Kulturë
Pilo Zyba: Kënga arvanistase dhe magjia e saj
E merkure, 27.01.2010, 10:55 PM
KËNGA ARVANITASE DHE MAGJIA E SAJ
Nga PILO ZYBA
Nuk e kam pyetur kurrë veten, ç’është kënga? Nga vjen forca e saj, pranvera që sjell, cila është e ardhmja e saj? Duken pak teorike këto vargje për këdo që po i lexon. Ngjajnë me pyetje që të nxjerr në bregun e një propagande, apo, një analize të thatë e pa bukë.
Për këngën, si tingull, si shprehje, si botë, ka shumë shpjegime por, unë nuk do endem në rrugë të shkelura. Nuk do bëj analiza për ndjenjat që ajo trazon në liqenin madh të shpirtit të njeriut. Nuk do bëj gjithashtu analizën e notave, forcën e tyre apo aftësinë për të kthyer te njeriu gëzimin, trishtimin apo urrejtjen. Këndvështrimi është krejt i veçantë, si nga tema dhe shtjellimi, po kështu edhe nga fakti tragjik i atyre që pashë, që preka, që ndjeva dhe mbresat që ato lanë në qënien time. Këto mbase do mundohem ti ndaj sot me ju. E që të ndaj me ju këtë gotë gëzimi apo hidhërimi, në radhë të parë, do desha të bëja një analizë të asaj që quhet, këngë. Por brënda kësaj fjale, që në të vërtetë nuk ja di kuptimin e plotë, këngë. Por nëpërmjet saj, kuptoj, ndjej e shikoj një botë të prekshme, një hapësirë ku fluturojnë tinguj, por, bashkë me ta edhe shpirti dhe jeta e njeriut.
Pra, duke bërë një analizë mbi këngën, fjalë e thjeshtë kjo, por që mban brënda një qiell të tërë, një botë. Në qiellin e saj fluturojnë tingujt e dhimbjes, gëzimit, dashurisë e trimërisë, lirikës, natyrës, e mund të vazhdoj të shkruaj pa mbarim vargje të tëra, e prapë të mos e mbyll dot kapakun e këtij libri mendimesh, jo muzikor, por që ka brënda muzikën, jetën, vdekjen dhe pavdekësinë, si dhe të gjitha derivatet që rrjedhin prej saj.
Muzika sipas mendimit tim, është një monedhë e artë që vlerëson të gjithë botën e qënies njerëzore. Ajo e vlerëson këtë qënie, sipas fytyrës që ai ka, sipas kalasë jetësore që ndërton, sipas peshës që zë në shoqëri. Pra, muzika, është një gjuhë që sipas rastit, mënyrës, i heq apo i jep individit apo shoqërisë vlerat që i takojnë. Ajo vlerëson pa interesa, komisione e prapaskena të vërtetën e ngjarjeve historike. E marrë në jetën politike, ekonomike, muzika i ka flakur prej kohësh këto pengesa, ajo, është bërë një gjuhë e përbotshme, e cila i flet njeriut në gjuhën e shpirtit. Nga një vibrim muzikor, nga një harmonizim tingëllor, nga një këngë, mund të bëjmë një portret të njeriut, të shoqërisë. Nuk dua të hallakatem në qëllimin e shkrimit tim, por, mund të përmënd veprat e njohura të Paganinit, Vivaldit, Puçinit, Bet’hovenit etj, etj.
E kuptoj që po u lodh lexues të nderuar, duket, vargjet e mia nuk kanë rrjedhshmërinë e tingujve, por, më duhet të pranoni se, për të hyrë në derën e një kalaje, siç është kënga, duhet të luftosh, të plagosesh për të pushtuar bedena e në fund kalanë e botës shpirtërore.Duhet të sakrifikosh për të studjuar e zbuluar rrugën historike të një populli, të një kombi.
Pra, me pak fjalë, historia mund të lexohet e kuptohet më mirë nëpërmjet këngës se sa fakteve historike, të cilat , historianët i shkruajnë sipas interesave imediate apo të së ardhmes, sipas urdhëruesve të tyre, apo, sipas dëshirave të paguesve tregëtarë të historisë.
Shkak për këtë shkrim u bë një ngjarje jo e zakonshme e kohëve të fundit. Ajo më rizgjojë dëshirën ti rikthehem edhe njëherë temës së muzikës, për të cilën kam folur e kam shkruar disa herë, dhe besoj, që dhe në të ardhmen do ti rikthehem. Kjo ndodh, pasi, sa herë që këtë kapitull e quaj të mbyllur, diçka ndodh që ti rikthehem me fakte të reja. Të plugoj në lëndina të pa lëruara, të notoj në lumënj të kristaltë folklori, në burime gëzimi notash që vijnë nga thellësia e kohës dhe çfaqen me fytyrë tërheqëse të një shpirti, të një zëri, i cili sa herë mendojmë se vjen duke u shuar, Ai, afrohet e në gurgullimë e sipër, sjell tinguj, shprehje, lirshmëri e larmishmëri ngjyrash e faktesh, të cilat të bëjnë të mendohesh se, nuk duhet lënë të rrjedhë e të humbasin qoftë edhe një pikë e vetme nga kjo gurrë e largët. Ato duhen mbledhur me kujdes, duhen analizuar vlerat, veçoritë, mosha, koloriti i notës, i mendimit artistik, historik e njerëzor. Jam i mendimit që këto pika, këto nota, janë shkallë që na çojnë në burimin dhe në kalanë e këngës. Dhe jo vetëm këngës, por dhe historisë, traditës jetësore, në këtë rrugë të gjatë nëpër të cilën ajo ka kaluar, është trasformuar, apo cilësitë dhe virtytet që ka fituar.
E pra, këtë dua të bëj. Nëpërmjet tingujve, notës, zërave, të deshifroj lashtësinë, historinë, jetën e një kombi i cili në momente të caktuara, në forma të ndryshme, më del përpara e më thotë: “ Urdhëroni, ne jemi vëllezrit tuaj të munduar, të harruar. Ngarkuar ecim në shekuj me hejbetë e këngës. Në trastën e dhimbjeve bashkë me plagët e luftës për mbijetesë kemi dhe këto nota, këta tinguj, këta zëra. Gjuhën nuk na e lanë ta shkruajmë, por ja ku e keni, ua kemi prurë në këngë. Aty është historia, mbijetesa, dashuria dhe shpresa. Dëshifrojini t’u mbeten brezave. Historia dhe jeta nuk mbaron këtu. Me ardhjen tuaj në këto troje, ajo rilindi, vuri krah për të fluturuar më lehtë, më lirë, më mirë”.
Gjyshja ime e ndjerë, Kostandina, kur më përcolli përpara 20 vjetësh, më tha këto fjalë kur hapi portën e kafazit të shtëpisë: “Fluturo pëllumbi im, kudo që të shkosh mos shkelmo gjuhën dhe bukën”. Burri i saj 20 vjet jashtë sofrës familjare, xhaxhallarët dhe vëllai i vdiqën në mërgim pa i parë, urimi dhe shprehja e dashurisë tyre disa dollarë për Pashkë e Krishtlindje.
Ç’më ndodh kështu pas 20 vjetësh, nostalgji ? Mosha ikën e flokët u zbardhën, zëmra u zbut, u bëmë më të ndjeshëm e sentimentalë. Trupim ma kafshon çdo ditë mëditja, ndërsa shpirtin ma bluam molja e mallit e mungesa e miqve e shokëve.
Dimër, bie shi, fryn erë. Re të ngarkuar lundrojnë në qiellin e mendimeve të mia. Tek-tuk vetëtin ndonjë dritë shprese. Deti përballë. Dallgë që përplasen në brigje, copëzohen, shkumojnë e rikthehen në vedrën e madhe për tu përplasur përsëri.Shkëmbinjtë veshur me fustanella të bardha si luftëtarë. Mendimet si valët kthehen në thellësi të kraharorit.
Deti i rreh ato nëpër brigjet e skutat e ndjenjava, unë rri me dallgën e bardhë të letrës përpara. Ajo pret të nxihet, unë pres të zbardhet trubullira e reve të mendimit.
Gruaja vjen pranë e më flet:
- E shtunë sot, mos harrosh!
- Përse?
- Për dasmën.
- Jemi të ftuar në dasëm?
- Nuk të thashë ? Hotelet i kemi plot. Bëhet një dasëm me të ardhurit nga Salamina dhe Spata. Vajza i ka prindrit të lindur këtej, nga Longari (vegël frymore vlonjate, në rastin tonë emri i fshatit), janë Arvanitas.Më thanë që do bëhet dasëm e madhe.
- Ku bëhet dasma?
- Në kala.
Mulliri i trurit bloji dhe për disa çaste. Dëgjoja trokashkën që lëshonte në mokra kokrrat e fildishta të mendimit e tek kthehej në miell të bardhë. Isha vërtet një mullixhi që bluaja i vetëm në mokrat e mia dëshirat e dikurshme, por, thesi i miellit kishte mbetur shumë i vogël, e kishte ngrënë qiraja rrugës. Qeratë, studimet e fëmijëve, lëvizjet e mëdha, rendja pas këngës. Më pëlqejnë shumë ato të flamosura. Më duken si tufë me pëllumba e i ndjek nga pas. Jam gjuetar i tingujve dhe i shprehjeve të saj. Kjo dasëm erdhi si një ngushëllim në fillim për momentin e pastaj nxitës për shkrimin që po lexoni.
***
Atë të shtunë ndodhi ajo që nuk e kisha parë e as dëgjuar gjatë qëndrimit tim në Greqi. Ditë të ftohta dhjetori. Nëpër rrugicat e kalasë e të fshatit turistik frynte një erë e ftohtë shoqëruar me muzikën e çakorduar të dallgëve në shkëmbinjtë e brigjeve të detit. Në fillim u dëgjua zilja e njohur e kaloshinës me dy kuaj e barba Jorgos. Në dimër ai kurrë nuk e mprihte kaloshinën pasi nuk kishte turistë. Kuajt ishin të veshur me panafor të kuq e të mëndafshtë dhe një fjongo të bardhë në ballë. Pas saj një sërë kuajsh. Trokëllima e hapave të tyre të kthente pas në shekuj, një ritëm disi i harruar. Mbi ta kalorësit, edhe ata sipas shekujve të shkruar, veshur me xhamadanë të kuq të qëndisur me gajtanë të florinjtë, me brez të gjërë në të cilët vareshin pisqollat e stolisura. Më poshtë fustanellat e shpërndara mbi shalën dhe vithet e gjëra të kuajve. Më poshtë çorapet e bardha, këpucët e vijëzuara me të zeza dhe xhufkat e kuqe si zjarre të vegjël të ndezur. Në ecje e sipër flaka e kuqe e tyre shpërndante te të pranishmit bukurinë e ngjyrës dhe të festës. Krushqit i ngjanin një karvani të gjatë që të tërhiqte vëmëndjen dhe të bënte të ndiqje me kureshtje lëvizjet e tyre.
Te porta e kalasë ata ndaluan, zbritën nga kuajt dhe u takuan me të tjerët që i prisnin te porta. Biseda e ngrohtë, shtërngim duarsh. Pak më von, pas një cermonie fetare në sheshin e madh të kishës së Shënjt Nikollës, filloi dasma. Dhe në skutat më të largëta të kështjellës u dëgjua thirrja e një klarinete e cila këndonte në nota të larta maxhore. Për momentin m’u duk se ishte një ftesë për të marrë pjesë në këtë gëzim të veçantë. Grupi i ardhur i krushqëve, si në një traditë të lashtë kërkojnë nusen. Krushqit e tjerë e dorzojnë atë. Dhëndërri e shoqëron për nga pala e prindërve. Kaq mjafton për të krijuar atmosferën e duhur. Dhjetra fustanella hapen si dhjetra trëndafilë të bardhë, e veshin sheshin me një vello të dytë veç asaj të nuses. Ato, fustanellat, rrahin flatrat në sytë e dëshmitarëve që kanë mbushur shkallët dhe muret e kalasë. Tingujt e gëzushëm të orkestrës shtyjnë tutje retë, deti hesht, ndalon për një çast frymëmarrjen për të dëgjuar se çfar ka ndodhur. Në çastin e heshtjes së plotë dy këngëtarë një djalë e një vajzë, ja marrin këngës. Zërat e tyre përkunden për një çast në ajrin e ngarkuar me emocione gëzimi, dhe fluturojnë në thellësi të detit si për të çuar atje lajmin e kësaj dasme të rrallë për nga mënyra dhe përzgjedhja tradicionale. Fjalët e saj krijojë menjëherë një habi. Të gjithë të pranishmit ( veç të ftuarve) shikojnë njëri tjetrin.
Për një çast qëndroj i hutuar, i thërras kujtesës dhe dëgjoj tekstin e saj:
Ngreu moj nuse të të shomë,
A je ashtu siç na thonë ?
Nuse moj, çfar na tha shkesi,
Je ashtu a mos na qeshin.
Po je ashtu si na thanë,
Djali në ty do shtjerë sevdanë.
Pas dy vargjeve të këngës orkestra luan në mënyrë të harmonishme melodinë e këngës. Nga njëra anë për të përgatitur dëgjuesit për vazhdimin e saj dhe nga ana tjetër për tu dhënë mundësi këngëtarëve të shikojnë e dëgjojnë reagimin. Nusja ngrihet në këmbë. Ajo ngjan me një copëz ëndërr të bardhë, tejet të bardhë. Ngrihet të tregojë se ndjenja e saj dhe shpirti është i pa lerosur e njollosur nga mëkatet. Në kohën e ekzekutimit për përgatitjen e refrenit sheshi mbushet plot. Këto këngë kanë një rol të dyfishtë, dhe të këngës dhe të valles. Ende nuk e kisha mbledhur veten nga tundimi që më krijojë ajo kur, një tjetër kartolinë më erdhi nga orkestra dhe muzika e saj, që tani, shpërndahej në etër me erën e miqësisë e të flladit përkëdhelës mbrëmësor.
Hapni rrugën, shtegun hapni,
Ç’është ajo që vjen e llambi ( shkëlqen)
Vajzë e mirë e nga soi,
Kalimera ( mirmëngjes) s’di të thoji.
Në refren e sipër në sytë e të pranishmëve duket habia. Ky ngjat më shumë me një provokim për ta. Si të mos mjaftojë kjo kënga vazhdon:
Arvanites këngë thoni,,
Gjuhën të mos e harroni.
Për momentin u hutova, pashë përreth, me ngjiste se dhe muret e kalasë lëvizën nga vëndi. Arvanitësit që i kishin ngritur ato u zgjuan nëpër gërmadhat, strehët. Dolën në rrugë për të takuar të tashmen. Kishin vite që heshtnin mbuluar me pluhurin e harresës, të trullosura nga gjumi letargjik i kohës. Sa bukur, Vajzë e mirë e nga soi, por kalimera greqisht, nuk di të thoji. Bëhej fjalë për një vajzë Arvanitase, që shkonte e martohej me një grek.
Nuk prita më, kërceva në skenën e gëzimit. Nuk e dija në ecja sipas ritmit të valles, një valle të tillë nuk e kisha kërcyer kurrë. Në njërin krah kisha një arvanitas shtat lartë e në dorën e djathtë shtërngoja dorën e një vajze të trëndafiltë, në sytë e së cilës, mes një deti të madh gëzimi fluturonte vetë lumturia. Më dukej se kisha krijuar një urë, po, po, një urë bashkimi mes së shkuarës e së sotmes. Të sotmes e së ardhmes, të cilën në këtë valle e shikoja si një të plotë, të pa ndarë nga e djeshmja.E atë çast më thoshte shpirti “ Murosu këtu si Rozafa, që muret e kalasë së qëndresës e së ardhmes të mos vdesin kurrë më. Mbi këtë urë bashkimi të shkojë e të vijë e ardhmja dhe e shkuara, të bëhen një e vetme si janë në të vërtetë në gjuhë, në gjak e në shpirt”. Mu morën mëntë, nuk e di, nuk kisha pirë gjë tjetër veç gëzimit. Arvanitasi më mbajti, vajza e tij, e ardhmja e traditës, më hodhi një kovë buzëqeshje që më përmëndi. Ku ndodhesha? Në kraharorin e tyre: Në kraharorin e vëllezërve të humbur kaq mote por, jo të harruar. Hiqemi mënjanë, ata më pyesin:
- Nga je?
- Shqiptar!
Biseda përkundet mbi valët e ndjenjave, buzëqesh e rritet në vite e shekuj. Muzika e shoqëron, ajo është një meze që na ngop e ngroh bisedën. Pas këtij takimi, mbresat e të cilës do ti lexoni një herë tjetër, nis kënga legjendë e arvanitasve të lashtë. Ajo vjen nga shekujt hipur mbi kuajt e erës, kripur me mushtin e detit të thellë të popullit që e krijojë.
Do ta pres kocidhetë ( gërshetin)
Ta vërvit nga s’gjindetë.
Do ta pres kocidhen jatë ( tënde)
Porse turpem nga yt atë.
Moj kocidhe dhragonjë ( gjarpëronjë)
Të të kisha angalje. ( në kraharor)
Kjo për mua nuk ishte thjeshtë një dasëm arvanitase. Ajo ishte gurra e traditës, e kulturës dhe historisë saj. Mbeta me lapsin e kujtesës në mëndje. Mundohesha që dhe një fjalë e vetme të mos më fshihej e të ikte pa e takuar, pa folur me të. Pa i vjelur mendimin, qëllimin, vlerat, bukuritë e vargut, të tingullit.
Kam vite që i gjërmoj ato, por këtë radhë ishin ato që më befasuan. Më erdhën të gjitha njëherësh, me ngjyrat, ëmbëlsinë, lashtësinë, më mbytën në një det të madh folklorik e gjuhësor, historik e kolorit ngjyrash etnografike. Ishin kaq të bukura, kaq të shumta këto mbresa, sa do të më duhen kohë të mbledh veten. E pastaj të shkruaj për fytyrën, bukurinë dhe embëlsinë e tyre. Për pentagramin shpirtëror të Arvanitasve që e krijuan, e trashëguan, e ruajtën dhe na e sollën për ta vënë në panteonin e rrallë të traditës e kulturës kombëtare. Në skedën që kishte mbetur bosh, por që tani e tutje do jetë e hapur për të gjithë vizitorët e muzeumit të ndjenjave, që kombi i ruan si margaritarë të rrallë të kulturës.
Jam në përfundim të një libri me tekstet e këngëve të tyre. Kam vite që ndjek e fjel frytet e këngës nga pema e lashtë e kulturës së Arvanitasve. Por sa herë që bëhem gati ta çoj në shtyp, të tjera fryte më derdhen në duar, më shtojnë dëshirën ti vjel të gjitha, që shportën e kulturës së tyre tua dhuroj sa më të plotë, sa më të bollshme, sa më të bukur e të larmishme.
Krushqit u hipën kuajve dhe kalëronin nëpër gurët e kalldrëmtë të kalasë. Nusja dhe dhëndërri, këta margaritarë të shkrimit tim, ecnin duke u mbajtur në krahët e njëri tjetrit.
Te porta i priste kaloshina e stolisur me gëzimin e lumturisë së tyre. Hipën, përshëndetën dhe u larguan mes mbrëmjes, duke lënë mbrapa kujtimin e një dasme të pa harruar.
Vetja më dukej si pjestar i një legjende që nuk e di në se do përsëritej më në jetën time. Si pjestar i një ëndërre që do më lumturonte për shumë kohë me mënyrën dhe ndjesinë e saj.
Kam dëgjuar këngë për kurbetin, për trimat, për natyrën dhe them me vete: “ Kush mund ta shfaqë fytyrën, llojshmërinë, frymëmarrjen, historinë e një kombi më bukur se kënga”?
Nga sa lexuat, patë, shijuat e dëgjuat, a nuk kam të drejtë ?
Komentoni
Artikuj te tjere
Mihai Antonescu: Syri i gjumit mbi krojet e Kosovës
Halit Bogaj: Bert Llankaster (1913-1994)
Demir Krasniqi: Një kodër varre
Sami Islami: Kur Rasku e Veli ikën nga fshati
Suzana Kuqi: Rënkim
Ziko Ll. Kapurani: Njohje në xham
Dy poezi nga Nehat Jahiu
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
U promovua libri “Pellgu i Dhembjes” - Monografi kushtuar rokerit të njohur Uran Bajramit
Kozeta Zylo: Intervistë ekskluzive me redaktoren e kulturës të gazetës “TemA”, zonjën Dhurata Hamzai
Alma Papamihali: Eda Zari - Këngëtarja sensacion e muzikës shqiptare!
Baki Ymeri: Poezi rumune - Nicolae B?ciu?/Nikolae Bëçuc
Petraq Zoto: Ridimensionim krijues
Përparim Hysi: Thërrime malli
Remzi Salihu: Poezi nga poetja zvicerane Brigite Fuks
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Jusuf Zenunaj: VetëvendosjA është një...
Bilall Maliqi: Heshtja metaforë poetike
Mihai Antonescu: Drita e Dardanisë dhe Shqiponja e Bukureshtit
Baki Ymeri: Qyteza dhe Njerëzit e saj