E premte, 02.05.2025, 03:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Vjersha të shkruara me artin e afshit të shpirtit

E marte, 10.08.2010, 09:59 PM


Figura të shquara të kombit (Sadete Juka dhe njerëzit e saj)

 

VJERSHA TË SHKRUARA ME ARTIN E AFSHIT TË SHPIRTIT

 

Shqipëria është një vend me potecial të madh intelektualësh, talentësh e mbi të gjitha patriotësh që Atdheun e kanë Altar të Shenjtë. (Ylli Dilo)

 

Nga Baki Ymeri

 

Është nder dhe kënaqësi e veçantë të shkruash për figura të tilla briliante që tërë jetën punuan, menduan dhe jetuan shpirtërisht e me përkushtim vetëm për Shqipërinë. Të flasësh për burrin e madh të shtetit, Musa Juka, për shkencëtaren, eruditen dhe ish/studenten e shkëqyer të Sorbonës, Dr. Prof. Dr. Safete Sophia Juka, për motrën e saj (Lume), apo për vëllezërit Burhani e Fiqret Juka, duhen shkruar faqe e vëllime të tëra, ngase ata kanë kryer një punë sistematike e të perkushtuar, vetëm atdhetare. Nga një bisedë telefonike, Zoti Eduard Dilo thekson se është dhuratë e bukur nga Zoti që pata fatin të takoj Zonjën Safete, të shkëmbej biseda me të, të bisedoj gjatë e gjatë dhe të përfitoj  shumë prej  saj, e të mësoj për gjithçka. Ajo ishte një enciklopedi e gjallë, siç ishte Dora D’Istria e ditëve të saj: një oqean dijesh.

 

Nënë Tereza me Lume Jukën
Nënë Tereza me Lume Jukën
Safete Juka ishte shkencëtare, piktore, poete dhe  bëmirese e modelit të rilindësve tanë. Ishte studjuesja që tërë jetën ia kushtoi me pasion dhe dashuri të zjarrtë, historisë, krenarisë dhe brengës së madhe të padrejtësisë kosovare. Duke u bazuar në dokumenta dhe fakte, Safetja ka botuar shkrime të shumta për Kosovën e martirizuar për një ideal të lartë, dhe atë deri në çastet e fundit të jetës, duke lexuar dhe shkruar për Kosovën, madje edhe frymën e fundit e dha duke i mbyllur sytë me një libër në faqet e të cilit defilonte Kosova me traumat dhe brengat e saj. Safetja njihej dhe kishte miqësi të madhe me personalitet e atëhereshme, ndër të cilët e çmonte dhe vlerësonte tejmase Presidentin Rugova, të cilin e quante "Shpëtimtar i Kombit, Ikonë e Pavarësisë, Dhurata më e shtrenjtë që ia ka dhënë Zoti Kosovës në ditët më të vështira të Saj".

 

         Së bashku me nënën dhe  njërin nga vëllezërit e saj (Fiqreti), Safetja prehet në varrezat Shkodrec Loce, që i admironte me përzemërsi të veçantë. Nuk e lëmë pa e përkujtuar këtu edhe kontributin e madh, apo më saktë shumën prej 40.000 dollarësh që e la kjo Zonjë në testamentin e saj për Biblioteken Kombëtare të Shqipërisë. Edhe Zonja Lume, kjo "Shenjtore e vërtetë e shqiptarizmës, siç e cilëson eruditi Petro Zheji, është gjithmonë aktive për të nxjerrë në pah çdo gjë shqiptare dhe për Shqipërinë. Si njeriu më i afërt nga shqiptarët që e ka njohur Nënën Tereze dhe i ka qëndruar pranë, ajo mund  të të flasë orë të tëra për këtë Nënë shqiptare, për shenjtërinë, madhështinë dhe thjeshtësinë e Saj.  Eduardi thekson se Zonja Lume M. Juka, kjo profesoreshë e nderuar që me fjalën e saj të butë dhe të ëmbël mbjell kudo Paqë, Dashuri e Mirësi, shkruan vjersha të ndjeshme në të cilat defilon nga një mesazh. Nën kujdesin dhe përkujdesin e madh të Zonjës Lume, motër në misionin e shenjtë të Nënës Tereze, çdo vit në Kishën e madhe San Patric të New Yorkut mbahet nga një meshë special për Familjen e Nënës Tereze, në ditën përkujtimore të nderimit të jetës së vëllait të Saj, Lazerit.

 

Musa Juka
Musa Juka
Lume M. Juka është e bija një nëne bujare që digjej për Shqipërinë. Feja e Sadetes së saj ishte Atdheu, ndërsa zemra e saj ishte gjithnjë e re, ngase trokiste vetëm për Atdheun. Sadete Juka kishte një fytyrë të buzëqeshur që rrezatonte gjithmonë freski, bukuri, hirësi e mirësi. E bija e saj, Lume M. Juka ka patur nderin ta njohë e të komunikojë me Nënën Tereze për të cilën do të shkruajë: “Nanë Teresa, disa vdekje i cilësonte si "vdekje te bukura”. Dua me besue se edhe e jotja të kete kenë e tillë. Engjujt e Zotit të paçin pri e Zoti të pastë pritë në krahët e Tij!”. Për këtë Zonjë të respektuar shqiptare, si dhe për familjen e saj, kanë shkruar me admirim edhe Eduard M. Dilo dhe Kozeta Zylo, sipas së cilës, “Këto janë figura të larta të Kombit, këto zonja hijerënda të Kombit tonë. Vargjet e Zonjës Sadete Juka, një grua që vinte nga një soj i kulturuar, janë shumë domethënëse. Unë nuk kam se ç'të komentoj më shumë, pasi për të kanë folur pena të shquara të Kombit.  Ne e kemi për nderë që mësojmë nga to shumë gjëra të vyera të historisë, që janë mohuar pabesisht”.

 

          Falë Edit, këto ditë na arriti nga Amerika një zarf me librin e Sadete Jukës, “Dy tri fjalë i kam rreshtue” (New York, 1983), me poezi, me disa portrete dhe vizatime. Nën fotografinë e Musa Jukës, nga fjalët e Sadetes kuptojmë se “Dashnija vetmohuese e babës për nanën e mbarë njerëzinë,  kanë kenë inspirim e shembull për fëmijtë e tij e gjithë ata që e kanë njoftë së afërmi.” Nga parathënia “Prindët e mij”, në bazë të kujtimeve të Lume M. Jukës, kuptojmë se mamaja e saj që frekuetonte për çdo vit ceremonitë e kremitimit të Ditës së Flamurit në New York, kishte talent për të qëndisur vjersha, se “Vjershat e Zonjës Juka, edhe në mos u përmbahen rregullave dhe teknikës së poezisë, janë të thjeshta e të ëmbla, sepse shkruhen me artin e afshit të shpirtit, që është arti ynë më i mirë. Ata që do ti lexojnë do të vënë re se Zonja Juka, në thurrjen e vjershave, frymëzohet nga ndjenja më e thellë humane, si dhe nga ndjenja prekëse e së mirës dhe së bukurës.” Janë vjersha që gurgullojnë nga një shpirt I frymëzuar për freskimin e shpirtit, perla poetike që e kanë parë dritën e botimit edhe në shtyllat letrare të Dielli, dikurë (1978), dhe Zemrës Shqiptare, sot (2010). Poetja e talentuar e vargjeve të ëmbla, Sadete Juka, vargjet i recitonte me një thjeshtësi dhe bukuri të veçantë. Ishin vargje që i thurrte atypëraty. Sadetja ishte një grua e rrallë që veç ëmbëlsisë e dashurisë, dinte të falte fajtorët e të hymnizojë shejtorët.

 

          “Edhe e shejtë sikur të jesh”, thot Sadetja në titullin e një poezie me të njëjtin titull, dhe shton: “Derisa njeriu punon me ndërgjegje, integritet e mirësi, kritikat e të tjerëve s’duhet kurr(ë) t’a mërzisin, as të ja ndalin hovin në jetë”. Dhe më tej: “Çka thojnë tjerët kurr mos mendoni,/ Punën t’uej gjithmonë shiqoni/…/ Edhe e Shejt’ sikur të jesh/ Gjithmonë kritika do të kesh.” Sipas burimeve elektronike, librin e Sadete Jukës e kanë vlerësuar intelektualë të shquar, si

Sadete Juka
Sadete Juka
Prof. Nexhat Peshkëpia, Dr. Jani Dilo,  gazetari i mirënjohur, Xhevat Kallajxhiu (isheditor i “Diellit”),  Zef Pashko Deda (Editor i "Atdheut"),  Dr. Rexhep Krasniqi,  Studjuesit Anesti Andrea dhe Idriz Lamaj, Pater Nargaj, Mon Sinjor Zef  Oroshi,  Shefki Miraku, Dr. Halim  Begeja, Ing. Vasil Gërmenji , etj. Gjithmonë e buzëqeshur dhe gëzuar, Sadete Juka frymëzohet nga ndjenja e thellë humane, si dhe nga ndjenja prekëse e së mirës dhe e së bukurës.  Sinqeriteti dhe magjia e fjalës, sensibiliteti dhe bota magjike e mendimit për t’u tretur në mendime, janë disa nga cilësitë primordial të lirikës së Sadete Jukës.: “Në mjes heret kur çohem, e kam zakon me kqyrë orën. Nji ditë më mbetën sytë në ato gjylpana të holla që sjellen rreth e qark numrave: Tika-tak, tik-tak. Ndejta disa minuta e tretun në mendime. Mandej më erdhën këto fjalë: “Rik e tak ora vazhdon/ Kallxon kohën që kalon./ Dit’ e javë, muej e vjetë,/ Sa ma shpejt kalok kjo jetë.”

 

         Janë vargje që ta çlodhin shpirtin, thot Kristaq Shabani duke komentuar vargjet e një bashkatdhetari që t’i përkujton vargjet e Sadetes që dinte të përfytyrojë dhe nxisë ide, që rrezatonte me optimizëm dhe mendim të kristaltë, që dinte të impresionojë duke derdhur në letër ndjenja të çiltra ndaj bukurive të natyrës, ndaj familjes dhe Atdheut. Nuk mund të thuash se është fjala për kontribute poetike të jashtëzakonshme, por mund të thuash se familja e Musa Jukës i ka dhënë Atdheut bij e bija që ishin perla patriotike, dijetarë, shkencëtarë, margaritarë dhe diamantë.  Shkodrës së lashtë nuk i kanë munguar kurrë njerëzit e shquar në çdo fushë të jetës, do të shprehet Eduard M. Dilo në një ditar të tij, duke shtuar: “Janë ata që Shkodra krenare ia ka falur Shqipërisë, njëra ndër to duke qenë edhe eruditja Safete Sofia Juka, autore e një libri me vlera edukative, me vargje të bukura ku ndjehet ritmi i një zemre të çiltërt që troket për Shqipërinë."

 

           Sipas Ylli Dilos, Shqipëria është një vend me potecial të madh intelektualësh, talentësh e mbi të gjitha patriotësh që Atdheun e kanë Altar të Shenjtë. Është krenari për neve që krahas emrave të ndritur të Dora d'Istria, motrave Qiriazi, Musine Kokalari, rradhiten dhe motrat Juka. Trashëgimia letrare e Zonjës Sadete, për vlerat e mëdha edukative që ka, për çiltërsinë, mirësinë dhe patriotizmin e madh të autores dhe shkrimeve të saj, do te ishte mirë të përfshihej në librat e shkollave shqipe. Kur fëmijët dhe rinia e një kombi pi ujë në gurrën e tij patriotike, kjo rini rritet e shëndeteshme dhe devotshme.

  

            

Burhan M. Juka
Burhan M. Juka
Ka shqiptarë që i bëjnë më kot hije kësaj toke, dhe ka shqiptarë që digjen për Atdheun në mërgim, siç digjej edhe Sadetja në kohën e saj. Në to pasqyrohet madhështia e shpirtit të saj, shprehet Ylli Dilo në një koment të tij. “Pranë dritares po rrijshe një ditë. Ishte krejt vetëm. M’u kujtue Shqipnija. Shkodra – qyteti i jem, fminija, rinija e shumë gjana tl tjera të cilat kur je në vjeshtën e jetës, gjithnji e ma tepër të sjellin nëpër mend. Ah Zot, ah Zot,  ah sikur të kisha krahë, me mujt me fluturue, e në Shqipni me shkue! ” (Mallë për Atdheun t’em). As që ka nevojë për komentim të mëtejshëm, ngase Sadete Juka ishte si një lule e bukur që ia fali Zoti Shqipërisë, për të cilën do të shkruajë: “Të lutem o Zot, vendin tonë me e bekue/ Zemrat e gjith shqiptarëve në Ty me i bashkue”, dhe më tej: “Lule e bukur, kush të pruni?/ M’ka çue Zoti i Lumi,/ Me ju bashkë me jetue,/ Gzim e t’mira me ju prue./ E më shpejt n’Shqipni me shkue”. 



(Vota: 20 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx