Kulturë
Dhurata Hamzai: Ben Mjalti në faqet e një libri
E merkure, 11.08.2010, 08:09 PM
Ben Mjalti në faqet e një libri
“Deshe dritë o Zot, more dritën time…?!”
Çajupi
Kur takova për herë të parë Linda Mjaltin, s’e kisha menduar se vështrimi i butë, i bukur dhe misteri pikëllimtar që kishin sytë e saj trasmentonin dritën e dashurisë për njeriun që do të vijoja ta njihja dhe të bisedoja edhe nga ajo bota tjetër. Sytë e saj trasmentonin dritën që kishte pasur Veniamim Mjalti. Disa ditë më vonë nga ai takim, pashë qindra fotografi nëpër mure, e shumicën prej tyre të ruajtura nëpër albume, të strehuara në heshtje të plotë aty, sikur ta kishin ditur dhe më parë që do të duheshin një ditë, do të zgjoheshin nga mijra kujtime. Ato fotografi flasin shumë për imazhin e njeriut të famshëm, që të gjithë miqtë i thërrisnin Ben Mjalti. Linda ishte edhe njohja ime e parë me personazhin e këtij libri, emri i të cilit ka mbetur si një ikonë tek të dashurit e tij: Beni. Që në fillim, pata besim se ai do ta përmbushte misionin e këtij libri dhe do të ngjallte kërshërinë e lexuesit. Jo vetëm njerëzit, por edhe objektet kishin gojë e flisnin për të, për njeriun që dha e mori në këtë jetë dashuri të madhe dhe mbeti një shembull mallëngjyes. Nis të shfletoj albume, shoh videot e festave familjare, ose regjistrimet e intervistave në studiot e TV-ve dhe, asgjë nuk mbaron me kaq. Beni Mjaltin e gjeje kudo. Janë imazhe të ngrira, çaste dhe janë aq shumë sa mendja të shkon të pyesësh, po jeta, jeta e vërtetë e tij si do të ketë qenë... ?!
E merr shpejt përgjigjen nëse ke udhëtuar atje ku ka shkuar ai, nëse je ulur ku ka pirë kafenë ai, nëse ke bërë vizita ku ka ngritur një vepër, nëse di ku ai ka njohur një mik, nëse mëson kush është bërë shkas që dikush të ketë nisur një biznes. Ben Mjaltin e gjen aty ku është suksesi, optimizmi, hareja dhe gëzimi. Unë do ta kuptoja më vonë se Benin nuk do ta njihja vetëm nga etja e mungesës së Lindës, as nga nervi i përmbajtur prej burri i të birit Xhenis, që s’e jep kurrë veten për dhimbjen, edhe nëse i afrohen lotët dritës së syrit. Unë do ta njihja menjëherë Benin edhe nga lotët e Shpresës, motrës së tij. Do ta njihja Benin nga sytë e nipërve dhe mbesave të tij, që dinte t’i bënte aq të lumtur, do ta njihja nga vëllezërit e tij më të mëdhenjë që e mbajtën pranë, e rritën dhe e edukuan me shembullin më të mirë që mund të bëhej, atë vëllain e tyre të vogël. Ja duke takuar të gjithë e duke kaluar objekteve ose rrugëve, do të shoh se emri i tij nuk mungon.
Beni shkruhet kudo me shkronja të mëdha, shqiptohet gjithmonë me admirim. Për të psherëtijnë të githë miqtë, ndoshta rrugët nga kaloi, ndoshta gurët, lulet, zogjtë që u ngritën folenë në pemët e shtëpisë së tij. Ka mall për Ben Mjaltin, e gjithë Selita, që, ndoshta, nën shembullin e tij, shndërroi arkitekturën e saj. Shumë gjëra e kanë humbur magjinë nga ikja e atij njeriu, që ishte burim qetësie dhe gëzimi. Jeta të hedh dallgë më dallgë e breg më breg. Tashmë gjërat kanë ndërruar. Qetësia është prishur, dëshpërimi po vjen dalëngadalë, sa më shumë kohë që shkon nga dita e ikjes së tij në Parajsë. Mungesa po bëhet edhe më e rëndë. Të gjithë duan ta kenë pranë, ta kujtojnë, ta zgjojnë, t’i flasin, ta shohin, i ka marrë malli shumë e ai s’vjen. Nuk vjen dot. Kur e kanë kuptuar këtë njerëzit e dashur të tij menduan se duhet ta përjetësojnë në libër atë pjesë të jetës ku ai u fali lumturi dhe ka shumë arsye për ta bërë këtë.
E kështu, do të nisin fletët e para të një libri të shkruar, si një homazh i ndritur për ty Veniamim Mjalti, me të njëjtin emocion që nisin edhe vargjet e para të një kënge të përjetshme. Ky libër do të jetë një hymn, për njeriun që rrojti mbi dhe me plot virtyte dhe shkoi në atë botë i dlirë dhe i pastër, që prehet i qetë, edhe pse zemra i lëndohet se u nda herët nga ata që deshi aq shumë. Por, ti Beni, besoje në Zot dhe komunikoje me Të, prandaj paqja atje në qiell do të jetë bërë strehë. Iu lute Zotit për shumë gjëra, bëre si do të thoshte Zoti vetë, e zbukurove dhe e lulëzove jetën tënde, këndove dhe gëzove sa ishe gjallë, vallëzove dhe punove me të gjitha shkulmet e shpirtit dhe të trupit. I dhe jetës çfarë deshi ajo, dhe i more ç’mund të merrje prej saj, në ato çaste gëzimi dhe lumturie. Dije t’u jepje njerëzve ç’mund t’u jepje dhe si shkëmbin s’u merrje asgjë… .
***
Ti në jetë e injorove dëshpërimin, vuajtjen e hodhe pas krahëve dhe i ftove të gjithë ta bënin këtë. Kush e dëgjoi fjalën tënde pati sukses, kush nuk e dëgjoi humbi në sfidat e jetës. Thonë se ti kishe gjithmonë të drejtë kur flisje. I tillë ishte ti BENI. Ti dukeshe herë si një hero, herë si një mbret, herë si një shërbëtor...!
Ia mbërrita të njihja kaq mirë, sepse asnjëri nuk të ka harruar, sepse jeton në zemrat e të gjithëve i rrethuar me dashuri të madhe dhe s’më besohet sërish se si një njeri mund të jetë aq energjik, aq frytdhënës, aq i përkorë, aq i mençur, aq i sjellë. Megjithatë, ti ishe!
U impresionua kush të njohu se ku e gjeje vallë këtë forcë magjike, sa mbështilleshin rreth teje të gjitha gjestet e artit human të komunikimit. Të njoha kaq mirë sa kam të drejtë edhe unë të habitem me ekzistencën e një njeriu që vjen rrallë në këtë botë.
Me këdo që u takova, me këdo që fola, me çfarëdo imazhi që preka, Beni Mjaltin më shumë e njoha.Tani e kam përpara syve të gjallë. Dhe ndërsa e njoh ai më kthehet në një model dlirësie, zhdërvjelltësie, burrërie dhe karakteri, edhe pse nuk ishte një hyjni, por shumë tokësor. Ai ka për të mbetur në historinë e të gjallëve një model virtyti dhe elegance, një model pasioni dhe krijimi. Duke ecur në gjurmët e tij, të njohjes me të, jam e sigurtë se për shumë vite që do të vinë do të kemi të gjallë në mendje dhe në zemër një hero, një personazh të asaj botës tjetër, një emër emblematik. Diçka do të ketë ndodhur me siguri edhe me mua që jam kaq pranë kësaj historie. Me sa duket do të kem për herë të parë një mik ideal të asaj bote, që do më bëj të ndryshoj diçka më mirë nga jeta ime. Kush e njihte Benin në të gjallë të tij, niste ndryshonte gjithmonë diçka për mirë nga jeta personale.
I tillë qe Beni... !
Prandaj pasi e ke njohur nuk ke si të mos bëhesh pjesë e dhimbjes për mungesën e tij. Kanë qenë me qindra rastet që më dhanë mundësinë për ta njohur atë, nga njëri detaj në tjetrin, nga njëra gjurmë në tjetrën dhe mësova mbi të gjitha se ai ishte një mishërim akoma më i përsosur i paraardhësve të tij fisnikë, gjyshit Dine, babait Isuf, nënës Xheko. Shpirti i Benit iku lart në qiell, por shenjat, fjalët, veprat i la në tokë, përjetësisht.
Me kalimin e kohës, përmes kujtimeve tona, do të nisin të zbulohen tiparet e shenjtit, sepse unë jam e bindur se njeriu i lashtësisë ose i mesjetës, ose njeriu në kohët moderne është i përjetshëm kur e rrethon ndërgjegjia, kodi moral, virtyti, sidomos përkushtimi vetëmohues, vetëpërsosja. Kështu ai mbërrin tek shkalla ku shpirtërorja sundon lëndoren, shpirti e sundon trupin, shkalla ku njeriu zhvishet prej veseve u shmanget së largu mëkateve, shkëputet pak nga pak nga tokësorja për të anuar nga qiellorja, atje ku nisin, pra, të të shfaqen tiparet e shenjtit...
* * *
Kujtoj se hera e dytë e njohjes me heroin e librit ka qenë në vilën e tij në Selitë, kur pashë oborrin e rrethuar me trëndafila si të vendlindjes së tij, Përmetit.
Vila e ruante ende ngrohtësinë dhe buzëqeshjen mikëpritëse të të zotit të shtëpisë, të atij zotërie që thonë se ishte shenjtori i miqve, që mbante emrin Veniamin.
Trokita në derën e shtëpisë së Benit dhe të Lindës...
Ajo më tregoi në sallon një portret, ku më tërhoqi një buzëqeshje e rrallë njerëzore. Buzëqeshja ndehej ende gjallë aty.
U drithërova.
Kaq dritë, kaq gëzim, kaq mirësi, tek ai njeri që s’u lodh duke ngritur në çdo hap që hidhte një vepër dhe ishte aq i ngutur për t’i bërë shpejt, shpejt, shpejt, sikur ta dinte se dhe ikja përtej do të ishte po me aq ngut.
-Pse të jetë kështu?!, Pse?! -duket sikur më thonë sytë e Lindës, ku rrokullohen lotët e saj të heshtur.
Linda ka mbetur, ashtu e lënduar, mes gjërave që i bënë bashkë, bisedave që lanë në mes, dhe nuk e beson dot se Beni ka ikur, se nuk kthehet dot më. Unë e di që Linda s’do të mundet ta besoj dot kurrë, as miqtë e tij, as vëllezërit, as motrat, as i biri, Xhenisi, sepse të gjithëve u duhet edhe një tjetër jetë për të treguar kujtimet që patën me të, bisedat, fjalët që ka thënë, shëtitjet e udhëtimet që kanë bërë. Ai nuk ndahet dot lehtë nga Linda dhe të dashurit e tij. Vetë imazhi i Benit nuk do të largohet dot lehtë nga të gjallët e kësaj bote.
Tashmë që unë e njoha, as unë nuk e besoj se ai ka shkuar. Më duhet të shkruaj mëdyshash për një njeri që edhe është, edhe nuk është. Pra, duke nisur që nga sot unë kam fituar jo vetëm një personazh libri, por edhe një mik të mirë. Një mik të asaj bote, aty në dyert e Parajsës shpirtërore. Ndërsa kam nisur ta njoh, kujtesa ime do të vrapojë viteve me pengun: pse nuk e shkruajte edhe këtë, edhe atë... . Ka shumë për të thënë, sa vërtetë edhe një tjetër jetë nuk do të mjaftonte. “Beni është gjallë”, -thotë bashkëshortja dhe e dashura e zemrës së tij, Linda. Duke folur me Lindën ndjej se sa afër e kam dhimbjen e kësaj plage të re që është hapur në zemrën e saj. Kemi folur e po flasim sikur Beni të jetë duke shkuar diku e do të vijë, nuk e mendoj dot më as unë se ai ka shkuar.
-Sikur ta njihje më parë, -më thotë Linda me një ndjenjë keqardhjeje që unë paskam munguar në miqësinë e madhe të Benit. Ajo përpiqet të bëhet e fortë përballë dhimbjes, sikur kërkon të ndjek shembullin e kurajos që Beni pati. Kanë ngritur bashkë një ëndërr mes durimit e mundimeve, ku i udhëhiqte dashuria dhe vizioni i të ardhmes.
E megjithëse Linda ecte në një hap me të, sot nuk pranon se edhe ajo ka qenë një mbështetje e madhe në jetë që Beni të ecte me hapa më të sigurtë. Nuk ka ku ta gjej kurajon për të pohuar veten, i është këputur njëri krah që i dhemb fort, i ka ikur drita-Beni.
Kur poetit Andon Zako Çajupi i vdes gruaja e tij e dashur ai shkruan:
“Në ç’kopshte me lule, ke qëndruar vallë
S’të vjen keq për mua, s’të vjen keq për djalë”.
Pas kësaj Çajupi i drejtohet vetë Zotit me një klithmë dhimbjeje, ashtu si Linda sot për Benin:
“…Doje dritë o Zot, more dritën time?!’’
Gjithë jetën Linda e ka adhuruar Benin e saj, sa ka besuar e beson ende se në rrugët e jetës ai bënte dritë.
“-Beni ishte i veçantë, ti nuk e merr dot me mend çfarë njeriu i mrekullueshëm ishte ai”, -thotë ajo. Ka orë, ditë, muaj që ka ikur dhe Linda nuk e kupton se sa shumë do të zgjas mungesa e tij. Do të rriten muajt e mungesës, do të bëhen vite, por duket se Beni nuk do të mungojë kurrë, as në zemrën e Lindës, as të njerëzve që deshën me gjithë shpirt. Veprat që la pas duket sikur flasin, janë bërë kështjella, sikur i prek dora e tij, sikur i përgëzon syri i tij, sikur i shëtit këmba e tij. Ajo jetë që u ndëpre aq papritur do rrjedh përmes kujtimeve në gjurmët e Benit. Ai do të jetë aty si ëngjëll mbrojtës i kështjellave që ngriti, si ëngjëll mbrojtës i familjes. Ende shpirti i tij i mirë ka fuqi rrezatuese, ndijuese, fuqi jete. “Ti ngrite kështjella mes nesh, por mbreti na la”, ka nënvizuar Linda fjalët e Ferdinant Duros në ditarin e dhimbjes së madhe. Sot Linda dhe i biri Xhenis mundohen të ecin në gjurmët e tij, duke mposhtur dhimbjen, mungesën.
“Beni ka thënë…!”, “Beni donte të bëhej ….”, thotë Linda për çdo gjë. Këmbëgulja e saj është e drejtë. Ai duket se është gjallë, jo vetëm në zemrën e gruas dhe të birit, por është i gjallë për të gjithë. Bëri shumë për t’u kujtuar, dhe megjithëse punët e të gjallit mbi tokë nuk mbarojnë, ai Ben Mjalti la shumë pak gjëra pa bërë... !
Por ndoshta jo, këtu s’kemi të drejtë. Ai ishte aq i ri dhe miqtë e tij thonë se po të kishte jetuar më gjatë do të kishte bërë shumë mrekullira. Ata nuk duan t’i japin vdekjes kurrë të drejtë që ua mori nga gjiri i tyre Benin e dashur. Ndoshta Beni ishte në çastin që duhej t’u gëzohej ëndrrave që i bëri realitet me këmbëngulje e vullnet të papërkulur, duke sfiduar dhimbjen, varfërinë, persekutimin politik në diktaturë. E gjitha jeta e tij qe një sfidë, nisi duke sfiduar dhimbjen për nënën e tij që e la të vogël. Kushdo do të mendonte: Si ja bëri ky njeri që diti ta kthente më pas këtë humbje në dashuri dhe gëzim në familjen e madhe ku u rrit, dashuri që nuk e kishte kufirin vetëm tek motrat dhe vëllezërit e tij, nipërit e mbesat, dajat, tezet dhe hallat, gruaja dhe fëmija. Mbretëria e Veniamin Mjaltit shtrihej duke nisur nga miqtë e shumtë që ai pati, nga Tirana në Shkodër, nga Shkodra në Vlorë, nga Saranda në Përmet. Beni kishte shumë miq, thotë Linda, i donte miqtë dhe kërkonte që çdo fundjave të bënte surpriza për ta. Beni nuk e kuptonte dot jetën pa miqtë, thotë ajo.
Ai dinte të gatuante, të shtronte bankete dhe të organizonte dasma dhe festa. Rezultati, mirënjohje, gëzim dhe lumturi për të gjithë, kjo ishte kryefjala e Benit, për të gjithë të afërmit e gjakut të tij, që ishin protagonistë të sfidës mbi dhimbjet e jetës dhe fatin e keq. Beni ndjente detyrë t’i lumturonte. Ai e dinte mirë se ç’ishte dhimbja dhe dëshpërimi dhe nuk donte ta shihte tek asnjeri këtë ndjesi, madje as tek miqtë më të largët.
Mësova se Beni nuk jetonte dot pa miqtë, ndërsa sot gjatë intervistave të mia, takimeve të shumta me miqtë e tij kuptoj se ka ndodhur e anasjellta, miqtë nuk jetojnë dot pa Benin, pa mbretin e gëzimeve të tyre. U mungon e qeshura e tij, humori dhe energjia e tij, talenti, mençuria, por sidomos dashuria e tij që u sillte aq shumë paqe dhe jetë. Është e dhimbshme të kujtosh se ai që e donte aq shumë jetën dhe i ftonte shpesh miqtë për të jetuar së bashku çaste të lumtura, aty mes begatisë që kishte krijuar, mes arritjeve të tij, tmerrësisht mungon.
Beni jetoi, që të bëhej burim i inteligjencës dhe energjisë, i bukurisë, forcës dhe karakterit, model i burrit e mikut, njeriut të Zotit.
Ke frikë të besosh se një ditë në punë e sipër, në bisedë e sipër, do t’i merrej çdo gjë prej fatit mizor e tinzar, atij fati kobzi që strukej nën hijen e një mendjeje të hollë, në hijen e një mendjeje prej krijuesi dhe arkitekti të madh. Ke frikë të besosh se nga erdhi ai tumor fatal, që shfaqet papritur rrumbull, kryeneç dhe ia shkurton rrugën e gjatë që pat nisur me shumë kurajë përmes sfidave. Në jetë ai formoi dinjitetin dhe karakterin për të cilin do ta dashuronin dhe admironin të gjithë. U burrërua para kohe, u rrit shpejt.
Kur ishte një djalosh me sy të thellë, të ëmbël e të mençur, gjimnazistja Majlinda Hida (Linda) do ta adhuronte dhe dashuronte që me vështrimin e parë, duke u bërë më pas me gjithë shpirt bashkëshortja e tij e mirë dhe fisnike, duke i dhuruar një dashuri të përjetshme. Mes sakrificave që bënë të dy së bashku për mirëqenie dhe përpjekjeve për të pasur fëmijë, vite më vonë vjen në jetë djali i tyre Xhenis, i cili e bëri kaq të lumtur Benin dhe sa ishte gjallë e rriti mbi shpatullat e tij prej burri madhështor e të fortë, e rriti me atë magjinë e një dashurie të ëmbël e diskrete, saqë Xhenis sot ashtu si ai di t’ua transmentoj të tjerëve atë ndjesi dashurie që vetëm Beni e pati.
Që nga koha që unë njoha për herë të parë Linda Mjaltin, pastaj të birin Xhenis Mjalti, njoha edhe Ben Mjaltin, por mbi të gjitha duhej të falenderojë miqtë e tij të shumtë që ma dhanë të gjallë imazhin e një njeriu aq të madh e të mirë, njohje që ndoshta në jetë duhet të më kishte munguar.
Qindra fotografi më kanë kaluar para syve, të cilat kanë krijuar një dokumentar faktesh të shkëlqyera në kujtesën time. Cili burrë diti t’i qëndrojë kaq afër familjes, cili burrë diti ta çmojë dashurinë e ta kthejë atë në artin e të jetuarit, cili burrë diti të ecë krah për krah me shoqen e jetës dhe t’i jap dinjitet e lumturi, cili burrë pati aq shumë miq dhe sot qajnë me lot për të.
E megjithatë, edhe pse njohja e Benit bashkë me dhimbjen nuk do të shterojë, në faqet e këtij libri nuk mund të rrish pa shkruar paralelisht edhe për të dashurën, gruan e jetës, Lindën. Ajo ia fali zemrën dhe i dhuroi familje Benit të rritur jetim. Ajo ka një rol të qartë e të përcaktuar në jetën e tyre, ishte tjetri krah i fuqishëm i jetës së Benit, dashuria e tij e vetme. S’e bëj dot ndarjen e dy njerëzve që gjithë jetën i kanë bërë gjërat bashkë, kanë qenë bashkë kudo e ngado. S’e bëj dot ndarjen e dy njerëzve të rrallë, ku virtyti, mençuria, besimi në Zot e dashuria ishte pika e takimit, njohjes e përzgjedhjes që i bën ata njëri tjetrit, që kur ishin 18 vjeçarë. Shkëlqimi dhe bukuria e kësaj dashurie është rritur bashkë me ta.
Në faqet e këtij libri nuk mund të rrish pa shkruar paralelisht edhe për Xhenisin, djalin më të mirë që kam njohur deri më sot në moshën e tij prej 16 vjeçari. Është i dashur dhe njëkohësisht shumë serioz, i edukuar me punën, sa nuk do ta harroj kurrë kafenë e servirur nga dora e tij kur mblidhnim kujtimet me miqtë për këtë jetëshkrim në oborrin e shtëpisë së Benit. Xhenis është edukuar të jetë punëtor nga i ati dhe tashmë studion e lexon. Sa mirë, ai do të jetë limiti e një ëndrre të realizuar të Benit, i cili e pati peng që në regjimin komunist nuk i jepnin shkollë të lartë. Ëndrrën për të hyrë në universitet e kishte një peng të madh, pa e menduar se me ardhjen e demokracisë do t’i hapeshin të gjitha universitetet e jetës dhe ai diti të mësonte si një nxënës shembullor në to.
Në këtë monografi të jetës së Benit, nuk mund të rish pa folur për familjen, gjyshin, prindërit, vëllezërit, motrat, familjarët e Lindës, një yjësi e rrallë, virtytet e të cilëve e lartësuan këtë njeri. Dhe së fundi, si mund të mos flitet për miqtë, pa të cilët Beni nuk e kishte jetën të plotë.
* * *
Në katin e tretë të vilës modeste të Beni Mjaltit në Selitë, midis albumeve dhe relikeve të një jete të pasur, Linda e shoqja me fjalë të matura, por që nuk e fshehin vrullin e brendshëm, si përjetim brenda ngutjes për të thënë e për të bërë shumë gjëra të mbetura në mes të rrugës, thuajse në makth, po jeton ende me të vitin njëzetepestë të martesës së saj. Ajo ka jetuar me një njeri që e ka merituar të mbetet mes atyre që nuk harrohen lehtë. Ai është Ben Mjalti, djali i fundit i Isufit dhe Xhekos, të ardhur në lagjen Selitë të Tiranës nga fshati Velçisht i Përmetit. Jeta e tij ishte plot dhimbje e gëzime, si në një përrallë… !
Brezat që do të vinë do thonë se: Na ishte njëherë e një kohë Veniamim Mjalti, i përkorë në marrëdhënie, i matur në fjalë, i kursyer në lavdërime, natyrë e hapur që i respektonte, por nuk i jepte lirë intimitetet, ai i ngjante një intelektuali të zbritur nga një botë tjetër, që shoqërinë e kohës e vëzhgonte nga jashtë, me kureshtje, por edhe me një lloj humori që shpërthente plotësisht brenda tij. Një nga krenaritë e tij të ralla ishte familja, trashëgimia. Krenaria dhe dashuria e tij, siç dëshmon një foto e madhe dhe e ruajtur me kujdes, ishin gruaja Linda, me të cilën ishte martuar prej 25 vjetësh, dhe djali Xhenis, 16 vjeç.
Rrëfimi i dhimbjes nis që në atë vit të mbrapshtë, 2008, kur Ben Mjaltin e sulmoi në mënyrën më absurde tumori. Tani hapet një faqe tjetër e jetës së tij, Qiell-Parajsa. Në tokë, në gjurmët e Benit po ecin Linda dhe i biri, të bindur fort se burri e babai ka dëshiruar që ata të mos ndalen.
-Dua që të ecësh në një hap me mua, -i kishte thënë, një ditë kur ecnin bashkë, ai Lindës së tij të dashur.
Sot nuk e ka më Beni në krah të saj. Ndjesë, o Zot!
E shokuar nga kjo ikje e beftë, e shoh Benin me dhjetëra herë përmes fotografive që kanë mbushur plot me jetë muret e shtëpisë së tij. Nga bota e përtejme ai kërkon t’ua heq shenjën e brengës dhe të mërzisë, bashkëshortes, birit, vëllezërve, miqve. Sytë e tij flasin kaq shumë, dhe duken sikur thonë:
“-Nëse më kërkoni, më gjeni nëpër kujtimet tuaja. Unë jam i gjallë. Nëse ju duhem, kujtoni ndonjë këshillë timen. Kujt nuk i hynë në punë sa isha gjallë ato... ?!”
Përmes këtyre kujtimeve unë mësova dhe zbulova edhe njëherë forcën për të jetuar, pa kthyer kokën nga fundi… . Por si do të vijë ai në kujtimet e të dashurve, familjes, miqve dhe shoqërisë nëpër faqet e këtij libri. Më besoni, edhe ju lexues të tjerë, sapo të njiheni me Ben Mjaltin e vërtetë, edhe ju nuk keni për ta harruar.