Kulturë
Pilo Zyba: Erdhën dardanët
E diele, 08.08.2010, 03:22 PM
NGA CIKLI " ILIRIADA "
(botohet për herë të parë)
PILO ZYBA
ERDHËN DARDANËT
- fragment poeme -
Mirmëngjes, motër, ja ku erdhi dita
Nga afër sytë e bukur për ti parë,
Nuk di sa vite, sa shekuj të prita,
Një trup, një zemër, por të ndarë...
Ca tela na vunë, i quanin kufinj
Pastaj përcaktuan, ti brënda, ti jashtë,
Përsipër ulërinin ujqër të egër, të zinj,
Por zemrën e tokës e kishim bashkë.
Shqiponja e zezë ndaj është me dy kokë
Njërën nga Kosova dhe tjetrën nga unë,
Foleja e saj kishte shtratin në tokë
Dhe krahët për erë e furtunë...
Drini sa herë nisej me ujë e gjëmime
Neve e ndalonim i vinim një pritë,
Dhe fjalët që binte me puthje dhe urime
Ja kthenim në jetë, ia kthenim në dritë.
I dëgjoj trokëllimat e historisë nëpër shekuj
Me potkonjtë e tyre që lëshojnë shkëndija,
Iliriada jote firmosur me hekur
Firmosje të tilla s’ka parë historia.
Në shekuj, në shekuj dhe grurin e artë
Në Fush – Kosovë me dhunë ta grabitën,
Por historia firmosur me shpatë
Nuk vidhet, në kujtesë ka mbetur skalitur...
Në minierë të Trepçes hynte minatori
Me çekiç trokiste kudo anë më anë,
Si morsë dërgonte një mall që e ndrynte
Me shpirt për vëllanë, larg , tej në Tiranë...
Si mund të kuptonin Serbët dhe Europa,
Morsa ishte e shurdhër për veshët e botës,
Ata tirrnin fjalë në tryeza të kota
Dërgonin përfaqësues me këmbët e rrotes.
Si nuk e kuptonin, por thoshin dy emra
Ndarë nga një shpirt, një gjuhë, s’kishin turp,
Kur një e vetme e përjetshme ishte zëmra
Që gjakun përcillte në të njëjtin trup..
E di që u lodhe nëpër shekuj motër
Duke gdhëndur me pushkë të vërtetën,
Kur nuk kishe bukë, qëndrove në votër
Me gjek për të ripërtërirë jetën...
Rozafa e murosur në gurët e legjendës
Nga kalaja nxirrte të bardhin, gjinë,
Nga larg i dërgonte qumshtin dhe këngën,
Të mëkonte përjetësisht historinë...
Si nuk pyeti bota, vetë si nuk e panë
Që edhe sharkia ka formën e zemrës,
Telat, durimi i saj i tenosur janë
Që dalin prej saj në formën e këngës...
Daullen e bukur me lëkurë argasur
Nga goditjet e forta të shkopit e thuprës,
Është gëzimi, dhimbja në shekuj e mbartur
Mes lindjes Dardane dhe krismës së pushkës...
Mëngjeset aguan dhe nusja Dardane
Me shtatin ujvarë dhe vellon e shkruar,
Ka thirrur dasmorët të gjithë kësaj ane
Në dasmën e madhe që për të ka shtruar...
Në vëndlindjen time në Frashër duke ikur
Gjysh Avdyl Frashri hapur e la derën,
“ Ska kohë lajmëtari, tha, të ndalë për të trokitur
Kur të vijë një ditë me flladin dhe erën...
Dhe ja, Ai erdhi dhe solli Pranverën!...