E shtune, 08.02.2025, 04:51 PM (GMT)

Kulturë

Intervistë e poetit dhe prozatorit Petraq Risto, dhënë poetit dhe gazetarit Demir Gjergji

E hene, 09.08.2010, 08:49 PM


Sekreti i krijimtarisë sime është fshehja e shpatës brenda lotit

 

-S’dua të lidh ndonjë pakt me Lavdinë - Mefistofel e të them “Ndalu çast!”-

 

- Intervistë e  poetit dhe prozatorit Petraq Risto, dhënë poetit dhe gazetarit Demir Gjergji  -

 

(Petraq Risto ka lindur në Durrës, ku kreu dhe shkollën e mesme. Më 1975 përfundon studimet për Gazetari dhe më vonë një vit pasuniversitar për kritik teatri; ka punuar si gazetar dhe libretist në kryeqytet Tani ka njëzet vjet që punon si botues dhe drejton “Globus R.”, po në Tiranë. Është autor i mbi njëzetë librave me poezi, romane, tregime. Librat e tij me poezi të zgjedhura janë botuar në Francë, Meksikë, Rumani dhe në revista e antologji të ndryshme në ShBA, Spanjë Angli, Rumani, Itali, etj.Disa nga librat e tij kryesorë janë në poezi: “Zgjohu princesha ime”, “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Lojë shahu në shekullin XXI’, “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Lexuesi i buzëve: ar+y+eja!”, “Apo-ka-lypsi”; romanet “Bukuroshja fantzamë dhe unë zoti Prek Vdek”, “Avioni “Madam Baterflaj 9/11”, “Një grua me Urdhrin e Ujkut” etj. Për poezinë dhe krijimtarinë në përgjithësi të Ristos janë shprehur shumë studiues, kritikë, autorë e lexues të kualifikuar).

 

A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të bëni një statistikë, si e keni shpenzuar kohën fizike të jetës. Sa nga kjo kohë i takon letërsisë?

 

Më duket se e gjithë koha ime i ka takuar letërsisë dhe pse jeta në nëndarjet e saj ka gjëra që nuk mund t’i bashkosh me letërsinë, por, hollë-hollë, te një krijues bëhet pronë letrare edhe balta, ëndrra, loja, marrëzia, grindjet me krijuesit, tryeza e pijetarëve, ndarjet, zhgënjimet.Po sidoqoftë një gjë është e thjeshtë: letrari formohet në fëmijëri.

Mbaj mend fëmijërinë time në Durrës: deti, marinarë e turistë të huaj; pastaj stinët e verës në Golem kanë qenë tepër formuese: në pak metra katrorë i kisha pranë detin, malin, pyllin e pishave të buta, grunajën me pipëza e lulëkuqe, barakën prej druri mes pishave të egra, ushtarët, qentë e kufirit, kuajt (im atë ishte oficer në Malin e Robit); dashuritë e para platonike, ëndërrimet. Nuk e di pse fëmijëria më afrohet tepër mikluese, po, ajo është fillimi i letërsisë; afrimi i fëmijërisë në kohën e pjekurisë, qenka joshës dhe i frikshëm. Natyrisht peshkimet me babain, kthimet e tij nga shërbimi, lodhja e nënës, lojërat e panumërta, vëllezërit dhe motrat, gjyshe Vita, çdo gjë kanë peshë te formimi im. Isha një shahist i mirë, futbollist e basketbollist i mirë, filatelist i mirë, lexues i mirë dhe, pak më vonë, vallëzues i shkëlqyer... Them se këto e bëjnë poetin. Leximet e para, shoqëria me krijuesit e qytetit Ilia Deden, Bashkim Hoxhën, Thanas Mustaqin, Bardhyl Agasin...Moikom Zeqon e njoha dy-tre vite më vonë, siç njoha dhe Hasan Ulqinin, Avni Mulën, Demir Gjergjin, Ruzhdi Golen, Kozeta Mamaqin, Vasil e Sotiraq Gjordenin, Namik Manen, Met Dervishin e shumë të tjerë.

 

Leximet (shtëpia juaj e dytë është Biblioteka Kombëtare!), udhëtimet, bisedat, festat, vetmitë, ëndërrimet, fantazitë, meditimet, ngujimet në studio. Cila prej këtyre gjendjeve është më i domosdoshmi për të shkuar te krijimi?

 

Leximi është si puna e nisjes në një udhëtim rreth botës (nuk i dihet kthimi); leximi është si zgjimi, si frymëmarrja. Udhëtimet për mua janë ushqim Veçanërisht shërbimet si gazetar për dhjetë vjet thuajse në të gjitha krahinat e vendit. Udhëtimet jashtë shtetit për mua si krijues kanë qenë gjithnjë si farët për anijen në mjegull, veçanërisht udhëtimet në Nju Jork në këto vitet e fundit.

Nëse Durrësi dhe ai Golemi i vogël i kishte të gjitha që kërkonte një fëmijë që do të bëhej poet, Nju Jorku është gjithçka që kërkon një poet për t’u plotësuar. Atje ishte Uitmani, në Brooklin ku banon ime bijë ka banuar dhe ai dikur; në Urën e Brooklinit kishte ndalur Majakovski, madje kish deklaruar se ajo Urë do mbahej mend se kish qëndruar ai, poeti (natyrisht që Majakovski gaboi); po Coney Island, ku kaloi pak kohë i madhi tjetër, Lorka? Pastaj Muzeu i artit Metropolitan me kryeveprat e artit botëror; duke vazhduar me Muzeun i Egjiptit, Operan “Metropolitan”, Libraria e madhe Barnes & Noble në 86 Street, ku unë shkoj herë pas here, pijë kafe, lexoj dhe shkruaj... Lëviz nëpër metro, në Times Square, buzë Atlantikut dhe ndjej se një brum prej argjendi mbruhet brenda shpirtit poetik.

...Pastaj bisedat, festat, shoqëritë letrare janë si frymëmarrja, e shpeshtë dhe me oksigjen. Kurse dashuria, platonike apo fizike, mbase luan rolin e zemrës. Por për një poet rëndësi të veçantë ka truri, shqetësimi i tij qytetar, klithma dhe protesta e tij, këto kimikate që e bëjnë gjumin dhe zgjimin tërë stres; rrëzimet e shpeshta të sistemeve në kohët moderne, zhvleftësimi i qeverisjeve, korrupsioni i hapur, monopolizimi i luftrave, privatizimi i pushteteve gjer në mani, gjithçka më tremb. Nëse satelitët e shumtë do të filmonin qarkullimin e parave të pista, trafikimin e drogës, të armëve apo qenieve njerëzore dhe këto do t’i transmetonin live, brenda ditës globi do të kthehej në vullkan zhgënjimi, apo-ka-lypsi do ndodhte shpejt. Dhe unë i trembem një anarkie apo mosbindjeje globale...

 

Cilët janë elementët më të parapëlqyer që ju udhërrëfejnë në xhunglën e procesit krijues?

 

Loja me fantazinë, kalimi i çdo teme në filtrin e ndjeshmërisë, kondensimi i çdo gjëje në lot, klithma kundër padrejtësive... Krijimtaria kërkon sinqeritetin e vet. Njeriu si qënie biosociologjike është i armatosur me armë që i përdor kundër të tjerëve, por edhe me armë që i përdor kundër vetes, krijuesi ka një defekt: shpesh herë i ngatërron këto armë në përdorim...Unë punoj thuajse çdo ditë për letërsinë...Paradite punoj në lap top në bibliotekë, pasdite punoj në shtëpi, ku lexoj, shoh TV., (jam tifoz me Milanin, Realin dhe Çelsin, madje bërtas si adoloshent duke ndjekur ndeshjet e futbollit); luaj shah në internet me shahistë amatorë nga e gjithë bota, me të cilët shpesh herë edhe komunikoj; merrem, po me kompjuter, me librat e të tjerëve që i publikojnë te shtëpia ime botuese “Globus R.”, përgjithësisht i faqos, apo u bëjë kopertinat. Gjithnjë shkruaj. Nuk e përdor stilolapsin, përveç rastit kur firmos apo hedh ndonjë autograf. Shkrimin e kam të keq. Që 15-16 vjeçar shkruaja në makinë shkrimi, në vitet e gazetarisë punoja drejtpërdrejt në makinë shkrimi, në epokën e kompjuterit punoj drejtpërdrejtë në kompjuter, fundja tastat janë të njëjta. Nuk bie dakort me disa shkrimtarë që i frigohen kompjuterit dhe pastaj argumentojnë se me kompjuter humbet intimiteti. Për mua kjo është thjesht fiksim.

 

Si ka ndryshuar krijimtaria juaj duke bashkudhëtuar me moshën tuaj? Po në sinkron me kohën e njerëzimit e shoqërisë?

 

Në adoleshencë shkruaja njëlloj si tani, por tani mbetet më shumë se në adoleshencë. Natyrisht ndryshimi i sistemit shoqëror ma hoqi korracën e akullt që më vishte sipërfaqen e kraterit. Talenti është po ai, por liria e shprehjes, liria e lëvizjes, liria e krahasimit të vlerave të krijimeve të tua me krijimtarinë e të tjerëve kudo, publikimi i librave të tua në çdo cep të botës... kjo është  një marramendje e dosmosdoshme, një festë e librave-plagë në trupin tënd të lodhur. Tani në këtë moshë, ku tinzarisht si një dhelpër e thinjur përgjon pleqëria, vazhdoj të punoj me ritmin e mëparshëm, shkruaj paralel poezi dhe prozë...gjithnjë shkruaj si poet.

 

Si jep e merr proza me poezinë ose anasjelltas në krijimet e tua? E dini veten poet-prozator, apo prozator-poet?

 

Mendoj se te çdo krijues serioz, proza dhe poezia marrin dhe japin si dy të dashuruar, pa interes, rëndësi ka që fëmija që do lind nga kjo dashuri, të jetë një frut i shëndetshëm. Në këtë marrëdhënie më shumë ndjehem poet. Kam vënë re se shumë prozatorë të njohur, fillimisht kanë qenë poet, Borhes, Markez, Saramago, Kadare, Agolli, Trebeshina, Arapi, Koreshi, J.Xoxa, P. Marko; ata dhe kur më vonë kanë përfunduar në prozatorë të mirëfilltë, natyrshëm kanë tretur në solucionin vetjak, poetizmin e vet.

 

Në poezi dalloheni për metaforën befasuese, vargun origjinal dhe lojën mjeshtërore me fjalën, duke e ngarkuar atë me mendim dhe emocion,  ndërsa në prozën tuaj bien në sy asosacionet, lidhjet e çuditshme nganjëherë midis reales dhe fantastikes, të mundurës dhe të pamundurës, jetës dhe vdekjes, tragjikes dhe groteskut, njerëzores dhe të paarsyeshmes...po tjetër?

 

Në poezi mbase sekreti në krijimet e mia qëndron te fshehja e shpatës së mendimit në një këllëf loti. Dhembja e sinqertë për vuajtjet e njerëzimit. Shpesh thuhet se të gjithë poetët e shkrimtarët nuk janë gjë tjetër vetëm thërrmija nga gostia e Homerit, apo e Shekspirit, apo e ndonjë lapidari tjetër. Mendoj se në këtë kohë sfidash, sfida duhet marrë si potencial real, si mundësi e të gjallëve për të shkuar ballëlartë  te të vdekurit.

 

A ndjeheni inferior përpara letërsisë botërore ndërsa shkruani në shqip. Si jeni përpjekur ta riparoni këtë “cen” që e ka fati i “gjuhës së vogël” në kuptimin e folësve të saj?

 

Kjo është pengesë e vjetër.Ime bijë Sidorela, që prej vitesh jeton në Nju Jork, lexon poezitë dhe prozën time, i përkthen ato, por shpesh shprehet për pamundësinë e transmetimit besnik të emocionit të shqipes në gjuhën angleze...Sipas saj janë disa gjëra të imta në gjuhën shqipe, ca takëme, apo njëlloj parfumi i veçantë që nuk ta jep dot gjuha tjetër...Megjithatë, letërsia e mirë dhe përkthyesi i mirë gjejnë një mënyrë dhe e përcjellin emocionin, me gjithë drithërimat dhe lëkundjet e brendshme tektonike, veçanërisht në poezi. Unë jam botuar në Francë, në Meksikë, në Rumani, pritem të botohem në ShBA, në Spanjë, në Greqi, shpresoj shpejt dhe në vende të tjera. Rëndësi ka që në ato vende ku botohesh, të pritesh mirë. Krijuesit përgjithësisht i shkon modestia, por nuk i shkon ndjenja e inferioritetit.

 

A mund të na e përshkruani pak kantierin e një vepre tuaj, të përfunduar apo në krijim e sipër?

 

Edhe një fjalë më mundon, çdo gjë fillimisht lëviz si imazh, në fillim lëviz unë, eci shumë, edhe brenda dhomës lëviz shumë, madje, edhe në sallën e bibliotekës lëviz, eci, shkoj pranë dritares, dalë në rrugë, pi një kafe, një krikëll, kthehem, ulem shkruaj, lëviz sërish, takoj një shok, bëj humor; megjithëse nuk jam shtatanik, unë krijoj duke ecur. Zakon i vjetër nga fëmijëria, ku veç lëvizjes kisha dhe një huq: dilja para pasqyrës dhe recitoja vargjet e reja...Po atë zakon e hoqa, tani belbëzoj, flas me vete; më pëlqen muzika në vargje, madje dhe në prozë; proza edhe pse me ligje të tjera krijimtarie, mund ta vini re se ka muzikë, ritëm tjetër...Kur ti, Demir, lexove një mbrëmje në radio fragmentin nga romani “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, atë skenën e takimit te mulliri, më emocionove, m’u duk sikur nuk e kisha shkruar unë... Kurse infrastruktura laboratorike është tejet e komplikuar, si puna e miliona qelizave, të cilat brenda një organizmi kanë detyrat e veta. Nuk di për cilën qelizë të të flasë.

 

“Përdorimi i rregullave të një loje si strumbullar i një vepre letrare nuk është një dukuri e panjohur në letërsinë botërore”, thotë Anton Papleka në një studim të poezisë suaj. Si e keni lexuar këtë mendim dhe si ndjeheni përpara vëmendjes së kritikës ndaj veprës suaj?

 

Papleka e ngre këtë problem kur flet për vëllimin tim “Lojë shahu në shekullin XXI” dhe ka të drejtë, madje sot është në modën poetike publikimi i librave vetëm rreth një teme. Po kjo nuk mund të kthehet në postulat. Rëndësi ka që autori të përballojë veten me cilësi, rendimet dhe mençuri. Shpesh është e vështirë të menaxhosh veten, rrëshqet në rrëpirën e joprofesionalizmit dhe nuk e kupton se ku duhet të përqëndrohesh. Një dhunti e veçantë e talentit të vërtetë, sipas meje, është dhe përqëndrimi profesional, atë pendën prej puple ta kthesh në shigjetë dhe ta ngulësh sa më afër qendrës që ke vendosur për nishan. Kritika është marrë dhe vazhdon të merret me krijimtarinë time poetike dhe në prozë. Kohët e fundit kritiku i shquar Razi Brahimi është marrë gjerësisht me poezinë time dhe në një letër-ese prej gati 20 faqesh, ai analizon jo vetëm poezinë time, por gjithë poezinë shqipe me fazat e zhvillimit të saj; ai e mbyll: “Jam vënë në radhën e admiruesve të talentit tënd dhe të gjithë atyre që kanë zbuluar e kanë çmuar në vëllimet e tua poetikë shkëndijime të shpirtit tonë kombëtar të sotëm, përthyerje të tragjizmit, majave e humnerave të epokës së sotme. Një autor që të përfshin në shtjellat e krijimtarisë së vet, të bën të mendosh dhe të gjesh në vargjet e tij diçka nga vetvetja, nga shqetësimet e ëndërrimet e tua, është vërtet poet. Kurse ai autor, që përveç kësaj, duke e lexuar, të shtyn të mendosh për poezinë dhe për problemet e saj, është një individualitet i spikatur. Është një novator.”

 

Po kureshtja e lexuesit a ju duket në nivelin që meriton letërsia juaj?

 

Lexuesi i kualifikuar më ndjek qoftë në libra, qoftë në bloget, sitet apo linket e internetit. Tani në epokën e informacionit kibernetik nuk është vështirë të gjesh dhe të lexosh poezi apo letërsi të mirë. Gjithë sekreti është ta detyrosh tjetrin të klikoj te emri yt, apo të lexoj librat që kanë emrin tënd. Në një blog të poetes Blanca Andreu në Spanjë, para pak kohësh u diskutua për një fragment nga një poezia ime për dashurinë. Në chat, apo ne korespondencën e drejtpërdrejta elektronike, unë marrë me dhjetra e qindra letra. Kështu në internet mund të kem rreth 40 poezi te zgjedhura që qarkullojnë, kryesisht në shqip, por edhe në frëngjisht, anglisht, spanjisht, rumanisht...Kam dhe tregime, fragmente nga romanet...Koha e internetit është e çuditshme, madje asgjësuese gjer në frikën se edhe sa kohë do mbijetojë libri prej letre (!)...

 

Është një libër(th) i parë në krijimtarinë tuaj po një vepër e fundit se e përfytyroni se do të jetë?

 

Libri i parë nuk u botua, e titulloja “Lotët e adoleshencës”. Kishte poezi të pastër, të veçantë nga poezia tjetër e kohës, motive njerëzore, shqetësime globale, por që në atë kohë u ravijëzua stili im, poezi me motive që kanë një bërthamë mikrosubjekti imazhinist, gjithnjë në lëvizje, me vargun  natyrisht të gjatë, por me thyerje e muzikë të tonaliteteve të ndryshme. Plenumi i Katërt na trembi, na detyroi të ishim më të angazhuar. Kështu te libri im i parë titullar “Zjarre që rriten”(1976), i cili u prit shumë mirë për kohën, mungonin thuajse të gjitha poezitë e librit të parë “Lotët e adoleshencës”, të cilat vetëm në këto vitet e fundit kam nisur t’i botoj në libra të ndryshëm, edhe për t’i treguar lexuesit se poeti nuk ndryshon, është i njëjti që ka qenë në rininë e hershme, natyrisht fiton liri, fiton kulturë, piqet, por dikush që në rini ka shkruar poezi të dobëta, gati është e pamundur që tani të jetë tepër cilëor.

Për sa i përket librit të fundit, apo më saktë të ëndrrave të moshës së pjekurisë, dua që të krijoj sa më shumë nga kolana ime “Enciklopedia e zhgënjimit”, në poezi e, veçanërisht, në prozë. Kështu, do të jem i lumtur kur të kem dritëbotuar romanet “Salla me hijet prej letre”, “Oqean me mur”, “Shah me Sheherazaden”, e shumë të tjerë, romane që janë nisur pej vitesh. Por nuk dua të lidh ndonjë pakt me Lavdinë -  Mefistofel e të them “Ndalu çast!”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora