Kulturë
Lulzim Logu: Të jesh bohem i vendit tënd!
E hene, 09.08.2010, 08:55 PM
Të jesh bohem i vendit tënd!
- Shënime për librin e Azgan Haklajt: “ Dardanët presin Dodonën!” –
Nga Lulzim Logu
Azgan Haklaj është vallëtari I talentuar që ka përcjellur në shumë skena të vendit dhe të huaja, vallet e Tropojës, me krenari dhe finesë të jashtëzakonshme si artist.
Azgan Haklaj është politikani që ka përcjellur në tribuna karakterin e fortë, sfidat dhe lakminë për duele të pandalshme, duke gulshuar për triumfin e shpejtë të demokracisë në Shqipëri.
Azgan Haklaj është organizatori I një prej tubimeve më të lakmuara të folkut shqiptar me emrin domethënës: “ Sofra Dardane” I cili çdo vit shndrrohet në një festë të madhe të artistëve shqiptarë nga krejt komunitetet krijuese shqiptare nëpër botë.
Azgan Haklaj është krijuesi dhe menaxheri I :” Unionit Artistik Mbarëkombëtar”, në CV e të cilit bëjnë pjesë dhjetra paraqitje dinjitoze artistike të përmasave dhe cilësive të rralla dhe ku aderojnë rreth 100 asosacione kulturore të të gjitha trevave shqiptare.
Ai së fundi vjen para opinionit tonë publik me një libër , I cili që në titullin e tij mbart dhe përcjell një intrigë ku ndërthuren tiparet e thukëta të politikanit të ri në moshë dhe energji, por të vjetër tashmë në përvojat gjithfarësoj të luftës demokratike të 20 viteve të fundit.
Një studjues në kërkim të vertetave historike të historisë dhe vendit të vet, një krijues I joshur tash sa kohë nga procesi krijues dhe studio e rrefimit letrar.
Një politikan që gjithësesi kërkon të rivlerësojë pozicionet dhe kuotimet e veta dhe të tjerëve krahas tij, në proceset demokratike dhe zhvillimet e sotme politike dhe më tej.
Inisiator dhe provokues, energjik dhe shpesh here konfliktual, organizator dhe I kudogjendur, ai kërkon megjithatë ta kuptojnë dhe njohin kontributin e tij, jo thjesht në planin personal, por në kuadrin e efikasitetit të politikave dhe strategjive kombëtare dhe gjithëpërfshirëse, të cilat pa vonesë, çojnë kah identiteti mbarëkomëbëtar I lançuar në të gjithë krahët e vet.
Jo më kot, Shqipëria në stadin aktual të zhvillimit, Kosova në prespektivat e riformulimeve gjeostrategjike dhe Çamëria e zgjuar në vetëdijen kombëtare, përbëjnë tri shtyllat kryesore, ku mbështetet interpretimi I informacionit dhe materialit voluminoz të librit prej 185 faqesh si dhe sillet trajtimi I tij mjaft interesant, ku fakti I përzier me guximin e parathënësit dhe vënja përballë alternativave, e bëjnë autorin ta ngerthejë lexuesin në kronologjinë historike dhe ta ruajë deri në fund ritminjoshës të leximit.
“ Të shkruash për lavdinë e vendlindjes, merr sadopak nga lavdia e saj!” thotë autori, diku nga fundi I librit, kur merr në analize zhvillimet në Tropojën e pas viteve ’90, I përfshirë në ndjesinë e të kontribuarit për të, jo vetëm si njeri politik dhe artist, por së pari si bimë humane e kësaj toke…
E në këtë marëdhënie, haklaj jo pak ka fituar nga kjo lavdi, natyrisht duke u përpjekur ta meritojë atë, jo pa sakrifica, në të gjitha mënyrat e mundshme…
Ky libër është shkruar tani, bile me ngut, I cili bie në sy shpejt, por jo nga lloji I krijuesit fillestar, sesa nga kundërthënjet e zhvillimit të shpejtë dhe nevoja e instalimit të autorit në përcjelljen adekuate të trendit dhe kahut të finalizimit të ngjarjeve me rëndësi kombëtare.
Por në ndryshim nga krijuesit tipikë, ai nuk vjen nga meditimi I gjatë dhe përpunimi në studion krijuese, ai shkruhet dhe ngjizet gjatë ritmit marrëmëndës të levizjeve politike të kohëve të fundit dhe përgjatë kërkimit intensiv drejt prirjeve të hershme artistike, të cilat vazhdimisht përplasen të fitojnë mbi politikanin e ditës, drejt të qënit studjues gjakftohtë dhe krijues…
Kjo është pjesë e bohemians së tij, e një sage që zë fill në përrallat e feminize,në imazhet e pavdekshme patriotike të kohëve, të forcuara dhe fokusuara thellësisht gjatë proceseve demokratike, për tu qetësuar e marrë rrjedhë tjetër, në podiumet ku luhen vallet epike me pjesë nga cikli I kreshnikëve dhe ku fyelli shoqëron lirikën madhështore të bjeshkëve të nëmuna, në logun ku malësorët sendërtojnë dashurinë e re dhe shpresën, në sallat ku kënga çame, shpreson të bëhet sfondi I një realiteti të ri…
Të qënit kompleks dhe bohem, aktiv dhe lider, I ri dhe në majë, është pjesë e karakterit njerezor të Haklajt, shoqëruar dhe argumentuar me energjinë, idetë dhe materializimin e tyre, ndërkohë që në librin e tij, ka kredo të sjellë dy risi;
- Fton intelektualët, studjuesit dhe artistët si dhe njerezit e thjeshtë të bëhen pjesë e ngritjes së memories historike, kur vonesat historike, jo pak here kanë dëmtuar çeshtjen tone kombëtare.
- Josh krijuesit, por edhe politikanët, të zbresin me këmbë në tokë e me guxim të përshkruajnë dhe plotësojnë realisht boshllëkun historik, në mbrojtje të identitetit shqiptar.integrimit dhe bashkimit kombëtar.
Kësisoj, Haklaj merr frymë dhe pushon një cast nga vrapi I ditës dhe ngarendja e tij e gjatë, ai sikur ka dashur të analizojë dhe sprovat e veta jetësore dhe raportet me segmente të caktuara të politikës dhe historisë, tu tregojë atyre që nuk e kanë njohur, anën tjetër të tij, atë krijuese, të jetë tashmë pjesë e fondit të artë të penës tropojane, një enciklopedi e mirëpranuar, krahas Palekajt, Alisë, mustafajt, Buçpapajt e dhjetra të tjerëve…
Herë si krijues, here si bard popullor, here si politikan e here si menaxher, ky njeri që shkruesi I parathënies së librit, poeti Hamit Aliaj e perifrazon si “ bohem I artir” lëkundet drejt përcaktimit më të zgjedhur të unit të tij, ndërkohë që rreket ta bëjë këtë duke trajtuar një çeshtje të madhe, atë kombëtare.
Ata që e ndjejnë këtë me shpirt dhe me zemër, arrijnë ta kuptojnë fare mire kuptimin metaforik të titullit të librit dhe të most ë mund të pyesi vulgarisht:
-
Të jesh sot një hap përpara të tjerëve, është edhe dhunti, por edhe aftësi, kur të tjerët të vijnë pas, është kurajo për të guxuar dhe sfiduar!
Azgan Haklaj sot me penën e tij ka folur me historianët, politikanët dhe shkrimtarët, duke sfiduar, guxuar, provokuar dhe parathënë, duke ngarendur në librin e parë, me nerv dhe besim, duke jua lënë atyre ta gjykojnë në prirjet dhe gjykimet e tij të cilat fillojnë që nga leterkëmbimi me Bushin, e ardhmja e Kosovës dhe Maqedonisë, përballja me Nanon dhe Alinë, deri te deshmitë për ngjarjet e Tivarit…
Duke dashur ta fshehë modestinë, duke dalë përpara të gjithëve, ashtu siç di vetëm ai, në një përpjekje për tu diskutuar me qetësi dhe maturi, duke shmangur njëanshmërinë ndonjëherë të interpretimit dhe ekstremizmin e gjykimit momental të një ngjarje apo fakti të zgjedhur, në fund të fundit shfaqet si një faktor që më mire se gjithçka tjetër di të jetë bohem I vendit të vet, një bohem kompleks I kohës modern…
LULZIM LOGU
B. CURRI, 04.08.2010
Shenime të botimit:
Titulli: “ Dardanët presin Dodonën”
Botues: Kristalina KH
Viti I botimit: 2010
Redaktor : Hamit Alia
Faqe: 185
Gjendet në të gjitha libraritë kryesore të vendit, në Kosovë dhe Maqedoni/