Kulturë
Klajd Kapinova: Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë
E hene, 01.02.2010, 10:57 PM
Dr. Pjetër Pepa me Nënë Terezen |
(Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë)
Refleksione rreth librit të Dr. Pjetër Pepës: “DOSJA E DIKTATURËS” (“The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator”), Ribotim i plotësuar me dokumente të reja, Tiranë, 2009
Nga Klajd Kapinova, New York
“Kur një shkrimtar e qortuan, se kishte marrë një skenë nga tragjedia e dikujt, ai u përgjigj: Ishte një vajzë, që e largova nga shoqëria e keqe, për t’a dërguar tek një më e mirë. Mora dhe unë dëshmi e fakte, deklarata e këshilla, mendime e thënie proverbiale, nga dijetarë e profetë, filozofë e martirë e si lule të bukura i grumbullova dhe i thura në kete “kurore”, që si këngë e mjelmës, vepër e parë dhe e fundit, ia kushtova dhëmbjes shqiptare.”
Dr. Pjetër Pepa
Ish Ambasador i Shqipërisë së Selinë e Shenjtë në Vatikan
Me këtë hyrje, autori në vitin 1995,
plot 15 vjet më parë, boton librin: “Dosja e Diktaturës”, një ndër
veprat më të bukura dhe të sukseshme për lexuesit shqiptarë në vendlindje dhe
diasporë. Në mënyrë sintetike dhe dokumente origjinale arkivore, studiuesi i
palodhur dhe skrupoloz Dr. Pjetër Pepa, na jep me fakte tronditëse historinë e
martirizimit të bijëve më të mirë të të popullit shqiptar dhe përmes dosjeve të
pafund të fakteve autentike peshën e madhe të pasqyrimit të diktaturës së egër
komuniste në Shqipëri, prej vitëve 1944-1990.
Për këtë vepër, ambasadori italian në Shqipëri i asaj periudhe, diplomati
Paolo Foresti, do të shkruante:
“…Ky libër, është një deshmi e mrekullueshme mbi një nga çastet më
tragjike të jetuara nga Shqipëria gjatë diktaturës enveriste. Për të gjithë
ata, që pyesin si nuk u revoltuan shqiptarët ndaj një rregjimi kaq përvers,
shifrat e këtij gjenocidi të dokumentuar në faqet e këtij libri mbetën përgjigja
më bindëse….”.
Ndërsa Kardinal i Parë në trojet
etnike shqiptare, Imzot Mikel Koliqit (1902-1997), do të shkruante:
“Të lumtë! Një meritim i madh për të mbetë në histori. Populli, që vjen
mbas nesh, ka për të pa me dokumenta ç’ka asht ba në vendin tonë. Në veçanti
Mons. Gjini, ka kenë një figurë e
shqueme. Ngjarjet i kam ndjeke nga burgu dhe me pikëllim thojsha: A do të vinte
ajo ditë, që të dalë pafajësia e atyne
njerëzve fatkeq!?. Tash po vdes kondend, se e pashë me sytë e mi, që ti e bane
këtë me librin tënd.”
“Në kohë mllefesh dhe inatesh”- do të shkruante, po për këtë vepër
Mandela i shqiptarëve, Kryetari i Kuvendit Popullor, shkrimtari Pjetër Arbnori,
është fisnikëri të zbulosh të vërtetën, për martirët dhe viktimat e rena nën
kosën e diktaturës. Studiesi pasionant Dr. Pjetër Pepa, me punën e tij
shkencore dhe voluminoze, ka bërë një punim serioz, që duhet marrë si shembull
nga historianët, që punojnë të ndriçuar nga faktet dhe liria.”
Ky libër, që u prit aq mirë nga lexuesi, pothuajse u zhduk (ble) menjëherë
nga vitrinat e librarive edhe pse qe nga viti i botimit, 1995, ai do të
botohej i përkthyer italisht me
titullin: “Paggine sulla dittatura -Terlizzi
Duke e mbyllur librin me ngjarjet tronditëse të 2 Prillit 1991, në qytetin
e tij të lindjes (Shkodër), në paragrafin e tij të fundit autori, do të
shkruante:
“Eshte ky “post - scriptumi”, i birit tënd, që nesër për të vërtetën, që
rrëfeu mund të përfundojë në një tufë lulesh …”.
Por jo. Ishte premtuar që të ndodhte ndryshe. Hulumtuesi Dr. Pjeter Pepa,
mbasi kalonte disa vite në politikën shqiptare (deputet i Kuvendit Popullor),
pak kohë në diplomacinë shqiptare (ambasador pranë Selisë së Shenjtë), e më pas
në profesion të lirë e pedagogjik, nuk do të ndahej nga shkrimet në organet e
ndryshme të shtypit dhe internet dhe botimet, qofshin ato kulturore, politike
apo shkencore.
Një tjetër vepër madhore kuptimplote dhe shumë e mirë është: “Tragjedia
dhe Lavdia e Kishës Katolike në Shqiperi” (2007), ku mbas dhjetë vitësh
hulumtime e kërkime në arkivat e të gjitha niveleve brënda e jashtë vendit, në
dy vëllime, me rreth 1500 faqe, paraqet denjësisht gjithe atë gjenocid, që pësoi
Kleri e Kisha katolike në Shqipëri, gjatë 50 viteve të diktaturës ateiste
komuniste.
Ndërsa “Dosja e Diktatures”, iu dorezua Papa Gjon Palit II, me rastin e dorëzimit
të Letrave Kredenciale dhe Nene Terezës,
me rastin e ngjarjeve tragjike të vitit 1997 në Shqiperi, ky dy-vellimesh i
vyer, që tashmë i kushtohet pikërisht këtyre dy figurave madhore, për Vatikanin
e Botën, të Lumturve Papa Gjon Pali II dhe Nënës Tereze, i dorëzohet në vitin
2009 Papa Benediktit XVI, në Shjeshin e Shën Pjetrit.
Ja tashti, në fundvitin 2009, studiuesi i palodhur Dr. Pjetër Pepa,
rishfaqet mbas 15 vjetesh, me ribotimin e veprës: “Dosja e Diktaturës”, e
plotesuar dhe përmirësuar në cilësi dhe përmbajtje, duke shtuar në vepër edhe
pjesën e dytë, në paraqitjen e së cilës shkruan:
“Plot 15 vjet më parë, fillova të qemtoj ndër arkiva dhe të mbledh
materiale historike, për tubime përkujtimore, që çuan shpejt në një libër, që
me sugjerimin miqësor të një poeti (Visar Zhitit), mori titullin: “Dosja e
Diktatures”, që u pëlqye dhe më përgëzuan gjithandej.
E thashë, që në fillim, se ajo që permblodha nuk ishte veçse
maja e një “ajzbergu” të asaj diktature. Mblodha me vonë dhe botova tjera
materiale dhe pas 15 vjetesh, tashti qe po behet ribotimi i “Dosjes”, mendova të
fus edhe diçka, që u mblodh e u shkrua gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare. Pra, të
bëhet një dalje përtej asaj periudhe 15 vjeçare, te behet një kalim i shpejtë nëpër
tjera raste të dhimbshme e tragjike, që pesuan fatkeqet e pafajshem gjate asaj
diktature te zeze. Rastet qe shtohen tashme në pjesën e dyte, i përkasin
shtrirjes kohore disa vjeçare dhe kanë kryesisht figura të shquara klerikësh e
intelektualësh.
Shpresojmë, që kjo t’i ketë shtuar diçka me vlerë “Dosjes
së Diktaturës”, që u prit kaq mirë nga lexuesi i parë. Urojmë të ja kem arritur
qëllimit.”
Pas kësaj hyrjeje të pjesës së dytë, futemi sërish në “qeli e burgje”, për të vuajtur më të pafajshmit, që torturohen e vritën barbarisht jo nga të huajt, por nga vetë shqiptarët, duke aplikuar mjerisht atë thënjen lapidare: “Quod non feccerunt Barbari feccerunt Barbarini..” (Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë) dhe, sërish edhe në këtë pjesë, lexuesi tronditet kur në copëza të shkurta e konçize lexon e jeton çaste të dhimbshme, për të gjithë ata, posaçërisht klerikë, që vuajtën, u torturuan e vdiqën nën egërsinë e një diktature të paprecedent.
Cilët janë disa nga temat e librit?
Lexuesi, menjëherë do të përballet me tituj tronditës si:
“Kleriku që e hëngrën qentë e Sh’Palit, Mirditë - Dom Mark Gjani”, “Visaret
e Kombit të përgjakur nga diktatura - At Bernardin Palaj”, “Bab e Bir të denjë
për njeri - tjetrin - Hafiz Ali Kraja (Tari) e Mehdi Kraja”, “Si e pushkatuan në
Permet meshtarin e ri - Dom Dede Maçaj”, “Si u vra i katerti i universit
Gazullian - Dom Nikoll Gazulli”, “Ikja nga Ferri i pushkatimeve - Imz. Zef Shestani, Imz. Frano Karma, Imz. Zef
Oroshi etj. Sërisht vijojnë momentet e ankthit, tek lexon si: “Vdiq apo
e helmuan oratorin e sapo shuguruar - D. Matish Lisna”, “Kardinali fatkeq
shqiptar - Dom Kolec Prendushi”, “Martirët e Revolucionit famkeq
kulturor - Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Shtjefën Kurti. ”Dr. Pjetër Pepa me Papën Gjon Pali II
“Nga altari tek morgu i studentëve të mjekësisë - fati tragjik i një
kleriku - Dom Mikel Beltoja.”
“Meshtari që dihej si i vdekur – At Anton Luli”
“Recquiem për autorin e këngës ‘Kacurrelat e tu’ - seminaristin Gac Çuni.”
“Si u mbyt në tortura Dom Engjell Deda?”
“Si u pushkatua Imzoti më i ri i botës - Imzot Gjergj Volaj.”
“Si u pushkatuan
misionarët gjerman - Dom Alfons Tracki e Dom Zef Marksen.”
“Odiseja e klerikut patriot nga
Mirdita - Dom Nikoll Kimza.”
“Funerali që solli shumë viktima - Imz. Gasper Thaëi.”
“Kleriku i parë martir nga Korça - At Papa
Pandi.”
“Meshtari që u detyrua të ndërpresë rrugën meshtarake - At Petraq Isaku.”
“Si vdiq në tortura i pari ipeshkëv katolik - Imzot Frano Gjuraj.”
“Të mbyturit ndër tortura - në Koplik, Dom Aleksandër Sirdani e Dom Pjetër Çuni;
neë Lezhë: At Serafin Koda, D.omJak Bushati etj.”
“Kleriku i parë martir i diktaturës komuniste -
At Lekë Luli”
“Si e vranë regjentin - P. Anton Harapi.”
“Klerikët shqiptare nën plumbat e komunistëve
jugosllavë - At Leonard Tagaj, At. Bernardin
Llupi, Dom Nikoll Tusha.”
“U mbyt baltërave
të Maliqit - At Josif Papamihajli.”
“Si e vranë
kolegun - Dom Luigj Pici etj…”
Libri mbyllet me
materialin historik, që i kushtohet “Gjenocidit komunist mbi Klerin katolik
ne Shqipëri”, ku ndër të tjera autori paraqet që në hyrje sakrificën e tyre
me fjalet: “Ata bënë nentë shekuj shkollim të lartë në pesëdhjetëpesë
universitete të dhjetë shtetëve të botës për Atdheun e tyre. Ata u shperblyen me pesëmbëdhjetë
shekuj torturë, hetuesi e burgje nga Atdheu i tyre!”
Më poshtë, me
dokumenta e fakte rrënqethëse diplomati studiues Dr. Pjetër Pepa, rrëfen
se çfarë ndodhi me Klerin Katolik në
Shqipëri, duke paraqitur një tabelë shumë të shkurtë, por tepër domethënëse:
Nga të gjithë ata
që diktatura gjeti gjallë, rezulton se:
1. Janë pushkatuar 29 klerikë (13%)
2. Janë mbytur
ndër tortura 29 klerikë (13%)
3. Janë burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%)
4. Kaluar ndër kriza mendore deri në
çmendi 6 klerikë (3%)
5. Janë detyruar të arratisën ose s’jane lejuar
të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%)
6. Janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%)
7. Kanë vdekur në ankth e dhimbje
pjesa e mbetur 15 klerikë (7%)
Këto dhe shumë si këto, veç sa tjerash, si: replika politike me Ramiz Alinë,
Nexhmije Hoxhën, politikanë të kohës etj., lexuesi do të ketë mundësi t’i lexojë
tashmë në faqet e “ Dosjës “ së ribotuar.Dr. Pjetër Pepa me Papën Benedict XVI
Janë rreth 500 faqe dhimbje e sakrifice, vuajtje e gjakderdhje, hetime e
tortura, dënime e pushkatime të shkruara me një ndjenjë të veçantë dashurie e
faljeje kristiane, që hulumtuesi Dr. Pepa reflekton, në çdo faqe e në çdo figurë
të përshkruar.
Lexuesi mund te mësoje me dhimbje e dashuri këtë libër, që sapo ribotohet me materiale, që
dalin nga arkivat e Mininistrisë së Punëve të Brendshme (Sigurimi të Shtetit
ose Policisë Sekrete të Shqipërisë) e shumë burime tjera arkivore brenda e
jashtë vendit.
Në mbyllje, libri paraqet disa
nga opinionet e falënderimet, që i kanë ardhur autorit, mbas botimit të “Dosjës”
së parë nga qytetarët shqiptarë brenda e
jashtë atdheut, por edhe prej ambasadorëve të vendeve të tjera të botës,
titullarë të Selisë së Shenjtë në Vatikan etj.
Një kopertinë e bukur e mjaft
domethënëse e përpunuar nga piktori i talentuar Jozef Martini, dhe nje biografi
e shkurtë e autorit që shoqëron këtë vepër.
Ribotimi i këtij libri, u mundësua
nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve dhe botohet nën
kujdesin e Shtëpisë Botuese “Kumi”.
Uroj dhe shpresoj, që lexuesi t’a ketë sa më parë në dorë “Dosjën e diktaturës”.
Kush është studiuesi Dr. Pjetër Pepa
Dr. Pjetër Pepa (1942), lindi në qytetin e Shkodrës, ku, kreu mësimet
fillore e të mesme. Në vitet 1960 - 1965, kryen me rezultate të larta
Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Emrohet mjek stomatolog, në Klinikën
e qytetit të Shkodrës.
Falë pasionit për mjeksinë, merr pjesë aktive, në sesionet e para shkencore
në shkallë vendi, që zhvillohen në vitin 1967, në vendlindje e rrethet të tjera
të Shqipërisë, sidomos ato të Fakultetit në kryeqytet.
Në vitet 1969 - 70, shërben në lokalitetin e thellë malor të Dukagjinit,
ku, vijon të mbledhë materiale e botojë tema shkencore, përkthime e botime të
ndryshme. Gjatë vitit 1974, specializohet pranë Katedrës së Stomatologjisë për
Ortodonti. Jep provimet pasuniversitare, në gjuhët italisht, frëngjisht,
rusisht etj.
Më vonë, pervehtëson gjuhën gjermane. Pengohet, për motive politike, të
mbrojë disertacionin, për gradën Doktor i shkencave, të cilën e merr në vitin
1992, me temen: “Epidemiologjia e sëmundjeve stomatologjike në fëmijtë e
qytetit të Shkodrës”.
Në periudhën 1990 - 1997, përfshihet në proçeset demokratike, duke u
zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor për dy Legjislatura rradhazi.
Ai kryen detyrën e diplomatit si Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së
Shenjtë (Vatikan), Romë gjatë vitit 1997.
Më 1998, kthehet në profesion të lirë dhe përkohësisht si pedagog i jashtëm
pranë Fakultetit të Mjekësisë, në profilin e Ortodontisë. Eshtë autor i afro
100 botimeve shkencore e propagandistike.
Ka botuar, disa libra politikë e kulturorë. Ka qenë antar i Këshillit
Shkencor të rrethit të Shkodrës dhe Kolegjumit të Stomatologjisë, pranë Ministrisë
së Shëndetësisë, për periudha të ndryshme kohore.
Botime të autorit
I - Botime shkencore:
1. “Të njohim sëmundjet stomatologjike”, 1980.
2. “Stomatologjia praktike” (Përkthim), 1981.
3. “Anomalitë e numurit të dhëmbëve”, 1981.
4. “Epidemiologjia e sëmundjeve të gojës tek fëmijtë”, 2002.
5. “Stomatologjia Terapeutike” (Përkthim, 600 faqe), Për botim.
II - Botime politike:
6. “Dosja e diktaturës”, 1995.
7. “Paggine sulla dittatura”, Terlizzi, 1998.
8. “The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator”, 2003.
9. “Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike ne Shqipëri”, 2007.
10. “Dosja e Diktatures e plotesuar”,
Ribotim, 2009.
III - Botime kulturore:
11. “Pranë dhe Larg”, 2000.
12. “Proverba nga gjithë bota”, 2001.
13. “Gjosho Vasija - Meteor i humorit shqiptar”, 2001.