E marte, 08.10.2024, 08:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Kodim i fjalës poetike në qiellin e manovrimit letrar

E merkure, 03.02.2010, 09:23 PM


KODIM I FLALËS POETIKE NË QIELLIN E MANOVRIMIT LETRAR

Majlinda Shabani “Skulpturë dëshire në qiell manovrimi”, botoi “Marin Barleti” Tiranë, 2007

Nga Remzi Salihu

1.Skulptura e fiksuar e imagjinatës 

Në qiellin artistik të manovrimit kulturorë e jetësorë çdo individë është një qenieje soditëse e veçantë, i ngjeshur me karakteristikat dhe veçoritë e veta specifike të gjykimit, perceptimit, për të vërtetat apo të pa vërtetat njerëzore. Në këtë poligon të hapur qiellor të kreativitetit të shumëfishtë vepron individi, krijuesi, bashkë me ëndrrat që e rrethojnë dhe shqetësojnë atë në jetë. Dëshirat e shumta që ka njeriu në vete, me kalimin e kohës, i nguliten në memorien e tij, si kujtime të pashkëputura, e që në esencë të veçorive karakteristike e përcjellin hap pas hapi deri sa të jetë gjallë. Çdo dëshirë individuale e parealizuar mbetet “skulpturë” e fiksuar e imagjinatës dhe ëndrrës së kërkimit të gjatë sfidues me kalimin e kohës. Aty, madje, shtrëngohen dhe futen në lojë kuptime esenciale nëpër lëndinat e shumta shumëngjyrëshe, dëshira e kërkesa, që i parashtron shoqëria dhe jeta. Andaj në këtë fluturim të largët ngjitet kodrave, majave të përjetimeve  edhe zemra e ”copëtuar” e frymëzimeve, bashkë me frymëmarrjet intime të shpeshta shpirtërore, të ndjeshmërisë së përditshme edhe Aleksandra (Majlinda) Shabani. Shtegtimet e saja krijuese lënë gjurmë malli të pa shuar në dëshirat e shumta të poetes së re. Kjo poete, duke fluturuar mbi shpatullat e “Pegasit”, me reflekset e saja të shkathëta lirike e poetike i puthit imazhet blu e të ndjeshme të tokës, qiellit dhe rrethit ku jeton. Ai magjizëm i thellë, ylberak, shumë ngjyrësh, meditativ, qe i mbërthen vargjet e autores gjirokastrite, vjen si kërkesë shpirtërore e çasteve të përjetuara, apo si trëndafil i freskët meditimi, i posa çelur, me vrull rinorë, të imagjinuar në vete e që lëshon aromë të veçantë “në një kopsht ëndërrorë” e të pritur e përcjellë, përherë, nga çasti në çast. Zëri i saj poetik është i qëndisur me lulëkuqe e dëshirash përkëdhelëse nëpër lëndinën e kujtesës së zhvilluar e lulëzuar mbi akte e sfida të shumta rinore. Çdo veprim i kësaj hapësire të freskët në thellësi të kuptimit, ka një hyrje, zhvillim dhe mbyllje karriere. Në këtë rreth të të jetuarit dhe kërkimit, dëshmitare bindëse i bëhet koha dhe ndjenja, që bartet nga dita në ditë.

Ndjenjat e saja të vrullshme, me sensibilitet të theksuar në vete, tetuazhonë kujtesën frenkfentuar me ngjarje dhe e detyrojnë veprimin soditës drejt mendimit racional, që  për çdo gjë që ndodh rreth vetes dhe të tjerëve të ketë arsyen e vetë të njohjes. Poetja di çka të kërkoj nga koha kometave dhe incizon çdo detaj të saj, se çdo fillim ka edhe mbarimin e shtegtimit të vet. Por nëse fillimi i nisur nga dyshimet, hyn në zhgënjimin e papritur, lëndimi ndjenjës bëhet epilog i madh, i papritur në arenë të kuptimit, nga shpirti i strehuar në “magjizmin” ëndërrorë të rastësisë dhe arsyes së një shkaku të nxitur nga “profetikja” miqësi, e cila përherë mbet enigmë në vete, e pazbuluar tërësisht nga veprimet e dyanshme, të subjektit me objektin në përsiatje universale të vërtetësisë.

Kërkesat e shumta që bëhen në tërësinë poetike, të përfshira në vëllimin poetik “Skulpturë dëshirë në qiell manovrimi”, janë kërkesa dhe dëshira të një zëri të vrullshëm, me temperament rinor, për të ndryshuar diçka të imagjinuar, pak sa mistike, të mbyllur në vete dhe rrethi. Natyrisht se kjo kërkesë përballë botës dhe ndeshjes së përditshme me të, vjen me sakrifica dhe moskuptime të mëdha, e që “copëtojnë” zemrën rinore pa diktueshëm. Sepse çdo gjë që ndahet, copëtohet nga zemra nëpër thermi të shumta, të fut në mall dhe pastaj dashuria bie në kërkesë të njohjes të së vërtetës sipas një paramendimi të jashtëzakoshëm, i cili si një kambanë e ndjeshme ndihmon të dallosh, shëmbëllesh më lehtë pamjet e brendshme të gjërave, që veprojnë si konkludime melankolike tingëlluese nëpër ndjenja të shumta, për çastin e ikur nëpër kohë dhe takime shumë mbresëlënëse. Ngase çdo gjë intime që largohet nga vetja, pas një kohe, të ndrydh, të harxhon si ndonjë “thermi e lehtë” në shpirt, nga fjalët dhe mos kuptimet e arsyes në shoqëri. Që në fillim të magjizmit kuptimor, njeriu ndërton piramidën e vet të kujtesës së evokimit dhe rikujtimit të ngjarjeve si gjykim kritik të të menduarit racional.

Hyrja në skenën e njohjes së rrethit, botës, kozmosit, për poeten, në çastin e parë është një “shenjë” provokuese që e nxit më tej, e dërgon në kërkim të shkakut, të njohjes, deri në provokim më të thellë,  për të hyrë në rrethin e dytë, në klasën e pjekurisë së individit si njeri. Dhe gjithë ky udhëtim i largët i ndërtimit të dëshirave, kërkesave dhe  zhgënjimeve, pas një kohe, periudhe kaluese, të përvetëson, të bënë për vete dhe të shëtitë nëpër kopshtin ëndërror të imagjinuar dhe përjetuar nga individi. Tërë kjo ndjeshmëri të duket me kalimin e kohës, si zhgënjim, apo përvojë karriere, që të forcon e të hap shtigje të reja jetësore. Prandaj kjo sprovë loz me ndjenjat e poetes, e cila me kureshtjen e saj modeste përballë “botës që zhvesh fustantabunë”’ e kohës vjen, si provokim i “tymtë”,mjegullorë nga lajmi i pakuptimtë i rrethit, nëpër sheshin e shtrigave ziliqare, të stepur në zhvendosjen utopike të pa kuptimësisë kohore. Ajo nga ky rreth i fshehtë trazimi, kërkon vetveten, individin e mbyllur në peng ngushëllimi, që do t’ia përmbush e furnizoj jetën me lumturi, andaj ajo është në hulumtim e sipër të njohjes dhe kërkimeve absolute të kohës. Kjo arratisje e mendjes dhe kujtesës bashkë me ndjenjën e pa definuar tërësisht, zhduket nga vetja, si e ftohtë deri në thellësinë e pa emëruar të gjërave.

2.Hemisfera impresioniste e jetës

“Venitja në kujtesën acartë’’ është heshtje e ngrire në vete, është ngjeshje e venitur në suaza të moskuptimit të ftohtë, definimit dhe enigmës që endet andej – këndej mendimit të ngrirë, të pa çliruar tërësisht nga paragjykimet e rrethit. Hapësirën të cilën e imagjinon, poetja, në këtë vitrinë të qelqtë përzgjedhjesh shoqërore, akoma nuk e gjen në vete dhe në qetësinë e shpirtit të saj, akumulon neone deshifrimesh ku do të preheshin dëshirat, kujtimet dhe mendimet e shumta. Prandaj ajo udhëton dhe kërkon me fantazinë e saj çerdhen ngrohtë të prehjes, për t’i definuar gjerat vëna në sprovë. Trupi kuptimor i saj endet pas një ëndrre të venitur në shtratin e pa definuar të dashurisë së fshehtë të magjisë së pa deshifruar e të etur shpirtërore, e cila herë tretet e herë ngjallet mbi “krahët e rrëzuar” mbi një portret të kapshëm në kornizë të një sigurie të vërtetë njerëzore, që kërkon individi për të krijuar ura afrie të forta në shoqëri. Pasi ajo nga rrethi dhe ndjellakeqit është e përndjekur përherë, si nata dhe zhgënjimi i acartë.

Pos përvojës së saj jetësore poetja ka si mbrojte edhe bagazhin e dijes, të cilat së bashku i japin, asaj, kurajë dhe impulse të reja energjike, për ta kaluar urën e kuptimit dhe besimit, e cila urë, si sprove kalimi, në vete ngërthen barriera e pakënaqësi shtegtimi, deri në cakun e dëshiruar e të pakalueshmërisë. Sepse vetëdija dhe përvoja zhyten thellë në rrënjën e shkakut dhe rastit të pa definuar, që shkumon përbrenda arsyes me pasoja të ndryshme gjatë notit të thellë jetësorë të ndjenjave, të cilat ndjenja intime shkojnë duke gërryer nëpër hemisfera impresioniste të jetës,  në kërkim të lirisë së vetes dhe të tjerëve. Ajo ngandonjëherë lundron pa vetëdije në një barkë shumë kuptimore filozofike, ku i tretet mendimi dhe besimi. Hapësira ku kurorëzohet enigma e ëndrrës me natën e mjegullt, mu aty hëna i bëhet rojtare e takimit të parë. Guximi veprimit ia shtrëngon frymëmarrjen nëpër dëshira me gishtat e mbërthyer në shtrëngim të dy ndjenjave të largëta, por që në esencën e saj lidhin unazën e afrisë me kaltërsinë e dëshirave rebeluese të kohës së pafund, në kërkesat e çasteve të imponuara apriori, si paradoks i përndjekjeve të minutave të shpejtuar të kohës së shkurtë, që imponohet në raste të caktuara.

Poetja kërkon që momentin ta lidh në nyje të kohës, si hëna e ngrirë, me bukuri të magjishme në hapësirë qielli letrar. Shpirti romantik i saj impresionon me imagjinatën filozofike dhe lidh  tokën me qiellin për t’i plotësuar dy ndjenja të largëta . Atë çast dhe atë vend të pikëtakimit nuk donë që ta mbërthej e “nesërmja e lagësht’’ e zhgënjimit, pritjes, ku data mbyll kuptimin në çastin e një takimi të paharruar. Poetja kërkon (mos) zhgënjimin e saj dhe gjatë lundrimit imagjinativ poetik nëpër vargje, në vete amputon edhe rrahjen e zemrës me aromën e këndshme, dehëse të frymës së ndalur peng në një moment të fiksuar trishtimi, që lidh misterin e pa zbuluar të thellësisë së ndjenjës, e cila ndjenjë në vete bëhet “skulpturë”  të shpitit të çiltër dhe fisnik nëpër vite. Ajo mat me vëmendje pulsin jo të zakontë të kohës dhe zemrës, në këtë det të madh ndjenjash e dëshirash, nëpër të cilën  kalon vetëm kjo anie e madhe dashurie me plot vrulle shpirtërorë “në qiell manovrimi’’. Ajo largon nga vetja tabutë, dyshimet, ligësitë dhe kufizimet, madje pengesat e dallgëve të përditshme, provokuese, që i sjell koha dhe shoqëria. Poetja ka besim të madh  në shpresën e saj, ngase, ajo sfidon dhe investon gjithçka rreth vetes, ndaj edhe merr guxim në arritjen e qëllimit për hapjen e shtigjeve te reja jetësore. Mendimi poetik fiksohet në ’’lakuriqësinë e botës’’ që na rrethon, sepse brenda vetes njeriu është një mister i pazbuluar, një botë tjetër e fshehur, me “kaplim asfiksie në hemisfera gjoksi”, që në arenën konfuzionit dhe kontradiktës sjell paragjykime nga më të ndryshmet, andaj në atelienë eksperimentale të konkurrencës vepruese nuk mund të fshihen imtësitë e dukshme dhe njollat që i ka njeriu. Errësira dhe heshtja i fsheh të gjitha pa kuptimësitë e veta, kur mendimi nuk gjen dritë alternative për tu përballur me vërtetën. Andaj poetja shtron shumë pyetje vetes dhe të tjerëve, duke kërkuar ditën për t’i zbardhur apo lakuriqësuar të gjitha moskuptimet, që e ngushtojnë miqësinë, e cila gjendet larg si ‘’kujtim i tretur’’, pasi, hapësirën dhe rrethin imagjinuar e ka pushtuar vetëm hija mugët, e errët, që rishfaqet herë pas herë, si ëndrra e këputur me plot ‘’myshqe’’ harrese.

Largimet, ikjet dhe pritjet, janë gjurmë të përhershme që trazojnë shpirtin e poetes. Ato ndriçojnë në kujtesën e saj me llojllojshmërinë e ngjyrave vezulluese, Ajo behet stacion i pritjeve atraktive të përhershme, që ndal zemrën në raste të caktuara, mu në rrethin e aortës për kujtimet e skalitura dhe të mbjella thellë në zenitin e shpirtit, që pa u kursyer do të rrahin në vete, por pak si enigmatike, duke pritur “krahun pushtues të dashurisë’’, që gjendet diku i strehuar thellë në kozmos. Larg vendit dhe rrethit ku jeton. Ajo komunikon vetëm me hijen  që ka mbërthyer hapësirën. Dëshira për përqafimin e çastit, kujtesën, do t’ia kthejnë në “satetelit’” të shpejtë kërkimit për të arritur deri në botën e pa pushtuar, për ta çliruar ’’mendimin e ndjenjës kallur’’, që nxjerr flakë dialoguese në globin ku dashuritë e sinqerta janë në përqindje të vogël.

Poetja në poezinë ’’Kthimshpinat’’ gjykon pa u kursyer për ndryshimet që pëson njeriu me kalimin e kohës, kur e nesërmja e ikur e nxit t’ia kthej shpinën të djeshmes, pa lënë gjurmë bindëse  në “çengelin e varur të bukurisë”’ së fiksuar në mendje, e që mbetet, si enigma më e pa zbuluar, apo mister i pakuptimtë, që rrjep përbrenda trupin, bukurinë femërore nga moskuptimet dhe keqkuptimet. Në detin e kujtimeve vetëm frymëmarrja e dashurisë do të pulsojë e fluturoj me “magjizmin’’ e vet, qoftë edhe bota të përmbyset, deri sa të arrij në bregun e pritur të dashurisë. Shtegtimi i ndjenjës dhe kujtesës nuk do ndalet vetëm në qëllim, arsye, sepse vështrimi dhe bindja është aq thumbuese,  aq sa sjell në vete dhimbje të përhershme dhe nuk shuhet kurrë.

3.Letërsia është bima më e këndshme e përjetësisë

Në qiellin e manovrimit letrar ka shumë yje, por një yll që ndriçon më shumë në këtë rast impresiv të qasjes interpretuese, është zëri poetik i poetes se re Aleksandra Shabani, që tenton t’i kaloj disa hemisfera ndjenjash me reflekset e saja të rrëmbyeshme dhe sfiduese për kohën, për ta tejkaluar me këmbëngulësi ëndrrën e adoleshencës se saj dhe, duke u çliruar nga brengosja e kujtimit, kuptimit të izoluar, me orë të tëra në shpresë, të cilën gjë donë ta kthej si armë dhe dëshirë unike, poetike, për shpëtimin e zhgënjimit të përgjithshëm njerëzorë, sepse edhe në kaosin më të madh njeriu kërkon ndihmën e arsyes me fjalë lutëse për mëshirë nga “perëndia”. Poetja jetën e merr si sprove të mundimshme  që ngandonjëherë ia ngushton zemrën me kundërthëniet e saj, e cila bashkë me bagazhin e përvojës shëmbëllen me përmbushje dëshirash në jetë dhe  e përndjekur me dy kuptimësinë në vete, të kuqen dhe të bardhën. Te dy ngjyrat janë të ndjeshme në kornizën e mbërthyer të vetëdijes së saj, përballë kafshës së zezë, luanit, që do të hyj midis  këtyre dy pjesëve enigmatike të dijshme, të mbyllura në vete, që herë shfaqet si peshk e herë si dem. Por për t’u pushtuar kjo veçori e thellë duhet sakrificë, ngase, për të kënaqur zemrën dy ngjyrëshe të vizatuar në kujtesë si hije, duhet gjithsesi që një ’’afiksimi shtazarak’’ të largohet nga realiteti. Kuptimi imagjinar ka sekondat, minutat e veta për ta përmbushur mungesën, kërkesën shpirtërore, që është kozmos impresionist në vete bashkë me dallueshmëritë e saja.     

   Letërsia si duket i  është bërë bima më e këndshme e përjetësisë, andaj në këtë bimësi të madhe ujit nëpër yje me shkathtësi edhe poetja Aleksandra Shabani. Edhe pse libri poetik ‘’Skulpturë dëshire në qiell manovrimi’’, është vëllimi i parë  dhe i shkruar në moshë shumë të re, megjithatë, autorja, i sjell lexuesit pjekuri imagjinare refleksive me përkushtim të theksuar prej talenti. Emocionet e saja janë të lidhura ngushtë me mendimet që poezinë e kthejnë në një ton me shprehje të përmbajtur. Ajo mundohet që mendimet, idetë, dhe refleksionet t’i qëndis me fotografi moderne lirike. Metaforat, figurat stilistike dhe shprehjet e rralla tenton t’i bashkoj në një piramidë poetike autoktone. Poezitë e Aleksandra Shabanit vibrojnë në vete dhe shfaqin dridhma të brendshme shpirtërore të ngjeshura me mall rinorë. Ato na çojnë në sheshin intim të saj për ta njohur sa më mirë rrethin ku jeton dhe vepron. Kush është i etshëm për këtë njohje, gjithsesi, se nuk duhet të largohet shumë nga synimet, shikimet e veta bindëse të kërkimit, ngase, shenjat rastet e përsëritura, me të cilat takohet për çdo ditë, e  rikthejnë individin në rinjohje, në qëllimet dhe shkaqet e planifikimit të vetes në rrugëtimin e mbarë imagjinar, më të gjatë të kozmosit poetik. Në këtë situatë shumë poezi i bëhen rroje, “bodigard”, për çdo gjë që i vjen si e papritur, si sprove jetësore, apo si konsum ditorë i gjërave.

Poezitë nuk e ndryshojnë historinë e jetës, por ata japin detaje lirike të jetës, emocione, të cilat janë të vetme për lirinë shpirtërore, që në rrethana të caktuara mbeten të përmbushura tërësisht me veçanti personale e që evokohen brenda rrethit të vet kuptimorë. Dhe të tjerët e nxjerrin kuptimin e saj, si me mikroskop gjuhësorë, duke soditur si përvojë e veçantë jetësore nga çaste dhe gjurmët që kalon poetja.

Zëri poetik që më ngacmoi për të shkruar për këtë vëllim poetik, është rebelimi i thellë i këmbëngulësisë dhe  kërkimi ekzistencial i poetes. Vargjet e saj frymëzohen nga gjerat që i përjeton, shumë fotografi të gjalla të përditshmërisë dhe imagjinatës inkarnohen në kufijtë e fiksionit dhe të vërtetës realiste. Stolia e vargjeve karakterizohet dhe lidhet ngushtë me përpjekjet e saj për risi shprehjesh të reja dhe disponimit universal të temave që ka nxjerrë në një mes të caktuar. Poezitë e saj janë dromca frekuencash intime imresioniste që zhveshin shpirtin sensibil të poetes. Si duket procesi i të shkruarit të saj, para së gjithash, bëhet  motiv i qëndisur dhe përjetuar me kuptim. Shtegu nëpër të cilën kalon ajo është ai imagjinar universal, kreativ, dhe  ai konkret. Stolitë e shprehjeve të rralla poetike janë qëndisje moderne të kohës. Ato shprehje kalojnë nga dashuria personale drejtë dashurisë së frymës së fjalës manovruese estetike të përgjithshme, sipas nevojës që ia dedikon koha. Metafora dhe ironia e përcjellin vëllimin poetik ‘’Skulpturë dëshire në qiell manovrimi’’ në pjekuri të mëtejshme të autores. Ajo manovron nëpër fjalë të rralla dhe ndërton piramidën e shprehjes së veçantë që e dallon nga shumë autorë tjerë të gjeneratës së saj. Sa më e ngjeshur të jetë poezia, aq më atraktive behet kërkimi i shpalimit saj nga thellësitë e pa pushtuara kuptimore. Aty këtu ka ndonjë lëshim, por në përgjithësi ajo sjell një metaforë të veçantë poetike që të bën për vete. Ajo gjurmon me shkathtësi në qiellin e hapur të konkurrencës së shprehjes me gjuhën e saj të zgjedhur poetike, duke formuar portretin e saj rrallë. Me shkathtësi bën edhe thyerjen e saj parabolike, gramatikore nëpër sintagmat e rralla dhe të goditura me një freski e ndjeshmëri të zhdërvjelltë. Duke e skalitur me kujdes mjeshtërinë artistike të vargëzimit, bashkë me dëshirat dhe paragjykimet e shumta kohore.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora