Kulturë
Dritan Egro: Historia shqiptare dhe tregu i huaj
E hene, 25.01.2010, 09:19 PM
Historia shqiptare dhe tregu i huaj
Nga Dritan EGRO
Për vetë pozicionin gjeopolitik, veçoritë e relievit e për pasojë për fatin e saj historik, Shqipëria gjithmonë ka qenë një vend relativisht pak i njohur për opinionin e huaj. Ndonëse figurat kulmore të historisë shqiptare, si Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena etj., ia kanë dalë që qysh në të gjallë të bëhen të njohur edhe jashtë arealit të tyre, duke u bërë subjekt kujtimesh apo veprash historike e letrare të autorëve të huaj, opinioni shkencor i huaj gjithmonë ka kërkuar dhe ende është në pritje të mendimit të kualifikuar shkencor të vetë studiuesve shqiptarë. Me fjalë të tjera, “uria” që tregu intelektual i huaj ka për Shqipërinë dhe historinë e saj, më së shumti vjen nga fakti që opinioni ndërkombëtar kërkon ta njohë Shqipërinë dhe shqiptarët edhe nga brenda.
Sot mund të thuhet me plot gojën që historiografia shqiptare ende nuk e ka përcjellë aq sa duhet opinionin e saj shkencor tek opinioni i gjerë ndërkombëtar dhe ndoshta ky është një ndër elementët që deri në një farë mase i justifikon edhe argumentet e diplomatëve të lartë evropianë, kur shprehen që institucionet e Bashkimit Evropian ngurrojnë për të marrë vendime për Shqipërinë, pasi nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë vend dhe popull, të cilin realisht e pranojnë që është evropian.
Për shkak se viset shqiptare kanë njohur pushtime perandorake, që kanë zëvendësuar periodikisht njëra-tjetrën, shqiptarët kanë qenë pjesë e qarqeve përkatëse kulturore dhe superstrukturës së shteteve ku kanë bërë pjesë. Nga një pozicion i tillë, Pashko Vassa shkroi veprën “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, një punim i karakterit enciklopedik, i cili brenda vitit 1879 kur dhe u botua frëngjisht në Stamboll, u publikua njëkohësisht edhe në Paris (frëngjisht), në Londër (anglisht) dhe në Berlin (anglisht). Ende sot mbetet jo shumë e qartë, madje duhet hulumtuar, rruga që Pashko Vassa ndoqi për botimin në Evropë të këtij punimi njohës për historinë e shqiptarëve nga antikiteti dhe deri në atë kohë. Gjithsesi ai është i pari intelektual shqiptar që rrezikut të copëzimit që po i kanosej viseve shqiptare iu përgjigj me një punim historik gjithpërfshirës në të gjitha gjuhët kryesore të Evropës.
Kurse vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” njohu një fat tjetër. Ajo është ndoshta e para vepër shqiptare, e cila vetëm disa vjet pas botimit të parë (1899), pra në vitin 1902, u përkthye në osmanisht nga Shahin Kolonja, për t’iu bërë e njohur opinionit osman të kohës.
Periudha më dinamike në publikimin e historisë shqiptare në gjuhë të huaj është dekada e dytë e shek. XX, kur ekzistenca e shtetit të shpallur shqiptar ishte në duart e Fuqive të Mëdha. Këtu spikasin dy figura të mirëfillta intelektuale: Mit’hat Frashëri dhe Kristo Dako. I pari në frëngjisht dhe i dyti në anglisht shkruajnë libërtha që trashëgiminë historike të shqiptarëve t’ia bëjnë të njohur opinionit të gjerë ndërkombëtar. Por më së shumti ato synonin të mbërrinin në ambientet e kancelarive vendimmarrëse. Madje libërthat e tyre i kushtohen edhe historisë së atyre rajoneve të banuara nga shqiptarë, që me vendimet e Konferencës së Londrës (1913) iu lanë shteteve fqinje.
Botimet historike në gjuhë të huaj përgjatë kësaj dekade, ndonëse jo fryt i një politike të përcaktuar më parë, por një përgjigje e nevojave që kërkonte momentumi historik, edhe sot e kësaj dite për nga numri përbëjnë “kohën e artë”, kur qoftë edhe në trajtë sintetike, opinionit ndërkombëtar iu prezantua historia e shqiptarëve. Shkruesit vërtet nuk ishin historianë profesionistë, por ishin patriotë në kuptimin më të pastër.
Gjithsesi, ishte A. Gegaj, që me tezën e tij të doktoraturës, shkruar në frëngjisht (1937), i ofroi opinionit të gjerë një studim dinjitoz, për të cilin mund të thuhet pa ndrojë se ishte i një niveli ndërkombëtar.
Të gjitha studimet në gjuhë të huaj të para Luftës II Botërore ishin të destinuara për informimin e opinionit të huaj, ndaj dhe ato nuk janë dhe nuk duhen perceptuar thjesht si përkthime nga shqipja në gjuhë të huaj. Për të vazhduar edhe me Historinë e Skënderbeut e Nolit (1947) mund të themi se këto vepra, në mënyrë të suksesshme dëshmuan se edhe shqiptarët kur punonin me standardet e kohës ishin të konkurrueshëm me kolegët e tyre të huaj, madje edhe me arritjet më të mira të kohës. Autorët shqiptarë të këtyre veprave ishin intelektualë të klasit të parë, që gjuhët e huaja në të cilat shkruan ata i përdornin më së miri.
Botimet shkencore të dokumentare për historinë dhe kulturën shqiptare shënuan një hap cilësor përpara në publikimin e tyre në gjuhë të huaj, me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare (1940), menjëherë pas pushtimit fashist të vendit. Ndonëse ky institut u ngrit për të dëshmuar ‘vëllazërinë italo-shqiptare’ dhe ‘lidhjet historiko-kulturore’ në mes dy popujve, pra kishte objektiva të qarta politike, mund të thuhet pa mëdyshje se në anëtarësinë e tij bënin pjesë studiues të mirëfilltë shqiptarë (Dhimitër Berati, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, At Gjergj Fishta, Karl Gurakuqi, At Anton Harapi, Kolë Kamsi, Vangjel Koça, Mustafa Kruja, Mati Logoreci, At Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Ilo Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli, Lazër Shantoja, Eqrem Vlora, Aleksandër Xhuvani dhe Ndue Paluca) dhe italianë (Gennaro Maria Monti, Papas Gaetano Petrotta, Giuseppe Schiro, At Nilo Borgia, At Fulvio Cordignano, Antonio Baldacci, Angelo Leoti, Domenico Mustilli, Carlo Tagliavini dhe At Giuseppe Valentini. Krijimi i këtij instituti duhet vlerësuar si një hap i parë dhe konkret në rrugën drejt evolucionit institucional të studimeve albanologjike, për sigurimin e fondeve që do të mbështesnin realizimin e studimeve, por edhe për njohjen e tyre në një publik më të gjerë se ai shqiptar. Kështu, Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, për nga potenciali intelektual e profesional i kishte të gjitha mundësitë të shndërrohej në një qendër të rëndësishme kërkimore për historinë dhe kulturën shqiptare.
Instituti i Studimeve Shqiptare mori përsipër të vendoste kontakte dhe të bashkëpunonte me institucione të tjera homologe jashtë Shqipërisë dhe të organizonte konferenca ndërkombëtare për çështje të albanologjisë në Shqipëri dhe Itali. Organi i tij zyrtar, revista Studime dhe Tekste, që dilte në dy gjuhë, shqip dhe italisht, u publikua vetëm në pak numra. Kjo ishte e para revistë akademike në Shqipëri që filloi të dilte në një gjuhë të huaj, por ndikimi i saj mbeti i kufizuar pasi ajo doli në vetëm pak numra.
Gjatë periudhës komuniste me institucionalizmin dhe për pasojë edhe profesionalizimin e studimeve historike, gradualisht u fillua të mendohej edhe për botimet shkencore në gjuhë të huaj. Ndonëse gjatë kësaj kohe vërehet një rritje e konsiderueshme numerike e studimeve historike, mund të thuhet, se me pak përjashtime, ato nuk arrinin të ishin të atij niveli sa të konkurronin me homologet e tyre të huaja. Gjatë kësaj kohe, përveç revistës periodike Studia Albanica (1964- ) munguan plotësisht botimet në gjuhë të huaj, kur dihej fare mirë ‘uria’ e opinionit të specializuar dhe jo të specializuar ndërkombëtar për historinë e këtij vendi të vogël, por të vetëizoluar nga bota. Përkthimet në anglisht të teksteve të historisë së Shqipërisë që u bënë gjatë kësaj periudhe përtej opinionit shkencor shqiptar, u konceptuan më së shumti si mjete për të përçuar në botë qëndrimin marksist në studimet historike shqiptare.
Gjithsesi, botimet e hershme të Mit’hat Frashërit, K. Dakos, F. Nolit, F. Konicës dhe më pas të S. Skëndit në anglisht, edhe sot nga studiuesit e huaj që nuk dinë shqip mbeten burime të rëndësishme referimi. Medievisti i njohur francez, A. Ducellier, qysh në vitin 1967, duke bërë fjalë për rëndësinë që kanë botimet në gjuhët ndërkombëtare të komunikimit dhe sidomos në kushtet e një historiografie të një vendi të vogël siç ishte Shqipëria, ngriti shqetësimin që opinioni shkencor shqiptar duhej të botonte në gjuhët e mëdha të komunikimit, pasi vetëm kështu do të bënte të njohur historinë e shqiptarëve, por edhe do të integrohej në qarqet shkencore evropiane e botërore.
Ky shqetësim me kalimin e kohës u shndërrua në një problem prej së cilës historiografia shqiptare do të vuajë shumë madje edhe në ditët e sotme. Arsyeja kryesore e mungesës së botimeve në gjuhë të huaja ka qenë e natyrës ideologjike. Vetizolimi politik vështirësoi tej mase komunikimin shkencor të studiuesve shqiptarë me homologët e tyre në botë, por rriti dukshëm edhe vështirësinë e mësimit të gjuhëve të huaja.
Kurse përsa i përket situatës në botën shqiptare, duke filluar nga vitet ’90 mund të konstatohet lehtësisht se për studiuesit shqiptarë konsiderohet “sukses” shumë i madh kur ndonjëri prej tyre arrin të botojë ndonjë artikull në ndonjë revistë të huaj, pasi normalisht ata më së shumti promovohen për grada e tituj me botime në Kosovë, Maqedoni dhe në rajone të tjera të banuara nga shqiptarë. Fuqia e ballafaqimit shkencor me arritjet më të mira botërore në fushë të albanologjisë, ndoshta do të duhej të ishte objekt i ndonjë shkrimi tjetër, por ajo që sot është e dukshme është fakti se tashmë ka ardhur koha që studiuesit shqiptarë të publikojnë jashtë vendit vepra themelore për historinë dhe kulturën e tyre.
Komentoni
Artikuj te tjere
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Besar Shkëmbi: Poezi nga cikli "Në zemër gurë kullash kishte''
Shefki Sejdiu: Paradigma formë sistemore (argumentimi apo edhe përgënjeshtrimi) në trajtime shkencore
Cikël poetik nga Rexhep Kasumaj
Sabile Keçmezi- Basha: Malli për Itakën
Poezi për fëmijë nga Have Lipa - Osmanaj
Sejdi Berisha: Poezi e ndijimeve rinore dhe e përjetimit të ngrohtë
Përparim Hysi: Një "politikan" pak ndryshe
Jusuf Zenunaj: Gatimi i gënjeshtrës
Fran Buzhala: Duke pritur një mik!
Cikël poetik nga Elida Buçpapaj
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Cikël poetik nga Ferit Ramadani
Basri Çapriqi në gjuhën rumune
Halit Bogaj: Vaclav Havel
Jorgo Telo: Nëpër kreshpat e fjalës poetike të Dalan Luzajt
Xhenc Bezhi: Ura shenjtë
Albert Zholi: Flet Arqile Lipe, aktori i njohur i skenës në varietenë e Fierit
Gjon Keka: Në krahët e Morfeut
Julia Gjika: Jemi pjesë e rrënjëve të tua Evropë