E marte, 08.10.2024, 04:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Mihai Antonescu: Drita e Dardanisë dhe Shqiponja e Bukureshtit

E hene, 25.01.2010, 10:59 PM



Drita e Dardanisë dhe Shqiponja e Bukureshtit

Nga Mihai Antonescu

Shqiponja e Bukureshtit është shqiptari i prekur nga flatrat e engjëllit që depërton në horizontin e shpirtit me një buzëqeshje pranverore në fytyrë dhe me tekste subtile të një ndjeshmërie të thellë. Pasi mi mbushi krahët me librat e engjëjve nga Kosova historike që shtrihet deri në brigjet e atdheut tim, ma ofroi një vëllim vargjesh origjinale në të cilat shungullon historia e rizbulimit të do lidhjeve të mahnitshme që na e shenjtërojnë gjakun dhe gjuhën. Një libër i praruar me ballina të arta e të nxehta nga vështrimet magjepse të një bukurie të rrallë, një vepër që sugjeron lëçitjen e një varg perlash poetike me shijen e mjaltës së yjeve të Dardanisë dhe rrushit të pjekur nën strehën e shtëpive të mençura shqiptare. Ja shëmbëlltyra e një vashe me vetullat e përkulura nga pesha e puthjeve të një drite magjike që ta përkujton dritën e Dardanisë! Drita të josh me një letër të ardhur nga brigjet e atdheut të lashtë, me rrëfimet e poetit që të përvetëson që në shikim të parë. Apo, ndoshta nuk është letër kjo, por një pjesë nga qenja e vargjeve të mbrujtura me afshin e dashurisë: “Guaca e gjinve tu/ Ishte e shenjtë si hëna/ Ngjyra e tyre e bardhë/ Ishte e porsi shkuma/ Në brigjet e detit” (Pastel).
Çfarë muzike dhe çfarë poezie në përqafimin e tingujve që e mpiksin emrin e tij! Si guxon ta fillosh një vëllim të këtillë nëse jo përmes një rrëfimi të besnikërisë ndaj përjetësisë së sëmurë nga dashuria, që është gruaja! “Thuajse je një shkretëtirë/  Pëshpëritjesh të etshme!/ Që e ndez zjarrin e shenjtë/ Në çastet e lutjeve të nxehta./ Vjen dhe ma tregon/ Perlën e kënaqësisë/ Që të shkëlqen në gji./ Nga netët që i kaplon pleqëria/ Furishohet përsëri/ Rinia” (Perla e kënaqësisë). Gjendet këtu, betimi i fundit të shpirtit të mbetur gjithmonë i ri përballë mrekullisë së një guace, fuqia e zjarrit të shenjtë që na përshkon ekzistencën e përjetshme, duke e dëbuar vdekjen, duke na ngrohur me qëndresën e lutjeve dhe përjetësisë së dashurisë: “A s’e sheh e dashur/ Se jemi plagosur/ Nga kjo dritë e shenjtë/ Për të qenë përsëri atje/ Ku vdisja/ Kur ti lulëzoje!” (Lied).
Vetëtimtar dhe i çiltërt si magjia e krojeve të kristalta në shprehje, Baki Ymeri kërkon dhe din ta gjejë vetë qenjen e sentimentit në një vend bukuroshesh që ta lëvizin tepelekun e kokës. Dhe din ta zotërojë për mrekulli, shkencën e përkushtimit ndaj tekstit, thellësinë e rëndë të fjalës, duke qenë në gjendje ta kallë barin në degët e zemrës, dhe sidomos në zemrën e femrës të cilën e pregadit ta përkujtojë artin e së vërtetës se autori është poeti i dashurisë, i një dashurie të pakufishme, përjetësi e ftuar për ta kuptuar gjuhën dhe zakonet, vatrat dhe varrezat, lulen e pakëputur të shpresës për një të nesërme më të mirë se sa e djeshmja e përgjakur nga faji i urrejtjes së shurdhët, që e përul jetën: “Urrejtje dhe tmerr/ Pragu i shtëpisë është shembur/ Fshatrat digjen/ Fushat degdisen/ Në kohën kur ne/ Ngjitemi të çliruar/ Kodrinave të vdekjes./ Të trembur/ Si në një ëndërr/ Rrëshqasim përpjetë/ Ëndërrojmë/ Mbi lëndinat tua/ Që do të shndërrohen një ditë/ Nën shikimet e Zotit/ Në një botë Parajse” (Drita e Dardanisë).
Dardania, djep i trimërisë, vatër e besnikërisë, një fushë me lule të kuqe në tëmthin e një kombi të madh që e ëndërron Katedralen e Kombit për t’u ndërlidhur me të shkuarën e shenjtë, pa marrë parasysh shqetsimet e kuajve që s’e përfillin të shkuarën për t’u ndërlidhur me ardhmërinë. Dardania e poetit shtrihet deri tejmatanë brigjeve të vendlindjes së tij që defilon në vargje si “Një breg i largët/ I kujtesës/ Ku këndojnë edhe sot/ Vashat e Shipkovicës/ Bli pamuk all bre dilber/ Bli pamuk atesh/ Mo tët rejnë kokoanat/ Nëpër Bukuresht!” Si mund të justifikohet atdhetarizmi i këtij njeriu që ma jep librin e tij 6 vjet pasi pat dalë nga “inkubatori” i shtypshkronjës (Drita e Dardanisë, Editura Muzeu i Letërsiës Rumune, Bukuresht, 2004)! B. Ymeri i ka dhënë vetvetes një mision fisnik: më parë ta afirmojë Kosovën, dhe pastaj vetveten.
Vargjet e tij janë perla poetike që e justifikojnë mendimin e patundur se Bakiu është një dëshmitar besnik i instancave të fundit të historisë së vërtetë: “Askund nuk dëgjohet si këtu/ Treni i kohës/ Duke rrëshqitur ritmikisht mbi shina./ Gjinkallat kërcejnë/ Nga lëvorja e arës së gjumit/ Dhe kullosa dridhet./ Dhe ja tani/ Në vend të trenit/ Përballë nesh shtrihet/ Një kodrinë/ Që na magjeps” (Stacioni i Transilvanisë). Është kodrina e zemrës së poetit, nga i cili mësojmë se buzës i thonë buzë, se gushës i thonë gushë, se kodrës i thonë kodër, se katundit i thonë katund, se vatrës i thonë vatër,  në të dy gjuhët ku pulson ligji i dashurisë dhe farefisnisë, ndërmjet Transilvanisë së bukur, dhe dritës magjike të Dardanisë.)


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora