Kulturë
Teuta Shala: Vepër unikale për Beratin dhe Vlorën
E marte, 02.02.2010, 09:23 PM

(Pllumb Xhufi, “Nga Paleologët tek Muzakajt-Berati dhe Vlora në Shekujt XII-XV”, Tiranë 2009, f 463)
Nga Teuta SHALA (Asistente ne Institutin e Historisë-Prishtinë)
Vargut të edicioneve të shtëpisë botuese 55 kohëve të fundit iu shtua edhe libri “Nga Paleologët tek Muzakajt-Berati dhe Vlora në Shekujt XII-XV”, i studiuesit Pëllumb Xhufi. Në bazë të dhënave që hasim në të dhe përgatitjes së lartë shkencore që ka libri: “Nga Paleologët tek Muzakajt-Berati dhe Vlora në Shekujt XII-XV”, mund të konsiderohet si një vepër unikale për Beratin dhe Vlorën e sidomos për familjen feudale të Muzakajve gjatë shekujve XII-XV. Studiuesi Pëllumb Xhufi edhe kësaj radhe me mjeshtrin prej një studiuesi të denjë na befasoi këndshëm me botimin e këtij libri, i cili në këtë kohë vjen si një dhuratë e çmueshme për lexuesit në përgjithësi e në veçanti për studiuesit e periudhës mesjetare.
Libri në fjalë është i ndarë dhe i mbarështuar në 463 faqe, dhe është i konceptuar në pesë kapituj brenda të cilëve autori paraqet një prezantim të drejtë e të denjë për Vlorën dhe Beratin në përgjithësi e në mënyrë të veçantë për familjen feudal të Muzakajve. Në kuadër të kapitullit të parë “Shqipëria dhe Bizanti në kapërcim të shek. XIII-XIV”, autori ndalet tek zotërimet e Bizantit në Shqipëri në fund të shek XIII, pastaj vendi që zë Despotati i Beratit në kuadrin e perandorisë Bizantine si dhe tek organizimi i brendshëm i tij. Në kapitullin e dytë autori fokusohet tek fisnikët shqiptarë dhe mbretëria e Siçilisë, ndërsa në kapitullin e tretë Kryengritjet e mëdha antibizantine në Despotatin e Beratit , studiuesi Pëllumb Xhufi përqendrohet në periudhën kohore 1330-1340 e cila është e mbushur me kryengritje të mëdha kundër bizantinëve duke vënë në pah natyrën e këtyre kryengritjeve si dhe pasojat që erdhën si rezultat i tyre.
Kapitulli i katërt “Evolucioni politik i Despotatit të Beratit në gjysmën e dytë të shek.XIV”, në qendër të studimit ka zhvillimin politik në këtë despotat, ndërsa kapitulli i pestë i kushtohet Beratit dhe Vlorës në kohën e Balshajve dhe Muzakajve të fundit.
Në fund të kapitujve autori i ka bërë një analizë shkencore kronikës së Gjon Muzakës trashëgimtarit të fundit të shtëpisë së Muzakajve, si dhe ka botuar të përkthyer në gjuhën shqipe këtë kronikë. Krahas burimeve të shumta arkivore dhe literaturës librin në fjalë e bëjnë të veçantë stili dhe fjaloi mjaftë i pasur që autori ka përdorur duke na ofruar një prizëm mjaftë origjinal sa i përket ngjarjeve të cilat shpalosen brendapërbrenda kësaj vepre.
Librin e pasurojnë gjithnjë e më shumë edhe botimi i disa fotografive në të cilat janë të paraqitura objekte të ndryshme arkitektonike që i takojnë periudhës mesjetare si kështjella, kisha, monedha, dorëshkrime mesjetare etj.
Në kuadër të librit: “Nga Paleologët tek Muzakajt-Berati dhe Vlora në Shekujt XII-XV”, autori na ofron të dhëna të shumta dhe mjaft interesante për qytetin e Beratit dhe të Vlorës të cilat luajtën rolë të rëndësishëm në zhvillimet politike, ekonomike e më gjerë gjatë shekujve XII-XV. Për qytetin e Beratit studiuesi Xhufi vë në dukje se i vendosur në një lartësi ai përfaqëson tipin e vendbanimit të paracaktuar për një rol të spikatur historik. Sipas tij qyteti i Beratit i ndodhur në një distancë diskrete nga deti dhe i vendosur në buzë të rrugës që lidhte Vlorën me portet e tjera të Adriatikut me zonat e brendshme në fazën e fundit të sundimit Bizantin ky qytet u kthye në qendër të Shqipërisë Bizantine. Më tutje ai nuk lë pa përmendur as rolin e madhe që ky qytet luajti në luftë përballë pushtuesve të ndryshëm.
Po ashtu në këtë libër autori na ofron të dhëna mjaft interesante edhe për qytetin e Vlorës duke filluar që nga përmendja e saj për herë të parë nga Ptolemeu për të vazhduar në mesjetë konkretisht në shek.V-VI, kur në burime përmendet si qendër peshkopale në varësi të mitropolisë së Durrësit. Më tej ai vë në dukje se në vitin 1204 Vlora përfshihet në listën e zotërimeve të Venedikut, ndërsa një vit më vonë së bashku me qytetin e Beratit i kalojnë Despotatit të Epirit. Në faqet e këtij libri ndeshim edhe shumë e shumë të dhëna tjera më rëndësi për këto dy qytete, ngase fokusimi i autori në këto dy qytete nuk ishte i rastësishëm. Kjo më se miri vërehet nga vet hyrja e librit ku ai shprehet se objekti i studimit të tij ka qenë pikërisht evidentimi i rolit historik të elementit vendas, të artikuluar në të gjitha shtresat sociale, në evolucionin historik të trevës së Vlorës dhe Beratit.
Në librin në fjalë autori ndalet edhe tek familjet feudale mesjetare duke e pasuruar historinë e këtyre familjeve me fakte dhe argumente të shumta shkencore. Në këtë kontekst kujdes dhe trajtim të veçantë i kushton familjes feudale të Muzakajve dhe Balshajve. Të dhënat që i ndeshim këtu për Muzakajt fillojnë që nga shtrirja territoriale e kësaj familjeje për të vazhduar më pastaj me të dhënat të tjera të cilat janë mjaftë interesante dhe të dobishme për njohjen dhe hulumtimin e kësaj familjeje. Sipas Pëllumb Xhufit i pari Muzakë i dëshmuar historikisht në vitin 1092 ishte pikërisht një funksionar i lartë i Perandorisë Bizantine. Më tej ai përmend edhe disa pjesëtar të tjerë të kësaj familjeje si Leon Muzaka, Teodor duka Muzaka. Në vazhdën e të dhënave për Muzakajt studiuesi Pëllumb Xhufi trajton edhe një dukuri e cila praktikohej dhe ishte e përhapur në mesjetë në radhët e familjeve të mëdha feudale, atë të zgjerimit të territoreve nëpërmjet martesave. Lidhur me këtë ai vë në dukje se një rrugë që qoi në zgjerimin e zotërimeve të Muzakajve ishin edhe aleancat familjare që ata lidhën me princa shqiptarë apo të huaj. Krushqitë thekson ai, në mesjetë ishin një akt para së gjithash politik me fqinjët. Aleanca të tilla Muzakajt kishin bërë me Kastriotët, Balshajt, Arianitët etj.

Pëllumb Xhufi në kuadër të përshkrimit dhe të vlerësimit që i bënë kësaj kronike ka vënë në pah edhe qëndrimin e disa studiuesve përkitazi me këtë kronikë. Edhe përkundër vlerës dhe rëndesës që ka kjo kronik megjithatë ndaj saj nuk kanë munguar vlerësimet skeptike dhe ç’vlerësuese. Një qëndrim të tillë ndaj Kronikës së Muzakës, thekson studiuesi Xhufi mbajtën këta studiues: F.Babinger,A.Ducellier, të cilët e quajtën “të mbushur me të dhëna të rreme”, ose si “material me të dhëna konfuze”. Me tej ai thekson se kjo kronik meriton një vëmendje dhe një vlerësim më të thelluar, andaj jo më kot pas njohjes me përmbajtjen e saj albanologu J.G. von Han e quajti kronikën si “perlën e materialeve tona për Shqipërinë”. Përveç këtyre Pëllumb Xhufi trajton edhe aspekte të tjera që kanë të bëj me Gjon Muzakën dhe kronikën e tij, duke na ofrua një tablo të plotë mbi familjen feudal mesjetare të Muzakajve e cila ishte një faktor koheziv në zhvillimet dhe transformimet politike që ndodhën në Shqipëri gjatë periudhës kohore që trajtohet në këtë libër.
Komentoni
Artikuj te tjere
Reagim, lidhur me inforamatën e lëshuar nga kryetari jolegjitim i klubit letrar ‘’Feniks’’
Nehat Jahiu: Kurbeti
Bilall Maliqi: Emra që ndryshuan historinë
Klajd Kapinova: Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë
Hilmi Saraçi: Cubeli
Mehdi Krasniqi: Ikja
Xhenc Bezhi: Poemë mërgimi
Sulejman Mato: Poezia e Arben Shehit, një rrugëtim i vazhdueshëm drejt lirisë
Jusuf Zenunaj: Nën petkun fetar
Luigi Luca Cavalli-Sforza: Algoritam
Bajame Hoxha - Çeliku: Zemra ime gjithmonë jashtë
Ukshin Zajmi: Një rrugë antike e pastudiuar e Dardanisë
Mazllum Saneja: Poezia moderne polake - Eugeniusz Kasjanowicz
Demir Krasniqi: Këqyrama njëherë surratin, tani lyp tambël prej meje!
Remzi Salihu: Rruga e një meditimi të mbarë
Ngushëllim nga Klubi Shqiptar “ Verrat e Llukës”
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Rrustem Geci: Afishe për Homerin
Demir Krasniqi: Lumë kumbara, qysh bahen belatë?
Përparim Hysi: E mira dhe e keqja