E shtune, 08.02.2025, 04:41 PM (GMT)

Kulturë

Sulejman Sulejmani: Axha Ferat dhe unë

E marte, 10.08.2010, 08:39 PM


AXHA FERAT DHE UNË

 

Shkruan Sulejman Sulejmani

 

Sa më shumë vite kalojnë,sa më shumë që koha gërryen lisat te Guri i zi,sa më shumë që ndërrohen stinët,unë dhe axha  Ferat, bëhemi më të afërt,më të dashur dhe, më shumë e respektojmë njeri tjetrin.Mua më duket që më ka mbetur i vetmi njeri i familjes,i vetmi shok,mik dhe njeri që ia them të gjitha,pa drojë dhe pa frikë që nuk do të më kuptoj drejt.I kupton ai hallet e mia edhe kur heshti ,se le më kur flas!Në këtë vetmi,pa shokë e pa miq,ia tregoj të gjitha ato që më mundojnë...I flas për vetminë e pa përballueshme,për dhembjet,për dashuritë e ëndrruara e kurrë të realizuara,për frikën nga sëmundjet,vdekja e për shumë halle té tjera.Ai nuk mërzitet kurrë nga tregimet e mia,më dëgjon me vëmendje dhe me dhembje që pak ka mundësi të më ndihmoj.Megjithëse, për vetë faktin që më dëgjon me vëmendje dhe dashuri,më jep kurajo dhe ngushllim që dikush më dëgjon, pa u mërzitur kurrë...

Bisedat tona janë të larmishme dhe ngjarjet e bisedave tona fillojnë që nga LDB-ja e këndej.Flasim për motin;për borën,shiun...për grurin,lulet,për arat tona që kanë mbetur djerr,shtëpinë që është rrënuar qysh moti, e shumë gjëra të tjera...Ka raste kur edhe polemizojm,sepse ai herë pas here ndikohet nga disa miq që në vazhdimësi i ka pranë.Një ditë  debatuam për partizanët shqipar që erdhen në Kosovë nga Shqipëria Londineze për të luftuar kundër gjermanit,u mundova t´ ja spjegoj se ata besuan në idealet proletare dhe menduan që PKJ-së do të mbante premtimin, që pas lufte do të realizohej ideja e Leninit për të drejtën e popujve, për vetëvendojse.Nuk ia mbusha mendjen fare dhe më tha:"djalko unë ende e dëgjoj zërin e rojës partizane shqiptare, kur na urdhëroj me zë të ashpër:ndaloni dhe krismat e pushkëve,ne na ndiqnin edhe partizanët serb edhe shqiptar,nuk na lanë vend kund!E kupton ti këtë?"Nuk i thash gjë, e lash në bindjen e tij dhe të shokëve të vetë.

Bisedat tona sillen rreth shumë personaliteteve që nuk janë më ndër të gjallët.Shumë nga ata, axha Ferat, i njohu nga afër dhe tash, në këtë kohë i ka edhe më afër.Në njërën nga këto biseda e pyeta për Mulla Idrizin,çka bën ai me se merret?Ai më tha:"falet si gjithnjë, e lutë Perendinë që t'a bashkoj Shqipërinë dhe shqiptarët t´i bëj që t'a duan vatanin.Mos të bëjnë mbi të zullum më shumë se dushmani!"Po babai yt, Sylë Zarbinca çka bën me se merret atje, në anën tjetër të kësaj bote?-"Syla dhe Muharrem Fejza, qëndrojnë të zymt,ende nuk janë këndellur nga plumbat e tradhëtisë që gjithmonë të vijn në shpinë.Ende nuk mund të besojn që shokët e tyre i vranë për interesa të Oznës"Po Hamdi Beha dhe Xhep Shipashnica,me se merren axha Ferat?"Eh, ata janë shumë të penduar, që vetëm atë faqezi Shefki Gadimen e vranë dhe nuk ia arritën t´i vrasin të gjithë faqezitë e tjerë, që nuk lanë gjë pa bërë për intersat serbe"Kështu në vazhdimësi,merremi me gjëra që me askënd nuk mund t´i shqyrëtoj,ashtu ngadalë dhe me gjakftohtsi,si me axhën tim të dashur...

 

Edhe ai më tregon për hallet e veta.Më tregoj një ditë se e ka marrur malli me dalur deri te Lisi i Qobanëve dhe me vazhduar deri te Guri i zi,pastaj tha kam një dëshirë ta dëgjoj melodinë e kavallit ashtu plot pérmallim.Mirë i thash axha Ferat,po Selmani i Agushit dhe Musliu nuk i bien më?Jo e kan lënë më tha atë zanat,qysh nga koha që filluan me u plakur dhe filluan dhëmbët me iu rënë,nuk luajnë më me kavall,pastaj tash edhe gishtat disi nuk iu bëjnë...Një ditë u bë sentimental dhe më tha në besim,se e ka marrur malli për vëllain-Eminin me të cilin këndonin nëpër dasma,sa që të dukej që ajo këngë kurrë nuk do të kishte të ndalur,por ja që pushoj...Më tregoj për në një rast kur kanë kënduar, diku në një festë,gratë ishin grumbulluar aq shumë në dritaret e ulta dhe në derë,në një moment derë e dritare u thyen nga pesha dhe gratë grumbull e brenda.Kur e tregoj këtë ngjarje, për herë të parë pas kaq vitesh tentoj të buzëqeshte.

 

Herë pas here më tregon me dhembje për punët e rënda që bënte, si punëtor krahu nëpër Beograd,Vranjë,Vllasinë,Gostivar e në shumë vende të tjera.Më tregon për pashpirtsinë e pronarëve,për pagesën e vogël,për shkatërrimin e shëndetit,për lëndimin e syrit në Gostivar dhe verbimin e tij e shumë halle të tjera.Një natë u kujtua të tregoj për një koncert që kishte dhënë Nexhmije Pagarusha në Beograd, kur ky ishte atje puntor në ndërmarrjen "7 Korriku" dhe filloj me krenari"eh more djalo,more djalo,kur doli Nexhmija në skenë, desh u ndezë i gjithë Beogradi,po zërin që e kishte se,po bukurinë...iu tregoj atyre se dhe ne jemi njerëz të kulturës dhe kemi artiste,e me vete vazhdoj të thotë ,eh Nexhmija Nexhmija"

 

Shpesh i kujtojm edhe këngët tona të preferuara dhe hyjm në botën tonë magjike.Gjithnjë e marrim lapsin në dorë me kthyer një përgjegjie dhe nuk ia dalim kurrë,as atëherë e as tash.Duam të ua bëjmë me dije dashnoreve tona, se:" do të shkrihen si shkuma e detit,por do të jetë vonë"Deri sot kurrë nuk ia dolëm unë dhe axha Ferat me kthyer atë përgjegjie makabre,së paku me i treguar atyre që do të pendohen që nuk na deshten...Pastaj,ka netë kur kujtojmë netët që "digjeshim në vend të gazit,atë të bukurën për me shti në dorë"dhe kur na dukej e pa mundur "qoheshmi ulé, ja plasnim vajit,e shifnim andérr naté pér naté,,

 

E kështu kalojnë vitet,çelin lulet e thahen,bjen borë dhe shkrihet,lindin fëmijë e pleqt vdesin e unë me axhën Ferat bisedojmë dhe bisedojm,si axha me nip,ashtu siç nuk ka biseduar kurrë kush deri më sot!Në çdo bisedë axha Ferat nuk lë pa më përkujtuar diçka që ende nuk ka mundur t'a kuptoj.Të kam treguar shumë herë, më thotë "Kur njësitë e OZN-ës e rrethuan babain tim, Sylë Zarbincën dhe Muharrem Fejzën në Suharrën,unë e axha Ramiz ishim me ta.Të kam thënë që kur e çamë rrethimin dhe deshëm t'a kalojmë urën e Molla Rekës aq shumë plumba më kaluan nga koka sa nuk merret me mend dhe iu shpëtova!Nuk mund ta kuptoj më thotë djalo,si shpëtova nga dhjetra e dhjetra plumba ashtu ballë për ballë,e në fund ai infarkti tinzar më goditi ashtu pabesisht,pa pritur,pa qenë luftë fare,bash në kohë paqe?Dhe,pas një psherëtime vazhdon"unë vetëm desha të bëjmë një bisedë telefonike me ty,kur ia bëhu e therunja tinëzishtë dhe nuk t'a dëgjova zërin fare,mu këputën dy këmbët dhe bota mu bë errsirë...Megjithate më thotë,nuk ankohem,mirë jam te varret e Gjilanit afër ndërmarrjes së duhanit,kam shokë mjaft.Ngapak bën ftohtë,po së shpejti do të vjen pranvera e do të dëgjojmë këngën e zogjve"...

Kështu i mbyllim bisedat me axhen tim Feratin, me axhën tim të mirë, i cili ishte këngetar në zë dhe në shpirt!Ju thash që edhe tash i mungon melodia e mallëngjyeshme e kavallit...E unë gjithnjë bisedoj me të,çdo natë e çdo dité..E mallkoj dhe e urrej atë infarkt tinëzar dhe të pabesë që nuk e la të mé telefonoj...E megjithatë, sa herë që bjen telefoni,unë pres të dëgjoj nga andej zërin e axhë Feratit dhe kjo, do të ndodhë me siguri,se ne burrat e mbajmë fjalën dhe nuk e harrojmë njëri tjetrin, as në gëzime,as në hidhërime!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora