Kulturë
Tri skica kanadeze, nga Vangjush Ziko
E enjte, 05.08.2010, 07:38 PM
Vangjush Ziko
FLAMURI ME GJETHE PANJE
Flamurët e Botës janë më se të çuditshëm.Janë të çuditshëm jo nga forma. Ata të gjithë janë drejtkëndorë.Nuk janë aq të veçantë as nga ngjyrat,se sa ndryshojnë simbolet që kanë zgjedhur për t'i dalluar.Dhe prapë e çuditshme.Këto simbole,në shumicën dërmuese,janë marrë nga qielli dhe jo nga toka.
Kanë zgjedhur diellin,hënën,yjet ose kombinime të ndryshme nga ngjyrat e ylberit.Të tjerë skifterin apo shqiponjën.Kanë marrë kryqin që lartësohet mbi këmbonaret,si një element i qiellit.Të gjithë kanë synuar hapësirën mbitokësore si shenjë të lartësisë,madhështisë,hapësirës ku rruhen të fshehtat pa fund të unuversit dhe Perëndia e plotfuqishme.Të tërë sikur pohojnë se pushteti,fuqia dhe mbarësia qëndrojnë lart,sipër tokës,si një dëshirë dhe ëdërr,që mezi arrihet dhe që nuk duhet të guxojë ta prekë askush,sepse është e shenjtë.
Ka dhe një flamur,flamuri kanadez,që ka zgjedhur për simbol një gjethe të drurit të panjës.
A thua,kanadezët e zgjodhë këtë gjethe se,kur u formua Kanadaja si shtet,i kishin "grabitur" të tjerët simbolet e qiellit?Apo,thjesht,francezit apo anglezlt të parë që shkeli në këtë tokë,i bënë përshtypje pyjet e panjës që veshnin këtë vend dhe e vunë në sfondin e bardhë të pëlhurës që simbolizon dimrin e gjatë kanadez.Vunë një gjethe asnjëanëse,për të mos krijuar keqkuptime midis tyre,apo,më mirë le të themi,për t'u pajtuar midis tyre.Francezët dhe anglezët bënë zgjedhjen më të mençur.Ky vend nuk kishte histori dhe tradita si Europa.Ata vendosën ta shkruajnë historinë e këtij shteti të ri të globit mbi këtë gjethe të virgjër të natyrës.Dhe nuk zgjodhë as gjethe të gjelbër pranverore,as gjethe të zverdhur,që e shkund era e vjeshtës.Ata zgjodhë gjethen flakëruese të panjës të kalitur në ngricat polare.
Dhe kjo gjethe e kuqe u bë një gjethe profetike.Ajo ngjan me një pëllmbë njeriu,një pëllëmbë fisnike që u zgjatet bijve hallexhinj të të gjthë kontinenteve dhe racave dhe i fton ata në prehërin e vet duke u premtuar punë,barazi dhe miqësi pa dallim ngjyre dhe feje.
Flamuret e Botës janë të ndryshëm dhe jo të gjitha simbolet e tyre i kuptojmë.Rëndësi ka që ata bëhen të dashur e të shenjtë për njerëzit që rreshtohen dhe betohen nën hijen e tyre.
WINDCHILL
Windchill,thëllimi,siç i themi ne në gjuhën tonë,është duhma e dimrit kanadez që ngrin udhët,vesh me okitë drurët e zhveshur dhe u sjell përkëdheljen polare fytyrave të përskuqura të njerëzve.Arinjtë e bardhë duhet ta kenëmë të preferuarin se u than cërkat e ujit kur dalin nga uji i oqenit mbi akullnajën lundruese.Kanadezët e mësuar me makinat e tyre,nuk e ndjejnë atë.Kur kthehen në shtëpi,ata e lenë windchill-in jashtë dyerve dhe dritareve hermetike,e shpërfillin.Vetëm kondicionerët në bashtën prapa shtëpisë rënkojnë duke punuar pa pushim.Për shtëpitë,zyrat,mollet,shkollat duket sikur ka vetëm një stinë.Njerëzit zbërthejnë duke lënë më një anë xhupat e ngrohtë;shitëset shërbejnë me mëngë të shkurtëra dhe dekolte;pensionistët e ulur në tavolinat e oborrit të mbuluar të mollit surbitin kafenë,bëjnë muhabet shtruar për dimrin e jetës së tyre.Çdo gjë shkon normalisht brenda,sikur nuk po ndodh asgjë jashtë mureve.Të gjithë e kanë harruar winchill-in.
Dola nga shtëpia,si çdo ditë,të marr nipin e vogël pas mbarimit të mësimit.Sigurisht që u vesha mirë.Vura dhe kapuçin.Nën këpucët e mia kërcet kripa, që u kanë hedhur rrugëve.Pusetat e kanaleve të rrugëve nxjerrin avull,sikur poshtë tyre,nën tokë,po zjen një kazan me ujë të valuar.
Sytë më mbetën në një degë të një panje të re.Çudi!Sythet e gjetheve janë fryrë,bufatur.Është mars akoma.As dimri i gjatë dhe as windchill-i s'e kanë ndërprerë jetën e drurit.
Dhe jo vetëm të druëve,por edhe të njerëzve.
Këtu,në prag të Polit të Veriut,jeta vazhdon duke i sfiduar stihitë e natyrës me mënyrat më të ndryshme të saj.Duke mundur edhe windchill-in cingërues.
AUTOBUSI 26
Autobuzi urban,që shkon përbri shtëpisë sime,ka formën e tij drejtkëndore dhe ngjyrën e qumështit,i dekoruar me reklama nga më të ndryshmet.Ai,duke lundruar në rrjedhën e pafund të ngjeshur të autostradës përplot me autovetura elegante dhe nazike,më duket,herë si një dinozaur i mbetur gjallë që nga vitet e hershme dhe herë si një klloun i llangosur me ngjyra i një cirku.
Dhe me të vërtetë!
A s'është jeta jonë një cirk,ku ne njerëzit,xhonglerët e kësaj jete,s'pushojmë së dhëni shfaqje ditë e natë në rrugët e qyteteve!
Kapërceva pasarelën nga njëri trotuar në tjetri dhe hipa autobuzin 26 buzë rrugës Burhanthorpe.U ula në një fron të lirë të autobuzit,në ato vende që janë për të moshuar dhe invalidë.Në krah të majtë ishte ulur një grua kineze me trup të pakët,këmbët e saj nuk arrinin në dyshemenë e autobuzit dhe tundeshin herë pas here si lavjerës.Në të djathë kisha një sik indian me turban të lidhur rreth kokës si një kurorë mbretërore.I mungonte vetëm diamandi i vendosur në ballin e tij.Mjekra e gjatë dhe mustaqet e thinjura i jepnin krenarinë dhe hiret e një udhëheqësi fisi.Përballë një nuse e re me fytyrën e rregullt ngjyrë ulliri,me vetulla të trasha dhe flokë të zes,që kishin reflekse gushpëllumbi.Ishte pakistaneze.Sytë nuk i dukeshin.Ajo po dremiste.Kthehej,sigurisht,nga turni i natës.Në autobuz hynë dy greçka të stolisura e të veshura me sqimë,që nuk pushonin së fjalosuri në gjuhën e tyre.
Autobuzi ndaloi në stacionin tjetër.Hyri një nuse e re bjonde me tipare sllave.Kish mundësi të ishte ukrainase ose ruse.Në fillim futi në autobuz,duke e shtyrë,karrocën me një bebe.Kujtova se mos ishte ndonjë bebisiter,që punonte në ndonjë zezake e kamur.Bebja ishte e zezë dhe me leshka kokoridhka.Përkujdesjet dhe përgjërimi i saj,më bënë të ndyshoj mendje.Ajo ishte e ëma.Hyri dhe një i ri me çantën e studentit plumb të rëndë pas kurrizit.Në vesh kishte vënë kufjot e citofonit dhe,i përhumbur në botën e tij,po dëgjonte muzikë.Nuk e përcaktoja dot preardhjen e tij.Flokët i kishte të kuq.Sytë të gjelbër,të përzjerë me bojë hiri.Duhej të ishte patjetër kanadez.Ata përgjithësisht janë kuqo.
Po pse,mendova për një çast,vallë të tjerët,bashkë me mua shqiptarin,nuk janë "qytetarë" kanadezë.Tërhoqa shiritin e verdhë mbi kokën time dhe lajmërova shoferin e autobuzit se do të zbrisja në stacionin tjetër.Zbrita.Aytobuzi 26 u nis pë të vazhduar itinerarin e tij.
Mua seç më shkrepi një mendim në kokë.
Për një çast m'u duk sikur autobuzi ishte nisur për t'i ardhur rrotull globit dhe stacionet e tij ishin kontinentet dhe shtetet e Botës.Ja,tashi,mendova,ai do të shkojë në Meksikë,se nga jugperëndimi e kishte drejtimin.Pastaj në Brazil. E ku ta di unë.Mbase edhe në Mars,po të kishte njerëz!
Në Kannada po mblidhet tërë bota.Jo vetëm po mblidhet,por edhe po përzjehet.Mendja më vajti në ajo sllavja me bebe mulate.
Më kot flasin njerzit për kufitë dhe ndryshimet midis tyre.
Të gjithë jemi njerëz,bij të Adamit dhe të Evës.Të gjithë duam të mbijetojmë.
Sa mirë të bashkëjetosh në paqe dhe të respektosh njëritjetrin në këtë autobuz gjigand
me emrin Tokë,që lundron në univers!