E diele, 28.04.2024, 12:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Sarë Gjergji: Një jetë e bartur në libër

E merkure, 10.02.2010, 10:15 PM


NJË  JETË E BARTUR NË LIBËR

(Vështrim i shkurtër për disa nga librat e autorit S. Novosella)

Nga Sarë Gjergji

Përshtypja e parë që fitohet gjatë  leximit të veprave të S. Novosellës, është se ato paraqesin një botë të botës amë, një botë në të cilën njerëz të mirë e të urtë bënin përpjekje për t’ia ndërruar drejtimin historisë.  Aty ndjehet fryma e dashurisë së pafund për atdheun, ndjehet veprimi konkret për ndryshimin e konceptit të lirisë, si antipod i lirisë që propagandonte shteti jugosllav, ndjehet një frymë e re, revolucionare,  e pandalshme, përkundër reprezaljeve e dhunës që do të ushtrohej mbi bartësit, përçuesit e kësaj fryme, njëri nga të cilët ishte edhe vetë autori. Ai me veprat e tija: Kosova ’68, Kosova ’64, Kosova ’75, Kalaja nga brenda, Demaçi-metaforë lirie, Rexhep  Mala – Anteu i lëvizjes ilegale, Këshilli i emergjencës – logjistikë e UCK-së, Demonstratat e gjashtëdhjetëetetës – trilogji etj. i rikthen kujtesës  sonë kolektive  ngjarje shumë të rëndësishme të historisë sonë për të cilat nuk është shkruar më parë, së paku në këtë mënyrë.

PS. Gusht 1967-gusht 1968, – periudha e  debatit publik për ndryshimet kushtetuese...

Libri KOSOVA ’68,  i autorit   Selatin Novosella, ka karakter historiografik, por që nuk pretendon trajtimin shkencor të lëndës, siç mund të kuptohet edhe nga vetë titulli, trajton demonstratat e vitit 1968 dhe kërkesat që dalin nga këto manifestime, tashmë të njohura për ne. Pasi përshkruan ngjarje pas Luftës së Dytë Botërore, gjithnjë që kanë të bëjnë me një pjesë të etnisë sonë, pra me Kosovën dhe  popullin e saj, autori përshkruan rrethanat socio-politike  në të cilat u organizuan dhe u zhvilluan demonstratat e vitit 1968 në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj e më vonë edhe të atyre në Tetovë e Ulqin. Duke qenë edhe vet i përfshirë në rrjedhat e vlimet  politiko-shoqërore, autori pjesëmarrës i demonstratave të vitit ‘68, madje ndër organizatoret e tyre, hedh mjaft dritë dhe me objektivitet të theksuar  mbi këto demonstrata. Ndonëse shkruan për ngjarje shumë të rëndësishme të historisë sonë, autori nuk bën glorifikime, përkundrazi ngjarjet i përshkruan mjaft qetë,  ani pse, siç thamë, protagonist i këtyre ngjarjeve ishte edhe vet. Atë, autorin pra, mbase e përcjell këshilla se po kryente vetëm një detyrë ndaj atdheut, prandaj dhe dokumentariteti i ngjarjeve e cilëson këtë libër. Dëshmitë e  shumta që sjell për ngjarjet, edhe nga shtypi i kohës, edhe materialet arkivore, veprat publicistike etj. tregojnë për rëndësinë shoqërore e historike të trajtimit të temës.

Gjendja skajmërisht e rëndë dhe permanente e shqiptarëve nën dhunën shtetërore të  ish-Jugosllavisë kishte mbushur kupën. Intelektual të rinj, studentë të vetëdijshëm dhe mbi bazën e parimit të së drejtës për vetëvendosje qartësuan rrugën e pakompromis drejt lirisë, rrugë kjo aspak e lehtë dhe  përplot sakrifica. Por, në libër nuk mungojnë as mendimet e disa personaliteteve të jetës  politiko-shoqërore të Kosovës. Duke sjellë e zbërthyer pra lexuesit gjithë dramën tragjike të shqiptarëve pas LDB-së, autori në këtë mënyrë sikur sfidon mundësinë e harresës sonë kolektive për këto ngjarje. Jo vetëm e thëna, jo vetëm teksti  në libër, por edhe nënteksti lë shumë për të kuptuar, përçon mesazhin e duhur, ndërkohë që me përshkrimin e demonstratave në Tetovë e Ulqin, libri përmbushë përveç konceptit historik edhe atë  gjeografik, atë  të gjeografisë shqiptare, të etnisë sonë, gjë që është më shumë rëndësi.

Në vazhdën e kësaj natyre të të shkruarit është edhe libri Kosova ’64, i autorit Novosella.

Autori fillon me Lidhjen e Pz, për të vazhduar me Shpalljen e Pavarësisë më 1912, për Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918), për Rezulutën e Bujanit dhe për tradhëtinë që përjetuan shqiptarët, për LDB-në, Komitetin Nacional Demokratik Shqiptar (NDSH),  për të vënë theksin më shumë tek formimi i LRBSH-së , që për sëynim, në bazë të statutit të Lëvizjes, kishte shkëputjen nga Jugosllavia dhe bashkimin territorial të shqiptarëve. Autori paraqet faza të ndryshme të organizimit e të aktivitetit të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, që nga propagandimi i ideve, masovizimi i saj, themelimi i degëve të saja në Mitrovicë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, shpërndarja e flamujve, parullave, afisheve etj.

Do thënë se formimit të kësaj lëvizjeje i kishte paraprirë jo vetëm organizata “Mujo Ulqinaku”  e Gjilanit dhe organizata të tjera të ngjashme në Pejë, Gjakovë e gjetiu, të themeluara që më 1959, por edhe terrori që ushtrohej mbi popullin shqiptar. Shembull i mirë i kësaj mynxyre pa dyshim që ishte edhe mbedhja e armëve në vitet 1955, 1956, si pretekst për të ushtruar gjenocid e për shpërnguljen e qindra mijëra shqiptarëve për në Turqi. Një gjendje e tillë e shqiptarëve kërkonte domosdoshmërisht veprime konkrete dhe ndryshim rrënjësor. Duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë  i ngjarjeve, autori edhe për korrektësi e për të qenë edhe më bindës  para lexuesit, është shërbyer  edhe me kujtimet e shpjegimet e anëtarëve të tjerë të LRBSH.

Librin tjetër të S.Novosellës, Kosova ’75, duhet parë si një libër kundërakuzë, që demaskon pushtetin me gjithë  intrigat dhe terrorin e paskrupullt mbi shqiptarët.

Të përkujtojmë edhe njëherë më këtë rast periudhën gusht 1967-1968, periudhë kjo e debatit publik për ndryshimet kushtetuese. Shqiptarët të pakënaqur me gjendjen e tyre në vazhdimësi të rëndë  sociale, politike, ekonomike etj.etj. kishin më shumë se kurrë dhe se askush tjetër arsye për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Duhej dhe kërkohej nja shkallë tjetër e statutit të shqiptarëve,  e statutit të Kosovës.  Shpërthimi i revoltave të shqiptarëve ndërkaq përcillet  nga pushteti i kohës, gjithnjë vigjilent për të ushtruar dhunë e për të terrorizuar. Jo vetëm Demaçi, por edhe autori i këtij shkrimi me shumë shokë do të denohen me burg. Përmes një procesi të montuar politik gjyqësor, më 1975, do të dënohen 35 shqiptarë, ndër të cilët edhe S.Novosella me 7 vjet burg. Pushtetit jugosllav përmes akteve të tilla pretendonte ta shuante kërkesën e shiqptarëve për liri, kërkesën për një jetë të dinjitetshme, kërkesën për vetvendosje. Sa më i madh terrori aq më shumë rritej shpirti luftarak i shqiptarëve, aq më shumë demaskoheshin pushtetarët, pjatalëpërësit...

Këtë libër do parë si një libër monument me rëndësi në aspektin historik, kombëtar, politik, si një libër që dëshmon për rritjen e vlerave dhe të vetëdijësimit kombëtar për një periudhë të caktuar historike. Në funksion të kësaj, autori sjell dëshmi të shumta, fakte që vërtetojnë monitimin e procesit gjyqësor të 1975.

Selatin Novosella, njeri i përpjekjeve të pareshtura, i tentativa të mëdha, duke qenë dëshmitar i ngjarjeve të shumta, pjesënmarrës e kreator i tyre, e kishte kuptuar që më kohë tendencën e pushtetit pushtues për të përçarë shqiptarët. Si rezultat i kësaj politike sllave do ketë prapaskena, ndërskamza, tortura... Pretendohej që Kalaja, kupto kauza kombëtare, Kosova, të rrënohej nga brenda. Brenda “kështjellës” do jenë kështjellarët, që do luftohen nga armiqtë e përbetuar të lirisë, të etnisë sonë. Për fat të keq, në radhën e këtyre armiqëve do ketë edhe shqiptarë. Dhe autori i këtyre librave e veprimtari S.Novosella, pra edhe i librit Kalajanga brenda, e pranon me shumë dhembje një fakt të tillë.

As këtij libri që flet për proceset politike nëpër të cilat kalonte Kosovë gjatë viteve të ’90 nuk do t’i mungojë dokumentariteti.

Demaçi - metaforë lirie, është një tjetër libër që manifeston vetëdijen kombëtare të  krijuesit veprimtar. Me këtë libër thyhet heshtja, jo për Demaçin, thyhet heshtja për vlerat, për qëndresën e popullit tonë, për kulturën tonë,  për emancipimin tonë,  për historinë tonë me të gjitha manifestimet e dimensionet e mundshme. Një libër për dëshmuesit nga dëshmitari, autori Novosella. Një libër – dëshmi e dhembjes sonë. Janë 75 autorë të ndryshëm që shprehin mendimet e tyre për aktivitetin politik e krijues të Demaçit, për jetën e tij në burg, për qëndresën e tij,  të përfshira në këtë libër.  Përshtypjet e gjykimet për Demaçin në këtë libër, janë manifestim i vetëdijës së autorit, i vetëdijës  sonë për kohën e  tij, për rolin e tij, për botën shoqërore-politike në një periudhë të caktuar të historisë sonë e cila  reflektoi dhe ndikoi dukshëm tek brezat e ardhshëm.

Rexhep Mala – Anteu i lëvizjes ilegale, tregon përkushtimin dhe nderimin që ka autori për të urtit e veprimtarët e kauzës kombëtare.  Pasi përshkruan formimin atdhetar të Rexhep Malës, veprimtarinë patriotike dhe atdhetare të tij, S.Novosella, e gërsheton në një kontekst më të gjerë dhe në bashkëveprim edhe me veprimtarë - luftëtarë të tjerë, si Nuhi Berisha, Kadri Zeka e bashëveprimtarë të tjerë. Duke trajtuar një periudhë dhe personalitet të rëndësishëm të Lëvzijes Kombëtare të Kosovës, autori patjetër që ka shfrytëzuar botime, dorëshkrime, faksimile, artikuj shtypi e publikime të ndryshme të cilat do të bëjnë që Rexhep Malën autori ta radhit në panteonin e figurave të shquara atdhetare dhe ndër figurat më të shquara të Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë pas vitit 1945.

Ky libër , po ashtu do flasë edhe për qëndresën e pathyer dhe heroike të R. Malës në burgjet sllave, për qëndrimin e tij të pathyer e titanik  përballë torturave më çnjerëzore. Ai ishte i bindur në lirinë e Kosovës, siç do ta dëshmojë edhe dorëshkrimi nga burgu i Rexhepit.

Të përkujtojmë që Anteu tregon për lidhjen e fortë e të pakontestueshme  të të birit me tokën mëmë. Dhe Rexhepi ishte një Ante, një Ante i llojit të vet.

Volteri do thoshte se qytetari më i mirë është ai i cili kontribuon për lumturinë e botës, në këtë rast do thoshim për sfidimin e harresës dhe  për mbamendjen historike kombëtare.

Librat e Novosellës, flasin për revoltën dhe shprehjen e pathyeshme të vullnetit të popullit për liri e progress.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora