E shtune, 15.02.2025, 04:53 AM (GMT)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (IV)

E diele, 08.08.2010, 04:19 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

 

(Roman)

 

 

                                                    *   *     *

 

 

Pas një jave konziliumi i mjekëve të spitalit të kryeqytetit me në krye doktor Zebekun u mblodh dhe seriozisht shqyrtoi rezultatet e trajtimit shkencor të ekipit  të psikiatërve, neuropsikiatërve, neurologëve , sociologëve e tj. dhe pasi shqyrtoi simptomat e shfaqjes së Sindromit Alzheimer, dhe anamnezat e çdo të sëmuri të partisë dhe qeverisë konstatoi se:

Rezultatet shkencore të trajtimit të pacientëve të partisë dhe qeverisë së kryeqytetit nuk përputhen me të dhënat shkencore pasi që specifikohet  qartazi se Sindromi Alzheimer shfaqet pas moshës gjashtëdhjetë e pesë vjeçare. Rezultatet shkencore  për Sindromin Alzheimer  konsistojnë në faktet shkencore   se simptomat shfaqen si pasojë e vdekjes së qelizave  nervore , që pamundësojnë përcjelljen e sinjaleve  deri në tru, ndërsa aparaturë për të konstatuar nëse kishte apo jo qevereia e partia tru, kryeqyteti aktualisht nuk ka.

Prandaj, ne anëtarët e konziliumi mjekësor konstatojmë me përgjegjësi profesionale se Sindromi Alzheimer nuk ka goditur j  qeverinë e partinë, por ndonjë sëmurje tjetër. Zoti ju ndihmoftë! Amin! Pastaj  komunikatën i pari e nëshkroi doktor  Zebeku dhe vazhduan edhe doktorët tjerë. Pasi që  doktorët nënshkruan komunikatën , doktor Zebeku e futi në një pliko  dhe, sipas rendit zyrtar, ia dërgoi së pari partisë pastaj qeverisë.

 Qeveria e partia e pakënaqur me rezultatet e varfëra shkencore të ekspertëve të psikologjisë dhe neuropsikiatrisë në shej revolte i përzuri nga kabineti qeveritar dhe në vend të tyre solli falltorë e fallxhesha. Kryetari i partisë dhe i qeverisë me dekret të veçantë që e hartoi asistentja Dudie hanmi, emëroi  Tatlije Bozaxhiun  për shefe të kabinetit e ngarkuar me detyrë të përkujdesej për shëndetin e partisë dhe qeverisë. Tatlije hanmi, si e quanin komshinjtë, më parë kishte jetuar në një shtëpi të ndërtuar me qerpiqë balte  të mbuluar me kashtë në Mëhallen e Xhehenemit,ndërsa sapo u emrua shefe e kabinetit të kryetarit të prekur nga sindromi i dyshuar , qeveria e akadomoi mirë në një apartament luksoz  karshi apartamentit të kryetarit në bulevardin Mareshali Tito në qendër të kryeqytetit, prej nga shihen  të gjitha mëhallët e kryeqytetit.Jo fort larg apartamentit të Tatlije hanmit ngriten lart në qiell edhe dy minare të xhamive , altari i  kishës katolike, sahatkulla  dhe shtabi qendror i armatës së gjeneral Gexhës. Në orën 6:oo të agut, gjeneral Gexha si komandant i kazermës , jo larg qeverisë, pasi intononte himnin e bashkim –vllaznimit, qytetarëve të kryeqytetit u dëshironte ditë të mbarë me  këngën vajtuese Shoku Tito  ne të betohemi!, të cilën nuk kishte njeri në kryeqytet që nuk e dinte përmendësh Si sentimentaliste që ishte Tatlije hanmi zhgrehej në vaj, ngase kënga  kishte nota melankolike. Posa fillonte kënga për Titon edhe kambana e sahatkullës binte gjashtë herë. Prifti në altar as hoxhollarët në minare nuk hipnin , por përmes altoparlantëve të varur lart në minaret dhe altare i mbanin ison avazit  vajtues për Titon me psallme  e ezan. Tatlije hanmi e përkushtuar intimisht ndaj vajtimit të kryeqytetit për Titon, shpesh nga balkoni i katit të gjashtë të rrokaqiellit i shante  hoxhollarët , priftërinjtë e  sahatkullën, që e pengonin ta dëgjonte të pastër vajtimin e kryeqytetit. Si  për inat të Tatlije hanmit, Lalush Teneçexhia, komshia i parë i Tatlie hanmit,  e hapte radiostacionin  e kryeqytetit dhe deri në fund i lëshonte zërin këngës folklorike Mori Dudë, e mjera Dudi, me qëllim të mos dëgjonte avazin e vajtimit që vinte nga kazerma e gjeneral Gexhës, ndoshta edhe për t’i hyrë në hatër edhe Dudie Hanmit, e cila e mërzitur për gjendjen shëndetësore të qeverisë hapte dritaren për ta dëgjuar këngën e preferuar që vinte nga dritarja e apartamentit të Lulush Teneqexhisë.

Në ditën e parë të punës, Tatlije hanmi tri herë i solli  kripë dhe  plumb të shkrirë e gjilpëra të ngatërruara në lesh dhie përreth kokës  kryetarit të partisë dhe qeverisë, sipas detyrës zyrtare që iu kishte besuar, ndërsa delegatëve të parlamentit, ministrave , zëvendësministrave , këshilltarëve e truprojave të tyre sjelljen e kripës, plumbit të shkrirë dhe gjilpërave rreth kokës e bënte me punë honorari. Kur u rrotullonte rreth kokës gotën me kripë dhe gjilpërat  nanuriste diç nëpër buzë, por nuk  kuptonte njeri ç’thoshte. Dikush thoshte se Tatlije hanmi flishte arabisht, dikush thoshte se fliste judisht, ndërsa në besë me kusht  të mbahej konfidente , i pati  treguar vetëm kryetarit të partisë dhe qeverisë se nanurisjet e saj ishin në gjuhën e Akunve të Xhehenemli Mëhallës nga e cila tremben demonët dhe dalin nga truri i qeverisë dhe partisë së kryeqytetit?! Asistentet e qeveritarëve  betoheshin në bukë e kripë, Bibël e Kur’an se me sytë e tyre kishin parë duke u dalur qeveritarëve përmes zgavrave të hundës, gojës; veshëve  e syve krimba me bisht nga truri!

Kabineti qeveritar dhe partiak i kryeqytetit   pas rezultateve të para të Tatlije hanmit përmes medieve të kryeqytetit publikoi  dekoratën  speciale  për fallxheshën si eksperte e devotshme , që shëroi  parinë  e partisë dhe qeverisë duke pastruar trurin e elitës së kryeqytetit nga truri i krimbur. Gazetarë, reporterë të të vetmes shtëpi televizive të kryeqytetit, fotoreporterë e paparazë filmonin e përshkruanin me maturi gjestikulimet perfomante të Tatlije hanmit në konferencën për medie, në fytyrën e së cilës ndritte krenaria si shpëtimtare e trurit të elitës së kryeqytetit! Të nesërmen panot me foto të Tatlije hanmit të varura kishin stolisur  kangjelat e çelikta të rrethojës së qeverisë.

Tërë qytetit iu kthye buzëqeshja , i kënaqur se më nuk do t’i qeveriste truri i krimbur! Llafet e muhabetet në kafeçajtoret e kryeqytetit  dhe nëpër ndeja për Tatlije hanmin dhe devotshmërinë e saj si fallxheshë me nam nuk kishin të sosur. Ngadalë- ngadalë emri i Tatlije hanmit u shndërrua në kult dhe me kohë kulti për Tatlije hanmin u ngrit në idhull , idhulli në mit e miti në legjendë! Kur në mënyrë misterioze e patën helmuar të parin e partisë dhe kishte vdekur i gjori pse kishte pranuar se në qeveri kishin hyrë  dreçër, kryeqytetasit së pari e quajën  njeri i mbërrijtur, e quajtën Krisht e Pejngamer, e shndërruan në idhull , idhullin  e futën në  mit e mitin  në legjendë, duke mos harruar se kryeqytetasve u kishte qartësuar se dreçërit kishin hyrë në strukturat e qeverisë  dhe partisë dhe se vetë ishte kryedreçi i krejt kryeqytetit! Dhe, sa herë që vartësit e tij, postmortem,  shprehin pakënaqësitë ndaj partive  dhe qeverive thonë se  Ai rahmetlija e dinte se në qeveri e parti kishte jo një por shumë dreçër!

 Kryeqytetasit , sipas shijes së qeverive, që venin e vinin si kuleçët e bijave , kishin traditë të pasur për shpifje apo kurdisje perfide të idhujve që i shndërronin në mite. Kështu çdo mëhallë e kryeqytetit kishte idhullin e vet, kultin e vet dhe heroin e vet mitik, me emrat e të cilëve emërtonin sokaqe, rrugica e rrugë të errta dhe me baltë. Balta e errësira nuk i bezdisë as sot kryeqytetasit.Errësirën e quajnë dritë xheneti , baltën  hallvë xhehenemi.  Kryesore për kryerqytetasit është të kenë kultet e veta, idhujt dhe heronjtë e vet mitikë që i përkundin në shtretërit ëndërrimtar në të cilët shohin ëndrra të bukura, jo për të sotmen , por të ardhmen, ngase qeveritë dhe partitë në glosarin e tyre politik nuk kanë fjalën sot, por të sotmen e ironizuar e shndërrojnë në  alegorinë e quajtur ardhmëri.                    

 

 

 

                                         *    *    *

 

 

 

Një budalla i  kryeqytetit, në kushte  anonimiteti, në besë, shpjegoi të vërtetën e mbetjes së syve hapur pas vdekjes te disa njerëz, që në jetë kanë pasur përkushtime dhe aspirata që nuk u janë realizuar dhe tërhoqi vërejtjen se përderisa qeveria nuk përmbush aspiratat e njerëzve,  për inat të qeverisë do të vdisnin me sy hapur,ndërsa përderisa vdiset me sy hapur , lëngatat e etheve të trishta dhe seniliteti nuk do të pushonin në kryeqytet! Pasi që  lëngata e etheve dhe senilitetit pati filluar të prekte edhe strukturat më të larta të qeverisë, qeveria e kryeqytetit u detyrua të hartojë kushtetutë të re , në preambulën e së cilës betohej se do të përmbushte të gjitha aspiratat e njerëzve, me kusht vetëm mos të  vdisnin me sy hapur, ndërsa shërbimit sekret të intelegjencës, nëpërmes Akunit,  dhe Harunit, i kishte urdhëruar hetimin e çdo njeriu potencial që mund të vdiste me sy  hapur! Vdekja me sy  hapur rreptësisht qe ndaluar edhe me dekret zyrtar të qeverisë. Kështu, të gjithë njerëzit e kryeqytetit  i kishte zënë halli dhe droja  se   pasi të vdesin, aksidentalisht mund t’u mbeten sytë  hapur dhe si të tillë bien në kundërshtim me ligjin! Vdekja me sy  hapur në kushtetutën e re dhe në kodin penal sanksionohej si vepër e rëndë penale  dhe si krim kundër  shtetit, pasojat e të cilës do t’i vuajë edhe familja e ngushtë dhe e gjerë e të vdekurit me sy  hapur! Qeveria e kryeqytetit mburrej para qytetarëve  për demokratizim të pushtetit , preambulën e kushtetutës së re e cilësoi  për liberalizëm demokratik në sistemin kushtetutar dhe ligjvënie, kur  futi amendamente me të cilat askush nuk mund të gjykohet as të dënohet pas vdekjes! Me gjithë premtimet e publikuara të qeverisë, asnjë përkushtim, aspiratë , shpresë apo dëshirë e kryeqytetasve nuk u përmbush, ndërsa kryeqytetasit e indinjuar, si kryeneqë që janë, për inat të qeverisë, prapë nisën vdekjet me sy hapur! Pasi që kushtetuta e re nuk shpëtoi njeri nga katrahura e lëngatës së etheve dhe senilitetit, si pasojë e vdekjes me sy hapur, qeveria e kryeqytetit vendosi të sjellë, përveç Lugatit, edhe shumë lugetër me qëllimin final ngadhnjimin mbi vdekjen me sy hapur! Pas disa ditë pune, Lugati u  ankua te kryetari i parlamentit të kryeqytetit për fonde të varfëra dhe stafin e pakompletuar për zhdukjen e lëngatës . Qeveria akordoi fonde të reja, solli edhe lugetër më të vegjël,  prania e të cilëve  mbahej rreptësisht konfidente. Megjithatë, në kryeqytet, njerëzit betoheshin se me sytë e vet e kishin parë Lugatin me gjuhë të nxjerrë jashtë si zagari kur ndjek lepurin  të djersitur nëpër rrugët e rrugicat e kryeqytetit, duke  ndjekur  të dyshimtit që mund të vdisnin me sy hapur , por që ishte zhdukur pa e vërejtur njeri! Si të papunë që janë, shumë kryeqytetas kërkonin me qiri e pishë personin përkatës që do ta korruptonte Lugatin për t’i pranuar argatë të tij, pasi që në kryeqytet pati  krisur fjala si topi se qeverisë i duhen njerëz në rolin e lugatit ose vartës të Lugatit. KurvëRahila  me kërrname hapi derën për t’i pranuar ryshfetet e peshqeshe e kryeqytetasve  që përkuleshin para saj  si prifti para altarit, vetëm e vetëm për t’u bërë argatë të Lugatit. Të jesh argat i Lugatit, atëbotë do të thoshte të ishe i pasur, i ngopur me bukë e salltanete  dhe mbi të gjitha të kishe privilegje të jetosh si mbreti në harem. Prandaj, tema më tërheqëse e bisedave në kryeqytet ishte punësimi në taborrin e lugetërve të qeverisë. Mësues, fshatarë, të papunë, hajna , bixhozxhinj, profesorë, artistë, gazetarë e bile edhe doktorë shkencash  preferonin ta lërnin zanatin  e vet dhe të bëheshin argatë në kabinetin e   Lugatit. Ankimet e të gjorëve para derës së Rahilës do ta zgjonin edhe mëshirën e djallit,  gjarpërit , ariut e krokodilit e lëre më të Rahilës:

-Kam lënë një tufë kalamajsh pa bukë në sofër, e shenjta Rahilë! Mëshirohu ndaj tyre dhe ndaj meje, e bukura Rahilë ! Të puth dorë e këmbë, Rahilë, vetëm mëshirohu ndaj meje ! Qen besnik i Lugatit dhe Akunve do të jem me mish e me shpirt, në këtë dhe në atë botë! Të lutem mëshirohu , shoqja  Rahilë! - ishte refreni i përnatshëm i kryeqytetasve në derën e shtëpisë së Akunit e Harunit në orët e vona të natës. Këtë lutje të Ziban Ziut , me të cilën kishte arritur të bëhej agjent i Lugatit nën urdhërat e Rahilës , e kishin mësuar kryeqytetasit përmendësh. Me këtë lutje në kabinetin e Lugatit kishte hyrë përsëri edhe  Haram  Harambashi pas shumë viteve  pushimi nga puna  si zyrtar i deformuar në Plenumin e Brioneve . Madje, ai që nuk e dinte përmendësh formulën e nënshtrimit para Rahilës cilësohej si budalla i prapambetur që nuk merrte erë në artin e politikës së spiunimit dhe  leht mund të shndërrohej i dyshimt  me  aspirata të veçanta dhe si i tillë i rrezikshëm i mundshëm që mund të vdesë me sy hapur !

-Shporruni nga dera ime , more malokët e  dreçit!-u  pati thënë Rahila, Ziban Ziut, e Haram Harambashit kur ishin  shfaqur për herë të parë para derës së saj. Theni  qafën me gjithë kalamajt dhe sofrat  tuaja! Ngordhni urie si qentë! Me nga njëqind dinarë doni ta shihni Stambollin, a? Nuk korruptohet me pak Rahila , or budallenj! Shporruni!...Fshijuni!... Më humbni  sysh, more derra me zile! Hë! Pizevengët e  ndyrë me njëqind dinarë duan  të bëhen  argatë  të Lugatit...! Por, kur Ziban Ziu vërejti se Rahilës nuk i lërnin përshtypje as lutjet, as kalamajt as sofra e tij e zbrazët, u përkul deri në tokë dhe u betua për devotshmërinë e punës së argatit të Lugatit. Përkulja e Ziban  Ziut deri në tokë i  zbuti zemrën Rahilës dhe pasi i rrëmbeu nga grushti dinarët, i premtoi se do ta pranojë argat të Lugatit, me kusht që zanatin e spiunit ta kryejë sikur në kohën para se ta dënonin si të deformuar në  Plenumin e Brioneve . Ziban   Ziu u përkul deri në tokë, i puthi këmbën Rahilës dhe u betua se do t’i shfarosë njerëzit e mundshëm që aspirojnë  vdekje me sy hapur!

- Asnjë të gjallë as të vdekur nuk do ta lë me sy hapur, zonja Rahilë! Ose do t’i  lë as të gjallë as të vdekur ose ndryshe të gjallë për së vdekuri ose të vdekur për së gjalli ! Do të thotë as në qiell as në tokë. Për të jetuar si skllevër mesjete , do të më bien në gjunj, ndërsa për të vdekur duhet paguar haraqin e pengut! Mund të vdesë kush të dojë, pa drojë nëse lë peng njëqind mijë dinarë! Nëse i mbeten sytë mbyllur do t’ia kthejmë gjysmën e dinarëve familjes së të vdekurit, por nëse rastis t’i mbeten sytë hapur pas vdekjes, kuta do t’i ha dinarët! Nëse hoxha e prifti përftojnë nga  vdekjet, pse mos të përftojmë edhe ne?!Ne , bile jemi pushtet!

- Je i mrekullueshëm Ziban Ziu! Ujk i vjetër me lëkurë të ndërruar e dhëmbë të ri!- u nda Rahila e kënaqur. Gabimisht të përjashtuan ata pisa nga puna. Sikur të ishit soji juaj në pushtet kush do të vdiste me sy hapur sot?! Kur ishit ju në pushtet qeveria ishte e shëndoshë si molla. Partia lulëzonte. Nuk kishte ethe në kryeqytet. Nu kishte të rrokatur. Nuk kishte harrestarë. Nuk kishte as senilitet. Mileti dhe pushteti më i lumtur i botës ishim. Por, hajt baju Ziban! Nisja punës nga  nëntoka si urithi! Nëntoka është me rëndësi të kontrollohet. Nga nëntoka vijnë të ligat. Mbi tokë jam unë. 

-E mua, do të më pranosh zonja Rahilë?- pyeti me një zë ngashëryes Haram Harambashi.

-Kurrë. Kurrën e kurrës derisa të jem unë gjallë dhe  derisa merr frymë Mëhalla e Xhehenemit nuk do ta shkelësh pragun e kabinetit të Lugatit. A more vesh, kopuk? Kabineti i Lugatit nuk është pazar që kujt t’i teket të hyjë në te. Ka kaluar koha e spiunve analfabetë, Haram Harambashi. Me kakallë tash i zgjedh lugetërit me diploma universiteti e bile edhe me magjistratura e doktorata.  Ani ty? Më vjen ndot kur ta shoh  surratin e lëre më të të shoh në kabinet ku shkëlqejnë lugetërit. Sa katil që je Haram Harambashi! Spiun i djeshtëfisht ishe , or i poshtër. Ditën punoje për Titon e natën për Rankoviqin. Një javë për Brezhnjevin e një javë për Enverin. Tash do prapë  t’ia hedhësh edhe Lugatit, a?

Haram Harambashi u ndie i mundur  nga  Rahila . Kokulur, pa folur as të vetmen fjalë, u nis teposhtëzës së rrugës me kalldërmë të Mëhallës së Xhehenemit  pa i thënë as natën e mirë zyrtares së lartë.

 

 

 

 

                                               *    *    *

 

 

 

 

Qeveria , në fillim,  u mundua ta mbante në konfidencë Lugatin, por kryeqytetasve ,që bredhin kot së koti nga një kafene në kafenenë tjetër,  nuk u kalon dot gjë pa e vërejtur në kryeqytet. Me gjithë mbajtjen në konfidencë të rreptë, Lugatin shpejt e bën publik si  shpëtimtar, i cili dihej se hynte e dilte nga  Mëhalla  e Xhehenemve, por nuk dihej saktësisht  në cilën shtëpi banonte. Ishte e kotë të merrej vesh cila ishte adresa e saktë e Lugatit. Nuk dihej nëse Lugati ishte vendas apo i huaj. Nuk dinte kush nëse ishte femër apo mashkull. Disa thonin se Lugati kishte ardhur nga universi dhe se e kishin sjell astronautët  e Gagarinit, tridhjetë e sa vjet më parë  dhe, pasi që Bullganini kishte mjaft lugetër në shtetin e tij, i kishte shitur qeverisë së kryeqytetit për para të majme!   Disa  budallenj tjerë thonin se kishte trajtë të papërcaktuar eterike dhe se shfaqej ku nuk e pandeh njeriu dhe zhduket pa  e vërejtur njeri! Fytyra e tij, varësisht nga situatat,  herë shfaqej në ngjyrë të verdhë, herë në kuqe të zjarrtë e herë në ngjyrë jeshile! Dukja e zhdukja  dhe    trajta eterike e qenies së papërcaktuar të Lugatit, në kryeqytet përgojohej si zbritje e jashtëtokësorëve nga planetet apo kometet tjera , por gjithsesi  në fund rezultonte mendimi se Lugati i kryeqytetit kishte   prejardhje jashtëtokësore, që  paria e kryeqytetit e kishte zbritur nga orioni , ndërsa disa të tjerë besonin se Lugati nuk ishte jashtëtokësor, por  njeri  në trajtë lugati dhe betoheshin se e kishin parë në kryeqytet edhe  para se të shfaqeshin  vdekjet me sy hapur,  kur  kryeqytetasit patën mbajtur mijëra e mijëra tubime  për t’u diferencuar nga ai soji i vdekjeve me sy hapur!  Kur  komentoheshin vdekjet, shfaqeshin mendime kuturu, bluhej ujë në havan dhe përpiloheshin lista me emra njerëzish të dyshimtë që mund të vdisnin me sy hapur, por po t’i pyeste njeriu se ishin të mirë apo të këqij , kryeqytetasit si oportunë që janë rrudhnin supet dhe heshtnin, por nuk ndiheshin keq kur diferencoheshin nga të vdekurit me sy hapur dhe nga të mundshmit që mund të vdesin me sy hapur! Pas tubimeve, fjalët e kryeqytetit nuk mund të mbylleshin aq sa birat e gardhit.

 Me gjithë shfaqjen e Lugatit, në kryeqytetet  prapë vdekjet me sy hapur vazhdonin, madje në vend se të zvogloheshin ishte rritur numri i tyre.  Qeveria e kryeqytetit qe detyruar të sillte në kryeqytet edhe shumë lugetër të tjerë më të vegjël, të armatosur gjer në dhëmbë, të veshur me jelekë antiplumb dhe me makina të blinduara, të cilat kryeqytetasve u fusnin tmerrin kur lëviznin nëpër rrugët e kryeqytetit. Lufta midis shpirtërave , sytë e të cilëve kishin mbetur hapur, pasi kishin dalur nga trupat dhe lugetërve në kryeqytet, sa vinte e bëhej më e ashpër,  ndërsa  më e ashpër ishte lufta e tyre propagandistike. Kush e ka propagandën më të fuqishme fiton edhe luftën. Çdo njëra  palë akuzonte palën  kundërshtare se shfaqte  ideologji armiqësore ndaj kryeqytetit. Lugati i akuzonte shpirtërat se ishin marksistë- leninistë, stalinistë, enveristë, maoistë..., ndërsa vampirët  i akuzonin lugetërit e qeverinë e kryeqytetit si shitës të atdheut, tradhtarë dhe komunistë të kuq të Titos. Akuzat e kundërakuzat në fillim  qarkullonin si tema tabu në kafenetë e kryeqytetit, ndërsa medieve, ndonëse senzacionale,   as që u  shkonte ndër mend të publikonin polemikat e palëve kundërshtare, ndonëse përcillnin me përkushtim të gjitha aktivitetet e lugetërve të qeverisë pasi që ishin edhe ato argatë të Lugatit. Kryeqytetasit që në fillim ishin  me trup e shpirt në anën e Lugatit dhe çetës së tij të lugetërve, ndoshta nën ndikimin e propagandës, ndoshta nga frika e vdekjes me sy hapur... ndoshta... që paria e kryeqytetit këmbëngulte se ishte armiqësore , gati kishin kaluar në kundërshtarë të Lugatit, por kur paria e kryeqytetit u kërcënua se ai që nuk përkrahë luftën e Lugatit dhe lugetërve  kundër vdekjes me sy hapur, do të trajtohet , sipas ligjit, për tradhti ndaj atdheut! Kryeqytetasit si frigacakë dhe servilë që  janë, përfundimisht, me koncensus  patën vendosur ta përkrahin Lugatin dhe lugatërinë si doktrinë të filozofisë politike. Rrallë ndonjë torollak kokëkrisur, që ose shprehte oportunitet ndaj ngjarjeve  ose deklaronte haptas se nuk ishte në anën e Lugatit,  paria e kryeqytetit e diferenconte si armik , pastaj pasonte dajaku i lugetërve të vegjël, burgosja e ndonjëherë edhe  likuidimi fizik i torollakëve kokëkrisur.  Kështu, kryeqytetasit,  me gjithë parinë e tyre, dikur vonë, u penduan që kishin sjellë lugetër dhe që kishin hyrë në taborrin e tyre , por pendesa e tyre pati ardhur pasi që të gjitha   kishin përenduar. Ishin të gatshëm të kalonin në taborrin kundërshtar të lugetërve, por lugetërit që  tanimë kishin përforcuar pozitat e veta edhe në qeverinë e kryeqytetit, u kërcënuan se cilido njeri i  parisë së kryeqytetit që nuk shndërrohet në lugat ose i  shkon  mëndja   t’i sabotojë  aktivitetet e lugetërve do ta pësojë me kokë! E shantazhuar dhe e frikësuar paria e kryeqytetit me apo pa dashje hyri në taborrin e lugetërve, ndërsa në kryeqytet më nuk  dihej kush ishte  lugat, kush vampir  e kush njeri! Çdo njeri mund të ishte lugat , ndërsa çdo lugat mund të rastiste të ishte njeri apo vampir!  Më vonë, qeveria e kryeqytetit që udhëhiqej, kryekëput, nga lugetërit publikoi edhe autorizime  të rrepta që i jepeshin  çdo lugati për të hyrë në  çdo shtëpi dhe institucion shtetëror me qëllimin përfundimtar çlirimin e kryeqytetit nga lëngata e etheve dhe seniliteti?! Megjithatë, kryeqytetasit nuk dinin nga kush duheshin të çliroheshin, por ishin vigjilentë se ishin të kërcënuar nga lugetërit dhe se lufta kundër shpirtërave në botën e amshimit, që në këtë botë kishin lënë sytë e hapur, ishte vetëm farsë e Lugatit që nuk i dihej adresa, por dihej se kishte ngulfatur kryeqytetin, ndërsa qeverinë e kishte metamorfizuar në qeveri fantazmë të lugetërve!

 

                                             

 

 

 

                                                           *     *      *

 

 

 

 

Në ditën e parë kur Lugati pranoi detyrën , Rahila, Akuni e Haruni e vizituan   për t’i uruar detyrën , ndërsa Rahila pasi që e puthi në të dy faqet i dhuroi edhe një tufë lulesh! Akuni e Haruni i dhuruan nga një shishe raki sovjetike , ndërsa  në shenjë  respekti për mysafirët, Lugati i qerasi me nga një gotë raki Shlivovica,që kishte sjellë me veti nga shteti prej nga kishte ardhur, kastile për lugetër të rangut të lartë.

Duke ngritur dollitë njërën pas tjetrës, shkelja e syrit të Rahilës sinjalizoi Lugatin se kishte gjetur kurvën adekuate që do t’i duhej, por nuk dha asnjë shenjë nënshtrimi të shkeljes së syrit të Rahilës, duke e dyshuar se shkelja e syrit mund të jetë provokative, ndërsa si i kishin thënë në shtetin e tij , para se të nisej,  në kryeqytet për nderin dhe moralin e gruas vdiset me sy mbyllur. Për t’iu shmangur syrit të Rahilës, Lugati hapi bisedën për historinë e vdekjes me sy hapur dhe pasojat e saj në kryeqytet. Pyeti për numrin e të sëmurëve nga lëngata e etheve dhe seniliteti dhe sidomos e preokupoi aktiviteti i Harunit, Akunit dhe Rahilës në terren.

-Ka shumë shoku Lugat! Dikur gjendej rrallë ndonjë i krisur që aspironte të vdiste me sy hapur, ndërsa tash janë shumë. Bile, gati të gjithë betohen se sytë do t’u mbeten të hapur kur të vdesin. Dikur shërbimi ynë kishte  një listë të shkurtër,  vetëm me disa emra , ndërsa tash me mijëra janë , shoku Lugat shefi!-u përgjigj Akuni, duke  aktëruar  rolin e njeriut vërtet të brengosur.

-Shoku Akun, a  mund ta përmendësh emrin e ndonjë të vdekuri me sy hapur, apo qeveria shpif?, - pyeti Lugati më tepër nga kurreshtja se sa nga interesimet për të vdekurit me sy hapur.

-Po shoku Lugat, me sy hapur për çlirimin e shtetit shqiptar që e pat formuar vet ka vdekur  njëfarë Skënderbeu, që e ka tradhtuar sulltan Muratin dhe Perandorinë turke kur e mbante si princ në oborrin mbretëror! Pastaj, njëfarë Ali Pashë Tepelena që ishte rebel  hajdut! Sa sherrin i ka parë atij ortodoksia nuk ka kandar që e matë! Pastaj...?!

-Të lutem mos më fol për dokrra të historisë mesjetare! E sotmja dhe e djeshmja e afërt më intersojnë- ngriti zërin Lugati duke ngritur edhe një gotë raki.

- Para pesë apo gjashtë vjetësh pati vdekur mësues Fazli Greiçevci me sy hapur për formimin e Shqipërisë etnike. Në të vërtetë, pahiri e patëm mbytur me dru në burgun e kryeqytetit ! E torturuam  sa mundëm , por nuk mundëm t’i heqim nga mëndja vdekjen me sy hapur, shoku Lugat. Sa i pa cipë  ishte mësuesi , shoku Lugat.  Pati guxuar t’i thoshte  edhe inspektor Vladës    sy:  Mos më dalët shpirti pa e pa Shqipërinë etnike se sytë do të më mbeten të hapur pasi të vdes! Të betohem, shoku Lugat për kokë të Rahilës, ai i pacipë kështu i pati thënë në zyren time. Bile edhe vjershat që i shkruante, i shkruante me motiv propagandistik për vdekje me sy hapur! Dhe...?

-Pastaj ?- pyeti Lugati

-Pastaj , pahiri e goditëm dhe vdiq me sy hapur, shoku Lugat! U munduam ta ringjallim për qëllimin më humanitar të shpëtimit të kryeqytetit nga lëngata e etheve të trishta dhe senelitetit, por për inat tonin nuk deshti të ringjallet, edhe pse i ofruam postin e lugatit të kryeqytetit! Sa mosmirënjohës kokëfortë dhe i pa cipë ishte , shoku Lugat, ai mësues Fazliu! Edhe kufomën i rruajtëm, por fatziu  nuk pranoi të ringjallet! Kishte vendosur të vdiste me sy hapur dhe pikë! Sa i mbyllnim kufomës   njërin sy , hapte tjetrin.  E patëm veshur kufomën e atij mësues cuklanit si për dhëndër! I veshëm këmishë të re, i varëm gravatë në qaftë. i zbathëm opingat dhe i mbathëm çorape të bardha e këpucë të zeza . Inspektor Vllada më urdhëroi edhe ta ushqeja, por kufoma , për inat timin, nuk pranoi të hante...! Dhe... Sikur të mos ishte  doktor Zebek Zabuni që e konfirmoi vdekjen e  mësuesit, si pasojë e lëngatës nga tuberkulozi, do të na mirrte të gjithëve lumi.Rroftë doktor Zebek Zabuni! Sa i mirë është! Sa i sjellshëm! Xhentëlmen i vërtetë! As që pyeti si dhe kur kishte vdekur mësuesi. Nënshkroi vdekjen e tij, pa u hamendur, dhe i vuri pikë. Ai doktor Aliu ishte shumë i keq ! Kërkoi shumë shpjegime për vdekjen me sy hapur të mësuesit. Sapo i pa sytë e hapur të kufomës së mësuesit, si duket u sëmur edhe vet. Para syve të inspektor Vlladës u betua se nuk do ta konfirmonte  vdekjen e mësuesit as si pasojë e tuberkulozit as si vetëvrasje! Dhe...!?

-Dhe...? – prapë pyeti Lugati

- Pahiri e qëlluam në kokë me kondak revoleje unë e inspektori  edhe doktor kokëfortin.

- Pasi dha shpirt të dy sytë edhe atij i mbetën të hapur si të mësuesit! Dhe...?!

-Dhe ,  u ndalën lëngatat?- pyeti Lugati kureshtar.

  -Jo, jo. Assesi.  Lëngatat  kurrë më nuk patën të ndalur.  Që nga vdekja e mësuesit dhe e doktorit, shtrëngata e  lëngata njëra pas tjetrës godasin pa mëshirë këtë qytet, shoku Lugat. E tërë qeveria po çmendet nga ethet e trishta , ndërsa truri , nuk gjendet njeri në qeveri t’i rezonojë. Qeveri pa rezon politik, moral e inetelektual  ka mbetur qeveria e gjorë e kryeqytetit. Për gjynah të Zotit, shoku Lugat. Spitali i kryeqytetit është mbushur deng me ministra, delegatë, nëpunës, gjyqtarë e spiunë që vuajnë nga depresiviteti mental. Sytë e mbetur hapur pas vdekjes të gjithë i çmendën! Sytë e hapur të doktorit atë natë, si duket, më sëmurën edhe mua. Pata harruar se Haruni atë natë e kishte radhën të flinte me Rahilën. Rahilës i trokita në derë! Duke menduar se isha Haruni, ma hapi derën. Hyra. Pas pak kohësh trokiti Haruni. Rahila  krejt lakuriqe i hapi derën dhe prapë u kthye në shtrat. Si random, fillova ta lëpij Rahilën. Haruni u bë xheloz. Nxori revolen të më vriste, por ndërhyri Rahila. Fjala e Rahilës është ligj në familjen e Akunve, shoku Lugat. Por..! Pasoi rrahja . Të dy vëllezërit u përgjakëm shkaku i harresës që më erdhi nga sytë e doktor Aliut. Ne rraheshim  e Rahila qeshte dhe kur u lodhëm së rrahuri të dytë u shtrimë mbi trupin e Rahilës dhe rifilluam ritualin e lëpirjes.

- Ju qenkit të poshtër!- reagoi Lugati.

- Jo. Ne jemi solidarë me njëri tjetrin. Gjithçka që kemi e kemi të përbashkët. Edhe Rahilën e kemi të përbashkët.Edhe pushtetin e kemi të përbashkët. Edhe profesionet i kemi të ngjashme. Nuk i bëjmë hile njëri tjetrit. Morali i Akunve është i këtillë dhe  ne ndiejmë respekt për te. Për këtë moral jemi në gjendje të flijohemi. Rahilës i jepim liri të pakufishme. I ndërron burrat si mushka samarët.

-Dhe, nuk ndiheni xhelozë!- pyeti i habitur Lugati

- Për partinë, pushtetin e shtetin , ne Akunët e Xhehenemli Mëhallës sakrifikojmë moralin. Nuk jemi  budallenj si këta malokët që kanë ardhur në kryeqytet të vritemi për bythën e një gruaje!

- Kjo që thua ti nuk ka të bëjë me moralitetin , por me amoralitetin! – shprehu mospajtimin Lugati.

- O , nuk i kupton ti kurrë fisin e Akunve , o shoku Lugat! Na nuk e kuptojmë as veten  e meozallah të na kuptojë njeri. Bile, as Rahila nuk na kupton deri në fund se po të na kuptonte budallaqja   nuk do ta humbaste rininë me  huduma. E shkreta i ka dy kurora, por burrë nuk ka! I ka dy burra  dhe është grua pa burrë!

- E dhembshme kjo jeta  e Rahilës!- tha Lugati. Sa shumë po sakrifikueka për shtetin e pushtetin, e gjora. Por, lëre Rahilën, t’i kthehemi temës së preferuar. Në fillim më trego pse të quajnë Akun Bishti?

  - Jam eksperti më i madh i kryeqytetit për ngjitjen e bishtave.  Si ekspert për ngjitjen e bishtave që jam, për të gjallë e për së vdekuri një mijë bishta i ngjita, por enigmën e vdekjes  me sy hapur nuk munda ta mjegulloj. Nuk kishte njeri në kryeqytet  qëi besonte  bishtit tim që i ngjitja. Aty humba kredibilitetin . Në organet e qeverisë,  si mjeshtër bishtash, më degraduan në kujdestar të bishtaxhinjve të kryeqytetit. Pastaj?

-Pastaj?- pyeti Lugati.Pas tij , a vdiq edhe ndokush që sytë i kanë mbetur  hapur!- pyeti sërish Lugati i befasuar nga vdekja e mësuesit.

-Po shoku Lugat, në stilin e mësuesit  e doktorit dhe sipas aspiratave të tyre vdiqën me sy hapur edhe Metush Krasniqi, Hilmi Rakovica  e shumë e shumë të tjerë për emrat e të cilëve kurrë nuk kam lodhur mendjen!

 -Tani a  ka akoma të gjallë që aspirojnë vdekjen me sy hapur, shoku Akun!- pyeti Lugati që sa vinte e bëhej më kureshtar.

-Adem Demaçi! Adem Demaçi , shoku Lugat , është njeriu më potencial, i cili betohet se nuk do të vdesë pa e parë  të bërë Shqipërinë etnike dhe po të rastisë të vdesë e t’i mbeten syë hapur, vaj halli për kryeqytetin! Ai është njëqind herë më katil se ai mësuesi e doktori, shoku Lugat. Gjithnjë kërcënon. Janë  gati njëzet vjet që e mbajmë në zindanet e Gradishkës dhe nuk   gjendet mjet ta shërojë nga aspiratat e tij- përfundoi Akuni , ndërsa Haruni dhe Rahila as që dëgjonin ç’llomotissnin Akuni e Lugati.

-Përse nuk e vrisni, atë kokëderr?- pyeti i mllefosur Lugati.

-Nuk bën të vritet  me plumb Adem Demaçi, shoku Lugat. Deri tash njëqind herë do ta vrisnim , plumbi nuk na dhimbëset , por lëngata e syve të tij të hapur pas vdekjes së tij , do të na çmend më shumë se sytë e mësues Fazliut dhe të doktor Aliut. Vdekjen   e tij me sy hapur  budallenjtë e kryeqytetit  e kuptojnë jo vetëm si lëngatë ethesh të trishta e seniliteti, por kijamet që do të nxisë  furtuna. Silueta dhe rrapullima e shpirtit të tij nga themelet do ta dridhin qeverinë dhe partinë. Fundin e botës malokët e  krisur e shohin në vdekjen e tij me sy hapur, prandaj jo vetëm që nuk guxojmë ta vrasim, por jemi të detyruar ta ruajmë edhe nga mizat...?! Pasi ta lirojmë nga burgu për çdo ditë do t’i qëndis  qindra bishta, ndërsa  njerëzit me bishta përqeshen e injorohen në kryeqytet. Si  nervoz që është nuk mund t’i durojë bishtat dhe ndoshta do të çmendet, ndërsa të çmendurit nuk dinë të vdesin me sy hapur.

-Vërbojeni! Çmendeni atë katil!- tha Lugati i mllefosur

-Edhe të verbër sytë e tij , kur të vdesë do të mbeten të hapur, shoku Lugat. Praktika e vërbimit dhe çmendurisë së tyre na doli e dështuar shumë herë. Ata, pastaj, edhe të verbër e të çmendur do të jenë më këmbëngulës të vdesin  me sy hapur. Jo, jo. Nuk bën  as ta vërbojmë, as ta çmendim, shoku Lugat.

Cili është profesioni i tij...!

Edhe ky, si të tjerët është shkrimtar, shoku Lugat. Po mos të ishte  ai kokëfortë, këtu  nuk do të dinte kush ç’është romani. Ai, madje edhe vetë ka  shkruar roman, të cilin e kemi ndaluar së qarkulluari, por  budallenjtë e gjejnë ku është e ku nuk është dhe e mësojnë përmendësh. Ai romani i tij është me gjarpërinj të kuq, të verdhë, të zi...! Në kokë e në  ëndrra më kanë hyrë të mallkuarit. Njëri m’i lidhë këmbët, tjetri më lidhet në qafë, tjetri në gisht...! Do çmendem nga i romani i tij , shoku Lugat. Kam  dështuar në luftë me atë romanin e Demaçit...! Ndërsa, çdonjëri që e lexon  është kandidat potencial të vdesë me sy hapur! Po frigohem se edhe unë një ditë mund të çmendem dhe të betohem se do të vdes me sy hapur!

-Si thua, ti shoku  Akun, ata një ditë mund të shndërrohen në kamikazë që munden  të na vrasin pa pandehur!?

-Mos dhashtë Zoti t’u shkojë  mendja e keqe  të rebelohen, shoku Lugat, se ne do të mbaronim! Spiunët nuk frigohen, Lugat! Nën mbrojtjen dhe kujdesin tim të përjetshëm do të jesh vetëm shpëtoje qeverinë e kryeqytetit nga ethet  e vdekjes me sy hapur! Edhe dallëndyshet duke fluturuar do të milen e qumështin e tyre do ta pish! Kurvat me kakallë do t’i zgjedhës si bostanin në bahqe! Rahilën lakuriqe  me def do ta kesh për çdo natë në shtrat. Krisht e pejngamer do të jesh, por aman , shpëtoje fytyrën  dhe shëndetin e qeverisë dhe partisë së kryeqytetit  ! Lufta jote, fytyrë e shëndet i qeverisë së kryeqytetit do të jetë!

-  A ka emra tjerë të njohur që mund të vdesin me sy hapur, shoku Akun?

- Ka shumë shoku Lugat. Është njëfarë Lush Lisguri, që në sy të krejt botës hipi në një bli gjatë demostratave dhe me megafon duke u çjerrë kryeqytetin e provincës e shpalli kryeqytet shteti. E futëm në biruca të errta burgu. Me dorën time e kam tredhur e penisin i kam djegur me cigare, thumba i kam ngulur nën thonj, mutin e vet e kam detyruar ta ha  e shurrën e vet ta pijë, por bindjen se do të vdesë me sy hapur për Shqipërinë etnike nuk munda t’i çrrënjos. Është edhe më katil se Adem Demaçi, shoku Lugat. As nuk shitet e as nuk blihet me para. As nuk thyhet as nuk nënshtrohet. Kur ia futëm herën e parë dhjetë vjet burg, menduam se do të ligështohet, do të lutet, por i marri për të ma pëlcitur zemrën vetëm qeshte. Në kryeqytet e thërrasin Lush Rebeli. Haruni e pati quajtur rebel në zyrat e UDB-së, kurse ai e quajti Harunin bixhozxhi. Lush Rebeli është njeri që i thyen muret me kokë, shoku Lugat. Shikimi i tij zhbiron më shumë se plumbi. Nëse i mbeten sytë  hapur pas vdekjes, fantazma e shpirtit të tij tij do ta dridhë botën. Cunamet e shtrëngatat në det do ta përmbysin tërë globin.

-Ëhë!- ofshani Lugati. E njoh atë të krisur që kur isha fëmijë në Lisgur. Bashkë kemi thithur qumështin e nënës së tij, Nazës. Vërtetë është vështirë të kesh punë me Lush Lisgurin, të birin e Isuf Samarit. Vrasja e tij  në gjumë, ndoshta do të jetë zgjidhja më e mirë për ne! Urdhëroj të vritet sa më shpejt opinga e katundit! Dakord?

-Dakord shoku Lugat, por halli i syve të mbetur hapur pas vdekjes si do zgjidhet?- pyeti Akuni që dremiste pas gotave të rakisë.

I rrezikshëm potencial tash , në kohët e fundit, po shfaqet  edhe Rexhep Qosja , shoku Lugat!

- Kush na qenka tash ky budalla që guxon t’i kundërvihet  kushtetutës më liberale në botë që garanton   qytetarët se mund të dhiejnë lirisht, se  mund të pshurrin kur të duan, se   mund  t’u hipin grave pa drojë...?!

- Edhe ky i krisur  është shkrimtar , shoku Lugat. Është edhe profesor universiteti... është edhe akademik. Kur e shkroi romanin ”Vdekja më vjen prej syve të tillë”, si duket akoma nuk ishte betuar se do të vdiste me sy hapur, ndaj e botoi me pseudonim. Luan Dukagjini ishte pseudonimi i tij . Ndoshta i frynte ta botonte nën firmën e vet, por nuk besoj se ai kokëfortë të jetë frikësuar. Të gjithë njerëzit me emrin Luan dhe mbiemrin  Dukagjini i mbanim në shënjestër si persona të dyshimtë që mund të vdisnin me sy hapur. Sa huri e druri është thyer mbi kurrizin  e tyre! Por, gabuam.! Rëndë gabuam, shoku Lugat. Të gjithë të munduarit , sherri i atij të mallkuar romani u betuan se do të vdesin me sy hapur. Për inatin e qeverisë, partisë dhe inatin tim, që për çdo ditë i ngjisja bishta profesor Qosjes e shkroi atë të mallkuar romani. Zemrën më ka plasur, i ziu. Mikun tim , Danjollin e Sherkës e futi si personazh në romanin e tij. I vërboi të dy sytë të shkretit. Edhe djallit  guxoi t’i  fut brirët , ai profesori i krisur, që këmbëngul se po të vdesë pa u përmbushur aspirata e tij do t’i mbeten sytë hapur. Pasataj shkroi dramën ”Beselam pse më flijojnë?” E zgjoi instiktin e vetëflijimit në kokat e të krisurve , që aspirojnë vdekjen e sytë t’u mbeten të hapur në këtë të mallkuar bote.  Shoku Lugat është i pangopur ai profesori  mjekërthinjur.I përmbush një  aspiratë i shtron njëqind kërkesa tjera.

-Ani bre,  përmbushni aspiratat e tij, deti nuk bëhet kos!- tha Lugati sa nervoz, po aq provokativ. Qeveria, partia  dhe kryeqyteti duhet shpëtuar, madje edhe me sakrifica, nga ethet e trishta! Unë jam këtu për ta shpëtuar  kryeqytetin nga ethet e trishta ! Të gjithë do t’i bëjë qingja, ndërsa ju ,sigurisht, e kuptoni atë meselenë e qingjave dhe lëkurës së ujkut që rri varur në vath!

-Aspiratat e tij janë më të trishta se ethet, shoku Lugat. Ai aspiron që kryeqyteti të bëhet kryeqytet shteti e jo kryeqytet province si parasheh kushtetuta e re , shoku Lugat! Bile, as që ia ngul profesori kësaj kushtetutës sonë liberalale që parasheh kryeqytetin vazal  të shtetit tonë! Dreç, o punë me  shkrimtarët e profesorët! Bela e keqe na ka zënë me ta!- tha Lugati  me një ton zhgënjyes, duke mbushur gotat e fundit me raki!Si të veprojmë pra, shoku Lugat?- pyeti Akuni i mjegulluar sa nga rakia, po aq edhe nga frika e etheve të trishta, që kaplonte kryeqytetin!

-Ti, Akun do ta vazhdosh prapë profesionin e ngjitjes së bishtave! Kam dëgjuar se je i zoti i zanatit tënd,  ndërsa ekipin tënd do ta kompletosh me bishtaxhinj të rinj. Ka në kryeqytet bishtaxhinj të pazbuluar që larg ta kalojnë ty, Akun Bishti! Shiko, gjeji, rekrutoji! Ata në fillim do të rezistojnë, do të shiten si patriotë, por duhet t’i joshësh me rroga të majme e privilegje! Thyeju qafën me salltanete, dreka , darka  e me makina të reja! Joshi me  sekretaresha të padjallëzuara! Ndërsa ti Rahilë e ke për detyrë që bishtaxhinjve të rinj t’u mbyllësh sytë me kurva! Kurvat do t’u vrasin përgjithmonë sensin e vdekjes me sy hapur,  kurse ti Harun Bixhozxhia mos e merr  rrogën haram! Ringjalle profesionin tënd të bixhozxhiut!  Bashko të gjithë intelektualët servilë të kryeqytetit    shoqatën e bixhozxhinjve  dhe ngadalë- ngadalë vuri në shërbim të shoqatës së bixhozit me  kurva , duke jetësuar qëllimin final  krijimin e kryeqytetit në kryeqytet bishtaxhinjsh, kur çdo njeri do t’i  shohë  bishtin tjetrit, ndërsa bishtin e vet do të përpiqet ta fshehë! Duke parë bishta dhe duke fshehur bishta këta të krisur do të harrojnë të vdesin me sy hapur!

-Edhe Adem Demaçi, a? Edhe Lush Rebeli, a? Edhe profesori, a?- pyeti Akuni i ngazllyer.

-Nëse u ngjiten bishta të hijshëm, ama  të fortë, edhe Demaçi  edhe Lushi edhe profesori do të lodhen ! Ata janë njerëz që nuk i durojnë bishtat  , kurse bishtat  e njëpasnjëshëm që do t’u ngjesim do t’i shtrijnë për tokë! Do të luten , do të përkulen , do të bien në gjunj, do të betohen se do të heqin dorë nga aspiratat e tyre dhe nga kërcënimi permanent se do të vdesin me sy hapur, vetëm t’u hiqen bishtat! Sa herë të hapin gojën duhet ngjitur nga njëqind bishta! Sa herë që shkruajnë romane e drama  edhe nga një mijë të tjerë! Kur të japin intervista për medie, para se të botohen, bishtaxhinjtë, kurvat e bixhozxhinjtë duhet të jenë aktivë për t’u ngjitur bishta!- udhëzoi Lugati .

-A bën të importojmë bishta për Demaçin Lushin dhe profesorin , shoku Lugat?- pyeti Haruni që i dremiste koka tapë nga rakia!

-Nuk e shoh të arsyeshme të shpenzohen para  kot së koti, shoku Harun! Atje, lart në qeverinë e  shtetit kemi njerëz që veçmas merren me fabrikimin dhe dizajnimin  e bishtave ! Ju vetëm kujdesuni që bishti i fortë dhe i bukur t’u bie tamam! Nëse është nevoja, ne mund të importojmë bishta edhe nga KGB-ja , por nuk e besoj se bishtat e tyre do të jenë më modernë se bishtat tonë! Bishtat stalinist tanimë janë demoduar! Nuk di a keni harruar  bishtin  në stilin stalinist që bishtaxhinjtë e kryeqytetit i ngjitën profesor Qosjes, gjeja se nuk është shqiptar, por malazez, që fare nuk piu  ujë ! Tërë kryeqyteti u tall me atë bisht, madje ata që i ngjitën bishtin, kryeqyteti jo vetëm që i urren , por i quan edhe sot e kësaj dite bishtaxhinj të fëlliqur. Dështakë.  Bishti  që i ngjitën  iu kthye bumerang bishtaxhinjve të kryeqytetit.  

Me koka të rënduara nga rakia Lugati dhe tre mysafirët  u ndanë si miq të vjetër pasi që ngritën edhe nga një gotë raki, ndërsa vdekjet me sy hapur, përkundër kërcënimeve  të lugetërve, nuk u ndalën kurrë!  Lëngata e   shtrëngata  kërcënojnë,  jo vetëm qeverinë, por edhe kryeqytetin  se do t’i zhdukin me fis e me farë nga faqja e dheut. Ethet e trishta  e  zjermia e lartë, akoma vazhdojnë ta plakin trurin e kryeqytetit, që e quajnë elitë, ndërsa klinika për senilë me  Sindromin  Alzheimer  dhe të çmendur janë ngritur në të gjitha lagjet e kryeqytetit! Në Mëhallën e Xhehenemëve , madje nuk ka mbetur asnjë njeri pa e prekur ethet e trishta!                                                                 



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora