E shtune, 12.10.2024, 09:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Mirela Kumbaro: “Otello” i Blushit, një leksion tolerance

E diele, 07.02.2010, 03:47 PM


“Otello” i Blushit, një leksion tolerance

Nga Mirela Kumbaro, Panorama,05/02/2010

Si Marko Polo “që nuk tregonte atë që jetonte ...por jetonte atë që tregonte”1, Blushi nuk tregon atë që ka ndodhur, por bën të ndodhë çka ai tregon. Tek lexoja “Otellon”, skenat njerëzore më sillnin ndërmend peizazhet e sixhadeve të kadifenjta me të cilat gjyshja ime vishte muret e dhomës e që më ngacmonin imagjinatën herë me dragonj e kuçedra, herë me sallone zonjash që tymosnin cigare të gjata. Me kësi personazhesh stisja histori pa fund e ushqeja fantazmat e mia që mu ringjallën tek lexoja këtë libër. E megjithatë, ndonëse ngjarjet vendosen në shekullin e 14, nuk është një përrallë. Nuk marr përsipër t’i bëj gjykimin estetik këtij libri e as kritikën letrare.  Por ndjesia dhe emocioni që më shkaktoi leximi i tij, më thonë se këtej e tutje, kur të flitet për Otello nuk do mendojmë vetëm për Shekspirin. 
Fati i njeriut
Në këtë libër thurren pa fund marrëdhënie, marrëdhënie pjellore. Marrëdhënie mes jetës dhe vdekjes, që prodhojnë ëndrra, mes pritjes dhe kërkimit, që japin jetë, mes shpirtit dhe trupit, që gjenerojnë dëshirë, mes dobësisë dhe ndëshkimit, që sjellin forcë, mes vetes dhe pjellës, që krijojnë iluzione, mes arsyes dhe instinktit, që përcjellin pasion, mes normës dhe tundimit, që provokojnë guxim, me frikës dhe pushtetit, që ngjallin djallëzi, mes besimit dhe gënjeshtrës, që mbrojnë dashurinë, mes perversionit dhe imagjinatës, që frymëzojnë të bukurën.
Mes këtyre penelatave relacionale marrin jetë skenat e romanit. Them se ky roman është letërsi e pastër, prandaj kur e lexon të mbetet mendja më shumë te karakteret njerëzore se sa te personazhet historikë, më shumë te ngjarjet se sa te Historia. U cilësua si një libër për dashurinë. Nuk besoj se është kaq.
Është një libër për fatin e njeriut, i zi a i bardhë qoftë. Thua se Blushi e rikrijon Otellon për të provuar deri ku mund të shkojë fati me eksperimentet e tij. Të mira dhe të këqia. Duke sprovuar personazhet e tij autori jep një leksion për tolerancën dhe antiracizmin. Duke bërë anatominë e urrejtjes na tregon si të duam, duke na rrëfyer thellësinë e vuajtjes na kujton humanizmin. Duke pikturuar shpirtrat njerëzorë predikon edhe dashurinë, në një nga format e saj të vërteta por edhe më të egra.
Por është edhe një libër për identitetin. Kush jemi? Pse jemi kështu si jemi? Si do të jemi? Pyetje që dalin nga përgjigjet e parathëna në libër, ndonëse të vendosura në shekullin e 14. Më shumë se një herë këto përgjigje na therin por s’i kundërshtojmë dot, më së shumti na dalin të sakta.
Vlora apo ne?
Ky është Otello, arapi i Vlorës. Skena në formë V –je, shtrihet nga Vlora në Venedik. Por Vlora është ajo që na tërheq si thirrje e gjakut.
Nëpërmjet gojës së Hamitit, personazhit më të neveritshëm, më me vese, po aq edhe djallëzor, flitet Vlora, madje edhe Vlora e sotme, e shtyrë tutje në shekuj sikur këta shekujt e mëpasshëm të mos kishin ekzistuar. Duket sikur autori gjen kësisoj një mënyrë të tërthortë për të lëshuar brenga. “Në Vlorë nuk ka piktorë dhe prandaj atje gratë nuk zhvishen, kishte thënë Desdemona”. 
Kompleksi i Vlorës femërore, përzier me ngërçet e mashkullit ballkanik, është një nga tablotë më mbresëlënëse të këtij romani. Në fakt Vlora e Blushit nuk është vetëm Vlora. Por ajo është edhe Vlora. Sikurse është dhe gjithë Shqipëria. Thashë “është” dhe jo “ishte”. “Po çfarë populli jeton aty, kishte pyetur Otello, duke parë se marinari mund t’i përgjigjej edhe pyetjeve të tjera. Ata quhen shqiptarë, kishte thënë marinari. Janë të zinj, kishte vazhduar Otello. Marinari kishte qeshur fort dhe duke i kthyer kurrizin kishte thënë: Edhe kjo u duhej atyre…”
Pas kësaj, them se nuk i shpëtojmë dot gjakimit për të lexuar pas rreshtave, ose diku mes tyre. Leximet nën diktaturë na i kanë ushqyer këtë “ves” dhe yshtemi tërë kohën të gjejmë në librat e Blushit paralelizma, nëntekste e nënkuptime pa të cilat nuk e shijokemi dot letërsinë. Sikurse ka gjasa që edhe Blushi, produkt i të njëjtit brez, por edhe i jetës së vet të pasur social-politike, nuk duhet të jetë nga soji i artistëve të kulluar e nuk mund t’i rezistojë tundimit të shkrimit të angazhuar. E parë kështu, edhe lexuesi nuk mund të mos bjerë pre e joshur prej alegorisë historike që Blushi e përdor me aq qejf, pak rëndësi ka nëse referencat e shpeshta tek e sotmja janë të qëllimshme apo gjetje e natyrshme e penës së tij letrare.
Ishull apo Otello?
Pasqyrimi artistik e në forma të stilizuara i realiteteve të kahershme me grimca apo aluzione të së sotmes, vjen te Blushi si përthyerje mjeshtërore që të ngacmon fort herë emocionin, herë kujtesën e herë refleksionin. Ky lloj refleksion ngjalli mjaft debat pas botimit të librit të parë “Të jetosh në ishull”.
Nisur nga postulate se çdo krijim artistik ka jetën e vet, u përpoqa t’i shmangesha qasjes krahasimore që ma vendoste “Otellon” krah “Ishullit”, por mesa duket nuk i shpëtova dot kurthit. Dhe besoj jo për shkak të Otellos, por të “Ishullit”. “Ishullin” e lexuan të gjithë, “Otellon” duket pak. Për “Ishullin” s’ngeli njeri pa folur, për “Otellon” një ose dy. “Ishullin” e akuzuan, “Otellon” as e panë. “Ishulli” prodhoi një libër tjetër (jo më të Blushit), “Otello” lëshoi vetëm autografë. “Ishullin” e ngatërruan me Historinë, historisë së “Otellos” nuk ia varën, “Ishulli” ngriti fetarët në këmbë, “Otellon” nuk e besuan. “Ishulli” i shërbeu deputetit, deputeti u bë i tillë jo prej “Otellos”. “Ishulli” ndezi zjarre, s’ngeli njeri pa e marrë vesh, “Otello” duhet të ketë prekur shpirtra por s’e di njeri (përtej çmimit të javës së shkuar). “Ishulli” ngatërrohej me enciklopeditë, “Otello” mbeti vetvetja. Në “Ishull” gjërat përsëriten, “Otello” është vetëm i freskët (Shekspiri nuk i ndryshon gjë kësaj që sapo thashë, sepse ky është Otello i Vlorës). “Ishulli” të ngjitet, “Otello” rrjedh vetë. “Ishulli” të lodhte, “Otello” të përpin. “Ishulli” tregoi autorin për herë të parë, “Otello” dha provën e shkrimtarit. 
Shkrimtar?
Krijuesi i “Otellos” ka frazën e njeriut të talentuar, por edhe bukur të kultivuar, që dija nuk i vjen si gulçime mbidozash nxënieje të sforcuar, por si një gjendje e natyrshme që ushqen ujëvarën artistike. Burimi duket se është një fantazi jo vetëm e pasur, por dhe shumë e dendur, aq sa duket se derdhja në det ujëvarës s’i mjafton. 
Ka fjali të shkurtra, sentenca sikurse ka dhe vrunduj fjalish që s’druajnë as pikë e as presje, duke ruajtur megjithatë ekuilibrin në fill të fletës. Kur janë të gjata, janë aq të gjata sa ta mbajnë frymën pezull. Kur janë të shkurtra, të mprehin mendimin si me të rëna sëpate të sigurta në shënjestrën e tyre.
Në Venedik fjalia fiton një ritëm që bie në të katër kohët-personazhe të familjes Contarini, pastaj bën një pauzë për t’i rënë daulles së Otellos. Ndërsa në Vlorë ajo vithiset herë në det e herë në rrënjë ullinjsh, rrokulliset herë pas here si portokall në odat e prijësve të saj por shumë shpejt të përvëlon si kripa e detit në mish të gjallë. Blushi ka stil.
Erotizëm?
Pa dyshim. Erotizmi zë një vend nderi që nuk e kishte te “Ishulli” ku, me sa dukej, autorit i vinte më shumë të zbrazte më parë erudicionin e tij sesa ndjenjat, të cilat këtu pikturojnë fuqishëm tablo si ato të Ingres, tablo ku ka jo vetëm ndjenja, por edhe ndjesi e shqisa që errin sytë, bllokojnë trurin e lënë hapur veç dritën verbuese të trupit. 
Të gjitha janë për njeriun. Dhe fatin e tij.
Më vjen ta karakterizoj si një letërsi mashkullore për të cilën ndoshta autori nuk është i ndërgjegjshëm. Ose është por s’e ka menduar ndonjëherë të formuluar kështu. Si mund të jetë ndryshe kur pyetësori i Otellos nuk është gjë tjetër veçse një eliksir mashkullor dashurie. Në këtë roman edhe portreti i femrës shpërfaqet më i erotizuar se sa te “Ishulli”. Bukuria femërore si sublimim hyjnor dhe po aq tokësor e i prekshëm, vjen jo si detaj, por si plotësim i së tërës, që gjallon jo si shkëndijë, por si zjarr që lëvrin, se brenda ka dhe thëngjillin dhe qymyrin, dhe flakën dhe hirin, dhe prushin dhe drurin. Vështrimi mashkullor nuk fshihet aspak pas ojnave hipokrite, as pas dorezave moraliste, çka e bën ndjenjën të vërtetë si mishi. Por erotizmi nuk lakohet vetëm në rasën femërore. Në këtë libër gratë janë të gjalla, ndërsa burrat të bukur, gratë janë ujë ndërsa burrat janë tokë, gratë janë krahë e bëhen të pakapshme, burrat kanë gjymtyrë e hedhin rrënjë. Por në dashuri, gratë e burrat e këtij libri kthehen në engjëj, engjëj me gjini, por edhe me shpirt. Shpirtra njerëzorë!
Copëra pasqyrash?
S’u fshihesh dot. Ky libër nuk është “Ishulli”, por është një libër me ishuj. Ishuj të vegjël frike, dije, odash, historie arti, anatomie, psikanalize, psikopediatrie, sociologjie konfliktesh, gjeografie për qejf, përrallash me xhinde e joshje parajsore. Si copëra pasqyrash prej ku sheh skutat e fshehura të shpirtit e të trupit. Përçartje anatomie, makabriteti i të cilës nuk të shtyn tutje por, përkundrazi, të thith si në një film tridimensional me fantazi të çliruar. Skena darviniane të denja për një muze të historisë së natyrës në version artistik. Fuqia e  përshkrimit është kaq e thellë saqë nuk i shpëton dot përjetimit të drejtpërdrejtë të aromës së detit, kur është peizazh apo të shijes makabre të gjakut, kur është një kompozim dramatik.
Ai tha...
Dëshira e papërballueshme e autorit për të mos shitur kot as edhe një fjali i ngjesh hapësirat midis ngjarjeve me ide, citate, thënie, përkufizime si të ishte një profet i gjithëditur dhe plak i mençur, që nuk i duhet vënë fjala në dyshim. Nuk thashë se kjo e fundit është e vërtetë, por mënyra si ato thuhen zë vend dhe nuk të vjen fare t’i kundërshtosh postulatet, të denja në të vërtetë vetëm për shekullin XXI e që tingëllojnë si një fantashkencë ekzotike në sfondin kohor të shekullit 14.
Po citoj vetëm një përkufizim intrigues të dashurisë dhe të frikshëm të familjes: “(Parajsës)…pa dashurinë e Evës dhe Adamit i mungonte diçka që nuk gjendej në natyrë, nuk rrotullohej në qiell, nuk fshihej në tokë, nuk ecte mbi bar, nuk fluturonte në erë, nuk hahej dhe nuk pihej. Kërkuan kudo, por nuk e panë asgjëkundi deri ditën që e gjetën brenda trupave të tyre. Dashurinë zoti ua kishte ndaluar.”
Por, “zoti është dinak dhe meqë nuk mund ta frenojë dashurinë e fut në familje dhe aty e vdes.”
Otello + Desedemona + Contarini + Jago... = Blushi?
Tek romani “Ishulli...” e “akuzuan” Blushin se personazhet e tij flisnin si Blushi. Madje u duk sikur kjo ishte e meta e librit. Blushi nuk e mohon që personazhet e tij shprehen të gjithë si vetë krijuesi i tyre. Tek «Otello», sfidues, ai e ruan ngjashmërinë oratorike me personazhet e tij, duke e kthyer këtë në një bukuri estetike. Kur këta flasin të mahnisin me gojëtarinë e tyre, a thua se personazhet - fëmijë kanë lindur nga akademia dhe jo nga barku i nënës… duket se autori nuk e frenon dot e as e modifikon dot ligjërimin sapo goja e një personazhi hapet, qoftë fëmijë a i rritur, qoftë Jago apo Desdemonë… Sado e pagjasueshme të duket kjo, nëse gjithmonë personazhet e tij do të jenë kështu edhe në vazhdim, mund të themi se letërsia e Blushit do të pjellë gjeni të vegjël… 
Nga ana tjetër, si përkthyese, befasohesha në fillim që ata flisnin që përtej kufijve të njëjtën gjuhë, pa pasur nevojë për “terxhumenë”. Por kallëpi i ligjëratës së zhdrejtë dhe i dialogjeve pa shenja formale dialogimi, në të cilin i ka futur autori të folurat e tyre, ma hoqën qysh herët dilemën duke lexuar thëniet e narratorit si dhe ato të personazheve, njëra pas tjetrës, si rruazat e tespies, duke zgjedhur kështu rrjedhjen e lirë, pa hope gjuhësore e as shenja pikësimi. Është pa dyshim një zgjidhje e vështirë artistikisht. Por kush thotë se Blushi s’e ka arritur? Edhe kjo është një nga arsyet që leximi i Otellos të përpin në tespien e vet 335 faqe të gjatë.
Vetë Otello sillet si hero i romanit, por jo protagonist i ngjarjeve. Ai vendoset në qendër të veprës ndërsa i pëson ngjarjet, ai nuk është romani por preteksti i tij. Kthehet në një fill që lidh ngjarjet e karakteret, si një gjetje simbolike për të treguar fatin e njeriut që si i tillë s’ka as kohë e as hapësirë. Kjo e bën këtë roman universal duke i siguruar gjithëkohësinë e leximit.
Jago, mbetet personifikim i jashtëzakonshëm i vetë mitit, ku fantazia e autorit i afrohet po aq frikshëm thelbit, sa dhe në imagjinatën e erotizuar. Por në versionin e Blushit ka një lloj revanshi ndaj mitit, sepse eksperimentet e tij njerëzore duken më mizore për vetë Jagon sesa për “insektet” e tij (të motrat dhe të vluarit e tyre).
Gjithsesi, nuk kam asnjë tundim të zë e të bëj krahasime me personazhet homonimë të Shekspirit. Otello, Desdemona e company të Blushit, janë shumë mirë aty ku janë, në Vlorë a në Venedik, nën firmën e shkrimtarit tonë, pa pasur nevojë të hyjnë në asnjë paralelizëm.
Me një frymë, por...
E rëndësishme është që romani arrin të na mbajë frymën deri në fund. Nga të dy linjat e tij, ajo historike dhe ajo njerëzore, lexuesin e zë ankthi si do të mbarojë e dyta. Të parën e ka mësuar nga tekstet e historisë në shkollë dhe nuk ka gjasa që autori ta transformojë atë për të bërë letërsi me një Shqipëri “venedikase” të supozuar.
Ndryshe nga gjithë trajtimi romanesk origjinal i linjave njerëzore që befasojnë pa fund gjatë leximit, duke iu larguar fabulës shekspiriane, fundi më çuditi duke mos më befasuar, por duke më lënë disi të pangopur. Mesa duket Ben Blushi e ka bërë vetë alibinë kur e mbaron romanin e tij me fjalinë: “dashuria vdes e pangopur”.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora