E merkure, 09.10.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Toka që të mallëngjen dhe ta madhështon historinë...!

E diele, 08.08.2010, 07:59 PM


Reportazh në trajtë udhëpërshkrimi në Krahinën e Plavës dhe Gucisë

Sejdi BERISHA:

TOKA QË TË MALLËNGJEN DHE TA MADHËSHTON HISTORINË...!

Nganjëherë, është mirë mendimin për ta kthyer prapa, sepse, shumë gjëra të kaluara nuk duhet harruar, por që as kurrë nuk harrohen, dhe se si të tilla, ato janë mësues i jetës, mu sikurse historia e cila gjithnjë provokon e,... provokon për të mësuar. Në histori, përveç datave, edhe ngjarjet janë të përziera me dhembje, që nganjëherë të ngulfasin për të thënë diçka të mirë dhe të vlefshme. Dhe, këtë shkrim ma rëndoi me dhembje, e cila më ktheu prapa,... prapa e prapa,... prapa e shumë prapa, një emision dokumentar për luftën dhe masakrat në Kosovë. Por, megjithatë, e tërë kjo më inspiroi për të thënë edhe më shumë gjëra në këtë shkrim, të cilin dëshirova që kësaj radhe ta shkruaj në trajtë reportazhe, të udhëpërshkrimit e të kombinuar me elemente të eses, i cili lejon dhe mundëson përshkrime me ndijim më të veçantë por edhe të ndërlidhura me mendimin filozofik dhe me elemente historiografike. Duket e komplikuar, a...?! 

1.

Shkrepat e Alpeve Shqiptare përbri fshatit Vuthaj
Shkrepat e Alpeve Shqiptare përbri fshatit Vuthaj
Kishte sa kohë që kisha ndërmend ta vizitoj Krahinën e Plavës dhe të Gucisë, t’i shoh edhe tash këto vise dhe këto treva me bukuri të rrallë dhe me histori specifike. Isha shumë kureshtar se si do ta përjetojë këtë udhëtim, të cilin, fillimisht nuk e mendoja të ndonjë peshe krijuese apo të ndonjë inspirimi, i cili do të më detyronte ta mos e kursej veten nga kujtimet e së kaluarës, nga rrjedhat historike dhe nga qëndresa e malësorëve të asaj treve të Malësisë së Madhe.

Rruga gjarpërore e cila na detyronte të jemi të kujdesshëm nga ngasjen e makinës, më jepte mundësi t’i sodis ato bukuri dhe ato madhështi të bjeshkëve të Zhlebit, të cilat në vetvete mbajnë e fshehin krenari e histori, që në vetvete mbajnë ditarët më të begatshëm dhe më të ndritur të njeriut, të njerëzve të këtyre viseve, të barinjve e të bareshave, që tash rrallë mund t’i shohë syri, apo fare nuk ka. Nuk ka as dele dhe as tëbane, në të cilët gumëzhijnë fëmijët me faqe të kuqe, dhe as baçica, të cilat me fanatizëm e “mblidhnin” bulmetin për ta zhdjergur në rrafsh. Por, për këtë, tani “fajin” e ka koha dhe ecja e saj drejtë zhvillimeve moderne. Mirëpo, deri në Qafë të Zhlebit, deri në vendin e quajtur Kulla, në drejtim të Rozhajës, secili udhëtar mund t’i dallojë ndryshimet. Së pari, madhështia e bjeshkëve dhe e shkëmbinjve, sikur nuk është ajo e dikurshmja, sepse, pyjet janë plotësisht të zhveshura, kurse rruga duket pothuaj tërësisht e shurdhër.

Pa kaluar territorin e Pejës, breg rrugës hasim kornizën e djegur të një tabele, e cila rishtas ishte vënë për të shënjuar kufirin me Malin e Zi, të cilën tabelë e kishin kundërshtuar banorët, të cilët han e dan e kanë rritur shtatin, e kanë shtuar bagëtinë në bjeshkët e këtushme duke u shtrirë edhe deri tek vendbanimet Buxhovi dhe Dacaj e për tu lidhur pastaj me majën shtathedhur të Hajlës, e për tu lidhur me fshatrat dhe me bukuritë e madhështitë përrallore të Rugovës. I tërë ky përfytyrim, sikur saora kaloi dhe qel e mbyll sytë u gjendem në hyrje të Rozhajës. Në hyrje të këtij qyteti, i cili jo vetëm në periudhat e kaluara historike, por edhe gjithnjë,... edhe sot ka qenë i lidhur edhe me shpirt edhe me pjesë gjaku e me beteja për ekzistencë me Pejën, Istogun dhe me Kosovën.

Tash, dashtë e pa dashtë, gjatë udhëtimit nëpër këtë rrugë më kujtohen edhe ngjarjet më të reja historike, më rëndohet zemra e mendja me tërë atë masën e popullatës, të grave, fëmijëve e pleqve, të cilët atëbotë ishin dëbuar nga shtëpitë dhe vatrat e tyre, dhe as nuk dinin se për ku janë nisur për ta rehatuar shpirtin! Dhe, që nga hyrja në Rozhajë, përkundër të gjitha këtyre skenave të llahtarshme, nis e të ëmbëlsohet shpirti kur të kujtohet mikpritja, vendosja dhe hapja e dyerve të shtëpive dhe të objekteve të tjera për popullin shqiptar të Kosovës. Ishte ai moment madhështor dhe virtyt i lartë i kësaj popullate, e cila, atëbotë solidaritetin e kishte shndërruar në shpresa dhe shërim të dhembjes,... në kohën e asaj katrahure. Kjo peshë kujtimi, m’i mbush sytë me lotët më të valë që njeriu ndonjëherë mund t’i ketë brenda vetvetes, për një gjë të tillë e cila kurrën e kurrës nuk harrohet. E cila gjë, gjatë udhëtimit gjithnjë më shoqëronte me dy gjëra: me kalvarin e dhembjes dhe me madhështinë dhe zemërgjerësinë e rozhajasëve. Dhe, kjo më bën të fortë. Zemrën ma bën mal dhe sikur m’i shëron të gjitha plagët e shpirtit për gabimet që i ka bërë njeriu dje, e për fat të keq që i bën edhe sot e kësaj dite. Po, po! Kudo dhe,... kahdo e për çfarëdo...

Në të arritur në Rozhajë, unë dhe shokët e mi hamendemi a të kthejmë për nga një kafe, apo ta vazhdojmë rrugën. Nuk u ndalem. Të them të drejtën, intimisht isha i ndarë në dysh; edhe të ndalemi, edhe të mos ndalemi. Sepse, isha i mbushur mall, dhe tani stacioni i autobusëve atje, xhamia dhe shtëpitë e shumta më ishin shndërruar në atë zhurmën dhe në dënesjet e tërë atyre qytetarëve, e të gjitha atyre nënave që druanin për foshnjat e tyre, e të gjithë atyre fëmijëve, pleqve dhe të sëmurëve, që nuk kishin arritur as të përshëndeten me vatrat dhe me shtëpitë e tyre.

-Rrini qetë! -sikur të gjithë atyre u thashë me zë, dhe me atë mu bë se u kisha thënë krejt çfarë kisha menduar...!

2.

Madhështi: Si bie uji tek “Syri i Vashës”
Madhështi: Si bie uji tek “Syri i Vashës”
Ikëm, dhe tani po i afroheshim drejtimit rrugor për në Plavë. Edhe tani, fillon një “dramë” tjetër e mendjes dhe e shpirtit tim kurrë të pa rehatuar. Së pari kthyem në Guci. Gjatë rrugës për në këtë vendbanim historik, sikur njeriun e rrokë një nostalgji tjetërfare. E rrokin ato ethet e jehut të gjuhës së nënës. Kurse, ato bukuri e kishin ngrohtësinë dhe madhështinë përrallore, të cilat, padyshim se e ruajnë begatinë shpirtërore dhe amanetin e gjyshërve për ta ndritur çdo gjë që ka ikur e po ikën e pathënë, e pa qartësuar. Njerëzit që qarkullonin rrugës për në Guci, edhe pse ishin të paktë, ata ecjen e kishin të mishëruar me diçka që është e afërt me gjakun e me shpirtin. Posa hymë në këtë qytezë, e cila tani, deshe apo nuk deshe, duket si e boshatisur, kjo ndoshta pse ishte stina e verës, apo pse banorët e këtushëm, shumica prej tyre e kanë gjetur rehatinë e jetës në SHBA, por gjithnjë duke ruajtur dashurinë për këtë tokë, për këtë tokë të sertë, për vendlindje e vatan...

Kjo qytezë, tok me begatinë e historisë, ka ruajtur edhe disa vlera arkitektonike dhe urbanistike që i takojnë historisë. Gati në qendër të Gucisë, hasim kullën e vjetër, e cila ishte duke u rinovuar, për ta ruajtur kujtimin dhe lashtësinë. Por,... aty diçka filloi të më frikësojë. Gucia nuk bën të jetë qytezë e shurdhët, as e zbraztë,... Historia e saj këtë nuk e duron dot,... as rezistenca e këtij populli,... Dhe, prapë diçka më japë shpresë. Një truq njerëz duke pirë kafe turke dhe raki rrushi, flasin për mallin për vendlindje, për planet e tyre për të ndërtuar shtëpi të reja aty... Kishin ardhur ata nga Amerika për ta kënaqur vetveten, për tu shpallur me vendlindjen, rrënjët për t’i forcuar... Këtë kënaqësi, ma bën edhe më bindëse dhe më të fortë edhe varrezat e këtij vendbanimi, që padyshim se janë një prej dëshmive më thelbësore të historisë...!

Arritëm edhe tek varrezat, pikërisht për t’i vizituar ato. Sepse, aty preheshin eshtrat e gjyshit dhe të babait të një shokut tim, i cili ishte së bashku me ne. Përgjatë rrugës deri tek atje, t’iu them të drejtën, për anash ishte rritur bari dhe si i tillë, i “padisiplinuar” e kishte ngushtuar edhe rrugën që na pengonte makinën për të qarkulluar lirshëm. Edhe në varreza (ishin këto varrezat e banorëve të këtushëm të fesë katolike), bari ua kishte “zënë” frymën shumë pllakave përkujtimore dhe varrezave të tjera, gjë kjo e cila në fillim disi më trishtoi. Por, më vonë, në mendje mu pikat se tërë kjo mund të ndodhë ngase këtu nuk vdesin shumë njerëz. Malësorët jetojnë gjatë. Por, është edhe tjetra; këtu ka pak banorë! Kështu disi dëshiroja edhe të ishte, edhe pse gjithnjë mu duk se Gucia disi dukej e tkurrur! Mirëpo,... mendja më thoshte se Gucia nuk tkurret,... nuk zvogëlohet ajo, sepse, atë nuk e lejon historia e saj, madhështia që ka...!

3.

Pas qëndrimit të shkurtër në këtë qytezë, u nisëm për në Vuthaj. Është ky një fshat karakteristik krejt ngjit me Gucinë. Por, para se të nisemi për në këtë vendbanim, dua të theksoj se qytetarët e Gucisë e kishin vërejtur se ishim mysafirë aty. Kurse ne, nga kureshtja, por edhe për të mos e gabuar rrugën, e pyetëm njërin se kah duhet shkuar. Ai, pa fije hezitimi, me makinën e vet na printe derisa na solli në të vetmen rrugë dhe që nuk mund ta huçnim drejtimin. Iu falënderuam atij njeriu relativisht të rinj, kurse ai, sikur dëshironte që përkundrazi, ai të na falënderohej që e kishim pyetur. Edhe kjo thoshte dhe dëshmonte shumë për bujarinë dhe mikpritjen e këtyre njerëzve, të këtyre malësorëve të cilët, dorën në zemër, pjesën dërmuese të familjeve të tyre i kanë në mërgim, e më së shumti në Amerikën e largët.

Që në hyrje të fshatit, vërejmë një shkapërderdhje shtëpish, shkapërderdhje që,... si historia ishte, kjo! Pjesa dërmuese e shtëpive ishin të ndërtuara me shije dhe ia kishin shtuar bukurinë e madhështinë këtij vendi. Ia kishin lartësuar pamjen e cila ta imponon edhe mendimin gjithfarë, ta provokon imagjinatën edhe atëherë kur e ke të fjetur pothuaj se tërësisht. Mirëpo, në shumicën e këtyre shtëpive qëndronin të “lëvarura” perdet dhe kapakët e dritareve. Nuk kisha dëshirë të bindem se ato janë të mbyllura, të vëna nën dry. Gjithnjë sikur e detyroja vetveten të bindem, se në dhomat e këtyre shtëpive janë duke pushuar banorët e këtushëm në këtë mesditë me vapë vere... Por, ishte ndryshe. Përbrenda tyre “flinte” vetmia dhe heshtja të “fjetura” në terrin që kishin krijuar perdet dhe kapakët e lëshuar të dritareve. Pronarët e tyre, sigurisht në atë kohë gjendeshin në vendet e largëta, padyshim duke e ndrydhur mallin dhe nostalgjinë për vendlindje.

Duke kaluar rrugës së ngushtë por të asfaltuar, e që ishim nisur për ta vizituar “Syrin e Vashës”, vend ky ku uji “hidhërueshëm” apo krenar, pa pushuar bie thikë teposhtë dhe zhduket për të dalë sërish diku afro dymijë metra më larg. Mirëpo, legjenda për “Syrin e Vashës” është shumë interesante, për çfarë do t’ua shpjegoj pakëz më vonë. Tani, posa arritëm, mu tek “Syri...”, lartësitë dhe madhështitë e shkrepave dhe të bjeshkëve të larta, mahnitnin me ato bukuri të rralla, siç janë Majat e Vajzës, prej nga buron edhe uji i pastër si loti i Skavkaçit, i cili krijon Ujëvarën e Hartinit, për tu lëshuar rrufeshëm në kazanin e shkëmbit që banorët e këtushëm e quajnë Gërlë. Të gjitha këto, më sjellin përballë shumë ëndrrave dhe shumë rrjedhave kohore, mu si të isha fëmijë e jo njeri tani bukur i moshuar (s’dua të them i shtyrë në moshë!).

Ky ujë i pastër, i cili vërtetë rrjedhë edhe këndshëm, më bëhej se në vetvete mbante edhe një dozë hidhërimi apo pezmatimi, kush e di se për çfarë, apo mua më dukej ashtu. Dhe, posa afrohej tek “Syri i Vashës”, thua se merrte tjetër pamje dhe tjetër rrjedhë. Me të gjitha këto, ndoshta na përcillte këshilla e mesazhe për atë greminën në fund të së cilës, uji shndërrohej në shkumë apo në rruaza prej xhevahiri dhe përnjëherë zhdukej,... si të mos ishte! Thonë se “Syri i Vashës” është histori e gjatë, qoftë për të kaluarën, qoftë për përrallat e dashurisë qoftë edhe për madhështinë e përbashkët edhe të ujit, edhe të shkrepave, edhe të bjeshkëve, apo qoftë edhe të qiellit që qëndron lartë dhe të humnerës poshtë, e cila padyshim se joshë dhe shton kërshërinë...!

“Syri i Vashës”?! Kështu i paska mbetur emri këtij vendi, ngase një vajzë duke e shikuar vetveten në ujë, vetë uji qenka mahnitur me bukurinë e syrit të saj, sa që e paska “grabitur” dhe bashkë me te qenka zhdukur nën bukuritë dhe fshehtësitë e tokës. Por, legjenda për “Syrin...” shpjegohet edhe në mënyra dhe forma të ndryshme, që ia shtojnë madhështinë kësaj treve edhe me tregime të tjera të rëndësishme historike. Dhe, për fund, pos shumë fotografive, një e bëra edhe tek “Syri i Vashës”. I luta shokët që të ma bëjnë një fotografi sa më të mirë, sa më të veçantë. Por, nuk isha i kënaqur,... nuk e di pse. Ndoshta do ta kuptoj më vonë, apo edhe Ju gjatë këtij shkrimi...!

4.

Kështu freskojnë Krojet e Ali Pashës
Kështu freskojnë Krojet e Ali Pashës
Pasi koha kishte kaluar shumë shpejtë, tani ikëm për në Krojet e Ali Pashës. Aty, kishim planifikuar edhe të drekonim, peshk. Duke u kthyer, tek ky burim me histori tjetër nga kjo që shpjeguam, përgjatë rrugës, sërish më përcillnin ato shtëpitë e reja, dhe gjithnjë me perde dhe kapak të lëshuar në dritaret e tyre dhe me dyer të mbyllura. Mirëpo, tërë këtë meditim si të pa rrugëdalje ma ndërpreu një fëmijë i cili qëndronte breg rruge. Ai, e kishte të veshur një bluz të kuqe e me shqiponjë në gjoks. Njëherë më shkoi mendja mos e kemi gabuar rrugën dhe kemi dalë në Valbonë. Por, jo. Ky çunak ishte në Vuthaj! Ngjyra e bluzës iu kishte shlyer mu ashtu sikurse edhe ngjyra e shqiponjës. Bluza e vjetruar e vogëlushit i cili edhe na përshëndeti duke na ngritur dorën, ma kujtoi dashurinë e vjetër,... dashurinë e moçme,... ma kujtoi lashtësinë e kësaj ane. Duke e bindur veten për këtë mendim, zemra mu bë mal. Çuni i vogël në Vuthaj me shqiponjë në gjoks...!

5.

Tani, jemi mu tek burimi i Krojeve të Ali Pashës. Afrohemi për të pirë ujë në këtë burim. Duke u afruar, sërish më kaplojnë mendimet; madhështia e kësaj ane, historia,... historia e Krojeve të Ali Pashës,... uji dhe burimi i këtyre krojeve, që kanë pasur dhe kanë edhe sy, edhe vesh. Kah do që vështroja, syri ma zinte vetëm madhështinë e maleve dhe të fushave, më përftonte qëndresa e jetesës, rrugëtimi i pa ndalur dhe i çuditshëm i njeriut tonë.

Dhe, për ta shkurtuar këtë rrëfim, u kthyem në Restorantin “Krojet”, i cili ishte mu pranë burimit dhe i ndërtuar me një arkitekturë që kompozohej dhe harmonizohej edhe me ambientin, por edhe me të kaluarën dhe me historinë e Vuthajve. Këtu, mirëseardhjen na dëshiroi një femër malësore, gojë ëmbël dhe fjalë mjaltë. Nga mikpritja, menjëherë u ambientuam dhe porositëm drekën. Kuptohet, peshk. Duke drekuar, gjithnjë kisha drejtuar shikimin kah burimi i Krojeve, i cili burim sikur nga zemra e malit më sillte mijëra rrëfime, mijëra etje,... mijëra dashuri e hidhërime, të cilat, edhe përpara, gjatë decenieve e shekujve janë shpërndarë e ruajtur nga uji i freskët që ia mësyn tokave të luginës jo vetëm të këtij fshati. Kjo gjë, nganjëherë më trimëronte, por nganjëherë edhe më frikësonte. Nuk e di se për çfarë arsye?!

Andaj, dëshiroja që përshtypjet e mia t’i përmbyllja me ndonjë rrëfim për vetitë dhe veçantitë e malësorëve, të cilat, këtu e tej maleve të kësaj ane të Malësisë së Madhe, kanë pasur dëshirë t’i disponojnë edhe viset tjera arbërore. Për këtë, edhe e pyes zonjën e cila na shërbente me një pedanteri dhe krenari e madhështi karakteri prej malësoreje, se si quhej. Pa hezitim ma tha edhe emrin edhe mbiemrin që e kisha të njohur edhe nga miq të shumtë po të këtij barku. Gjonbalaj, jemi, më tha.

-Dukesh shumë e përzemërt! -i them i frikësuar, por kisha dëshirë për t’i nxjerrë edhe ndonjë fjalë.

-Ne, malësorët gjithnjë jemi të tillë. Kurse unë, ndoshta dallohem pakëz më shumë, sepse, kur jam lindur, babai im kishte shkrehur katër herë pushkë për mua. Ishte gëzuar shumë pse në konakun e tij kishte lindur një vajzë!

Më bëri edhe më shumë kurioz. Shpejtas mendova: si të gëzohet malësori për lindjen e vajzës?! Por, ajo e pa se isha duke medituar dhe më tha:

-Nuk ta rrokë mendja, këtë?!

-Jo! -i thash.

-E, po tek ne malësorët, edhe atëherë ka qenë njësoj; si të lindi djalë apo vajzë. Bujaria dhe atdhedashuria ishin një. Të sforcuara edhe më shumë. Kështu është edhe sot!

Mu mbushen sytë me lot dhe nuk u përgjigja fare, por e kafshova një spec të djegës që e kisha kërkuar si shtojcë për drekë. Më dogji shumë, dhe e tërë ajo “zharavë” më dukej e ëmbël si mjaltë. Nuk dua ta komentoj më tej...

Erdhi koha për të ikur, kurse këto vise më kishin përvetësuar aq shumë me dashurinë e me historinë e tyre. As kjo nuk do koment. Para se të largoheshim nga restoranti, pronarja e këtij objekti nuk na lëshon pa pirë edhe nga një kafe. Mirëpo unë refuzova, sepse kafenë nuk ma do organizmi, por, ajo atëherë më preferoi ujë mu nga burimi i Krojeve të Ali Pashës. Nuk kundërshtova. Ajo mori bokallin dhe pa fije përtese e mbushi mu në amën e krojeve. I piva dy gota ujë, i cili ma freskoi çdo pjesë të trupit. U përshëndetem, kurse mua më ngeli shikimi kah krojet,... më ngeli mendja tek “Syri i Vashës”,... sikur mu përjetësua madhështia e kreshtave të thepisura, përtej të cilave, krenare vazhdon historinë dhe thellon e forcon bujarinë Valbona me bukuritë e saja mahnitëse.

Në Bajram Curr më kishin thënë se përtej kreshtave dhe bjeshkëve të Valbonës është Krahina e Plavës dhe e Gucisë,... edhe Vuthajt.

Në shkrimin tjetër, do të flasim edhe për historinë, për bukurinë dhe për kallëzimet e heshtjet të Grykës piktoreske dhe për ujin e kaltër të Valbonës. Do të rrëfejmë e do të mësojnë nga diçka..!

U kthyem pakëz edhe në Plavë. Liqeni i kësaj qyteze mu duk i heshtur,... i urtë apo mbase edhe i pikëlluar! Përse,... nuk e di as këtë. Por, në heshtje iu falënderova kësaj qyteze e cila gjatë luftës në Kosovë, ishte shndërruar në dhënie shpresash, në çerdhe të ngrohtë, në dashuri dhe në shpresë jete për banorët e qytetit tim-Pejës dhe të Kosovës.

Edhe kësaj radhe, interesant, lotët më tradhtuan, dhe me ta u hidhërova tej mase, sepse mu duk se jam ligështuar së tepërmi! Por, ky shkrim nuk është i rastit. Ka sa ditë e javë që më ka trokitur në mendje e zemër që ta prezantoj kështu siç e keni tash ju. Nuk di sa i kam dalë hakut shkrimit por edhe vetvetes dhe madhështisë së atdheut tim,... nuk di a kam të drejtë të them në hidhërim,... atdheut tim të çuditshëm...!



(Vota: 53 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora