Kulturë
Në Gjilan sot është prezentuar libri dy vëllimësh i autorit Rexhep Llozana - "Jeta në Ankth"
E hene, 09.08.2010, 05:26 PM
Në Gjilan sot është prezentuar libri dy vëllimësh i autorit Rexhep Llozana - "Jeta në Ankth"
Nga Xhevat Latifi
Libri në vete mbërthen odisejadën e jetës së autorit Rexhep Llozana, gjegjësisht familjes Llozana në sfidat dhe zhvillimet historike para, gjatë dhe pas luftës së dytë botërore.
Libri i cili u cilësua të jetë më shumë se monografi, do të plotësojë mozaikun e historisë së Gjilanit, në periudhat e caktuara kohore. Izmi Zeka, profesor i historisë, duke folur për librin dhe autorin e librit, ka vlerësuar lartë pikamjet faktografike të përmbledhura në libër.
"Autori i librit niset nga dy pikëpamje, ajo e rëndësisë historike, ndriçimi i ngjarjeve dhe personaliteteve për të cilët me herët eshtë shkruar në bazë të politikës ditore. Këtu përmendet Xheladin Kurabaliu, Fadil Hoxha, çlirimi i Prishtinës, Gjilanit, Lufta e Livoqit, etj, dhe nga pikëpamja e dytë, lufta në mënyrë vertikale për çlirimin dhe bashkimin kombëtar", ka thënë Zeka. "Mjafton të rishikosh biografinë e autorit dhe të kesh një pasqyrë, për krejt atë rekuizitë të luftës, shtrembërimeve dhe persekutimeve që iu bënë shqiptarëve nën ombrellën e luftës partizane dhe të ashtuquajturën luftë çlirimtare", ka thënë Zeka, duke shtuar se libri “Jeta në Ankth” ka simbolikën e vet, ku, po të thellohesh, sqarohet qartë se familja LLozana nga Gjilani, gjegjësisht Rexhep Llozana, që është i lindur në Gjilan, ka kaluar në sfida të shumta, "Në libër ndriçohet një pjesë e diskutueshme e “LNÇ”-së, misioni, jeta dhe angazhimi i një familjeje për një shekull rresht, siç ishte familja LLozana", ka përfunduar Zeka.
Ndërkaq dr. Azia Mustafa, në vlerësimin e tij ka vënë në spikamë se, "Jetë në Ankth", është një rrëfim autobiografik, i rrjedhshëm, që ngërthen e të mbanë pezull deri në fund. "Kapitull pas kapitulli, rrëfimi mbahet i freskët dhe i kuptueshëm, me shumë dialog si skenar filmi, me shumë rrëfime autentike. Rexhep Llozana, në libër ka bërë dialog me historinë", ka thënë Mustafa. Sipas tij, në libër, fati i individit Rexhep LLozana, shtegtoi në lindje, perëndim, në Francë, Bruksel, Turqi, Siri, Shqipëri, ngase nuk e duroi nëpërkëmbjen..
Duke folur për memoare, autori i librit, ndonëse i shtyrë në moshën 83 vjeçare, tha se shumë gjëra kanë mbetur pa u përmbledhur në dy vëllimet prej 1000 faqeve rrëfim. "Kur fillova të shkruaj të kaluarën time, nuk jam nxitur nga ndonjë lavdi personale, por u nisa vetëm nga fakti se tragjedia që ka ndjekur prej shekujsh familjen time, njehsohet me tragjedinë dhe fatkeqësitë e shumicës së popullit tonë", ka thënë Llozana.
Në prezantim më pas vlerësimet e tyre për librin, autorin dhe familjen LLozana., kanë paraqitur Arzie Nuhiu, Mr.Aliriza Selmani, Mehmet Kurteshi, Hysen Shabani. Veteranja e arsimit, Xhylije Ramizi, ka vlerësuar se, "familja LLozana gjatë tërë historisë së saj në Gjilan, ka qenë vatër e bujarisë dhe përkushtimit për luftën për liri dhe bashkim kombëtar".
"Historia e Gjilanit zor se mund të shkruhet mirëfilli pa përfshirjen e familjes Llozana", ka thënë Xhevat Latifi.
Ndërkaq Bujar Nevzati, kryetar i Kuvendit Komunal në Gjilan, nën patronatin e të cilit u mbajt prezantimi, tha se "Ky libër plotëson historinë e Gjilanit sidomos mes shekullit XX dhe XXI".
Zyra për Informim
Shefik Surdulli, përgjegjës