E marte, 15.10.2024, 06:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Arsim Halili: Intervistë me Lulzana Pajaziti -poete

E hene, 08.02.2010, 10:54 PM


Intervistë  me Lulzana Pajaziti -poete

Nga Arsim Halili

Ju  lutem të na thoni zanafillën e krijimtarisë  suaj artistike?

Zanafilla e krijimtarisë sime fillon që nga fëmijëria, që  atëherë kur e kam kuptuar se brenda vetes kam një zjarr qe nuk me lë rehat nëse nuk shkruaj ...dhe që nga atëherë nuk jam ndalur se shkruari poezi, prozë, tregime etj. etj...
Por, ëndrra ime për tu bërë poete nisi te realizohej kur kam filluar të konsultohem dhe të bashkëpunoj me mësimdhënësin tim në shkollën fillore, tanimë redaktor i librit tim të parë, z. Hysen Këqiku, të cilin e falëminderoj shumë, sepse ai është njeriu i cili më ka ndihmuar, me ka këshilluar dhe më ka dhënë një guxim të madh për t’a bërë një hap ne rrugën nëpër të cilën jam nisur, nëpër këtë rrugë ku kanë kaluar edhe shumë shkrimtarë e poetë tjerë te cilët sot kanë bërë emër dhe janë shumë të mirëpritur nga dashamirësit e librit... Besoj se këtë dhunti e kam prej Zotit të cilit gjithmonë me zemër i lutem dhe e faleminderoj...Pra unë mendoj se t’a duash poezinë është një gjë e bukur, por të dish te shkruash është një gjë  hyjnorej...

Lulzana, ju jeni një krijuese e dimensioneve të  ndryshme artistike, ku e gjeni vetën më mirë?

Krijimtaria letrare kaherë më ka rrëmbyer dhe më ka bërë thuaja rob të saj. Rilindasit në rradhë të parë e pastaj  krijimet letrare në librat e leximit. I  doja  pa përjashtim. I mësoja përmendësh dhe i recitoja bukur. Mësuesja ime  e gjuhës më thirrte të lexoja e para. Isha bërë si një mjet mësimor. Ajo ishte një  kidnapim imi nga i cili nuk munda të lirohem... as nuk dua më. Pikërisht kjo  fillesë  më dha kahe dimenzionesh të shumëta, të shkruaj edhe poezi edhe tregime për fëmijë e të rritur. Deri tash kam bërë pak po zjarri krijues nuk është shafitur. Ai për çdo ditë rri ndezur dhe më josh. Kam besim në vete se do të bëj më shumë, do të gjej shtigje hulumtimi e depërtimi.....

Deri më tani  keni botuar dy përmbledhje  poetike, ju lutem përmes vargut tuaj, çfarë trajtoni dhe a mendoni se përcillni mesazhin tuaj poetik te lexuesit?

Më besoni, kur e kam shkruar  përmbledhjen e parë të vjershave për fëmijë, nuk kam qenë mjaftë e përgjegjshme se  jam realisht dhe shpirtërisht me fëmijët. Nuk kam qenë në dijeni se vallë ato vjersha komunikojnë me  moshën  e fëmijëve apo me moshën time. Si i kam parë gjërat, si i kam ndjerë, si i kam realizuar është kjo një  përpjekje entuziaste. Se kanë qenë të gjitha këto në drejtim të orientimit  më ka dhënë forcë dhe besim redaktori Hysen Këqiku, nga kujdesi dhe përkushtimi i të cilit kanë dalur shumë krijues . Unë me përmbledhjen e dytë me të cilën e bëra një hap përpara më duket që e bëra edhe një shkallë të rritës. Shkalla e tretë e rritës sime  është nëpër fleta e fletore ku flejnë këngët e mija “me një mijë ngjyra të bukura që nuk vdesin”. Ato  kam besim se lexuesit do t’i kërkojnë, sepse unë komunikoj me ta shpirtërisht po materialisht  është e pamundshme. Nuk jam e vetme këtë ankesë e kanë të gjithë krijuesit. Unë i besoj kësaj se në letërsi për shumicën e krijuesve kam mësuar se rrjedhin nga familje me  probleme sociale

Jeni studente  e letërsisë krahasimtare, sipas jush vendi i letërsisë shqipe?

Unë nuk e kam guximin që të konkludoj, po supozoj se letërsia shqipe nuk është mbrapa letërsive të shteteve të zhvilluara dhe me një traditë  më të hershme. Kur merren parasysh se krjimitaria  jonë letrare, këtu në Kosovë u zhvillua nën një  mbikqyrje me sy llupe, nga organet policore të okupatorit ajo u zhvillua.  U zhvillua bile me një mbështjelljeje metaforike, duke  u bërë kështu një letërsi moderne në krahasim me ato  letërsi që ishin moderne,. Unë kam lexuar diku se Miroslav Kërlezha  në një miting poezie ka thënë “nëse kërkoni poezi moderne lexonie poezinë e poetëve të Kosovës. Kjo ka qenë një realitet. Dhe, nëse e krahasojmë poezine e Beqir Musliut, Musa Ramadaniat, Fahredin Gungës, të Azem Shkrelit e të të tjerëve  dhe, nëse e krahasojmë me poezinë e poetëve të sotëm  ata më duken më të thellë, më të mbështjellur me një metaforë.Vërtetë gjenerata e tyre i vunë një bazë të fortë bile frymëzuese letërsisë sonë. 

Keni shkruar edhe një monodramë e keni botuar ende, çfarë  keni trajtuar brenda  saj?

Kam shkruar, drama e monodrama. U rreka me një punë të vështirë. Kam realizuar diçka  mirëpo do ta lë të fle për një kohë e pastaj, kur ta harroj se ç’kam shkruar do ta marr nëpër dorë. Por  do të konsulltohem edhe me miqë të mi e të krijimtarisë.  Drama dhe veçmas monodrama është deficitare në letërsinë tonë. Do të vazhdoj të punoj në projekte tjera....siç thash kjo m’ është bërë pjesë e jetës – vokacion....

 
A  keni  marrë pjesë në manifestime kulturore, gjykoni se ja vlen pjesëmarrja në këtë evenimente?

Po. Unë kam marrë pjesë dhe do të marrë , gjithmonë nëpër manifestime të ndryshme kulturore.Ajo që ia vlen të përmendet është  Takimi i Poeteshave Shqipetare”sepse dallon nga manifestimet tjera kulturore dhe qe tashmë është berë traditcionale dhe ka marrë karakter mbarëkombetar.
Sa bukur! Bota femerore , përmës fantazisë krijuese, shpreh ndjenjat, emocionet dhe i jep botës mesazhe pozitive, të sinqerta e të qarta përmes vokacionit te bukur poetik. Dhe, për lakmi, këto takime, kanë një histori të begatshme. Filluan me 1979, fare thjeshtë e natyrshëm, me një pjesëmarrje simbolike të vajzave të reja, kryesisht nxënëse të  shkollave fillore e të mesme të Vushtrrisë  e vendbanimeve përreth. Mirëpo, jehona e tyre qe e madhe dhe u dëgjua larg e larg. Ai zë joshës  kapërceu shtigjet provincionale dhe pushtoi gjithë hapësirat e gjeografisë sonë kombëtare.
Pune shumë te madhe për neve poeteshave, po na nderojnë shumë me këtë takim që mbahet çdo vjet dhe qe zgjatë dy ditë. 
Çdo vit është mirë e me mirë.  Befasitë kurrë nuk mungojnë edhe në vitin që e lam pas drejtoria për Kulture, Rini dhe Sport e komunës së Vushtrisë dhe Këshilli Organizues i këtije manifestimi të madh kulturor, përveç tjerash morën vendim që aktiviteti i vitit 2008 të përmblidhet në një libër të veçant,dhe librin e pagëzuan “Kopshti me trëndafila”.
Një gjë e tillë kishte ngjarë vetëm njëherë gjatë gjithë historikut të tyre, në vitin 2002, kur Lidhja e Shkrimtarëve te Kosovës kishte botuar librin “Kënga e Mjellmave “.
Libri “Kopshti me trëndafila”, si çdo libër tjetër, nuk mëton të jetë i përkryer, megjithatë, ka vlerën e vet dhe është një stimulim për poeteshat e sidomos për neve të rejat, që se paku, pjesemarrja jonë ne këtë Festival poetik,të le gjurmë në kujtesën historike të letrave shqipe.

Çka e pengon në përditshmëri më së shumti personalitetin tuaj?

Hëm ...në perditshmëri... Nganjëhërë më pengon gjithçka që shoh, si psh.
Thashethënat, të cilat janë arti i të thënit asgjë...Në atë mënyrë që nuk lë asgjë pa thënë...më pengon papunësia e madhe qe është në ks...padrejtësitë që i bëhën dikujt veç pse munden !!!...Më pengon shumë kur dëgjoj gënjeshtra ! ...Ndërsa ajo që s’më pengon është e kundërta e kësaj që e thash ...

Po të kishit  fuqi në vendim marrje çka do të ndryshonit ju posaçërisht  në kulturë?

Po të kisha atë fuqi në vendim marrje në kulturë sigurisht që shumë krijuesve të rinjë ju kisha dhënë një forcë të madhe shpirtërore dhe një vullnet të madh në fushën e krijimtarisë letrare duke ju dhënë hapësirë dhe mundësi më të madhe për 
të prezentuar veten më shumë me shkrimet e tyre dhe duke ua dhënë edhe atë mundësi për të dalur në pah veprat e tyre ...sepse të botosh një libër është ëndërr e çdo krijuesi...prandaj edhe atë unë ju kisha mundsuar ...

Gjilani si qytet ku keni lindur, ju ofron atë  çka dëshironi ju?

Gjilani është vendlindja ime, është vendi ku e  kam parë ëndrrën e parë  të krijimtarisë, është qyteti që më fal frymëzime të parreshtura. Unë kam të drejtë edhe ta lavdëroj edhe ta kritikoj se e kam me zemër e në zemër. Këtu i kam miqtë të cilët më mbajnë e nuk më lënë të rrëzohem. Nuk është me rëndësi se sa më afron mua Gjilani, me rëndësi është sa dhe çka i afroj unë Gjilanit
Sinqerisht po ju them Gjilani për mua  është jeta ime. Këtu e kam shtëpinë – jetën time, këtu bëj jetën me prindërit e mi që janë  brenga ime, që janë rrita ime, që janë frymëmarrja ime. Nëna  - përgdheljia ime, babai forca ime dy krah  të fortë si të shqiponjës.  

Shpesh thuhet  se roli i femrës, nuk është i barabartë me gjininë e kundërt, mendoni se edhe femrat  duhet të bëjnë diç më tepër në drejtim të avancimit të saj?

Që kur është vërtetuar se femra mund të kryej  punë të rëndësishe edhe jetën e kemi të barabartë me mashkujt. UÇK-ja stolisej me femrat e veshura me uniformën e saj... krenare, dinjitoze me syrin pishë për atdhe. Liria është edhe e plumbave të automatikut të femrës. Unë jetoj në qytet po e ndjej veten malësore sepse gjeneza ime është nga Stançiqi i Karadakut. Sot në asnjë vend në Kosovë nuk  merret si i prapambetur si dikur kur femra ishte rob shtëpie siç na thonin serbët “lavatriqe” (po çka nuk na thonin ata) po ne u treguam se ato “Lavatriqet” marrin mirë në shënjestër. . Dhe, krejt në fund femrën sot e ke në të gjitha  fushat e veprimtarisë, krijimtarisë,  mbrojtjes dhe sigurisë. Femra është begatia dhe shtyllë e fortë e shoqërisë. Pa femër, tek e fundit, s’ka jetë......

Jeni tekst shkruese e këngëve, ju lutem mund të na thoni me cilët këngëtar bashkëpunonin këtë drejtim  dhe për cilën muzikë ofroni tekste?

Po unë kam filluar të shkruaj edhe tekste të këngëve dhe e shoh të vetja se nuk e kam problem të shkruaj për cilin do zhaner të muzikes...
Fillimisht ju kam shkruar disa këngetarëve vendas të cilët janë të njoftun vetëm për rrethin ku jetojnë,e mbas një kohe të gjatë mandej unë rash në kontakt me një kompozitorë në Prishtinë ...dhe në bashkëpunim me të kemi bërë disa këngë për disa këngetarë\e që janë shumë të njohur për neve dhe që kanë famë edhe nëpër vende të tjera të Europës .
Nuk kisha dashur të përmendi emrat e tyre për arsye se tash për mua është fillimi dhe tekstet e mia ende s’janë publikuar..por besoj që se shpejti do të këndohen dhe do të pëlqehen nga publiku .

Me që keni një dinamikë  pune krahas obligimeve në studime, çfarë mund të presim nga   ju në të ardhmen e afërt?

Së shpejti do t’i përfundoj studimet, pak më vonesë po megjithatë në rrjedha, sepse gjatë viteve të studimeve kam udhëtuar rregullisht Prishtinë –Gjilan, dhe kam pasur një ngarkesë të madhe edhe me disa obligime tjera ...
Megjithkëtë se shkruari s’do të ndalem kurrë dhe synoj që t’i mbërrij majat poetike, do vazhdoj të shkruaj dhe të botoj veprat e mia s’do të ndalem se shkruari edhe tekste të këngëve ...Dhe në të ardhmen e afërt pretendoj të punoj edhe si gazetare në një nga TV tona vendore ...
E gjitha për mua të jem një gazetare e sukseshme një poete e mirë dhe nje tekstshkruse e pëlqyer ...

Cili është pasioni i juaj dhe koha e lirë për ju?

Pasion kam poezinë dhe këngën ndërsa kohën e lirë e kaloj me shoqërinë time dal shetitem por edhe rri në shtëpi shumicën e rasteve ...kam dëshirë të gatuaj pite dhe të bëj ëmbëlsira ...

Mesazhi i juaj  për lexuesit tanë?

Në jetën tonë po futen elemente të huaja si në gjuhë, në arte, dhe në doke e zakone.
Nuk duhet të habitemi e t’u lakmojmë kulturave të huaja, sepse Zoti ka mundur neve të na krijojë arab, turq, italian, grek etj po na ka falë – krijur SHQIPTAR dhe  jetën duhet ta bëjmë shqip... vetëm shqip dhe, kulturën shqiptare ta avancojmë sepse nuk është e prapambetur......
Ju falenderoj dhe nëpërmes juve i përshëndes lexuesit tuaj të ndershëm...


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora