Kulturë
Albert Zholi: Flet Arqile Lipe, aktori i njohur i skenës në varietenë e Fierit
E shtune, 23.01.2010, 04:17 PM
Flet Arqile Lipe, aktori i njohur i skenës në varietenë e Fierit
Unë kaldajisti që u bëra “Maloja” i Fierit
Nga Albert ZHOLI
Ka ardhur nga Athina enkas për të qenë i pranishëm në ceremoninë e promovimit të monografisë së Luftëtar Pajës. Por megjithatë, pyetjeve të gazetës Telegraf, nuk refuzon t’u përgjigjet. Madje siç shprehet vetë ai, është kënaqësi për të, që të komunikojë me lexuesit nëpërmjet faqeve të kësaj gazete.
Përse ndodheni në Fier këto ditë?
Tanimë dihet ku jetoj e punoj. Ishte një kënaqësi e veçantë të vija këtu në rastin e promovimit të librit tuaj dhe “Artistit të Popullit” Luftëtar Paja që ju e kishit përshkruar kaq mirë. Në atë libër dedikohem edhe unë. Prandaj mora rrugën nga Athina, për të qenë pranë shokëve. Kam nostalgjinëë time, pasi në teatrin e Fierit punova 25 vjet si aktor.
Në shumë diskutime mes artistëve, më rezulton se jeni identifikuar me emrin e Malos. Ju vetë a e identifikoni veten me këtë emër?
Unë jam dhëndër në Vlorë dhe Malo kishte dal përpara se unë të fejohesha e të martohesha. Ka qenë çasti kur bëhen fotografitë. Nga kureshtja ndalonin njerëzit. Nuk thoshin që po martohet goca e filanit dhe djalin e filanit, por: “O ky Maloja i Fierit paska marrë gocën e Vlorës”. Emri Malo më ka mbetur. Ne aktorëve na personifikojnë me emrat e personazheve dhe kjo është kënaqësi. Kjo tregon se unë ia kam arritur asaj, me punë e talent dhe e kam zbërthyer atë material saqë ka hyrë dhe është bërë popullor në çdo shtëpi, pak nga ekrani dhe pak nga skena. Nëse doli Lipe Shtogu, Fuati nuk e kishte më emrin Fuat, pasi njerëzit i thoshin: “U Lipe, hajde të të jap një kafe”, ose “Lipe si je”. Doli edhe një Çobo Rrapushi dhe Luftëtarit i thërrisnin me këtë emër.
Ç’mendim keni për Luftëtarin si partner në skenë?
Kam kënaqësinë të përmend, pasi ju jeni autori i monografisë së tij, dhe u shprehët që: “Mua Luftari në fillim jo më trembi, por më lodhi”. Kurse unë do të thosha se çdo njëri që të lodh ka diçka të veçantë. Nëse ju keni me Luftarin 3 vjet punë, unë kam 25 vjet kënaqësi, suksese, lodhje dhe shplodhje, pra të gjitha. Megjithatë unë ty të respektoj, unë e kam marrë librin që në Athinë. Prandaj për këtë punë që keni bërë dua, t’ju uroj si autor i librit, si intelektual, si gazetar. Në libër Luftari ka arritur deri tek punëtori i skenës dhe nëse ka shkuar deri aty me siguri edhe unë do jem, për aq sa vend zë libri.
Çfarë keni ndjerë kur keni marrë titullin “Artist i Merituar”?
Unë nuk mund ta imagjinoj që një djalë nga Fieri, i shkathët që bëra një shkollë të mesme erdha me talentin tim pa hile, i futesha rolit me gjithë shpirt. Por kam qenë shumë i vëmendshëm ndaj regjisorëve, pasi unë nuk kam pasur vetëm Pëllumb Kullën, por edhe Koçon, Rolanda Sharka, Llazar Verria, Land Roshi, Arqile Lici etj., megjithatë unë ngelem ai Arqile që kam qenë, larg skenës, larg shokëve, kështu e pash të arsyeshme ikjen time dhe tani jam pranë familjes time në Athinë. Nuk them se do qëndroj atje, por them se një ditë do t’i kthehem skenës.
E ndjeni mungesën e skenës?
Shumë. Është gjëja që humba më shumë, humba Luftari, Todin, Teodorin, Pëllumbin, humba spektatorin e mrekullueshëm fierak, me pak fjalë humba shumë gjëra në pak kohë.
Vimë tek dasma juaj. E keni pritur me seriozitetin e duhur. Si ka qenë ajo?
Ajo ishte një dasmë ku kishin dëshirë të vini të tërë edhe pse mundësit ishin ato që ishin. E fillova dasmën që nga shtëpia. Më e bukura ishte kur u nisën makinat për të shkuar në Vlorë. Ilian e kisha fotoreporter (ka vdekur në një aksident). Ai bërë një film të tërë dhe unë nuk e di ku shkoj e gjithë arkiva e Arqile Kules.
Sa role keni luajtur gjithsej?
Nuk i kam hyrë këtij inventari. Por, bëja mesatarisht nga katër premiera në 12 muaj, kisha nga 5 role, tre ishin skeçe dy ishin parodi, më binte rreth 15 deri në 20 role në vit.
Bashkëshortja juaj kur ishit në fillesat e dashurisë si e mori lidhjen tuaj, duke qenë se ju ishit tashmë një personazh komik?
Të falënderoj se më përmende 50 % të jetës sime, pasi sot që po jap këtë intervistë unë mbush 30 vjet që jam martuar, por në të gjithë suksesin tim ka të bëjë dhe gruaja ime. Unë e pata bashkëshorten në fillim shoqe dhe motër. Gruaja ime më ka ndihmuar në shumë drejtime, sigurisht aq sa i takonte asaj, nuk më ka mërzitur në asnjë drejtim edhe xhelozia, si e imja dhe e asaj, ishte modeste.
Keni ndonjë rol që ju ka ngelur peng?
Mua më ka ngelur peng diçka. Në kulmin tim në vitin ’95-së, i thanë nuses time: “Mos na e hiq Arqilenë, pasi Luftëtari doli në pension e na iku në Tiranë, Fuati doli në pension, të rregullojmë Arqilenë me Todin e Sotirin”. Më ka ngelur peng që nuk e mbajta dot fjalë. Nuk është se unë isha i dobët, por ashtu e pata të arsyeshme. Nuk doja ta lija skenën, këtë mangësi unë nuk ia fal vetes.
Po me politikën jeni angazhuar ndonjë herë?
Është larg nga unë. Nuk më ka pëlqyer ndonjëherë, jo se nuk e lexoj, por kur nuk e mbuloj atë sektor nuk kam të drejt të jap mendime, për këtë ka historian, gazetar, intelektual dhe të japin ata çdo mendim që të duan, unë jam aktor i gjithë kombit, i teleshikuesve, i gjithë Fierit. Unë nuk jam shquar ndonjëherë për politik.
Mendimi juaj për humorin me zhargone?
Në tërë jetën time nuk më ka pëlqyer. Dhe për këtë kam refuzuar shumë oferta. E fundit ka qënë në Athinë e cila do t’u bëhej disa refugjatëve, që ishin si endacak, por i thash “jo”. Nuk e shoh veten në këtë rol dhe ajo që nuk më pëlqeu ishte mënyra sesi ishte trajtuar tema për ne shqiptarët, pasi e vërteta nuk është ashtu.
Fillimet në skenë
Arqile Lipe kujton se kur e ka filluar për herë të parë të luajë në skenë: “Unë për herë të parë kam luajtur në skenë kur isha ushtar në vitet ‘68-‘69-‘70, në vitin e dytë të ushtrisë, unë isha në repartin e Ndroqit. Për herë të parë kam dal në skenë në një teatër kukullash, isha punëtor skene dhe vajtëm në Ballsh. Më nxori Llazar Verria dhe i madhi Isuf Maloku. Unë erdha nga ushtria dhe fillova punë në prapavijën e teatrit hidraulik, kaldajist dhe më pas si magazinier, por këtu në zyrën e magazinierit dëgjova pa dashur një bisedë që bënte shefi i muzikës Isuf Maloku (që sot nuk jeton më), për mua dhe për këtë i jam mirënjohës, pasi i thotë: “Ky kaldajisti më duket djalë më humor, ta provojmë një herë, ne marrim amatorë, ta provojmë dhe këtë”. Dhe unë kam filluar në ‘71-shin. Premiera e parë ka qenë “Revista”, e shkruar dhe vënë në skenë nga Pëllumb Kulla. Ai
erdhi nga Vlora ‘71 së bashku më bashkëshorten e tij që ishte aktore, Xhuli. Ajo kishte shumë dëshirë të luante me trupën e estradës së Fierit. Nuk dua të përmend emra, por dikush aktor i teatrit, kishte përbuzje për ne, pasi kishte mbaruar shumë vite shkollë dhe të luante aty nuk ishte shumë në nivel për të. Dhe dua të them se në fillim nuk e kishin shumë me qejf estradën tonë. Por pasi filloj të kishte sukses, të gjithë po vinin tek ne. Nga Fatosi, Minai, nga Roland Sharka, Roland Roshi, të gjithë aktorët, kishin dëshirë të luanin në teatër. Të gjithë aktorët që erdhën nga Instituti i Arteve që për mua ishin shumë të talentuar, unë ju kërkoj ndjesë që nuk mund t’i përmend të gjithë, pasi të tërë ishin për t’u kujtuar, kishin dëshirë të luanin në estradën e Fierit. Unë u befasova në fillim sesi një kaldajist t’u përgjigjet këtyre që vijnë nga shkolla dhe të punoj si këta,
të zbërthej materiale se ata kishin bërë shkollë dhe unë jo. Megjithatë unë kisha një mësues që nuk do ta harroj kurrë, ai ishte Pëllumb Kulla. Ishte fati im se Pëllumbi erdhi me një qerre shkollë dhe një kulturë që dinte se ç’ishte regjisura, shkrimi, stili, skena, pra i dinte të gjitha drejtime, ndërsa unë nuk isha shumë i përgatitur. Por ne aty me kalimin e viteve krijuam një shoqëri dhe një grup të talentuar pune. Unë isha djalë gazmor dhe i shkathët. Pëllumbi, Neritan Cekta, Kiço Kilica, por më i madhi që komentoi këtu ishte Jorgji. Atëherë asnjërit nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë, pasi ne të gjithë bënim rolet që na takonin dhe kështu punët shkonin në rrugë të drejtë dhe arrinim që të bënim atë gol që sot e bëjnë në sport. Fuati më ka mbajtur si fëmijën e tij, aq që së bashku me Todi Llupin kemi punuar si shokë, vëllezër, pasi ne jemi miq në radhë të parë. Tani, unë u
mundova që pas disa vitesh të vazhdoja shkollën e mesme “Petro Sota”, që t’i përgjigjesha sado pak në kulturë shokëve që më rrethonin. Dhe pas saj erdhi titulli, fejesa, martesa dhe të gjitha me radhë”.
Komentoni
Artikuj te tjere
Gjon Keka: Në krahët e Morfeut
Julia Gjika: Jemi pjesë e rrënjëve të tua Evropë
Kalosh Celiku: Poezi për tim at, veten dhe melezët
Daniel Gàzulli: Kangët e dhimbjes
Këze Kozeta Zylo: 15-vjecarja nga Shqipëria që synoi të bëhej supermodelja e botës
Fadil Curri: Risemantizimi i mitologjisë bregdetare joniane
Anekdota
Zef Mulaj: Koha
Poezi nga Remzi Salihi
Julia Gjika: Ibrahim Rugovës
Halit Bogaj: Reçaku
Neki Lulaj: Një bashkim bën një kala
Poezi nga Ismet Tahiraj
Cikël poetik nga Eva Hila
Ziko Ll. Kapurani: Vonesa
Përparim Hysi: Mozaik me vargje
Sokol Demaku: Video klip promovues - Qyteti Trollhättan në Suedi nga sytë e një mergimtari shqiptar?
Halit Bogaj: Geri Kuper (1901-1961)
Demir Krasniqi: S’ka n’Gjilan vend Car Llazari
Luan Tetaj: Idetë iluministe të filozofit francez, Pjer Beli (Pierre Bayle 1647-1706)