Kulturë
Mikel Gojani: Një botë letrare e pasur, e nuancuar dhe shumështesore
E premte, 29.01.2010, 09:33 PM
![]() |
Nasi Lera |
NJË BOTË LETRARE E PASUR, E NUANCUAR DHE SHUMËSHTESORE
Nga Mikel Gojani
Nasi Lera, shkrimtar shumë i afirmuar në letërsinë shqipe. Njihet nga prozatorët më kualitativ dhe më të frytshëm në letërsinë tonë bashkëkohore. Ka shkruar tregime, romane, por edhe ka përkthyer nga disa gjuhë të huaja shumë vepra letrare. Ka botuar këto vepra” “Duaje emrin tënd (1999), “Të jetsoh kohën (1884), “Njeriu pa stinë” (1997), “ Ana ZH” (1995), “Ulërimë e heshtur (1996), “Ngjallja e diktatorit (1992), “Bora e fundit (1972), “Nisemi, djema! (1977), “Balada e vetvetes (1990), “Orët e qytetit tim (1986), “Era e pishave (1976), “Tregime të zgjedhura (1985), “Duaje emrin tënd (1981) etj. Jeton dhe vepron në Tiranë.
Bota letrare e tregimit të Nasi Lerës
Tregimet e Nasi Lerës shquhen për nga begatia e përmbajtjes e laryshia e trajtave stilistike, për nga procedimet e pasura narrative dhe nga trajtat e organizimit të subjektit e të kompozicionit. Nëse detajet e përzgjedhura, si element kryesor i poetikës së tegimit, bota letarare e tregimit të Nasi Lerës është e pasur edhe me procedimet e ndryshme narrative: me lirizmin narrativ, me zbëerthimet dialogjike të botës intime të personazhit e, më së shpeshti, me depërtimin monologjik e me prirjen për përshkrim e vrojtim të botëes përreth personazhit. Krahas shumë prozatorëve që u paraqiten në fillim të viteve `70 në botën e prozës shqiptare, tregimtari Nasi Lera përpos mjeteve shprehëse, përdor më mirë dialogun dhe shquan ndjenjën poetike? ngjarja mplekset me lirizmin, duke e shtruar ritmin poetik të rrëfimit, thur me zotësi subjekte dramatike, fabulat janë të thjeshta e më pa ndërlikime, gjë që tregon pjekurinë e tregimit letrar të asaj kohe. Këto cilësi hasen që në vëllimin e parë me tregime “Era e pishave”. Kështu, me tregimin “Era e pishave”, titull që mban edhe libri, autori në qendër të trajtimit artistik merr një temë dashurie: një mësuese është e zhgënjyer nga i dashuri. Përshkrimet jepen të bukura, kurse jeta e përditshme e mësueses paraqitet me detaje të përzgjedhura, të dhëna mjeshtrisht. Mësuesja gjen përkrahje te njerëzit e mirë. Këta njerëz, të ngritur moralisht e shpirtërisht, e ndihmojnë mësuesen të ringritet përsëri e të zërë vendin e sa në jetë. Nëpërmjet vëllimit tjetër me tregime “Dita e tretë”, ky vëllim, jo vetëm që e arrin ta prezentojë denjësisht këtë tregimtar, mirëpo paraqet edhe fizionominë krijuese të tij, freskimet e temave, për zgjedhjen e lakmueshme të detajit të subjekteve. Lexuesi i mësuar me tregime të nivelit të reportazheve, të një subjekti të sforcuar me hepiende socrealiste, me montime, po ashtu të sforcuara subjektore-tematike, kësaj radhe ai po përjetonte një përmasë tjetër estetike, të çliruar përmasë që depërtonte në anën psikologjike të personazheve e në anën e brendshme të fenomeneve. Personazhet e tregimeve ligjerojnë kryesisht në veten e parë. Tri tregimet e ciklit të parë “Gezhojat e pushkës”, /me tematikë nga Lufta e Dytë Botërore/ në Shqipëri, shquhen me vlera të theksuara përmbajtësore e estetike. Ngjarjet e luftës i japin fytyrë dhe fizionomi karaktereeve të njerëzve, por ato gjithashtu zbërthejnë edhe botën e brendshme të këtyre karaktereve, zbërthejnë psikologjinë e tyre. Në tregimin “Shiu fillon kur bashkohen retë”, shoferi i ballafaquar me shtërngesat ekonomike, blen një makinë për të siguruar ekzistencën. Makina bëhet pjesë e jetës së tij. Kështu, shkallë-shkallë nasi Lera me vëzhgime të holla psikologjike krijon atmosferën e ftohtësisë në mes të shoferit e familjes, sepse kujdesi për familjen dashuria preindërore e bashkëshortore zëvendësohet me kujdesin për makinën e me luftë për ekzistencë.
Ndër tregimet më të bukur, jo vetëm të këtij loibri, po përgjithësisht të tregimtarisë së Lerës, është ai me titull “Dita e tretë e luftimit, që ka për bazë tematike konfliktin e lindur me dy vëllezërve në fillim të luftës. Omer Halili, vëllai i Mujo Halilit, nuk ka pranuar të dalë partizan me vëllanë, prandaj gjendet në anën e forcave të reakcionit, sepse partizan qenkan djemt e Isuf Mejdanit, vrasësit të babit të tyre. Sprova është dramatike dhe madhështore. Ndarja vjen nga jehonat e rënda të të kaluarës, por jo edhe si ndarje e prerë shpirtërore. Më shumë se sa përshkrimeve e zhdrivillimit të ngjarjeve, autori u lë hapësirë shpalimeve të brendshme. Kështu, kjo ndarje , duke u inkorporuar fare lehtë dhe disktretshëm jehonat mitologjike kombëtare, vjen si jehonë nga thellësitë vitale të qenies sonë kolektive të ekuilibruar dhe të harmonizuar përmes një mjeshtrie të rralë tregimtare. Tregimi del si rrëfim parabolik dhe përmes emrash nga e kaluara jonë legjendare-mitologjike. Si në këngët tona epike legjendare, edhe në këtë tregim përmasat e shpalimit të brendshëm janë me përmasa mbi jerëzore, me përmasa të tilla janë edhe kur shpalohen zemërimi, dashuria, krenaria, urrejtja dhe vaji. Të duket sikur jeta në mes tyre ka krijuar një humnerë që nuk mund të kapërcehet. Dhe, pikërisht, këtu do të vendoset poenta e tregimit: a do të ngjadhënjejë tërë ajo trëshëgimi e pasur shpirtërore nga babai dhe Tradi, që përplasen dhe gjejnë pikëtakime me vizione madhështore të kohës, apo do të mbetet përsëri në mes tyre humnera? Mujo Halili është plagosur në një betejë dhe shërohet në një spital. Aty përballë vëllaut gjendet Omeri, po ashtu i plagosur për vdekje. Takimi në lokalet e ambulancës nuk ka kurrfarë improvizimi sentimental, por dramatik, krejtësisht në heshtje. Takim sikur do të takohen dy bjeshkë, të ngarkuara me trashëgimitë historike të kolektivitetit shqiptar. Problemet morale, si dhe problemet failjare e ato të dashurisë përbëjnë boshtin tematik të pjesës së dytë yë librit /tregimet:” Në hotelin e qytetit të largët”, “Nën çatinë e re në dimër”, “Mbi urë”, “Bora e fundit” dhe “Shqetësimet e skulptorit të ri”/. Nëse në lexim të parë të duket sikur këto tregime nuk kanë konflikte të brendshme, ato në vete bartin një dramacitet të fortë e të kondenzuar. Te tregimi “Bora e fundit”, Sandri nuk e lë të fejuarën e tij, Teftën, të ndjekë mësimet në universitet. Mirëpo, Tefta e ka personalitetin e saj të pavarur, e cila e prish fjejesën, duke sakrifikuar dashurinë ndaj Sandrit ziliqar. Te Tefta jehojnë përmallimet e të kaluarës, kurse Sandri, sado që hiqet i emancipuar, iu bindet konvencave të tij. Ndërkaq, një shpalim shqetësimesh të pasura e të ndjeshme të krijuesit në aktin e krijimit, përkatësisht të skulptorit të tregimit. Shqetësimet e skulptorit të ri” përbëjnë thelbin e tregimit, me poentën për ta paraqitur të vërtetën e për t`i dhënë shpirt e trajtë materies. Në tregimin “ Në hotelin e një qyteti të largët”, biseda e zhvilluar gjatë një udhëtimi me një të panjohur, të duket se është aq temë e njohur dhe aq e freskët: secili prej nesh I ka rastisur të zhvillojë të tilla, por këtu ndjehet fuqia e bukuria e rrëfimit. Katër tregimet e pjesë së tretë / “Atje ku zbresin ujëvaret”, “Ti s`duhej të qajë”, “Udhëtim në dimër” dhe “Dy njerëz mes acarit:/, trajtojnë ndodhitë dhe përjetimey e jetës së shoferëve. Nëse të duket se rrëfimet janë të njëllojta dhe të përsëritur nga aspketi tematik. Lera arrin që të jap esencën e mesazhit artistik dhe poentën origjinale.
Tregimet dhe novelat e vëllimit “Ulërimë e heshtur”
Prej librit të tregimeve “Dita e tretë” e deri te “Ulërimë e heshtur” gjendet një distancë kohore prej një gjashtëm,bëdhjetë vjetësh. Dhe, nëse i lexojmë përnjëherësh, do të vërejmë po të njëjtën përmbajtje të pasur, të njëjtën nervaturë ligjërimore e unitetit stilistik. Në këto tregime dhe novela, si e përkufizon zhanrin e tyre letrar shkrimtari, hetojmë një prirje tjetër, universale, më shumë filozofike-refleksive. Aq të ngjashëm këta libra e. megjithatë, dallimet janë aq të prekshme: këto dallime lidhen me kontekstin e situatës letrare e të artikulimit të ideve të tregimit. Tregimet e këtij vëllimi kanë një potencë të fortë narrative dhe shkathtësinë artistike të intonimit të rrëfimit, si shprehje e përvojës së tij të pasur letrare-jetësore, po edhe si shprehje e përvojës së tij të pasur letrare-jetësore, po edhe si shprehje gjithnjë e më të thelluar për vrojtime më të thella refleksive. Vetmia, preokupimi me vdekjen nga shumë kënde vëzhgimi, me probleme ekzistenciale e me ato të situatës së absurdit, janë vetëm disa pika kyçe të kësaj proze në këtë vëllim. Në tregimin “Vdekja e shkrimtarit”, vdekja e shkrimtarit A.Zh. është shkas për refleksione të narratorit, i cili rrëfen në veten e parë, për t`u identifikuar, në momentet kyçe të tregimit, edhe vetë narratori me vdekjen e krijuesit. Situata ekzistenciale e mjekut e mjekut që është i shtërnguar t`ia bëjë autopsinë kufomës, kalon në rrafshe tjera refleksive – narrative:”qëndroja pranë shkrimtarit A.Zh. I mërzitur, si të qëndroja pranë një perëndie të poshtëruar”. Shkrimtari, si personazh tregimi, i kishte bërë autopsinë e çmendurisë së botës përreth, derisa në fund, përreth 10 vjet, ishte edhe vetë i çmendur: “apo çmenduria ishte vazhdim i natyrshëm i jetës?” Situata ekzistenciale e krijuesit është e tejskajshmërisht absurde. Te tregimet e Lerës, rrëfimi dhe preokupimet dalin plotësisht shumështresore dhe dinamike. Simbolika, situata e fugurave, imazhi ekspresiv e sidomos detaji psikologjik përbën poetikën e mirëfilltë të këtyre tregimeve, duke e readhitur shkrimtarin në mesin e autorëve me artikulim të shquar modern.
Proza romaneske e Lerës
Sikundër në tregime, edhe në romane, bota letrare e Nasi Lerës është e pasur, e nuancuar, shumështresore dhe që sjell freski në prozën tonë. Për dallim nga krijuesit tjerë, Nasi Lera, në burimet dhe në rrethin tematik të prozës së tij, preokupiohet më shumë me çeshtje aktuale ekzistenciale të rrethit dhe ambinetit në të cilin jeton. Me përjashtyim të romanit “Gjaku i prillit”, i cili trajton ditët e para të pushtimit fashist, romanet tjerë merren me aktualitetin ose me parabola fantastike-simbolike. Proza e Lerës përmban një formë specifike të trajtimit të lëndës romaneske, prandaj edhe leximi i kësaj proze kërkon zbërthimin e modelimit të botës së tij letrare, specifika të procideut krijues. Lera ka një botëkuptim të qartë ndaj realitetit dhe posedon magjinë e rrëfimit romanesk. Ai trajton shumë dukuri të jetës sonë sociale e ekzistenciale, trajton shumë dukuri të botës shpirtërore e shumë dimensione të realitetit. Bota e vperave të Lerës është shprehje e krijuesit gjithnjë të shqetësuar, e krijuesit, në dukje të parë të qetë, por që në shpirtin e tij burojnë shumë energji krijuese për të depërtuar në brendi të kundërthënieve dramatike të realitetit. Te romani i parë “Gjaku i prillit” autori zbërthen disa aspekte të Luftës Nacional-çlirimtare. Mirëpo, si veprër, pothuajse, e lënë në heshtje nga studiuesit e letërsisë e kritika letrare, ky roman dallon për shumëçka nga letërsia që trajton këtë temë: në radhë të parë, përmes personazheve ai e kundroi jetën ashtu si ka ndodhur e jo me çdo kusht të krijoi heroin pozitiv, ndonëse romani e jep embrionin e ngjarjeve që do të pasojnë. Kërkesa për heroizmin e pashembullt, për heroin si bartës të idealeve klasore, sipas një skematizmi si dukuri letrare, te kjo vepër gjen një thurje interesante dhe të pahetueshme, ashtu sikundër shkrimtari kishte arritur të vepronte edhe me zhanrin e tregimit. Romani “Gjaku i prillit” ë qendër të fokusimit artistik vë ditët e para të pushtimit fashist. Në të vërtetë trajton ditët e fundit të mbretërisë së Zogut dhe ditët e para të këtij pushtimi, përmes një fabule jashtëzakonisht interesante e origjinale. Është personazhi kryesor i romanit, një djalë i paemërtuar nga romansieri, i cili del nga shtëpia për të kërkuar babanë e tij e të afërmit tjerë, të cilët ia kishin mësyer limanit të Durrësit për ta luftuar pushtetin që po sjkilte tokat shqiptare. Gjatë këtij udhëtimi ai përjeton ngjarje interesante dhe të rënda, zbulon shqetësimet e njerëzve, ikjet e tyre nga shtëpia për të gjetur strehim nëpër fshatra të thella etj:” thuhej se nga deti po vinte i huaj për të pushtuar vendin”. Në roman autori përdor mjaft shtresa figurative, sikundër janë ato të natës, që simbolizon te keqen, tradhëtinë e fashizmin, si dhe ato Gurin e Sizifit, i personifikuar te një top që e çojnë përpjet nje kodre tre ushtarët. Këto shjtresa, si dhe monologët e brendshëm i japin një bukuri e përjetim të veçantë leximit të këtij romani. Përshkrimet e shumta ambientale,detajet e shpeshta, elementet e veçanta etnopsikologjike, përshkrimet e përgjithësuara të atmosferës politike të kohës, atmosfera e përgjithshme e jetës së njerëzve të thjeshtë, të gjitha këto jepen përmes sintezës së vështrimit të fenomeneve të jetës nën prizmin e shkrimtarit bashkëkohor. Autori gërsheton elementet psikologjike me ato socialpsikologjike e socialpolitike. Lufta i bashkon njerëzit me bindje të ndryshme paraprake si domosdoshmëri historiko-shoqërore për veprime të përbashkëta. Dhe, ky bashkim i tillë e kjo domosdoshmëri përbëjnë faktorin ekzistencial të tyre, por ato veprojnë të motivuar edhe nga vetëdija patriotike, vetëdije e cila gërshetohet me motive të veçanta njerëzore. Romani “Të jetosh kohën” ngritet mbi formimin e personalitetin e njeriut që nga fëmijëria deri në moshën e pjekurisë, kur individi ka zotësinë e tij për të rezonuar e shfaqur bindjet e tij, për të ndihmuar, punuar e mbajtur qëndrime. Vepra është shkruar në veten e parë, pra që e bën shpalimin e vetvetes dhe ndahet në katër kapituj, ku secili kapitull do të paraqiste një fazë të caktuar të jetës, duke filluar që nga fëmijëria, e cila, si rendom, e percakton në shumë aspekte formimin e personalitetit si fazë e shkallës së pjekurisë, e vetëdijësimit dhe e dilemave dalin në jetë. Aty autori shpalon preokupimet dhe ambiciet e personazhit, por edhe karakteret e njerëzve.
Qëndrimin kritik përballë makinerisë burokratike të pushtetit, romansieri Lera e shfaq edhe në romanin “Orët e qytetit të vogël”. Romani “Nata e premierës” i shkrimtarit Nasi Lera konsiderohet vepra më e rëndësishme në opusin e pasur të këtij shkrimtari të frytshëm. Në qendër të preokupimeve të tij janë problemet ekzistenciale dhe problemet të tjera të përgjithshme që e shqetësojnë individin. Subjekti i prozës së këtij autori në të gjitha rastet identifikohet me fatin jetësor të njeriut, të individit dhe kolektivitetit të caktuar, me krajatat, traumat, shqetësimet, mirëpo kemi edhe personazhe që karakterizojnë edhe jetën idile. Autori kredhet me meditime, i nxitur nga aktet konkrete të jetës. Prandaj, te proza e tij në të shumtën e rasteve njeriu del si subjekt i atakuar, të cilit shpeshherë në ngjarje u jepet roli i objektit eksperemiental. Këtu, pra, kemi të bëjmë me një mozaik idesh, imazhesh, përfytyrimesh e refleksesh nga e sotmja. Reflekse të reja në opusin e tij letrar, Nasi Lera sjell edhe në romanin “Balada e vetvetes”. Pas leximit të këtij romani nuk është vështir të kosniderohet se proza e këtij shkrimtari ruan tiparet e mëparshme të saj, siç janë, kontakti i drejpërdrejtë me jetënb, shaplimi i botës së brendshme dhe vendosja e saj kryesisht në sfondin e vendlindjes, por edhe në mjediset tjera të atdheut. Këtu vërehet sintetizimi dhe eliptizmi i shprehjes, gërshetimi i figurave dhe i botës intime dhe i mendimeve prozaike, ritmi dhe intonacioni i gjallë që shprehet në prozë. Proza e Lerës sjell edhe disa veçori të reja ideoartistike, si qëndrimin kritik ndaj jetës dhe dukurive, forcimi i sugjestivitetit etj. Romanin “Balada e vetvetes” të shkrimtarit Nasi Lera e përshko nje frymë, ndjeshmëria e shprehjes pak a shumë e përbashkët që e bën atë të jetë një terësi homogjene prozaike. Në roman zhvillohet një jetë e gjallë rinore dhe pse me mjaft sakrifica shpirtërore. Zhvillohet një botë e gërshetuar me një natyrë plot bukuri, që me mjaft vështirësi mund të përshkruhet, si peizazhi që e rrethon atë realitet, si pyjet, që shtrihen si kurorë përgjatë atyre vendeve, bregdetio, pantacionet, lumenjtë, fshatrat, qytetet etj. Lera në këtë prozë nuk i fsheh por u rri ndesh kontradiktave jetësore. Ai e koncepton jetën si luftë.
Fantazma e diktatorit dhe klithma e ankthit shpirtëror
Shkrimi romanesk i shkrimtarit Nasi Lera, ngërthen në vete atë lehtësinë e observimit artistik që shtrojnë rrjedhat kompozicionale të romanit tradicional. Shkrimtari Lera, në këtë mënyrë thellon një përvojë brenda opusit individual, duke kërkuar kulmet në rrugën e kësaj përvoje, duke vërtetuar se ka krijuar hapësirat artistike. Vetë titulli i romanit “Ngjallja e diktatorit” ka diçka nga fantastikja, megjithëse shkrimtari ka bërë që romani të marrë një ngjyrë sa më realiste eddhe nëpërmjet elementit fantastik. Ky roman është një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm shoqëror me ankthin që shkakton totalitarizmi, ashtu siç thotë vetë shkrimtari se titulli më i goditur për romanin do të ishte “Klithma”. Kështu, autori tregon se në shumë vende të Evropës Lindore sapo kanë dalë nga diktatura e gjatë, por mendon se hija e saj është ende e gjallë, diku e strukur në nostalgji, në frikë, në dhunë, në hakmarrje. Sipas Lerës, kjo hije është e rëndë edhe për arsye se kjo hije vjen nga shekujt dhe historia. Pra, me fjalë të tjera, ky roman trajton një tematikë postotalitare-ngjalljen e diktatorit në një shoqëri që ka jetuar gjithë tmerret e dikataturës.
Shkrimtari Nasi Lera, me veprën e tij do të zë një vend të merituar në mesin e rrjedhave karakteristike të letërsisë sonë
Shkrimi romanesk i shkrimtarit Nasi Lera është i lexueshëm, i cili ngërthen në vete atë lehtësinë e observimit artistik që shtrojnë rrjedhat kompozicionale të romanit tradicional. Shkrimtari në këtë mënyrë thellon një përvojë brenda opusit individual, duke vërtetuar se ka krijuar hapësirat artistike.
Kështu, në përfundim mund të konstatojmë se veprat e Nasi Lerës, si tërësi strukturale, brenda të cilave është krijuar realiteti estetik, janë realizuar artistikisht nëpërmjet të një sistemi të pasur figurative. Ato, në një anë dëshmojnë për vlerat e mëdha ideoartistike të veprave të tij, në anën tjetër, për kuptimin e sëndërtimit të së vërtetës jetësore dhe ekzistenciale të njeriut. Figurat në krijimtarinë e këtij shkrimtari janë në funksion të një dëshmie të thellë sugjestive të realitetit. Lera, në të gjitha veprat e tij ka krijuar nga një botë në vete. Autori, krahas qasjes që i bën realitetit, begaton edhe botën specifike të artit të tij, duke ngritur monumentin krijues brenda të cilit është gdhendur përjetësisht jeta e njeriut.
Shkrimtari Nasi Lera, me veprën e tij do të zë një vend të merituar në mesin e rrjedhave karakteristike të letërsisë sonë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Blerim Rrecaj: Ndoshta një marrëzi…
Fatos Kongoli: Sarkozi e bën Kalorës të Legjonit të Nderit
Zef Gjata: E ardhmja e Kolecit
Nuredin Ahmeti: Qemajl Morina, ''Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian
Demir Krasniqi: Hoxha në minare dhe gratë e mëhallës
Halit Bogaj: Barbra Streisand
Cikël poetik nga Vullnet Mato
Sami Islami: ''Kakarisjet'' e Tadiqit
Alma Hoti: Femra vazhdon të konceptohet si punëtore shtëpie
Cikël poetik nga Genc Kastrati
Zef Mulaj: Hëna pikon memorje
Cikël poetik nga Remzi Salihu
Halit Bogaj: Banda e egër
Poezi nga Engjëll Koliqi
Albert Zholi: Flet shkrimtari dhe ish Drejtori i teatrit t ë Korçës, z. Petraq Zoto
Pilo Zyba: Kënga arvanistase dhe magjia e saj
Mihai Antonescu: Syri i gjumit mbi krojet e Kosovës
Halit Bogaj: Bert Llankaster (1913-1994)
Demir Krasniqi: Një kodër varre
Sami Islami: Kur Rasku e Veli ikën nga fshati