Kulturë
Besim Muhadri: Poezi e zgjimit të ndjenjës njerëzore dhe kombëtare
E premte, 06.08.2010, 09:58 PM
Rilexime
POEZI E ZGJIMIT TË NDJENJËS
NJERËZORE DHE KOMBËTARE
Ismail Kadare: “Terrori në Kosovë”, Tiranë 1981
Nga Besim MUHADRI
Tema e Kosovës ishte dhe mbeti një nga temat e preferuara të Ismail Kadaresë, qoftë në poezi, qoftë edhe në prozë. Kosova po ashtu qe dhe mbeti një nga shqetësimet më relevante letrare dhe intelektuale të këtij shkrimtari. Këtë temë te ky shkrimtar e hasim qysh në shkrimet e hershme, pothuajse fillestare të tij, përkatësisht në poezinë “Mundja e ballkanasëve” me nëntitullin “Lufta e Kosovës 1939, në të cilin ai paraqet projektin e parë rreth kësaj teme të madhe, për atë ngjarje të fundshekullit të XIV.
Edhe më pas Kadarenë e ka ngacmuar tema e Kosovës, çështja e saj e pazgjidhur, dhuna dhe terrori serb e jugosllav mbi shqiptarët e Kosovës, demonstratat e vitit 1981, shtypja e atyre demonstratave, burgosja dhe vrasja e demonstruesve shqiptarë etj. etj. Temën e Kosovës Kadare e ka trajtuar, madje, edhe në vepra të tëra, siç janë novela “Krushqit janë të ngrirë”, pastaj te romani (apo tri novela që bëjnë një roman) “Tri këngë zie për Kosovën”, por edhe në libra të tjerë që kanë të bëjnë me Kosovën, të cilët u botuan dhe vazhdojnë të botohen edhe gjatë këtyre viteve.
Gama e temës së Kosovës, e trajtuar nga Ismail Kadare, është mjaft e gjërë. Një nga krijimet e këtij shkrimtari, i cili për vlerat ideoestetike është vlerësuar, qoftë nga lexuesit, qoftë edhe nga kritika, është poezia me titull “Terrori në Kosovë”. Krijimi në fjalë është shkruar në vitin 1981, në një kohë dhe situatë të rëndë për populllin shqiptar të Kosovës, të ndodhur në zgripcin e ekzistencës, represionit, dhunës dhe terrorit serb.
Poezia “Terrori në Kosovë” është një krijim i këtij poeti dhe shkrimtari, i cili në fokus të vetin ka trajtimin, por edhe pasqyrimin e situatës së krijuar në ato vite, përkatësisht pas demonstratave studentore të vitit 1981 të ndodhura në Prishtinë dhe në qytetet kryesore të Kosovës.
E hidhur vjeshtë e atij viti
Kosovën e gjeti nën terror
Korba të zez mbi të ia mbërritën
Hetues, gjykatës e prokurorë
Kështu fillon poezia “Terrori në Kosovë” e Ismail Kadaresë. Më këto vargje poeti paraqet një gjendje terrori dhe represioni në Kosovën e pasdemonstratave të vitit 1981. “Korbat e zez” që ia mbërrijnë në Kosovën e atyre viteve, janë një kumt i keq. Një kumt i zi dhe tmerri që paralajmëron një proces të vështirë e të gjatë për shqiptarët e shtypur që kërkonin liri. Këta korba që paraqiten në poezinë e Kadaresë, janë po ata korba të mallkuar që kishin ardhur në Kosovë shekuj më parë dhe kishin pushtuar këtë vend. Korbat janë simbol i së keqes, i mallkimit, i dhunës dhe i dënimit, që vijnë bashkë me hetuesit, gjykatësit e prokurorët.
Po në të të vërtetë këta korba së bashku me gjykatësit e prokurorët nuk vinin për një gjë të mirë këtu, ata vinin për të dënuar shqiptarët, rininë e Kosovës, që ishte ngritur në këmbë dhe kërkonte të drejta:
Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.
Poezia në fjalë e Kadaresë paraqet një realitet të vrazhdë të atyre viteve, të asaj kohe kobzezë, që ishte e mbushur me dënime shqiptarësh që qelbeshin burgjeve dhe kazamateve serbo-sllave. Janë këto vargje që tregojnë atmosferën e rëndë të asaj kohe, që ishte një atmosferë tepër e zymtë, me erë të rëndë burgjesh dhe dënimesh drakonike për shqiptarët.
Por, megjithatë, dënimet nuk i trembnin shqiptarët që ishin ngritur në demonstratë për të kërkuar të drejtat. Ata ishin të bindur se me këtë po shkruanin historinë më të re të Kosovës. Prandaj poeti thotë:
Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit,
Në duar ndjetë befasisht
“Prekja” e historisë është një metaforë e dhimbshme, por krenare. Prangat në duar të të dënuarve janë prangat e historisë që po bëhej. E historisë më të re që po shkruhej me gjakun e djemëve dhe çikave të Kosovës. Kadare me këtë sikur mëton të ndërlidhë teorinë me praktikën (Prangat që në shkollë mësonit/ në duar ndjetë befasisht). Kjo është historia, ky është realiteti. Nata e Prishtinës, kthehet në Natë Shën Bartolomeu. Në një natë tmerri e vrasjesh, burgosjesh. Në një natë që të kallte frikën, por të shtonte krenarinë. Poezia e Kadaresë “Terrori në Kosovë” ka këtë ndjenjë, pra ndjenjën e krenarisë, që i jep forcë e vullnet atyre që ishin sakrifikuar e po sakrifikoheshin për një ditë më të mirë që do të vinte, sepse:
Pas Dushanit car të frkshëm
Rrufeshëm Skënderbeu ia arrin?
Krijimi i poezisë “Terrori në Kosovë” është një krijim që ndjehet në shpirtin e poetit, cili natën e gjatë të Prishtinës që i shembëllen me natën e Shën Bartoloumeut, e sheh si një natë që megjithatë e ka fundin e saj. Pas kësaj nate në vizionin poetik të Kadarëse shfaqet drita e ngadhënjimit. Kjo ditë, sipas Kadresë nuk do të jetë larg, sepse “ardhja e rrufeshme e Skënderbeut” është ardhja e fitores për Ditën e Madhe të lirisë së shumëpritur. Ndërkaq, Skënderbeu është simbol i fitores, simbol i ngadhënjimit mbi të keqen.
Duke shkruar për ngjarje të një kohe të caktuar, kur gjërat ndodhën “pa dëshmitarë”, Kadare edhe në këtë formë mëton që para opinionit kombëtar e ndërkombëtar ta sensibilizojë çështjen e Kosovës, aty ku shtypej liria dhe përpjekjet për shuarjen e ndjenjës kombëtare të një populli ishin të vazhdueshme.
S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zingjiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veç ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.
Me këtë poezi Ismail Kadare nuk shkroi një hymn vetëm për sakrificën e rinisë shqiptare të Kosovës të vitit 1981, që zgjoi përfundimisht ndjenjën paksa të dremitur kombëtare, por ai shkroi një hymn gjithkombëtar me anë të të cilit i bënte thirrjes edhe ndërgjegjës ndërkombëtare për atë që po ndodhte me shqiptarët e Kosovës, ku po shtypeshin dhe po vriteshin njerëzit. Aty ku po dënoheshin shqiptarët dhe se proceset gjyqësore ishin procese të montuara politike, të cilat nuk i kontrollonte askush. Prandaj, me këtë Kadare i tregonte botës se duhej të zgjohej nga letargjia dhe të mos mbyllte sytë para çështjes së pazgjidhur shqiptare. Me këtë ai i tregonte edhe regjimit komunist në Shqipëri se duhej të bënte më shumë për njerëzit e gjakut e të trungut të ndarë të shtetit shqiptar.
Ky është Kadare, që di të shkruajë dhe të dërgojë mesazhe të fuqishme poetike, që janë dhe mbeten përherë edhe si mesazhe të fuqishme historike:
Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument;
Ju që e prekët historinë
Dhe n’histori u kthyet vet
Këto janë vargjet përmbyllëse të poezisë “Terrori në Kosovë” të Ismail Kadaresë, të cilat tregojnë qartë se poeti i shkroi ato për të përçuar një mesazh të fuqishëm. Për të ngritur lapidarin e parë për të gjithë ata që tronditën themelet e një pereandorie të pashpallur, siç ishte Jugosllavia e asaj kohe, në të cilin shtet në mënyrën më të egër shtypeshin të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.
Poezia “Terrori në Kosovë” e I. Kadaresë hyn në vargun e pozive më të realizuara të këtij poeti që për temë kanë Kosovën dhe çështjen e saj të pazgjidhur. Por kjo poezi hyn edhe në krijimet më të mira dhe më goditura të kësaj teme, të shkruara nga krijuesit tanë gjatë atyre viteve.
“Terrori në Kosovë” është nje poezi që të zgjon asociacione dhe ndjenja të fuqishme njerëzore e kombëtare. Është një krijim, që shembëllen me një përmendore për të gjithë ata që ranë, që u burgosën, që u maltretuan dhe që u dënuan gjatë asaj kohe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.