E shtune, 25.01.2025, 07:16 PM (GMT)

Kulturë

Ilir Sefaj: Ndërmjet autorit dhe lexuesit

E marte, 10.08.2010, 08:57 PM


Ndërmjet autorit dhe lexuesit

 

Prend Buzhala, Kode poetike të mbijetesës shpirtërore, Argeta – LMG, Tiranë, 2009

 

Nga ILIR SEFAJ

 

Prend Buzhala është një nga krijuesit më seriozë të letërsisë sonë bashkëkohore.

Autor i një numri të konsiderueshëm veprash letrare nga lëmenj të ndryshëm të artit letrar, Buzhala ka krijuar një individualitet të veçantë krijues, për të cilin duhet pas lakmi të gjitha ata që vetën e konsiderojnë dashamir të fjalës së shkruar.

Kjo qasje e imja filloi në këtë mënyrë, për faktin se gjatë leximeve të mija, bërë mbi krijimtarinë e pasur të këtij autori, kam hasur në dy gjëra shumë të çmuara. E para, në individualitetin e Prend Buzhalës kam gjetur njeriun meditant, shumë kompetent në diskursin shumëplanësh ligjërimor të tij rreth veprave të caktuara letrare, dhe e dyta njeriun i cili për asnjë çast nuk ka vuajtur nga mistifikimet e ndryshme që mbase mund të hasen tek autorë të tjerë të cilët jo rrallë e kanë futur lexuesin në një botë të panjohur, të mbushur plot enigma që kanë rrezikuar nektarin e akëcilës vepër letrare. Buzhala është njeriu i cili ndjek në mënyrën më të zellshme rrjedhat letrare të kohës sonë, dhe me përgjegjësinë e një euriditi të vërtetë këto rrjedha i përcjell tek lexuesi.

Me forcën e një intelektuali të formuar, ai para lexuesit shfaqet me përgjegjësi, i përligjur para asaj që thotë dhe shkruan ky kritik i letrave shqipe, kjo është alfa dhe omega e një studiuesi të mirëfilltë në përgjithësi, e atij letrar në veçanti.

Pra, i tillë shfaqet (kompetent) edhe në librin “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” libër diskursiv ky, i cili bën fjalë për krijimtarinë e studiuesit dhe njëkohësisht krijuesit të zellshëm të letrave shqipe, Anton Nikë Berishës. Ky libër ka statusin e tekstit monografik. Libri është i ndarë në dy pjesë; ‘Qasje të veçanta dhe të pasura studimore’ dhe ‘Romani si shqiptim dhe ndërtim poetik i botës’. Në pjesë e parë të librit, autori jep një kronologji të veprave të studiuesit Berisha, të veçantisë së kësaj krijimtarie e cila në perceptimin e Buzhalës del si tejet orientuese, duke e konsideruar autorin e kësaj krijimtarie “ndër figurat epiqendrore të Letërsisë Shqipe”.

Vepra e Anton N. Berishës, në penën e Prend Buzhalës trajtohet nga këndshikime të ndryshme, ajo del tejet eksplikuese në relacion me receptuesin dhe kjo trini mes krijuesit-artikuluesit-marrësit ka si qëllim final përligjjen e një krijimtarie të pasur të objektit (krijuesit) në fjalë.

Krijimtaria shumë e pasur e Anton N. Berishës, në librin “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” të Prend Buzhalës, gjykohet me metodat më të sofistikuara të teorive moderne; aty kemi një gërshetimin përqasjesh në mënyrë që vepra e A. N. Berishës të jepet në plotninë e saj.

Pra, aty kemi Berishën; krijues, kritik letrar, hartues antologjish, studiuesin e letërsisë gojore, dhe përkthyesin par excellence, sidomos të dy kryeveprave të letërsisë botërore; “Epi i Gilgameshit” e cila konsiderohet vepra më e lashtë e kësaj letërsie, dhe poemën shumë të realizuar “Lavdërimi i kryqëzuar”, i autorit italian Domenico Korradini H. Brusard.

Duke qenë edhe përkthyes i disa pjesëve të epit të njohur ‘të traditës gjermane’ “Kënga e Nibelungëve”, autori Prend Buzhala, radhit A. N. Berishën, në mesin e përkthyesve më të talentuar të letrave shqipe si: Fan Noli, Skënder Luarasi, Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku etj.

 

Mbi poetikën e romaneve

 

Në pjesën e dytë të librit, Buzhala flet në mënyrë tejet eksplicite mbi poetikën e romaneve të Berishës, pa anashkaluar  komponentët e tjera me të cilat karakterizohet ky roman.

Proza artistike e Anton N. Berishës, karakterizohet me gjuhën poetike të saj, autori edhe kur bën fjalë për situata të tendosura e plot makth, shfaqet tejet kreativ karshi lexuesit, për faktin se, në perceptimin e Buzhalës, ky krijues di ‘  në mënyrën më të shkoqur të bëjë dallimin në mes të ligjërimit individual dhe gjuhës poetike’.

Në romanin e këtij autori, parakalojnë një galeri e  tërë protagonistësh e antagonistësh të cilët kanë fate të ndryshme si në jetë po ashtu edhe në literaturë. Disa nga personazhet e tij janë njerëz historik; Pjetër Bogdani nga romani “Bimorja”, Nëna Terezë nga romani “Nëna e Dritës’, mirëpo që në vepër  këta protagonistë shndërrohen në karaktere letrare.

Romani i Anton N. Berishës, është i realizuar në të gjitha rrafshet, ai karakterizohet me gjuhën e tij të figurshme, stilistika e veprës së këtij autori është e veçantë për faktin se kjo krijimtari është rezultat i penës e cila vjen nga një studiues paraprakisht, i cili njeh me themel problemet gjuhësore e stilistike të veprës letrare, pra gjuha e veprës së këtij autori nuk e ka rolin e “gjuhës referenciale” R. Welek, përkundrazi ajo është e mbrujtur me sharmin e një krijuesi vigjilenca e të cilit vihet në pah në secilin rresht, në secilën shkronjë.

Kritiku Prend Buzhala, në veprën e këtij autori ka gjetur thellësinë e të menduarit, ka gjetur botën e pasur të këtij krijuesi, por ka gjetur edhe njeriun i cili di që në mënyrën më mjeshtërore këtë përvojë të tij të gjatë ta plasojë në veprën e tij krijuese dhe studimore.

Nga këndi i një studiuesi të mirëfilltë të krijimtarisë artistike, Buzhala në veprën “Kode poetik të mbijetesës shpirtërore” na shfaqet si demiurgu i cili ndjek shumë linja përqasjesh, për t’i mbyllur në mënyrën më argumentuese secilën veç e veç.

Autori Prend Buzhala, ka “çmontuar” deri në strumbullarin e tij romanin e Anton N. Berishës, për të theksuar karakteristika të kësaj vepre; teknikën narrative, psikologjinë e personazheve, stilemat, gjuhën metaforike, prosedeun e vepres, kompozicionin e saj, pozicionin e rrëfimtarit, e shumë elemente të tjera me të cilat karakterizohet vepra e këtij autori. Përfundimisht, autori bën autopsinë e kësaj krijimtarie edhe në rrafshin e perceptimeve, dhe po ashtu, këto karakteristika të kësaj vepre shfaqen si arketipe të cilat prezantohen si komunikime komplemtare.

Në esencën e tij, libri “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” i Prend Buzhalës, ka statusin e një shkrimi diskursiv i cili hap perspektiva të reja orientuese mbi krijimtarinë e Anton N. Berishës, tek e fundit ky është edhe misioni i studiuesit, hapja e veprës letrare para lexuesit të saj.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora