E shtune, 03.05.2025, 03:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Kelmend Gruda: “Ën të dashtunes gjuhës sonë ..”

E enjte, 05.08.2010, 09:58 PM


“Ën të dashtunes gjuhës sonë ..”

Buzuku

 

Nga Kelmend Gruda

 

Lexoj gati përditë shkrimet fort të bukura që botohen te “Zemra shqiptare”. Por kur shoh cilët janë autorët e si shkruejnë, më vjen mos me e besue: Po a njëmend do të birret përgjithmonë gegnishtja?!

Janë dy a tre vetë që shkruejnë gegnisht. Të tjerët, ose e përzjejnë dhe e bajnë krejt çorbë, ose shkruejnë si kurveleshasit.

Po a asht shqip edhe ajo?

Natyrisht. Veç asht një shqipe si të ishte një njeri me vetem një dorë, edhe ate me vetëm tre gishta.

Puna ka mbrrijtë deri atje, sa shkruejnë edhe rapsodi tosknisht. Joqë asht pikërisht rapsodia e Kadri Manit për Nanë Terezen që më shtyu me shkrue këto radhë.

Si thash, nuk gjen veç dy a tre autorë që shkruejnë gegnisht e tash nuk po më kujtohen as emnat, veç Fritz Radovanit e ndonjë tjetri.

As unë nuk jam kundër një gjuhë të njësueme, por pa e bjerrë pasuninë e ma shumë se tri të katërtave të shqipfolësve. Shqipnia nuk asht prej Gjinokastre e deri në Shkumbin. Shqipnia asht prej Preveze e deri në Nish.

Kam 13 vjet e ma në mërgim. Kam vu edhe satelit e ndjek si stacionet televizive të Shqipnisë, ashtu edhe të Kosovës (prap Shqipni asht edhe ajo). Aq më japin bezdi kur flasin, sa shpesh herë humb durimin e ndrroi kanal.

Tash, do të thotë ndokush, cili je ti që po do me na dhanë mend? Çfarë grade shkencore ke? Se, ka dashtë Zoti, nuk po kemi shumëçka tjetër, po tituj shkencorë kemi ma shumë se bunkerët dikur.

Jo, unë nuk kam asnjë gradë shkencore. Kam krye gjimnazin “29 Nandori” në Shkodër, mandej kam punue guzhinjer, se isha me biografi të keqe, si thuhej atëherë. Guzhinjer punoj edhe këtu, po kjo nuk do të thotë të mos e duem gjuhën tonë.

Unë mendoj se, derisa e quejmë “Zemra shqiptare”, të rrahë aty vërtetë zemra shqiptare, jo një zemër që na e paten tjetërsue më këte anë diktatori Enver Hoxha e m’atë anë regjimi serb.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx