E diele, 28.04.2024, 10:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuredin Ahmeti: Qemajl Morina, ''Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian

E premte, 29.01.2010, 06:29 PM


Mr.sc. Nuredin Ahmeti

MR. QEMAJL MORINA, “LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT NË SHTYPIN EGJIPTIAN (1878-1881)”, “DITURIA ISLAME”, PRISHTINË, 2006, FQ. 190.

“Libri është kopsht që mbahet në xhep”
                                                                     (Proverb i vjetër arab)

Paqja e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit ishin dy tregues të qartë për popullin shqiptar se padrejtësia po vepronte bindshëm në dëm të tij. Për shqiptarët, në këto dy konferenca, por edhe të tjerat që do të pasonin, “matja u bë me kut tjetër”, përkatësit u zbatuan të tjera standarde kundruall popujve fqinjë. Në fakt ndodhi ajo që e ka konstatuar qëmoti urtësia popullore se “Drejtësia është në anën e të fortit”.
Duke i parë këto padrejtësi që po i bëheshin popullit shqiptar, pas Marrëveshjes së Shën Stefanit (3 mars 1878) dhe në prag të Kongresit të Berlinit (13 korrik 1878), burrat më në zë të asaj kohe, si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, e shumë të tjerë, përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, u mblodhën në Prizren më 10 qershor 1878, ku edhe formuan Kuvendin e Parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Nga ky Kuvend mbarëshqiptar u morën vendime për veprimet e mëtutjeshme të krerëve të Lidhjes.
Nuk ka dyshim se vendosmëria e këtyre burrave për t’i thënë “stop” copëtimit të tokave shqiptare pati jehonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), si një organizatë politiko-ushtarake bëri që shumë burra shteti të kohës të merreshin seriozisht me çështjen shqiptare, por jehona e saj nuk mori fund me kaq. Lidhja e Prizrenit pati jehonë të jashtëzakonshme edhe në shtypin e kohës, ndërsa shumë gazeta prestigjioze u morën seriozisht me ngjarjet që po zhvilloheshin në tokat shqiptare.
Andaj trajtimi i këtyre ngjarjeve në kontekstin e shtypit të kohës është pa dyshim në interesin e përgjithshëm, e në veçanti për studiuesit e kësaj problematike.
Në mesin e shumë gazetave të kohës që shkruan për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ishte edhe shtypi egjiptian, të cilin e trajton libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian (1878-1881), i autorit mr. Qemajl MORINA, botuar nga shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë, 2006, fq. 192.
Studiuesi tashmë i njohur, mr. Qemajl Morina, pas një pune ngulmuese e të gjatë në hulumtimin e tij në Bibliotekën Kombëtare të Egjiptit në Kajro, arriti ta kurorëzojë me sukses angazhimin e tij shkencor, duke na ofruar librin  “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian (1878-1881).
Autori në këtë libër si objekt hulumtimi i ka dy gazetat më prestigjioze të kohës në Egjipt: 
1. Vkai Misrije (Ndodhitë e Egjiptit), numri i parë i së cilës është botuar më 3 dhjetor të vitit 1828 dhe
2. El-Ahram (Piramidat), numri i parë i kësaj gazete është botuar më 27 dhjetor të vitit 1875.
Libri hapet me parathënien dhe më pas vazhdon me shkrimin që mban titullin “Çështja shqiptare në shtypin e Egjiptit,” ku autori vë në fokus të trajtimit personalitetin e njohur të Egjiptit modern, mbretin me prejardhje shqiptare, Mehmet Ali Pashën. Ky burrë shteti në kuadër të modernizimit të Egjiptit do të arrito ta themelonte edhe shtypshkronjën e parë në këtë vend, ndërkaq fryt i punës së saj ishin edhe dy gazetat e lartpërmendura. Interes për ne përbën fakti se këto gazeta do t’i përcjellin vazhdimisht ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Edhe pse këto dy gazeta marrin informacione nga agjencitë e huaja të kohës, apo edhe nga shtypi i ndryshëm i kohës, prapëseprapë shohim se ato gjatë informimit janë objektive në shumicën e rasteve.
Megjithëse libri nuk është i ndarë në kapituj duket se kjo dhe përmbajtja interesante bëjnë që libri të lexohet me një frymë. 
Në shkrimin me titull “Çështja e Lidhjes Shqiptare”, (fq. 19) ndër të tjera potencohen edhe qëllimet e Lidhjes, me ç’rast gazeta “El-Ahram”, nr. 120, dt. 3 nëntor 1878, shkruante: “Lidhja ka dy qëllime që mundohet t’i arrijë: 
1. Mos t’ia dorëzojë Malit të Zi asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare, dhe 
2. Shqipëria të fitojë autonominë”. 
Por gazeta në fjalë vë në pah edhe dëshirë e disa anëtarëve të Lidhjes për t’u shkëputur përfundimisht nga Turqia (fq.21).
Kurse gazeta “Vakai Misrije”, nr. 808, dt. 27 prill 1879, vë në spikamë angazhimin diplomatik të krerëve të Lidhjes, duke theksuar: “Pritet të arrijë së shpejti në Romë një delegacion shqiptar, i cili do të protestojë kundër dhënies së Epirit Greqisë,... Delegacioni përbëhet prej Abdyl Begut dhe Mehmet Begut. Thuhet se do të nisen edhe për në Paris”, (fq. 26-27).
Libri i autorit mr. Qemajl Morina vazhdon edhe me kontribute dhe me të dhëna të tjera, interesante, të cilat e shtojnë kureshtjen lexuesit dhe njëkohësisht e begatojnë librin.
Shtypin egjiptian e shohim vazhdimisht të angazhuar për përcjelljen e aktiviteteve të Lidhjes, sepse, siç duket, Mbretëria e Mehmet Ali Pashës kishte pasur një ndikim të madh. Në vijim të librit del se shtypi egjiptian bën fjalë për ngjarjet që ndërlidhen me përleshjet në kufijtë shqiptaro-serbë (fq. 29-30), aktivitetet e Lidhjes (fq. 31), për të vazhduar me përshkrimin e përpjekjeve të Lidhjes për mbrojtjen e kufijve veriorë (ata me Malit të Zi) (fq. 55), pastaj për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë (fq. 59), Hotit e Grudës (fq. 65). Gazeta “El-Ahram”, nr. 183, e 20 janarit të vitit 1880, theksonte: “Shqiptarët me rezistencën e tyre penguan Malin a Zi të kënaqej me atë që ia kishte dhënë traktati i Berlinit...”
Shtypi egjiptian i kohës shkruan gjerësisht për përpjekjet e Lidhjes për mbrojtjen e Ulqinit, protestat e ndryshme dhe vendosmërinë e shteteve të mëdha për ta detyruar popullatën vendase që t’ia dorëzojë Ulqinin. Gazeta “El-Ahram” nr. 219, e 14 tetorit të vitit 1880 nënvizonte: “Me hidhërim mësuam se shtetet e mëdha do ta dërgojnë flotën e tyre të përbashkët në ujërat e Ulqinit tonë, të na detyrojnë t’ia dorëzojmë qytetin tonë të shtrenjtë qeverisë së Malit të Zi...” 
Po këtu shohim gatishmërinë e popullatës për ta mbrojtur Ulqin dhe kundërshtimin e hapët për ta dorëzuar atë. (fq. 99).
Edhe pse shqiptarët, sikurse dihet, e humbin Ulqinin, vendosmëria dhe trimëria e popullatës shqiptare bëri jehonë të madhe në arenën ndërkombëtare. Me rënien e Ulqinit nën Malin e Zi shfaqet pakënaqësia e madhe e shqiptarëve nga njëra anë dhe presioni i paparë i Malit të Zi ndaj saj nëpërmjet metodave të shtypjes më brutale që njihte koha. 
Gazeta “Vakai”, nr. 1090, 17 prill 1881, shkruante: “Sipas lajmeve nga Raguza thuhet... Shumica e shqiptarëve që kanë mbetur nën Malin e Zi kanë lënë vatrat e tyre dhe janë shpërngulur në Shkodër, për të shpëtuar nga mizoritë e pushtetit malazias”. 
Përveç viseve veriore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit i kishte intensifikuar forcat, qoftë ato diplomatike, qoftë luftarake, edhe për mbrojtjen e viseve të Jugut, ku Greqisë i jepej një pjesë bukur të mirë të tokave shqiptare (fq. 106). Këtu dalin qartazi në pah përpjekjet e Greqisë, siç thotë populli “Me mish e me shpirt”, për t’i futur këto toka nën sundimin e vet, gjë që edhe do t’ia arrijë qëllimit me ndihmën e fuqive të mëdha e në veçanti me ndihmën e Rusisë (fq. 108).
Sa i përket Kongresit të Berlinit, shtypi egjiptian e ka ndjekur në çdo hap Kongresin dhe ka shkruar për vendimet e marra, edhe pse në disa raste shohim se informatat lidhur me vendimet e Kongresit të Berlinit merreshin nga gazeta turke “Hakikat”, (fq.118). Edhe pse fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit e bënë të veten, megjithatë shtypi egjiptian nuk qëndron në asnjë mënyrë indiferent. Gjithmonë për lëvizjet e kufijve dhe për lëvizjet e ndryshme luftarake shtypi egjiptian shkruante vazhdimisht (fq. 122-123). 
Libri aty ka fundi është i pajisur edhe me dy shtojca, të cilat ia shtojnë edhe më shumë begatinë këtij libri: 
1. Artikujt e botuar në të përditshmen “Rilindja” (d.m.th. artikuj që kanë të bëjnë me ngjarjet e lartpërmendura dhe 
2. Faksimile të artikujve të botuar në gazetën “El-Ahram” dhe “Vakai Misrije”, faksimile origjinale që do t’i shërbejnë lexuesit dhe studiuesit.
Nga sa u tha më lart mund te përfundojmë se libri i mr. Qemajl Morinës është një kontribut domethënës e me interes për lexuesin dhe studiuesin. Në veçanti do të jetë literaturë e pashmangshme për ata studiues të cilët janë liruar nga paragjykimet për Lindjen, sepse paragjykimi asnjëherë nuk i ka shërbyer shkencës së mirëfilltë, por vetëm se e ka dëmtuar atë.
Libri në fjalë është një tregues i qartë dhe një orientim i rëndësishëm për institucionet përkatëse shkencore dhe shkencëtarët në vendin tonë se si duhet të merremi seriozisht me këtë punë, se si është e domosdoshme që te eksplorojmë materiale edhe në këtë pjesë të botës, në të cilën ruhen informacione të  rëndësishme për fatet e vendit tonë, e assesi mos të u lëmë vend paragjykimeve. 
Një fjalë e urtë latine thotë: “Libri është më shumë se një përmendore”, andaj autori, mr. Qemajl Morina, me këtë libër, por edhe me punën e deritashme publicistike e shkencore mund të thuhet se ia ka ngritur një përmendore vetes.
Autorin e përgëzojmë për librin, i urojmë shëndet të mbarë dhe suksese në punët e mëtutjeshme shkencore.
“Dituria dhe vepra e mban njeriun të “GJALLË” edhe pasi që të vdesë, ndërsa i padituri është një i “VDEKUR” edhe nëse ecën mbi Tokë”. (Hasan el-Basri)



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora