E diele, 21.07.2024, 04:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Isuf Luzaj, Zbardhen ditarët e luftës

E shtune, 30.01.2010, 08:51 PM


Admirina Peçi, Gazeta Shqiptare

Ky ditar nuk mund të ketë asnjë pretendim tjetër, veç atij që të regjistrojë sa më shumë ngjarje të vërteta porsi një incizion i çastit. Gjithnjë të vërtetën, kudo të vërtetën, kurdo të vërtetën, vetëm të vërtetën. Kjo e vërtetë mund të jetë kundra interesit të përgjithshëm, do të thuhet lakuriqe; kjo e vërtetë mund të jetë jo edukative – do të thuhet e gjallë; kjo e vërtetë mund të jetë kundra meje, kundra shoqërisë, kundra ndonjë pjese të atdheut, kundra interesit historik të vendit, kundra Zotit (por në qoftë se mund të ketë të vërtetë, edhe kundra Zotit). Kjo e vërtetë në këtë ditar do të thuhet lakuriqe, e gjallë dhe pa stoli, ashtu siç lindi e siç vdiq e u varros. Në mos u ardhtë mirë të gjallëvet, në trazoftë eshtrat e të vdekurvet, do t’u vijë mirë atyre që do të vijnë, të cilët duke njohur më mirë karakterin e të shkuarvet do të njohin veten e tyre, të paktën, në atë pjesë që i përket trashëgimisë së Darvinit....” 
Isuf Luzaj, një nga figurat më të spikatura të kulturës sonë kombëtare, fare pak i njohur ndër ne, me një prodhimtari të begatë në fushën e letërsisë, historisë, filozofisë, gjuhësisë... i shkruan këto fjalë si një orientim për lexuesit, ndërsa i bën i gati të përballen me dëshmitë e tij shkruar plot nerv e stil në fletoren e shënimeve, që e quan “Ditari i përpjekjes” ose “Në shërbim të Shqipërisë (1939 -1949). 
Si një ndër dorëshkrimet e tij me vlera të pazakonta, pjesë nga ky ditar së bashku me disa ese, rrëfime vetjake, dhe pjesë nga “Ditari i mësonjësit volumi IV”, do të bien në duar të lexuesve këto ditë, përmbledhur në një libër të përgatitur nga shkrimtari Xhevat Beqaraj, botuar nga “Ombra GVG”. Por, duke u ndalur vetën në “Ditarin e përpjekjes”, lexuesve të “Milosaos” do t’u servirim për herë të parë disa fragmente mjaft kurioze, ku zbulohen pikërisht ato të vërteta për të cilat shkruan Luzaj më lart. 
Pse u shkrua ky ditar 
Luzaj, vetë na informon që në faqet e para të ditarit se arsyeja për të cilën e shkroi, është sepse “gjatë zhvillimit të këtyre ndodhivet e pas tyre, duke biseduar me autoritetet më të larta shtetërore e kulturore të vendit tonë, të gjithë më kanë lutur që ta bëj këtë punë. Besoj që shkruhet një libër vetëm kur autori është i bindur se mund t’i shërbejë shoqërisë njerëzore – kombëtare e farefisit të vogël të tij. Duke më lutur ta shkruaj këtë ditar, burrat e vendit tonë kanë kujtuar që këto faqe do t’i vlejnë ndokujt, që ndoshta prej ndonjë këndit të errët të atdheut, a larg, shumë larg atdheut, do të shkruajë historinë kombëtare të vitevet 1939-1949". 
Luzaj shpreh dëshirën e tij që faqet e këtyre shënimeve të lexohen prej popullit shqiptar, “sa më shpejt që kështu të kenë kohë të vjetrit ta kundërshtojnë o ta përgënjeshtrojnë, përse do të jetë një peng në zemër për mua po qe se ligji i natyrës do t’i ketë zhdukur (ndarë) nga kjo jetë personalitetet shqiptarë, me të cilët kam pasur marrëdhënie, kështu do të më shpëtojë rasti për t’i thënë brezit të ri: Kështu thuhet e vërteta-lakuriqe, pa frikë prej kërkujt. Askush nuk e kundërshton, askush nuk e përgënjeshtron, pra, është e vërteta”. Ky ditar, sipas tij, nuk pretendon të thotë gjëra të mëdha, të panjohura për mendimin njerëzor, “...porse ky ditar do të thotë gjëra të reja, të panjohura, zhvilluar mbëshehtësisht nga populli shqiptar; ai do të vërë theksin e gjishtin mbi plagë, atje ku populli ka harruar. Në mes shumë të metavet që ka populli ynë, është një e metë e madhe: Harresa, thoshte librari Lumo Skëndo... Ky ditar do të mundohet të demaskojë të gjithë njerëzit që kam njohur e që besoj se populli nuk i ka njohur me të vërtetë ashtu siç ishin për arsye të pozitës, ja shumë të lartë tek s’arrinte dot drita e syrit, ja shumë të ulët tek e mbulonte hija e luftës së jetës të përditshme e lënia pas dore e zakonshme e karakterit të popullit tonë, që nuk i jep rëndësinë që meriton njeriut, veçse kur ky njeri t’ia ketë dhënë këtë rëndësi vetvetes a t’i jetë imponuar shoqërisë njerëzore...” 

Pak fjalë për një kolos...
 
Shkrimtari Xhevat Beqaraj e jep me pak rreshta, por plot informacion jetën e filozofit, poetit dhe profesorit Luzaj. “Ai ka lindur në Kaninën emërshquar, në 21 shkurt 1913, kur s’kishin kaluar as tre muaj nga data zulmëmadhe e ngritjes së Flamurit. 
Pasi mbaroi Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Sorbonës, në Paris. Më 7 prill 1939, në Skelë të Vlorës e pret me pushkë pushtuesin fashist. Si delegat i Ballit Kombëtar, në Konferencën e Mukjes (gusht 1943), mbrojti tezën nacionaliste për Kosovën dhe Shqipërinë Etnike. E shohim në rreshtat e parë të çetave nacionaliste me: “Në gji e në ballë: Flamur kuq e zi”, siç e lexojmë në një varg të tij. 
Gjatë luftës takohet disa herë me Enver Hoxhën. Thirrjes së Enverit për t’u bashkuar me të, prof. Isufi i përgjigjet me këto fjalë: “Jam i sigurt që fitorja sovjetike do të mbulojë Europën Lindore dhe atë Juglindore dhe ju do ta fitoni këtë luftë. Unë nuk kam as frikë dhe as turp, siç thua ti, shok i mirë, por nuk bashkohem me ty. Unë kam turp nga ndërgjegjja ime, që nuk beson në ideologjinë Marksiste-Leniniste si zhvillimi më i mirë i popujve. Besoj në demokraci”. Në nëntor 1944 detyrohet të lërë atdheun e të marrë udhët e mërgimit. Në fillim në Austri, pastaj në Itali (edhe këtu nuk iu nda burgu)… Punoi ca kohë (dy vjet e tre muaj, siç pohon vetë), me rekomandim të Sandro Pertinit (me të cilin qe njohur në Ventotene gjatë vuajtjeve të internimit) në Bibliotekën e Vatikanit, se… 
Në vitet 1946–1950, Stalini i kërkonte qeverisë italiane kthimin në atdhe, për gjyq të popullit, për krime lufte, ndër të tjerë, edhe 10 shqiptarë. Dhe… 
10 të kërkuarit ishin: 1.Shefqet Vërlaci. 2.Mustafa Kruja. 3.Mehdi Frashëri. 4.Mit’hat Frashëri. 5.Gjon Markagjoni. 6.Kolë Bibë Mirakaj. 7.Hasan Dosti. 8.Qazim Mulleti. 9.Faik Quku. 10.Isuf Luzaj. 
Prof. Isuf Luzaj u ndëshkua nga komunistët (dhe komunizmin ai e njeh mirë, e analizon imtësisht e pamëshirshëm). U ndëshkua, se e deshi atdhenë ndryshe nga ata. Dhe, kjo donte të thoshte jo të varur nga Beogradi e Moska, por një Shqipëri Perëndimore. 
Edhe në kushte të vështira, madje tepër të vështira, nuk resht së luftuari për çështjen shqiptare, si ushtar në shërbim të saj. Dëshmi janë edhe moria e letërkëmbimit. (Sipas një bisede telefonike, ai merrte 5-7 letra në ditë). Prej asaj morie letrash, fatkeqësisht ruhet vetëm një pjesë e vogël, falë kujdesit të së bijës, Elizabetës, me shënimin e dhimbshëm: 
“Beti, vashë e vetme! Mbaji për kujtim, kur nuk do të jem më. Yt atë! 
Isuf “. 
Është ajo korrespondencë me personalitete të huaja të politikës. Ja disa prej tyre: Sharl de Gol, Alcide de Gasperi, Palmiro Toliati, Alessandro Pertini, Stanislav Mikolajçik, gjeneral Anders Vladislav… Pa harruar letërkëmbimin me njerëz të shquar të kulturës: Neruda, Borges, Theofan Noli – peshkopi ynë… 
Dhe kalvari i mërgimtarit vazhdon. Në Argjentinë, fati e ndihmoi të bëhet mik i afërt me poetin e madh Jorge Luis Borges. Le ta ndjekim në “Ditari i mësonjësit”: “…them mik e jo shok, sepse ai ish një vigan, kurse unë një vocërrak, dhe sepse ai ish një marksist shpirtërisht dhe oligark praktikisht. Lundronim në ujëra të ndryshëm”. 
Dhe, që nga viti 1965 jetoi në SHBA... Krijimtaria letrare nis që në vitet ’30 të shekullit të shkuar, me përmbledhjen poetike “Rrëfimet”, botuar më 1937. Më 1954 botoi në spanjisht, në Buenos Aires, romanin “Lumenjtë derdhen të kuq”. Doktor Isuf Luzaj ka punuar për një kohë të gjatë në disa universitete amerikane si titullar katedre dhe shef departamenti dhe si profesor i filozofisë, i letërsisë frënge, i gjuhës dhe i letërsisë spanjolle. Në vitin 1984, në jetën e prof. Isufit ndodh një ngjarje e shënuar. Në Universitetin e Indianës (ku nga katedra e filozofisë u ligjëronte studentëve, prej të pesë kontinenteve, mjerisht asnjë nga mëmëdheu i tij i largët), presidenti Regan, i ftuar i nderit, i dhuron vetë prof. Isufit medaljen më të lartë në fushën e arsimit: “PROFESOR I AMERIKËS”. Dhe, pas fjalimit lakonik të Isufit, me fjalët: “I lutem Zotit të mos jetë e vërtetë kjo që mendoj unë. Mendoj që unë kam mësuar më shumë nga ju, se ju nga unë”, presidenti amerikan duartroket, e buzëqeshur i thotë: “Më pëlqen kjo”! 
Më 27 nëntor të vitit 2000, në Çikago të Amerikës, Prof.Dr. Isuf Luzaj mbyll sytë për jetë. Dhe… Nga 2 dhjetori i po atij viti, sipas amanetit të lënë (përsëritur edhe në orët e mbrame të tij), Kanina - djepi që e përkundi dhe e mëkoi, e mban në gji të vet si nëna e dhembshur birin e saj të dashur. Veç dëshirës-amanet, që eshtrat t’i preheshin në dheun e Kaninës së tij, pati edhe një tjetër dëshirë, që e mori me vete, pa harruar ta linte edhe aty, në faqen 110 të vëllimit të katërt, të librit në dorëshkrim “Ditari i mësonjësit”: “…Do të doja që kjo medalje të varej në një gozhdë muri në Muze të Tiranës”. Besoj, shkruan Xhevat Beqaraj në fund të këtyre rreshtave, se “kjo u takon arkitektëve të Panteonit të kulturës sonë kombëtare… Mbasi të njihet edhe jeta e korpusi i veprës së tij. Shpresoj të gjendet një cep në muze, për të qëndruar aty edhe ajo medalje (dhënë nga vetë presidenti Regan). Plotësohet një dëshirë… Dhe s’është vonë. Nderi i bëhet kulturës shqiptare”.

Fragmentet e mëposhtme janë shkëputur nga “Ditari i përpjekjes” ose “Në shërbim të Shqipërisë (1939-1949). Periudha në të cilën u shkruan i përket kohës së burgimit në Itali... 

Dy data nga ditari... 

1 tetor 1940 
Sot i paraqita Fundos statutin dhe programin e Partisë Socialdemokrate, për të cilën më patën ngarkuar. Në mes të pak vërejtjeve që bëri ky mbi projekt statutin tim, qe që nuk duhej të fillonte me drejtësi shoqërore e pastaj liri politike, porse binomi duhej të fillonte me liri politike e drejtësi shoqërore. 
- Sikur ta dijë Stalin mustaqemadhi, -i thashë,- se sa shumë je larguar nga marksizmi, do të të hante të gjallë. Ki mendjen nga djelmët e Stalos. 
Ai nënqeshi e komentoi: 
- Edhe në qoftë se një ditë do të dal në gjyq me bolshevikët stalinianë, sigurisht që gjykatës nuk do të jetë Stalini. 
- Ata të quajnë heretik i komunizmit ortodoks. 
- Heretik është një fjalë shumë gjenerike, -tha Fundua,- sepse i aplikohet kujtdoqoftë të gabuarit, qoftë edhe të drejtit, mjafton që njëri të ketë fuqinë e tjetri jo. 
- Do të thuash, -i thashë, -që në mes të heretikut e të martirit s’ka ndryshim natyre, por shkalle, apo më mirë jo ndryshim shkaku, por efekti, jo ndryshim ndarjeje, por konkluzioni, d.m.th. varet emri heretik ose martir sipas ndjekësve që u vijnë pas nëpër shekuj. Kështu, Sokrati heretik i paganizmit, Krishti – heretik i politeizmit, Muhameti – heretik i kristianizmit e si ky Luteri, Kalvini, Bruno e Galilei, Savonarola – heretikë të dogmës, por mos harro që bota e mënçur dhe e qytetëruar njërit i dha helmin, tjetrit kryqin; njërit zjarrin mbi stivën e druve, tjetrit litarin në grykë; Dantes çatdhesimin e përbuzjen. Mor i gjorë, do të të presin mishtë me gërshërë djelmët e Stalos. 
Qeshi me tallje e shtoi: 
- Sa gjatë mendon ti; duhen shekuj që të ndodhin këto. Sidoqoftë, me u trëmb para rrezikut kur asht punë e atdheut nuk asht e dejë për një burrë shqyptar, -thotë Dan Aga, se Dan Aga s’e din që edhe gjermani e frëngu janë burra të fortë, edhe pse s’janë SHKARANE, -tha duke bërtitur fort si me tallje. 
Prej bisedimit në bisedim, duke shkuar nëpër gojë disa nga problemet e shumta të vendit tonë, u ndalëm në dilemën e Partisë Komuniste në Ballkan e për konsekuencë në Shqipëri. 
- Sikur ta dija, -më tha, -sot e njëzet vjet më parë se ç’konsekuenca të tmerrshme do të rridhnin në Shqipëri prej influencës sllave në ndarjen e rrymave politike e konturetizmin e partive komuniste, do të kisha preferuar më mirë të prisja gjuhë e duar më përpara sesa të punoja për marksizëm e terror, porse ku të dijë i shkreti njeri nëse bën mirë a keq kur vepron në mirëbesim. 
- Mos u dëshpëro, -i thashë,- sepse në vendin tonë ish i nevojshëm një ndriçim doktrinar i rinisë, sepse na kemi nevojë për një parti komuniste paqësore, që të rrijë më të mëngjërtë për të ekuilibruar partinë e fortë konservatore të bejlerëve, agallarëve, tregëtarëve të mëdhenj, kapitalistëve, që do të qëndrojë më të djathtë e në mes, në qendër, një parti socialdemokrate republikane. 
- Shumë optimizëm, -tha,- e në politikë optimizmi është i rrezikshëm. 
- Jam optimist këtu në ishull, -iu përgjigja, -por në vëndin tim shoh e bëj. Dhe në lidhje me sa u tha më lart, -i thashë: -U bë shumë keq që nuk u zgjodh Zef Mala anëtar i komitetit tonë qendror. Unë e njoh mirë, sepse e kam pasur për pesë vjet rresht shok klase, shumë herë shok banke e gjithnjë shok shumë të ngushtë. Është kryeneç, ambicioz, egoist, porse dhe inteligjent e kjo është e keqja. Ka diç një magazi kulture normale e më e keqja është që ushtron një influencë të fortë mbi rininë e këtushme e diku, diku edhe mbi rininë shkodrane e tiranase ku ka jetuar. Mund të ndodhë që, i fyer në prezhituozitetin (sedrën) e tij, ky kryeneç e krenar të formojë partinë komuniste shqiptare këtu në Ventotene. Ka më se njiqind djelmosha që na i rrëmben menjëherë me ndihmën e kulturës e të prestigjit komunist italian Ferraçini, Scoçimarro etj. 
- Ç’rrezik sheh ti në këtë eveniment? 
- Pas mendimit tim, rreziku është shumë më i madh, sesa duket sot në aparencën e tij të rreme e fillore (fillestare). Djelmoshat e rinj janë të dënuar të gjithë me një ose dy vjet, që kështu ata brenda disa muajsh mund të lirohen e të kthehen në Shqipëri. Brënda kësaj kohe që ata rrinë këtu, futur në stazh e disiplinë komuniste, përgatiten fare mirë si propagandistë komunistë. Kur të kthehen në Shqipëri, këta të rinj, në kontakt me rininë shqiptare, që i pret si heronjtë triumfatorë të misterit, të burgut, të martirizimit; këta janë më se njëqind komisarë politikë komunistë, që ushqyer si hudhra me vaj, me konceptet e paskrupullta të komunizmit shfrytëzojnë edhe atë çikëz popullaritet tonin, bashkë me ato të mistereve të kuq e, kur të kthehemi na, pas luftës në vendin tonë, do na bëjnë tradhtarë, heretikë të komunizmit, sepse është lehtë që këta të të paraqesin sot ty atje si antifashist, komunist shqiptar e kryetar i tyre; e si ty edhe të tjerë. 
- Unë besoj që revolucionin shqiptar antiitalian do ta bëjnë fshatarët e malësorët e jo punëtorët e qyteteve, që do të jenë komunistë. 
- Më fal, -i thashë, -porse pesëmbëdhjetë vjet që ke ndejtur jashtë Shqipërisë mund të të kenë zhdukur nga memoria strukturën e shoqërisë shqiptare. Këta të rinj që sheh ti këtu e ata që janë në qytete sot në Shqipëri, qofshin artizanalë, qofshin nëpunës të vegjël ose edhe sekretarë të fashove, të gjithë këta të rinj janë djemtë e fshatarëve e të malësorëve. Këta janë bij, nipër, kushërinj, farefis të agait, beut, pashait, bujkut, malësorit, efendiut, doktorit, bajraktarit, kryeplakut etj., etj., etj. Kur të kanalizohen këta nëpër nervat e dejet e trupit të shoqërisë shqiptare do udhëtojnë nëpër vena e aorta deri në zemër. Të ndjekur nga kuestura fashiste, mbasi që të kenë formuar Partinë Komuniste në të gjithë qytetet, këta do të dalin ilegalë në male, fshatra, fusha, korije, përronj, lugina, stane, deri në mezhdat më të largëtat e më të harruarat e ndonjë gërxhi të tharë. Duke mos qenë këta të njohur prej armikut, ka shumë mundësi që të mos bjenë në antenat e kthetrat e italianëve si neve që përkundrazi na njohin e na gjuajnë kudo e ngado. 
Nesër, i tërë populli shqiptar do të organizohet prej këtyre komunistëve e s’ka asgjë të jashtëzakonshme që këta një ditë të na vënë edhe pushkën. Nuk them që të gjithë këtë revolucion do ta bëjnë këta njëqind djelmosha të Zef Malës, porse këta do të plotësojnë atë veprim që me kohë, sot e njëzet vjet më parë, kanë filluar Fundua, Halim Xhelua; pas tyre Shpuza, totallarët; pas tyre shkolla ushtarake mbretnore e Tiranës, Liceu i Korçës, Normalja e Elbasanit me profesorë e mësonjës-dhaskalë, duke filluar që nga Perikli Mborja, deri tek Enver Hoxha, dembeli që s’mori dot një vit në universitet. 
Do të kisha vazhduar të flisja, por menjëherë më vanë sytë në sytë e tij, që ishin mbushur me lot të mëdhenj e tatëpjetë faqes së tunxhtë i binin duke u përpëlitur si shpesë të plagosura. Ishin lot të sinqertë. 
Kur kuptoi që e pashë dhe e kuptova, u ul mbi shtratin tim, pështeti dy bërrylat mbi gjunjët e tij, pështeti ballin mbi dy pëllëmbat e duarve e humbi në mendim. E prita një copë herë se mos përmendej nga ëndërrimet, por kur e pashë aq shumë të avilitur, ika e e lashë me ndërgjegjen e tij. Bënte autogjykimin e prandaj mendova: përballë ndërgjegjes, përballë vdekjes, përballë Zotit, njeriu ndihet mirë kur është vetëm fill e vetëm fill e lashë kur i mbylla derën e kameronit e luta një nxënës të ruante që të mos e trazonte askush.

27 qershor 
Cortona d’Arezzo 

Cortona është një kështjellë mesdhetare e mesjetës, nja 35 m lartësi mbi liqenin e Trasimenit. Qytezë e vogël nja 2000 banorësh, mbi një kodrinë të pyllëzuar. Ka një rrugë kryesore që quhet VIA PIANA, një gjimnaz, dy kuvende jezuitësh e françeskanësh, një vorrezë, dy shkolla fillore; një muze, një bibliotekë, një zyrë karabinerie, 7 karabinierë e nja 5-6 fashistë. Këtu janë spitalet e mëdhenj malarikë e kavalishentë. Është një qytezë e bukur e qendër klimaterike për të vobektit e qyteteve të afërme. 
Një zyrë e vogël policie anekse e një zyrë me një përfaqësonjës të kuesturës së Arezzo-s e dy sekretarë. Komisari i policisë, një burrë nja 50 vjetësh më priti mirë, d.m.th. si njeri, në dallim nga ata të deritanishmit që të trajtonin si kafshë. Pasi më regjistroi në regjistrin e tij të të internuarve, më tregoi një pension ku mund të jetoja më lirësisht: PENSIONE CAÇIATORE. Pronarët e këtij pensioni kishin edhe një restorant anonim. Atje zura vend si pensionant, me 15 lireta në ditë, fjetje, ushqim, pastrim e gjithë ç’mbetet e ç’kuptohet. 
E zonja e pensionit ish një grua e re e fortë, tip mashkullor. Ajo drejtonte të gjithë administrimin e brendshëm e të jashtëm të shtëpisë, ku i shoqi i saj ish vetëm një goshe, ëmbëlsisht nënshtruar vullnetit spontan të zonjës fjorentine. 
Këtu fillova të gëzoj pak qetësi e pushim. Një fqinjë, që quhej Anetta TRIBIOLI, vajzë beqare, 35 vjeçe, m’u gjend afër në ditë të mira e sëmundjeje e më shoqëroi pa interes gjatë gjithë kohës që qëndrova në Cortona. Anetta ish vajzë e sinqertë, e shëndoshë, e pashme, leshverdhë, sykaltër, fytyrë e trup rrumbullake, shumë e shkathët e mjaft e zgjuar. Kish mbaruar një lice klasik e fliste dy a tri gjuhë të huaja. Kish qenë mësonjëse e nëpunëse postale. Tani rrinte në shtëpi të saj e jetonte me mësime private. 
Këndonte mjaft mirë, i binte pianos si një virtuoze, ndjente e njihte muzikën klasike e moderne, kërcente shumë bukur të gjitha ballot moderne e klasike të Europës, edhe ato ruset, e ishte një balerinë perfekte, sikur të mos i jepnin pengim muskujt e fortë të rinisë së pashfrytëzuar që i kishin mbetur virgjine deri në moshën e sotme nga një deziluzion dashurie aq të fortë që s’e pagon as varri. 
E njoha, sepse ajo më dërgoi nxënës për mësime të mia që të fitoja ndonjë lirë. Erdhi pastaj ajo vetë në pension për të më prurë nxënës e prindët e tyre që të më njihnin. Më ndihmoi shumë që të rimerresha materialisht e moralisht. Ish grua superiore, prandaj ish antifashiste e demokrate. Dhimbja e madhe që e kish mbajtur të virgjër deri në atë moshë e kish izoluar nga të gjitha ambientet shoqërore të atjeshme për faktin që i urrente e i quante : Contadinaci. 
Kalonim nga një orë pushimi me një shëtitje të gjatë që në via Piana e deri në fushën e tenisit afër pyllit. Zakonisht, fliste gjithnjë ajo. Temat tona ishin letrare, artistike, filozofike. Kur unë doja që të flisja mbi fashizmin e luftën, ajo i përmblidhte me këto fjalë: të mos flasim mbi canaglie; ladri, trufatori, criminali, ignoranti, megallomani delle tre cliché: il mignolo (mbreti), il pazzo (Duçja) ed il ladron (Papa). 
Ajo njihte mirë kulturën italiane moderne. Pothuaj 20 vjet jetë i kish kaluar në vetmi, duke lexuar, e kish edhe një bibliotekë diskrete (të fshehtë) të tet. Kish një vëlla të vetëm oficer të milicisë në Firence. 
Kjo femër me mua u suall shumë mirë. Më dha punë që të jetoj i pavarur nga shtëpia e qeveria; më dha guxim që të rimirresha fortësisht pas aq burgimesh e internimesh; më dha ushqimin moral, sepse qe e vetmja shoqëri shpirtërore e imja. 
E respektova si më respektoi e, ndonëse shpirtërisht u deshëm, fizikisht e lashë ashtu si e gjeta. Prandaj jetoi miqësia. 
Pak herë në jetën time kam mundur të ruaj miqësinë në mes meje e një femre të bukur. Kjo radhë është një nga të paktat herë. Ndjenjat tona janë shumë herë më të forta se vullneti ynë kur na pëlqen persona (njeriu) që njohim. 
Kur respekti është më i fortë sesa dëshira për posedim; kur vullneti është më i fortë sesa impulsi seksual; kur çmimi është më i fortë se dashuria, atëherë miqësia në mes të një burrit e një gruaje jeton; dashuria mbetet shpirtërore e me kohë fisnikërohet aq shumë, saqë kthjellohet si një figurë e platintë në poezi. 
Dashuria e vret, e varros miqësinë në më të shumtën e rasteve në jetë, sepse dëshira për posedim errëson logjikën e vullnetit e dobësia njerëzore në gjak e mish ia lë vendin boshimit seksual. Atëherë s’ka më miqësi. Për të pasur miqësi, duhet të ketë më shumë se dashuri: adhurim. 
Për krijesën që posedojmë mund të kemi vetëm pëlqim, dëshirë, et (etje) a uri posedimi deri në çmëndje, porse kurrë nuk mund të kemi adhurim. Adhurimi është ajo ndjenjë TRASHENDETALE që fillon me admirim, respekt, nderim kundrejt personës së adhuruar derisa bindemi që ajo është diç superiore nga vetja jonë, diç më e mirë; më e ndryshme, më e lartë se të tjerat qenie njerëzore, diç që dallohet nga njerëzia e që ngjan me divinën, me qielloren, me gjeninë; atëherë vdes çdo ide posedimi, njeriu bie në gjunjë e adhuron pastërtisht si përpara figurës së bukur të Marijes. Asnjë burrë s’mendon në idenë e një posedimi seksual të një figure aq të bukur qoftë edhe në pikturë. Sa herë kemi dashur posedimin e një femre që e kemi parë vetëm në pikturë, qoftë edhe pas vdekjes, porse kurrë s’e kemi menduar këtë ide të errët për sa i përket Marijes së Krishtit. Kështu e desha e kështu e admirova Anetta Tribioli-n. 
+++ 
Në Cortonë gjeta edhe tre të internuar shqiptarë: Ali e Ferik Agolli nga Dibra e Ali Klisurën, siç e shkruan ai vetë emrin e tij. Ali Agolli, një burrë shumë i zgjuar e fisnik në shpirt; Ferik Agolli, një djalë i mirë e besnik; Ali Klisura, një shqiptar i mirë, orator shumë i mirë, burrë me nerva e trim, me një kulturë relative me kohën e tij e me jetën e movimentuar të tij në mes të politikës e imigracionit. 
Aliu e Feriku jetonin në të njëjtin pension ku jetoja unë, ishin në katin e sipërmë, në një dhomë të vogël, për arsye se kishin një radio klandestine për të dëgjuar lajmet e luftës drejt e nga Londra për 5 a 6 orë në ditë rresht. 
Ali Klisura jetonte vetëm në udhën e Jezuitëve. Ishte me gruan e me vajzën e vogël, Bubushin. 
Kur i lexova Ali Klisurës procesverbalin e Partisë Socialdemokrate të themeluar në Ventotene, refuzoi të merrte pjesë. 
- Megjithëse jam, -tha, -me mish e me shpirt qind për qind me programin e saj shumë të mirë. 
Më pohoi që bënte pjesë në një organizatë nacionaliste të formuar prej Koculit, në të cilën bëjnë pjesë edhe shumë personalitete të tjerë që sot janë fashistë me emër, por që në shpirt janë me ne, - më tha. Emëroi (Përmendi) Mehdinë e Mit’hatin, Çobën-plakun, Dom Ndre Nikajn, Lef Nosin, Isuf Agallinë nga Kosova e shumë të tjerë. Më pyeti nëse unë isha në korent a në kontakt me këtë organizatë, që do të quhej Fronti Nacional i Lirisë e unë i thashë të drejtën. Përballë një sinqeriteti të thellë është zor që njerëzit e thjeshtë të jenë shumë misteriozë. Atëherë më puthi me lot në sy. 
+ + + 
Jetën time të përditshme në Cortona e rregullova kështu: Që prej orës 7 deri më 12 të drekës – mësime private, latinisht, frengjisht, inglisht, arithmetikë, fizikë, kimi, studentëve të gjimnazit. 5 orë të përditshme. 
Prej orës 12 deri më 13 pushim. Prej 13 deri më 14 drekë në restorant; 14 deri në 16 pushim. 16 deri në 19 studime private psikologji e sociologji italiane, që njihja shumë pak, për arsye të programeve universitare franceze, që ishin shumë franceze. 19 deri 20 restorant; 20 deri 21 ose 22 shëtitje me shokët shqiptarë në bisedime politike, shoqërore, miqësije e tjera. 22 deri 24 lajmet me radio me të dy vëllezërit Agolli. Prej orës 00 deri 6.30 të mëngjesit gjumë. 
Një jetë e rregullt lë kohë edhe për argëtim; një jetë e rregullt pasuron shumë magazinën e memories me njohuri të reja kulturore; një jetë e rregullt është kënaqja më e mirë e jetës, qoftë edhe pse artistët e mëdhenj thonë: me riprodhue me memorie njoftime të mësuara nuk është punë e madhe. Punë e madhe është me krijue gjëra të reja e vepra të panjohura prej mendjes së njeriut. Pas mendimit tim modest, mëndja më fisnike e njeriut është me njoftë, me shkue në thellësi të problemeve; me shtrue e me zgjidhë probleme, me kërkue me kureshtje të etuar misteret e natyrës, me zbulue sekretet e natyrës e gjithnjë me njoftë, me njoftë e me njoftë. 
Tre muajt e Ventotenes më vlejtën me njoftë shoqërinë italiane, opinionin inglez, sepse ishin më se 50 inglezë të internuar dhe leximin e bluarjen (përvetësimin) e pothuaj njëqind volumeve të filozofisë italiane moderne.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora