Kulturë
Sejdo Harka: Dimensionet e vendlindjes në një vëllim me poezi
E enjte, 04.02.2010, 09:48 PM
Dimensionet e vendlindjes në një vëllim me poezi*
Nga SEJDO HARKA
Poezia e Kujtim Matelit ka marrë udhë që nga fillimi i viteve 80-të, kur ajo nisi të shfaqej në shtypin letrar me poezi të veçanta apo me cikle të plota. Ka rreth 30 vjet që ato ruhen në fletoret e zhubrosura ,apo në kujtesën e lexuesëve të shtypit letrar të kohës, derisa vjen një ditë ,që autori, duke i lëmuar për një kohë të gjatë i sistemon në vëllimin me titull “Kur mendon për të tjerët”, i cili doli në qarkullim kohët e fundit. Një botë e gjallë ndjenjash dhe emocionesh, një histori e ndezur lufte dhe përpjekjesh për më shumë liri, për më shumë dashuri e për një jetë më të bukur, gjallon në brendësinë e këtij vëllimi poetik. Ai mban brenda një tematikë të gjerë dhe mesazhe gjithkohore për vendlindjen dhe kombin, për punën dhe jetën, për dashurinë njerëzore dhe humanizmin, për gëzimin e dhimbjen, për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen.
Poezitë e këtij vëllimi, janë përjetime të gjalla të autorit, herë spontane e herë të përpunuara në kudhrën e shpirti të tij poetik
Është kjo arsyeja që poezitë e Kujtim Matelit janë të çiltërta. Ato lindin natyrshëm pa sforcime e fjalë të kërkuara. Aq natyrshëm vjen ajo, sa dhe vetë autori nuk e kupton ,nëse erdhi poezia tek ai ,apo ishte poeti që me mundimet e një rruge të gjatë e arriti atë. Ajo që dallon brendinë e poezive të tij, është dashuria njerëzore,të cilën autori e ka”korrur dhe mbjellë “ kudo që I shkeli këmba dhe i fluturoi shpirti e zemra.
Autorin e frymëzon dashuria për Atdheun, ndaj shpesh pyet veten:
Ç`fytyrë ka kombi? Pas kësaj vjen natyrshëm përgjigjja, se Atdheu ka fytyrën e heronjve ,të cilët, gjithçka ia falën kombit dhe njerëzve. Fytyrën e kombit e zbukurojnë jo vetëm miliona duar, por edhe miliona vargje që u ngjajnë luleve shumëngjyrëshe ,të cilat, me erën e këndëshme dhe bukurinë e rrallë, e mrekullojnë Atdheun
Në poezinë “ Pamje migjeniane” autori shpreh trishtimin ,që i shkaktoi braktisja e fshatit. Kjo zbrazdësi i kujton” bukurinë migjeniane”që vret jetë dhe shpirtra njerëzorë. Këtë shqetësim dhe trishtim autori ua përçon edhe strehëve që rëndohen nga akulli, i cili vret si heshtë, edhe gjelave që vajtojnë, kur duhet të këndojnë, edhe luleve të kumbullës ,që psherëtijnë, edhe petaleve të bardha që nxihen pa u zbardhur mirë, edhe “vocërrakut” që ndërron jetë pa parë mirë dritën e diellit.
Peizazhi mbetet ngacmues i përhershëm i frymëzimit spontan të poetit. Në poezitë e pejsazhit gëlon dashuria për natyrën shqiptare dhe njerëzit që e trasformojnë atë,optimizmi dhe shpresa për ta bërë gjithënjë e më të bukur. Objekti i tyre janë malet, fushat, fshatrat, hëna, dielli, vjeshta e pranvera, pyjet, shiu, lindja dhe perëndimi i diellit,të cilat ,me bukurinë e tyre të rrallë ,e mbrekullojnë njeriun. Në to gjen ëndrra dhe shpresa,gëzim dhe entuziazëm, por jo rrallë edhe dhimbje e trishtim, kur natyra ,jo vetëm nuk mbrohet e vlerësohet si duhet,por edhe dhunohet e shkatërrohet barbarisht.
Për Kujtim Matelin vendet e tjerë janë të bukura, por vendi i tij është i mrekullueshëm. Bukurinë e vendlindjes e gjen tek portreti i valltares përmetare, fustani i së cilës ngjan si ylber i zbritur në male. Vendlindjes i do grurin, misrin, qumshtin, dardhët e ëmbla, lisat e lartë, zogjtë dhe ajrin e freskët që i pastron mushkritë.
Fshati ,për autorin është djepi i lindjes,ku edhe gurët çelin lule, të cilat, janë portreti i vendlindjes së tij. Për të gjyshi është simbol i dashurisë, i mençurisë dhe i legjendës së misrit, ndërsa babai , simbol i dhembshurisë, që shoqëri të ngushtë zuri me drurët në pyll.
Vallja përmetare është frymëmarrja e jetës, bukuri e shpirtit të njeriut, shushurima e Vjosës, era e këndëshme e qytetit të trëndafilave, ëmbëlsia e glikove, afshi i rakisë së fortë, butësia dhe sinqeriteti i njerëzve të këtyre anëve,
Tek poezia “Kthimi në vendlindje” malli përzihet me dhimbjen ,kur sheh se zërat e njerëzve të tij të dashur nuk dëgjoheshin më. Autorin e ka marë malli të bisedojë me ata shtruar si dikur,por në vend të tyre I përgjigjet një tufë zogjësh,të cilët,sic shkrua autori”Rrëzuan mbi mua / pak trishtim” ,sepse shumë prej tyre u larguan në të katër anët e vendit dhe të botës,ndërsa,ndonjë prej tyr,për fat të keq ,ka ndërruar jetë.
Po trishtimi nuk zgjat shumë. Nga brigjet ,ku autori ka kaluar një pjesë të jetës së tij,dëgjohen tingujt e ëmbël të zileve dhe këmborëve të përzjera me shushurimën e ujërave dhe të gjetheve të pemëve ,ngarkuar me fruta të ëmbëla. Cilido do të ndalej pak caste,para kësaj bukurie magjepse. Atëhere:”Trishtimi do të tkurret\Si letër e zhubrosur\Digjet më në fund\Në zjarrin e një shprese”
Të moshuarit për autorin janë dhimbje dhe përvojë, vuajtje dhe qëndresë, dashuri dhe forcë. Tek poezia “Të moshuarit” na jepet portreti i njeriut të punës,që nuk do të largohet edhe pse mosha e thërret të pushojë.Ai nuk mund të shkëputen dot aq kollaj nga puna dhe jeta e zhurmëshme.Prandaj ata i gjen përsëri midis të rinjve ,edhe pse vitet i “... kanë krrusur,si një lule vjeshte\që mban mbi gjethe brymën e parë”.
Dashuria dhe dhimbja në poezinë e Kujtim Matelit trazohen dhe shpesh shkrihen në një të vetme. I ndikur nga poeti i madh Naim Frashëri ,dashurisë i shijon më tepër dhimbjen se kënaqësinë. Në ndonjë poezi autori i këndon dashurisë së parealizuar. Kjo është një dashuri që nuk mund të shuhet. Dashuria është një ndjenjë e fuqishme pa të cilën jeta nuk ka kuptim, prandaj të dashuruarit flijohen në emër të saj.
Luftëtari në poezinë e Kujtim Matelit është një figurë universale. Ajo është simbol i lirisë, i sakrificës, i flijimit dhe i pavdekësisë. Për ta individualizuar këtë figurë ,autori portretizon heronj të tillë si: Hajredin Tremishti, Çerçiz Topulli e Mihal Grameno, shëmbëlltyra të heroizmit dhe patriotizmit shqiptar.
Një nga poezitë më të bukura të vëllimit është dhe ajo me titull: “Mos i dëgjo yjet se ç`thonë” ku autori personifikon të vdekurit, të cilët,kur ikin nga kjo botë e kur ndonjëri ndahet papritur në moshë të re , dëshiron që ata ta gjejnë lumturinë e tyre në jetën qiellore, edhe pse realisht mund të mos e besojë atë.Sipas autorit,njeriu,në botën qiellore ka po ato përjetime që ka dhe në botën reale tokësore
Ai është gjithnjë nën trysninë e thirrjeve të botës qiellore që kërkon ta mbajë atje me çdo kusht dhe thirrjeve të botës tokësore që e kërkojnë që të kthehet përsëri midis njerëzve të dashur.
Poezia: ”Më ngacmon kujtimi yt” është vërtet një ngacmim i fuqishëm që e frymëzon autorin për të derdhur në vargje dashurinë për vajzën që nuk e ka pranë. Derdhet në ato vargje ,dashuri njerëzore, emocione e ndjenja që e bëjnë lexuesin të mendohet, entuziazmohet, dëshpërohet dhe përsëri gjen forca për t`u bërë më i fuqishëm, më i çiltër e më njerëzor. Si dikur ,ai e përfytyron vajzën e dashuruar ,me një tufë borziloku në dorë që ia vendos tek vazoja në shtratin e gjumit.
Kurbeti, si një plagë e rëndë e shoqërisë, ka vënë në lëvizje penën e shumë krijuesve. Ajo është më e dukshme në poezinë e Kujtim Matelit i cili, duke qënë edhe vetë për disa vite emigrant, ka derdhur në vargje pamje realiste të jetës së një emigranti. Është kjo arsyeja që në vargjet e tij gjen dhimbje dhe emocione të përjetuara thellë. Loti i nënës që përcjell të birin në mërgim, dhimbja e tmerrshme që ajo ndien në shpirt kur djali i kthehet i vdekur, janë paraqitur me nota shumë tronditëse. Por fatkeqësia arrin kulmin me vetflijimin e nuses së djalit, e cila e mbetur në vetmi të plotë, mbytet për t`i dhënë fund dhimbjes tragjike që i shkaktoi humbja e njeriut të dashur.
Poezia e Kujtim Matelit është sa e ndjenjës aq edhe e mesazheve, sa e peisazheve aq dhe e dashurisë. Në të gjallon historia, jeta, kujtimet dhe bëmat e njerëzve të thjeshtë, hallet dhe shqetësimet e tyre. Autori edhe pse shfaqet në botën e letrave për herë të parë me një cikël të plotë poezish tregon se është premtues për krijime më të bukura në vitet e ardhshme.
Komentoni
Artikuj te tjere
Blerim Rrecaj: Një tjetër ditë…
Arlind Farizi: Vdekja më vjen prej syve të tillë
Irena Toçi: Me Fatmirin kemi jetuar një histori dashurie dhe pasioni nga më të veçantat
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Kristaq Turtulli: Stacioni i ''Mullirit të Jorkut''
Ramiz Dërmaku: Mungesën e lirisës - Si dhembje për fatin e popullit të saj
Ilir Sefaj: Tragjedia dhe renesanca- reflektim
Demir Krasniqi: Rrenë e dashuri
Remzi Salihu: Kodim i fjalës poetike në qiellin e manovrimit letrar
Pilo Zyba: Blloku i kujtimeve
Zef Mulaj: Stinë anemike
Përparim Hysi: Mozaik me poezi
Baki Ymeri: Ekspozita kombëtare e zotit Kamberi
Cikël poetik nga Sami Vranovci
Xhafer Leci: Lavdi jetës dhe veprës të Fadil Feratit!
Teuta Shala: Vepër unikale për Beratin dhe Vlorën
Reagim, lidhur me inforamatën e lëshuar nga kryetari jolegjitim i klubit letrar ‘’Feniks’’
Nehat Jahiu: Kurbeti
Bilall Maliqi: Emra që ndryshuan historinë
Klajd Kapinova: Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë