Kulturë
Janaq Pani: Bisedë e hapur me nipin
E diele, 08.08.2010, 01:26 PM

BISEDË E HAPUR ME NIPIN
Ky poemth u mbrujt me pak miell hua nga Rudyard Kipling - autori
1
Ja mbërrita të jem gjysh
e të kem një nip me halle,
e gëzuar pesëfish
shpresa ime merr një valle.
Nipi im, më lodhi jeta
nuk më la të fluturoj,
sot me ty ca të vërterta
nxitem që t'i kuvendoj.
Jo, nuk lodhem ta gjej fillin
si t'ia nis, ndaj më mbaj vesh,
gjithsekush atë fat-yllin
e ka lart përsipër resh.
Na ndrit udhën ai yll
është, o nipçe fati ynë,
qofsh me shokë, a vetëm fill
veç tek ty e drejton synë.
Ai yll e ka të shkruar
si në libër fatin tonë,
por askush s'e ka lexuar
sot e mot e përgjithmonë.
2
Njoha shumë mëndjendritur
tek i shkela udhë e shtigje,
nipçe, bota qenka ngritur
mbi ca shtylla, mbi ca ligje.
Yt gjysh sot e ndjen detyrë
të vërtetat sa kam mbartur
të t'i them, o ëmbëlsirë
çkoqur në bisedë të hapur.
Trashëguar a në letër
këto shtylla Drejtësie
vijnë që nga kohë e vjetër
si Dhurata Perëndie.
3
Prin e para Dashuria
për një vend që ka një emër,
Shqipëria, Shqipëria
do ta mbash thesar në zemër.
Fluturimthi si nositi
do të ngrihesh në qiellin tënd,
por për baltën që të priti
mbi të tjerët zemra dhëmb.
Ç'rrit me vlerë brenda teje
kudo qofsh, në fund të dheut,
kalëruar sipër reje
nipçe, ia blato Atdheut.
Dhe për njerëzit që ke rreth
veç me zemër fort i duaj,
për të tjerë që nuk i njeh
dhembshurinë - naforë ruaj.
Mirësia - shtyllë e dytë
ëmbëlsinë i vesh fjalës
që të ngrihesh mbi mëritë
e të gjesh guxim të falësh.
Ndershmëria është e treta,
jo, nuk blihet me monedhë,
se në provë na ve jeta
prapësitë t'i shtrojm' nën zgjedhë.
Na fal jeta plot dhuntira
e na do me shpirt të bukur,
disa janë të arrira
ca të tjera rrinë strukur.
4
Krenaria të rrit vlerën
jo ajo që të verbon,
çmoje veten ti ngaherë
për aq sa e meriton.
Në çdo kohë e në çdo vend
n'u përballe me delirët,
ti inatin, si një dem
kape fort nga të dy brirët.
Veç me punë do arrish
të fitosh, jo si në lojë,
në betejë jeta të grish,
humbjet mos i ze në gojë.
Kur gjithçka të ngjan e kotë
se të shkoi kot mundimi,
thirr vullnetin të të thotë:
"Nise luftën nga fillimi!"
Dhe kur nervat ndonjë rast
do kërkojnë të ngrejnë krye
maturisht ti i bëj zap
e qëndro si të ka hije.
Në se shpifjet të kan' mrrolur
e ngulmojnë të hedhin baltë,
kur të nisësh për të folur
zbute fjalën, bëne mjaltë.
Ndodh që turma e humb fillin
e të le fajin në derë,
me ata që s'të përfillin
në mëkat, jo ti mos bjerë.
Arësyeja - gur i çmuar
lartëson njerinë e ditur
urtësisht duke gjykuar
vlerën vetes ia ke rritur...
Se dhe gjyshit ia ka ënda
të të shohë në fluturim,
brenda zemrës bën vend kënga:
" O gëzimi mbi gëzim!"