E shtune, 08.02.2025, 04:47 PM (GMT)

Kulturë

Nuri Plaku: Haiku, puthja mbretërore e një poeti

E hene, 09.08.2010, 08:55 PM


HAIKU, PUTHJA MBRETERORE E NJE POETI

 

 (Nasho Jorgaqi, Nën zë, Ombra GVG, Tiranë, 2010).

 

Nga Nuri PLAKU

 

   Ndoshta duhet supozuar se haiku është “porta e vogël” e oborrit shpirtëror e një poeti që të nxjerr në hapësirat intime të kopshtit të blertë të kujtimeve, të tilla si Kopshti i Edenit apo ato të Semiramisit. Teoria e rënies së lirë e Njutonit e mori shkakun e zbulimit nga një mollë e rrëzuar në rrugicat e shetitjeve të tij, ndërsa Tagora i “shtroi” metaforat e mbretëreshës pikërisht në rrugicat e një kopshti. Edhe puthjet e para të mbretërve janë dhuruar po aty! Mos vallë edhe haiku ështe një puthje mbretërore?

Hajku i Nasho Jorgaqit është pikërisht i tillë, sepse në qendër të tij është dashuria, gruaja dhe natyra, një trinitet që ekuilibrohet plotësisht në tri vargjet e këtij zhanri. Madje për ta dhënë sa më të qartë e sa më të kristaltë “tingëllimin” poetik të tij, autori rrebelohet edhe me vet haikun.

   Ai “shkallmon” rregullat e ngurta të panoramave strikte të numrit të rrokjeve dhe vëzhgimit natyror të modelit tradicional japones dhe krijon një hulli të re komunikimi duke vendosur në vend të konstatimit fotografik, thelbin e një ndjenje të përkorë, përzier me filozofinë e mendimit të tij poetik. Nga rruga e madhe e mërgimit kontinental, haiku japonez, në vend të pushtimit të “kolonive” ndërtoi në kulturën perëndimore një dinasti të vërtetë letrare. Tashmë ai është një pemë madhështore me rrënjë të thella aziatike dhe degë të harlisura europiane.

Nasho Jorgaqi është ndër të parët poet vendas që kapërcen pragun e këtij zhanri dhe i jep krijimit të tij më tepër harlisje shqiptare sesa japoneze. Ai shfaqet si një krijues modern i haikut, plot energji kulturore dhe kulturë mendimi. E pasuron atë me reflekse të thella emotive dhe tematikë të larmishme.  

   Ai shmanget gjithashtu edhe nga disa prej profileve të tij që gjallojnë në vende të ndryshme të botës. Shmanget veçanërisht nga i ashtuquajturi “haik urban” ku dominojnë subjektet sociale, psikologjike dhe seksi. Në krijimin e tij shfaqet ai lloi modeli amerikano-europian ku mungojnë objektet e drejtpërdrejta referenciale të natyrës, mungojnë teknikat tradicionale dhe prozoidia e zakontë si rima apo ritmi.  

    Nga fillimi deri në fund haikun e këtij vëllimi e përshkon një dashuri e veçantë që shprehet me “pëshpërima” të thella “nën zë”. Ajo trasmetohet si një peng, mbështjell me psherëtimën e ikjes së përmallëshme. Gruaja që e shoqëron vazhdimisht këtë dashuri vihet në qendrën e gravitetit të saj, ndërsa natyra, është kështjella gjigande ku luhen dramat e një shpirti të etur nga pikëllimi i shkretëtirave. Dashuria jepet përtej gjithëshkaje, duke qenë ndërkohë arësye e gjithëshkaje dhe privilegj i gjithëshkaje. Ajo kërkon gjithëshka dhe i jepet gjithëshka. Midis meritës dhe realitetit pragmatik të fatit, poeti jep konfliktin e madh të dashurisë njerëzore. Sepse brenda saj është femra, enigma e madhe e joshjes së botës. Femra është e tillë edhe kur bëhet ekuivalente e sakrificës për të ruajtur kultin natyror të ndjenjës. Aq të bukur e shikon poeti këtë raport mashkull – femër sa e vesh me nuancat e një marrëdhënie të përjetëshme, krahasuar me një valle të pandërprerë në gjithë kohërat e në të gjithë botën. Ajo vardisje, ajo marrëdhënie reciproke plot sfilitje që emeton kjo ndjenjë e thellë njerëzore, rrjedh pikërisht nga ky raport.

 Gjithë burrat rreth këmbëve të grave/ Gjithë gratë rreth krahëve të burrave/ Vallja e përjetëshme njerëzore.”

    Por ajo që e bën të përveçme këtë dashuri, është këndvështrimi i saj origjinal, vetjak. Kjo “valle” njerëzore ka në qendër edhe vuajtjen sfilitëse të shpirtit të poetit. Dashuria tek ky haik, nuk vjen në mënyrë rinore si vinte dikur “dashuria e Mimozës” në rininë e hershme të autorit. Ajo tashmë është formëzuar si materje që peshon vlera kultike dhe ekuilibruese. Është një  ekuilibër dashurish në ikje. Është si të vëzhgosh perëndimin e diellit mbi det dhe ta vizatosh atë në kujtesën e përjetëshme të shpirtit.

   Ka një lamtumirë të trisht në dashurinë e këtij autori, një amanet për brezat dhe një peng të ngurtësuar për të ardhmen e jetës që endet mbi haikun e tij tamam si ato rrezet e kuqe të perëndimit. Brenda tre rreshtave ai penelon një hymn të vërtet. Me ty qiellin dhe tokën lidh/ Lidh njërin breg me tjetrin/ Jetën dhe vdekjen bashkoj.”

  Hymni i dashurisë për poetin nuk buron thjesht nga raporti i marrëdhënieve fizike midis njerëzve. Ai nuk sjell “pikëllimin e dritares” apo “parvazin e pritjes” si te Mimoza. Por në qendër të këtij hymni, vihet ndjenja hyjnore, adresuar një profili të tillë me një emër të nënkuptuar si “Afërditë” apo “Artemisë.” Në vend të raporteve fizike, autori sjell raporte shpirtërore me dimensione të pafundme qiellore, përtej imagjinatave të thjeshta të mendimit në kufijt e vërtet të botëve.

“Mjer ai që se di/ Se kufijtë e shpirtit/ I kalojnë kufijt e botës.”

   Duket sikur poeti ta tërheq vëmendjen nga realiteti i dashurive të zakonshme dhe të krijon një koncept të ri me imazhet pikturike të Aligerit. Përzihen kufijt ekstrem të jetës dhe vdekjes, të ditës dhe natës, të tokës dhe qiellit. Universi brenda një rubini, dielli brenda një bulëze vese, madhështia e botës së njeriut brenda një pikëze loti. Teksti hyjnor brenda një gjetheje druri. Dhe të gjitha këto funksione i kryen po ajo; dashuria. “Ah, dashuria/ Edhe unazën e Saturnit/ E kërkon për gishtat e saj.”

Ky është dimensioni pikturik në haikun e këtij autori. Ai nuk kufizohet me thënien e babait të haikut Maçuo Bashos: “ Po deshe të shkruash haiku për pishën, shko te pisha.” Përkundrazi, Nasho Jorgaqi me këtë vëllim sikur thotë: Po deshe të shkruash haiku për pishën, mbille atë brenda vetes.”

  Në të vërtetë të gjitha gjërat e vogla janë të bukura.”, thotë Sei Shonagon. Nasho Jorgaqi gjithashtu e tejkalon këtë postulat. Ai e shikon të bukurën tek ky haik, jo vetëm në të “voglën”, por edhe në efektet e saj rrezatuese duke e konsideruar atë një bërthamë artistike që emeton parreshtur energji pozitive. Pikërisht këtu gjenden elementët risor të këtij haiku. Në këtë natë të kthjellët vere/ Një dritare kërkoj nëpër qiell/ Dhe e gjej në sytë e tu.”

Ai arrin të ndërtojë relacionin e të “voglës”, të syve, nëpërmjet një shtrirje të gjerë dimensionale që shkon midis natës dhe qiellit. Është si një relacion i ndërtuar midis vatrës së zjarrit dhe hapsirës së ngrohur prej tij. Ç’do haik i këtij autori është një zjarr i ndezur në vatrën e shpirtit të tij.

   Dashuria që “rrezaton” përmes këtij haiku-zjarr, është një ëndërr që nuk arrihet kurrë në një fund të ngopshëm tokësor. Autori është një Platonist që e gërsheton epshin kreativ me hyjnizimin e femrës.

Është pikërisht jeta e pasur e këtij njeriu që na vjen plot befasi morale dhe filozofike. Ai ka shetitur gjithë botën e dashurisë dhe ka parë e ndjerë gjithshka që i përket asaj. Ai i ka “gjezdisur” të katër horizontet por për çudi qendron atje lart, nuk zbret në tokë. Sepse atje, ka zbuluar horizontin e pestë të saj, portën qiellore. Atje lart ku të ngjit dashuria/ E gjithë bota poshtë të duket/ Si kopshtet e lulëzuara të Edenit.”

Jorgaqi luan shumë me dimensionin qiellor. Të beftën ai e shkrin brenda kësaj hapësire. Nga rrëmbimi i të beftës, autori “verbohet”, nuk shikon gjë tjetër veç asaj që “mungon”. Mungon dashuria. Kjo është thirrje për të rinovuar qendrimet tona “tokësore” ndaj saj dhe ky është efekti i mësimit të artit. Ky është produkt i një ekperience të gjatë e të çmuar e cila shfaqet si një oligarki vlerash dhe transformohet për hir të këtyre vlerave në “ekselensë”. Ekselença është vlera tjetër e këtij hajku që e vesh atë me një rrobë të praruar, si veshja japoneze me blunë dhe vishnjen perandorake. Ky është një element shumë i domosdoshëm i haikut që lidhet me shkëlqimin e tij dhe si i tillë tek Nasho Jorgaqi ka arritur një kulm të suksesshëm.

   Dashuria për këtë poet është edhe etalon shpirtëror i marrdhënieve midis njeriut dhe botës konkrete. Por ai nuk e bën një moral të tillë. Haiku i tij përmban konceptime filozofike të thukëta që të joshin me zërin “filozofik” të një bulkthi drejt ekuilibrit të jetës. Kënga e një bulkthi është “morali” i vërtetë që jepet në këtë haik. Ai skicohet si diametri i një mbrëmjeje vjeshte në një kuadrat të caktuar territori i cili të thith e të orienton emocionalisht, në një jonxhisht, në një hambullor apo në një djerrinë. Brenda tij orientohet vëmendja emotive dhe krijohet relacioni i universit; i hënës, tokës dhe njeriut. Pa njeriun hëna është e braktisur, pa bulkthin peisazhi është monoton. Këngën e bulkthit natyra e ka shpikur për të bërë të pranishme bukuritë e veta. Janë thirrje të shenjta të saj. Ndërsa haiku i këtij autori e shfrytëzon këtë natyrë në arritjen e saj më të përsosur, duke e kthyer në një njësi matëse të moralit të vet. I tillë është ky haik, një thirrje e shenjtë për të pasqyruar relacionin e krijuar midis dashurisë, natyrës dhe femrës.

   Por ndërkohë, gjithë këtë shtjellë emotive ai mundet ta fokusoj tek vetja, tek përjetimet e tij më konkrete. Në këtë mënyrë, poeti arrin ta kthej të “munguarën” në psherëtimë. Pikërisht kjo psherëtimë është edhe thelbi i këtij morali.  Në këtë pikëmbritje, ky haik na edukon për ta ngritur ndjenjën e së bukurës deri në dhembshurinë për të.

    E nesërmja është e të tjerëve, thotë poeti. Dielli që do të lind do të gëzohet nga të tjerë dhe perëndimi i tij do të soditet nga poet të tjerë. Sot, “dielli në perëndim” është pikërisht ky haik, kjo psherëtimë. Kështu ndjesia bëhet më e ratifikuar, më solide dhe më e përkorë. A psherëtin e bukura? Po. Sepse gjithëshka është ardhje dhe ikje. Autori qendron në pjesën e dytë të këtij dualiteti. Dhe pikërisht mbi këtë psherëtimë ai vendos  “tekqyrësen” e tij të vëzhgimit. “Në tërë qënien e plakut/ Mbretëria e dhimbjeve shtrihet/ Me oaze meditimi dhe qetësie.”

  Në këtë qetësi atij i përvidhet veç hëna….

   “Atje, përtej nëpër natë/ Hëna ngatërruar me degët e ullirit/ Mban peng mendimet e mia.”

Pengu i hënës është një “haraç” për jetën e bukur të një njeriu. Hëna është një prelud jete që shoqëron të bukurat e shfaqura në formën e një lamtumire. Pikërisht këtu është thesari i vlerave të këtij haiku. Sepse atë na e shkruan një njeri që bukuritë e jetës nuk e lëshojnë prej vetes. Edhe pse e di ligjin e pashmangshëm të natyrës, prapseprap ai na jep thelbin e saj të pashtershëm. Ky thelb është malli.

   Malli në këtë haik është i hyjnizuar së bashku me dashurinë. Përtej këtij malli nuk ka asgjë tjetër, e mbramja është shkretëtirë dhe vdekje. Kemi një kalim tre hapësh. Me “tre hapa” na jepen tre kufij mitik: malli, shkretëtira dhe vdekja. Këto janë tre ngjyrat “filozofike” që ai e vesh haikun e tij.

 Përtej teje malli/ Përtej mallit, shkretëtira/ Dhe pastaj vdekja”.

   Madje malli është për Jorgaqin një vezullim xixëllonje mbi gjethin e blert të një kujtimi, është gjurmë e ndritur mbi një syth pranvere, mbi një fije bari, mbi një kristal bryme, apo mbi një pikëz loti, dhe së fundi vjen si  puthja e hënës mbi mjegullën e padukshme të vesës. Ta shkruash këtë mall si një psherëtimë perëndije, si një ëndërr djaloshi, një mall rinor, një përjetim të bukur femëror të kthyer në shenjtëri. Të gjitha këto janë psherëtima të holla që mund t’i trasmetojë vetëm haiku. A nuk do të thotë kjo se ai është një puthje e vërtetë mbretërore?

   Haiku është edhe unaza e florinjtë e shpirtit të bukur të poetit që shfaqet tani me një mijë vezullime. Mbase është ajo unaza e drynit që hap e mbyll deriçkën e vogël të kopshtit të tij. Poeti “mbret” tani end puthjet “nën zë.” Thuhet se gjuha e zemrës është më e madhe se gjuha e folur.

Kjo sentencë është shprehimore veçanërisht tek haiku. Poeti flet me gjuhën e zemrës dhe ai duhet kuptuar po me zemër. E folura e tij është si gjurma e kaltër e një zogu. A duket gjurma e zogut në qiell? Pikërisht këtu shfaqet enigma, virtualja. Ai nuk e thotë, por lexuesi e ndien. Kjo është fusha manjetike e artit, dhe ndikimi i saj ndihet aq shumë tek ky haik sa s’ka nevojë për asnjë koment. Ato flatra zogjsh në fluturim/ Janë ëndrrat e ëndrrave të mia/ Që kurrë si kapa dot.”

 Nasho Jorgaqi e “ngop” haikun e tij jo vetëm me filozofi por edhe me natyrë. Madje vënde-vënde grifojnë figura dhe imazhe tronditëse. Por edhe këtu duket e veçanta e tij. Sepse ai e jep natyrën në lëvizje, në ecje funksionale të ideve. Natyra për të nuk është pasive, një akuarel i paqtë e shlodhës, apo “vëzhguese” në funksion të pasqyrimit parazitar të emocioneve.  Përkundrazi, nga natyra ky autor veçon elementët e saj më të brishtë e më të ndjeshëm ndaj lëvizjes si; gjethet, barin, ujërat apo fluturat. Po të ndërtojmë skemën e përdorimit të tyre, ato na shfaqen si fjalët kyçe të tij. Madje janë mjaft funksionale në këtë krijim. Vet haiku në origjinën e vet, në “rrënjën” e tij është natyrë, por çfar na jep natyra nëpërmjet kësaj skeme të haikut “Nën zë”? Këtu është e veçanta. Autori na trasmeton një lloj energjie të brendëshme që ja vjel natyrës dhe e përdor atë thjesht si një “mollë Njutoni” për të trasmetuar “zbulimet” e tij filozofike.

   Shpesh ndodh që “zbulime” të tilla të bëhen edhe mbi një gjeth. Mbi gjeth mblidhen tingujt më të bukur të muzikës së botës. Dhe mbi gjeth fillon e ngrihet një “etyd” filozofik.

 Këto gjethe të thara vjeshte/ Që bien mbi burim/ Kërkojnë më kot gjelbërimin e humbur”.

   Gjethi për poetin është edhe lot edhe zemër. Ai e bën atë telajo dhe derdh të gjitha ngjyrat e brishta të një fërgëllime shpirtërore.

“I vetëm në mes të pyllit/ Ëmbël puhija fryn nëpër degë/ Zëra të fshehtë dëgjoj.”

   Të ndërtosh një gjeth të tillë do të thot të ndërtosh një haik. Pastaj mbi gjeth vjen e ulet një flutur nate. Cili shpirt vallë ka pësuar metamorfozën e kësaj krijese? Për poetin fluturat janë “pergameni i Zotit” ku poeti shkruan “emrin e saj” dhe ajo kthehet në qetësinë e tij të përjetëshme. Ka një amëshim prej ortodoksi në këo vargje me flutura, një paqe hyjnore që ta jep vetëm rikthimi i shpirtrave të arratisur.  Dhe kush e ndolli deri në këtë cak? Është haiku ai që e joshi apo vet hajku është një flutur? Jo, është dashuria e parë e poetit që rikthehet në formën e një fluture. Ky është peng i dashurisë dhe pengjet u kthekan vetëm në haik. A është haiku ngushullim? Nëse vërtet ai del nga shpirti  duhet të jet i tillë. Tek Nasho Jorgaqi, haiku evidentohet pikërisht si i tillë, sepse e tillë është edhe paqja që përftohet prej tij.

“Vjen nga lulet ajo flutur/ Dhe qendron mbi supin tim/ Paqë gjithandej!”

   Nëpërmjet këtij haiku, poeti arrin të “tresi” ditët me netët. Ditët ku arratisen dashuritë dhe netët kur kthehen të lodhura nga rruga e pendesës. “Ç’jan ato dit e netë/ Kur tek unë stinët ngatërrohen/ Dhe sdi ku jam e ç’bëj?” Por, kjo është një “tretje” që askush nuk mund ta bëj, veç asaj fluturës së brishtë e cila fluturon nga njëri skaj në tjetrin, duke mbartur të shkuarën drejt së ardhmes. Dhe ky është pikërisht haiku.

   Me haikun ky autor na sjell dy anë të kundërta përzier me magji. Pikërisht ky është dimensioni hapsinor i tij, që të ngop me dritë dhe me mug, me ditë dhe me netë.

    Ndërsa ujrat tek ky vëllim, rrjedhin trishtueshëm në disnivelet e tyre të befta. Poeti i komandon dhe i ngjit ato në të kundërt. Ai ndërton një përrua në gjoksin e tij dhe na fton të dëgjojmë gurgullimën e mpiksur në shkumën e bardhë, pastaj me atë shkumë ndërton një varkë. Merreni thot ai, krahët e një pulëbardhe dhe ktheini në vela, merreni barkun e hënës dhe ktheheni në bashin e saj. Dhe ti bën vërtet kështu por ndodh një paradoks. Varka është një haik. Dhe t’i mund të udhëtosh me haik për në zemër të poetit dhe të dalësh papritur në zemrën e dashurive. Sepse zemra e poetit është zemra e dashurive njerëzore dhe udhëtimi për atje është një kumt njerëzor. A nuk udhëton nëpër shekuj e bukura midis nesh? “Ngaherë ti lundron/ Nëpër kaltërsinë e syve të mi/ Nuk njeh natë, as ditë.”

   Bashkë me ujrat nxitet edhe nostalgjia e poetit për kohën që ikën.

 “Tek rri buzë lumit/ Ujët shoh që rrjedh teposhtë/ Është koha e pakthyeshme.”

 Ky moskthim lidhet dhimbshëm me testamentin e njeriut. Është një  testament poetik që ai kërkon ta lëri duke na mësuar si të duam dhe ç’far të duam. Ky testament lihet po në natyrë, po brenda një jete, brenda një druri. Në dru ai ka lidhur edhe pengun e tij të fshehtë.

“Të mundja në lëkurën e drurit/ Testamentin ta shkruaja

Para se të ikja.”

Ka një rikthim tek e shkuara, një lidhje nostalgjike me pengun e tij të dikurshëm. Në një nga drurët e kopshtit/ Emrin e saj skalita dikur/ Thinjur është tani.”

Madje edhe pse drurët i japin trishtim se i kujtojnë vdekjen por edhe vdekjen ai do tua besojë po drurëve.

“Nën këto selvi vetmitare/ Ku prehet paqja dhe qetësia/ Sikur të pushoja dhe unë një ditë.”

Vdekja te Jorgaqi ka një trajtim mitik. Ajo është një ikje madhështore, me testament, urti mbretërish dhe lamtumira dashurish. Është një ikje për te Zoti, një ikje Krishti, që merr me vete një rrymë drite për ta përcjellë deri në qiell. Kjo është “vdekja fisnike”, “vdekje e bukur”, një ndërrim jete, një vdekje pa vdekje, një rit biologjik që kryhet thjesht për hir të përjetësisë. Por edhe në këtë moment, autori nuk do të tërheqi vëmendjen e të tjerëve. Vëmendjen e tyre, në vend të vetvetes, ai e adreson tek tjetër kush, tek bota e luleve.

 “Mos e pi atë dolli për mua/ As për veten mos e pi/ Pije për lulet e heshtura!”

Ky është thelbi i fisnikërisë së një shpirti të tillë krijues.

Pra midis qiellit, ujrave, malleve, selvive, gjetheve dhe luleve, endet ky haik, ky peng dhe kjo dashuri si nje puthje e vërtetë mbretërore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora