E marte, 06.05.2025, 06:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Celiku: Poezi për tim at, veten dhe melezët

E premte, 22.01.2010, 10:41 PM


Kalosh ÇELIKU 

Poezi për tim at, veten dhe melezët

Ti ende vazhdon luftën
edhe mes varreve me shokë
me muzerrin krahut
e Unë me penë në brez
mes librave dal kaçak
t’i vë pusi hasmit.

Vetëm, për çudi o burrë
dje derisa na shpallnin ballistë,
sot na akuzojnë si komunistë
melezët e mjerë që i polli Mushka.

E ne megjithatë, brez pas brezi
vazhdojmë të vdesim shqiptarë...  


Brez pas brezi në luftë

Vëllezërit s’i kam prerë në besë
vetëm rrufjanëve u shpalla luftë,
u rroka fytas me këlyshë e qen
ata me gurë e Unë me bukë.

Po, vallë ç’patën atë ditë
që u ndërsyen si në Ujk,
athua s’e ditën se Unë me këlyshë
e qen të tërbuar pleq
brez pas brezi bëj luftë...


Takimi me Zonjën Vdekje

E takova sot në rrugë Znj. Vdekje
dhe pimë nga një gotë verë,
më pyeti për librat, e pyeta për këlyshët
a i ndërsehen ndonjëherë pas shpine.

Qeshi Znj. Vdekje dhe ngriti dolli
për Miken në Lindje,
për mua që i kam varur armët në Rrap
të vras Këlyshin e Buçës.
Që, dy hapa më larg e ka nxjerrë gjuhën
dy pëllëmbë jashtë nga vapa
në prehrin e Nënës Rrospi...
Le të më hanë gratë

U besoj grave të marra
kur natën lahen në liqen,
e Unë me një shishe verë në breg
dëshiroj të bëhem grep.

E pres ta kafshojnë vargun
t’i hedh në shtrat,
më mirë le të më hanë gratë
se sa qentë e ngratë!...


Unë jam poet

Armiqtë thonë se jam kurvar
pijanec që e shaj pushtetin,
këlyshët: hajdut, Omar Khajam
Nëna parti s’ma ka qejfin
punët s’i kam mirë edhe me shtetin.

Punë e madhe, më do vera
gratë, Mikja plot bereqet,
Unë jam poet...


Kam jetuar si poet

Nesër mund të thoni: e shanë
e ndoqën, i kurdisën linçe itelektuale
e akuzuan, e përzunë nga puna
e thirrën edhe në biseda infromative
e martuan e ndanë nga gruaja
herë me Miken, herë me një lavire.

Megjithatë, mos t’ju vijë keq për mua
që në këtë luftë kam hyrë vetë,
kam ditur kë ta urrej e kë ta dua
s’kam jetuar qyqe, por si poet...


Edhe dje edhe sot opozitë

Vitet ikin e Unë edhe në dempkraci
i kujtoj kur botonim poezitë e para
te redaktorët censurëkuq nëpër redaksi
se si na rrinin me gërshërë mbi kokë
duke na i sakatuar vargjet pa mëshirë
se ashtu e donte Nëna Parti.

Edhe e sotmja sa i ngjan të djeshmes
ndonjëri nga ju u bë shef në redaksi
mori banesë, ndërtoi shtëpi.
Këlyshi i Buçës referent në Parti
Qeni deputet e Gomari në Ministri.

Po, ç’ngjan me mua Poetin?!
Edhe dje edhe sot opozitë...


(Vota: 17 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx