë dhe të tjerë ju premtojmë Juve se do të bëjmë një përpjekje shumë të madhe, për t’ i ekzorcizuar shqiptarët nga antihebraizmi.

Unë sinqerisht dua të besoj se Ju nuk keni ardhur në Tiranë vetëm për hebrenjtë e këtushëm, por për të gjithë shqiptarët, madje jo vetëm për shqiptarët e këtej kufirit, se juridiksioni juaj shkon përtej kufijve të Shqipërisë, megjithëse qendrën e keni në Tiranë. Unë besoj se ju keni ardhur në Tiranë edhe për të qenë interlokutori i hebrenjve me shqiptarët, dhe tekefundit edhe i shqiptarëve me hebrenjtë.

Shalom dhe tungjatjeta Kryerabin Kaplan

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora