E diele, 16.02.2025, 07:23 PM (GMT)

Kulturë

Luan Çipi: Hanëmja - Dashuria më e madhe (V)

E diele, 08.08.2010, 06:56 PM


HANËMJA - DASHURIA MË E MADHE

 

Jetëshkrim historik i dy vlonjatëve të moshuar

 

Nga Luan Çipi

 

PJESA E PESTË

 

Dhjetë vjet më vonë, po me Hanëmen, ne erdhëm sërish në Dhërmi. Ishim dhjetë vjeç më të moshuar dhe prindër të tre fëmijëve të mbarë. Në këtë kënd të bukur bregdetar, sikur, të shtohet jeta, përtërije dhe mbushe me fuqi e optimizëm. I them Hanëmes:

-Të pushojmë dhe të gëzojmë, se jemi të lumtur dhe kështu siç jemi: Fëmijët po na bëhen të mirë. Deri tani jemi mirë me shëndet dhe vitet akoma nuk na kanë rënduar.

-Jo, tamam kështu, Luan, përgjigjet Hanëmja.

- E po, do ti bëjmë një çikë qejfin vetes, de! Dhe duke u frymëzuar nga mjedisi i mrekullueshëm i detit dhe i tokës për rreth, vazhdoj:

“Nga njëra anë ndjejmë kënaqësinë e detit Jon, të ujit të kthjellët; të panoramës mahnitëse joniane, me ata ishujt e pa arritshëm, po aq të afërt; të anijeve, që kalojnë tutje e vizitojnë vende të pa njohura; hera herës shohim delfinët e zgjuar, gjithnjë prezentë në këtë trevë, që ndjekin njeri tjetrin, lozin, hidhen mbi ujë e zhyten sërish brenda tij; jemi zhytur në mes të qetësisë absolute, çlodhëse. Nga ana tjetër, malet e Vetëtimës, Çikës e Gribës të gjallëruara nga mijëra kokë bagëti të imta. Në të katër anët e horizontit, bukuri përrallore, poetike.

 

Kështu shpesh rrinim në krevat, me dritare hapur të përqafuar, të pa ngopur me dashuri dhe vargjet, sikur, formoheshin vetë:

 

Rri, këtu, në dhomë i shtrirë, më vjen mirë

tek shoh malin e thepisur,

i vithisur në mendime e kujtime, arratisur.

 

Më shumë kokrra se sa fletë në ullinj

Rrush, fiq, pjeshkë, agrume në Dhërmi.

Gjon Leka, Kont Raqi – ç’histori?

Kastriotët: Gjergji, Gjoni-Shqipëri

Deti Jon kaltërosh-bardhë e zi

Dhe gjithë ngjyrat e ylberit-ç’bukuri!

 

Si jashtë dhe brenda një bukuri që të frymëzonte dhe të ngazëllente. Në këtë mjedis përrallor dhe jeta ime me Hanëmen më dukej si një përrallë me mbret e mbretëreshë. Ne, gjithnjë e më shumë harmonizoheshim dhe ajo më kuptonte e më plotësonte çdo dëshirë, që kisha unë, bile, fare pa ja shfaqur. Përpiqej të m’i largonte e t’i hidhte tej shqetësimet dhe mërzinë, dështimet dhe mos realizimet eventuale dhe të vlerësonte e të gëzonte çastin, pikërisht me ato kënaqësi spontane, që na sillte jeta, sado të vogla të ishin. Këto ajo, me dashurinë dhe urtësinë e saj, i zmadhonte dhe i amplifikonte, duke e zbukuruar në tërësi jetën tonë bashkëshortore, që në fakt, nuk ndryshonte shumë nga mënyra e jetesës së shumë të tjerëve. Ne çuditeshim, me disa nga shokët tanë, që bënin një jetë skëterre, grindeshin, ziheshin vazhdimisht, bile ndonjë dhe ndahej me sherr e deri me rrahje.

Në këto vite Hanëmja e formoi dhe më shumë personalitetin e saj, e pasuruar me përvojën e jetës, shkëmbimin reciprokisht të mendimeve më të avancuara të kohës, me mësimet në shkollat dhe kurset që ndoqi dhe me librat e panumërta që lexoi, pa i hequr asnjë herë nga dora, në çdo pauzë të volitshme, gjithë jetës.

 

Erdhën vitet e tranzicionit dhe ne, të dy, thuajse njëkohësisht, u larguam nga puna shtetërore dhe dolëm në pension të parakohshëm. Bashkë me Hanëmen nisëm punë si tregtarë privat, në një kioskë. Hanëmja, e pa lodhur, më mbështeti fuqimisht në përpjekjet për të siguruar të ardhurat e nevojshme, që djalit tonë, student, t’i krijoheshin mundësitë minimale për t’u diplomuar si mjek, ndërkohë vajzat, të martuara, shikonin punët e mbarëvajtjes së familjeve të veta.

 

Në muajt e parë të vitit 1997, me Hanëmen shpërngulemi nga Vlora në Tiranë. Ani, emigroi në Amerikë dhe Arta, e kthyer nga emigrimi në Greqi, që ish ndarë nga i shoqi, për mungesë mirëkuptimi, ishte shpërngulur dhe punësuar më parë, si ekonomiste në një Kompani Amerikane dhe banonte me të vëllain në Tiranë. U vendosëm bashkë me Artën dhe Anxhela e vogël në një shtëpi dy dhoma e një kuzhinë, kati pestë, në kryqëzimin e rrugës Muhamet Gjollesha me rrugën Myslym Shyri, shtëpi e blerë për Anin, disa muaj më pare. E kishim mjaftë të vështirë të adoptoheshim në kryeqytet, larg shokëve, miqve dhe farefisit. Muajt e parë na dukej se as me frymë nuk ngopeshim, e sikur po ktheheshim në astmatikë. Aty na shkoi mendja te qindra mijëra emigrantë të larguar për nevoja të çfarëdoshme jashtë atdheut. Ne, Vlorën tonë të dashur, e lamë  vetëm 150 kilometër larg dhe kthehemi sa herë për t’u çmallur, kur e ndjejmë mungesën e përditshme të saj. Po ata, që i djeg malli çdo ditë dhe më shumë, deri për gurët e sokakut dhe ndonjëri nuk gjen dhe një bashkatdhetar të vetin, qoftë dhe vetëm ta shaj shqip, apo të dëgjojë nuancat e dashura të gjuhës së mëmës?

            Sidoqoftë, duke pasur Hanëmen pranë, kapërcehej edhe mërzitja më e vogël, më dukej se largohej deri dhe pleqëria, dhe fal kujdesit të saj, ndihesha gjithnjë i frymëzuar, ja merrja me këngë, shoqëruar me kitarë e mandolinë dhe kujtoja fëmijët e larguar, në fatin e tyre dhe  jetën tonë ndër vite. Madje, më vonë,  u krijuan mundësitë që, herë pas here, të shkoja te ata në Kanada, Amerikë dhe Holandë. Këto ndjesi, me ato mundësitë e mia, natyrisht jo me përsosmërinë letraro-artistike, i përjetova deri poetisht:

 

 

NËPËR VITE

 

Po ku qe ky fat për mua,

Pesëdhjetë vjet më parë,

Të rek në rrugë dhe të dua

Një mrekulli të paparë?

 

Nuk ishte një rastësi,

Që e solli dita rradhë,

Po ishte një porosi,

Bekuar nga Zoti i Madh.

 

Pas kësaj, për çdo çast,

Nuk gjeta më qetsi

Dhe kërkoja, në çdo rast,

Ta takoja përsëri.

 

Në gjumë, apo i zgjuar

Për Hanëmen ëndërroja.

Isha krejt i turbulluar,

Gjithnjë, veç për të mendoja.

 

Kaluan javë dhe muaj,

Dhe përgjigjja ja, më  mbriti.

Sosën ditët që po vuaj,

Qielli retë i  davariti.

 

Zemrat tona u bashkuan

Një fat i madh erdhi pranë,

Fëmijë lindëm, ne u shtuam

Me Linën, Artën , Kaman.

 

Gjysëm shekulli mirkuptim

Dashuria përherë shtuar

Vitet ikin pa mbarim

Kitara s’ka të pushuar.

 

Se punën,  librin, muzikën

Kishim shokë të pandarë,

Po tani, që fëmijtë ikën,

Hanëmen e ndjej më pranë.

 

Bijtë tanë të veshur shik

Dërgojnë foto dhe mesazhe

Nga Kanada e  Amerikë.

Ne, në pandehma e imazhe:

 

Si janë e  ç’ bëjnë vallë,

A do vijnë, a nuk do vijnë,

A kanë ftohtë, a kanë zevalë

Janë ballë errës, a në suferinë?

 

Se prindi u do të mirën

Po, ndjell keq, vuan e heq,

Matet t’ua shfaq dëshirën,

Nga larg përpiqet ti ndreq.

 

Mendon që mos ti pengojë,

Kur qoftë dhe pak kohë u merr

 Druhet t’u telefonojë

Ruhet “mos t’iu bëhet ferr”

 

vazhdon



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora