Kulturë
Basri Çapriqi në gjuhën rumune
E shtune, 23.01.2010, 06:57 PM
Një pasqyrë që refleton shëmbëlltyrën dhe mendimet e autorit
Nga Marius Chelaru
Duke shkruar një libër për poezinë
shqipe në Rumani, kam arritur në teoritë e dikurshme të specifikut nacional,
pastaj te ato të „transplatimit” të disa formave, teorive letrare nga njëra në
tjetrën hapsirë kulturore, deri në „imitim”, dhe deri te ajo që na konferon
„forcë” dhe origjinalitet. Pastaj erdhi Baki Ymeri me propozimin për të
bashkëvepruar në këtë vëllim të Basri Çapriqit, një poet vlerash të veçanta, që
ka dalë për herë të parë në gjuhën rumune, në antologjinë Ishulli i pavdekësisë (Poezi shqipe nga Kosova, Bukuresht,
2005). Pastaj, duke e ndërlidhur
mendimin me faktin se autori, profesor universitar, poet, kritik dhe eseist, ka
preokupime që ndërlidhen me semiotikën dhe simbolikën, fillova të kërkoj
tejmatanë fshehtësisë së fjalëve dhe përshtatjes së tyre, duke arritur të
deshifroj një gamë shprehjesh „direkte”, të pasofistikuara. Ngase, tekefundit,
e këtillë është poezia e Basri Çapriqit, një fushë magjepse ku mugullon
historia, miti, aspekte që ndërlidhen me unin në hipostaza të ndryshme
(tejmatanë depersonalizimit, dëshprimit dhe tëhuajësimit, e deri te
përpjekjet për t’u ndërlidhur me diçka,
qoftë një vend apo një e dashur), një pasqyrë para së cilës ballafaqohesh me
miklimin, shkëputjen nga amza, esencën, e deri te afrimi me të shkuarën dhe
qenjen e vendit ku ke lindur.
Para se t’i lexoj poemat e B.
Çapriqit, m’u përkujtua Rereading-u i Matei
Calinescut: „në përmasat kur shkrimi është një kodifikim i sofistikuar, i
shkallës së dytë (kodifikim i një mendimi tashmë të kodifikuar përmes fjalorit
poetik), potenciali i tij për të blokuar informacionin që e përmban ndaj të
panjohurve të kodit është më i madh se sa ai i gjuhës së folur.” U mundova t’i
shikoj përmes këtij prizmi këto poema, duke i lexuar dhe rilexuar. Duke ndarë
kohë për „rilexime” perlash poetike nga vlerat e këtij vëllimi, konstatojmë se Guaca,
për shembull, është një poem të cilin mund ta „rilexojmë” përmes një grile të
ndryshme, qoftë thjesht e pastër, kështu
siç është, duke kërkuar muzikalitetin dhe kuptimet e atypëaratyshme, qoftë si
një metaforë e vetëklaustrimit të individëve, frika nga vetmia/ ikja nga
hapsira e mbyllur që të absorbon: „Sa kohë u bë që jemi mbyllur/ Humbur brenda o zot/
E s’dëgjojmë zërat e ujit”. Apo, ndoshta, të dëshirës për të ikur nga bota me
qenjen e dashur. Ndoshta. Apo dashuria – Qirinjtë,
kundruar në të njëjtën mënyrë, mund të shikohen si një metaforë e dashurisë që
digjet, duke i përfshirë me flakën e saj dy qenjet e implikuara.
Apo
si një rrjet i kotësisë: „Digjesh kot
për mua/ Habitem sa pranë më digjen/ Qirinjtë/ Them me pasë pak frymë/ Me fikë
trupin.” Apo qyteti që gëlltit çdo gjë, të cilin e lejojmë të na skllavërojë
duke na gëlltitur. Qyteti, që shpërndan mbi shpirtërat tanë pluhurin e
përplasjes morale, siç ka ngjarë me atë „zeshkanen”: „Me thërrmia shtrohet
rruga/ Ajo rrugë e ngushtë kah ik ajo veç ik/ E thotë plaku që rri mënjanë o
zot/ Si e bon haram robi” Apo „loja” ndërmjet fjalës e vdekjes/ zbraztirë:
„Fjala zbrazët tupani/ me lumenjtë e vrullshëm / që ulen nga malet”,
ndaj: „E zbrazët kupa djegur kraharori/ mbi varre e zbrazët shqet heshtja / e
mortshme tundim i trishtë”. Apo ajo pasqyrë e thellë në të cilën uni është
larg, të tjerët ikin nga njëri/tjetri, ngase „ mund të mbetemi përgjithnjë/ atje
në fund/ në fund të fundit”. Apo, ajo „pasqyrë” e largimit/ tëhuajësimit/
përkëdhelkjes me të cilën mund të jetë Dhoma
ime në Londër, një „botë kubike”, shkruan autori, që e ndan nga shtëpia,
nga të dashurit e tij, nga... Dhoma në të cilë, madje, edhepse mbetet e zbraztë
nga vetja e tij, „mbetur hapur thyhet drita me pamjet/ e shumëfishuara
gjymtyrëve të mi në pasqyrat e montuara / që rrënojnë botën time të fshehur nga/
sheshi e nga turma”.
Basri Çapriqi di të krijojë vjersha me një bukuri të
ashpër, të prekura shpesh nga trishtim/hidhërimi i një observatori fin të jetës
së ditëpërditshme të estetëve në përgjithësi, dhe të shqiptarëve në veçanti.
Piesazhet e brendshme dhe të jashtme kanë një bukuri të veçantë. Po i përmend
vetëm disa shembuj që mund t’i kundrojmë në të njëjtën „grilë” të vetëflijimit:
Një qiell të tërë e vizatoj unë në shpirt
/ Dhe vishem trashë të mbrohem nga terri; Në jetën time deri sa vjen prilli dhe
/ Bimët nisen të lëkunden rreth qenit / Të lidhur mbi humnerë një copë qielli. Edhe
ky është një modalitet për t’i lexuar
disa nga poemat e tij. Është, me siguri, një mënyrë për t’i admiruar vargjet.
Të „shpjegosh” poezinë është, në sfond, njësoj sikur të shikosh në një pasqyrë
në të cilën dëshiron të shikosh
shëmbëlltyrën dhe mendimet e autorit,
„syzat” duke qenë fuqia për të kaluar tejmatanë thjeshtësisë apo vellos me të
cilën i mbulon fjalët në një poem. Një mision i papërfillshëm, por edhe i
bukur. Ngase secili prej nesh, në sfond, këtë e bëjmë. E rikonstruktojmë
përsëri tekstin, me kuptimet dhe nyancat të cilat ia sypozojmë apo mendojmë se
i „ kuptojmë”, ashtu siç e ndjejmë gjatë çdo leximi të tij.
Përveç vëllimesh autorësh rumunë, apo nga vende tjera
fqinje, kam patur fatin të lexoj deri tani edhe dhjetra vëllime të shkruara nga
autorë shqiptarë, sidomos nga Kosova. Me disa prej tyre, madje, edhe kemi
bashkëvepruar, në njërën apo në tjetrën mënyrë. Me siguri, nuk e kam ndërmend
të bëj fjalë për „anashkalimin” e letërsive të vendeve ballkanike ku hyn edhe
Rumania, dhe as të konturoj patjetër një „shkallë” vlerësimi të poetëve/
poezisë së një vendi apo të vendeve të kësaj zone. Por, duke i lexuar dhe
„rikonstruktuar” krijimet e tyre, mund të them se jemi, në të vërtetë, të
influencuar nga trendet perëndimore, shpesh, madje, në të shumtën e rasteve.
Mund të vërehen edhe sekuenca, më shumë apo më pak të shtrira mbi koordonata
ndikuese, por edhe mbi origjinalitet të mjaftueshëm në shprehje, fjalor,
tematikë, mbi vizione personale në një mënyrë të atillë që të shtyn të besosh, se ajo që e bën me të vërtetë
interesant lexuesin e një vendi tjetër është fakti se këto krijime të autorëve
shqiptarë mbajnë me vete magjinë e bagazhit kulturor që bëhet edhe për ne një
pronë vlerash të mirëfillta.
Dhe, po kthehem përsëri te Matei Calinescu, i
cili duke e cituar Camus-in, që shkruannte, relativishte te Kafka, nën Fletore:
„Teksti mund të interpretohet nganjëherë në dy apo tri mënyra, prej nga dhe
nevoja e dy apo tri rilekturimeve. Por do të gabonim sikur ta interpretonim çdo
hollësi... Gjithmonë një simbol posedon njëfarëlloj vlere gjenerale (të
përgjithshme), ndërsa artisti nuk na ofron veçse një përkthim bruto.” Ky është,
faktikisht, një tjetër çështje e poezisë së shkruar në një gjuhë tjetër për
dallim të atyre të „qarkullimit të gjerë”, e cila duhet të kalojë nëpër sitat
eksperimentale të përkthimit, për të „depërtuar” në „tregun e madh” (apo në një
gjuhë tjetër). Një kapitull i librit të Paul Ricoeur, botuar në gjuhën rumune
më 2005, me titullin Për përkthim,
parashtron pyetjen Cili është etosi i ri
i Europës?, duke bërë kësisoj fjalë Për
provokimet dhe kënaqësinë e përkthimit.
Përkthimi është, me siguri, një urë (të cilën Baki Ymeri ka arritur ta finalizojë me një ndërlidhje të mirë, edhe këtë herë, siç ka vepruar me përkthime romanesh edhe Luan Topçiu), por, përkthimi është edhe një provokim i madh për çdo përkthyes, sado që të jetë njohës fin i teknikave të punës, mënjanë, dhe gjuhëve në anën tjetër. Ndërkaq, tejmatanë fjalëve, janë disa elemente primordiale që e përbëjnë bagazhin kulturor, platonë e kuptimeve që mund t’ia përcjellin një lexuesi nga një vend, personi, apo aluzioni lidhur me ndonjëfarë ngjarjeje, lojë fjalësh, proverbash, gjë e gjëzash etj., së bashku me pyetjen: Lexuesi i një gjuhe tjetër, a mund t’i përvetësojë të gjitha këto kuptime? Ndërsa, te Basri Çapriqi (për të cilin e kam qëndisur këtë tekst me mendimin për të përsëritur sa më pak gjëra tashmë të thëna), është fjala edhe për njëfarë „mbishtresimi” të modaliteteve për dekodifikimin dhe latimin e vargut me një mjeshtri që i ka hije. Duke konkluduar, vlen të potencojmë faktin se Basri Çapriqi shkruan një poezi me elemente të origjinalitetit që mund të konsiderohet si një lirikë tipike për hapsirën ballkanike dhe europiane. Një poezi për të cilën kam bindje të patundur se do të bëhet një lekturë interesante edhe për lexuesin e gjuhës rumune.
Një thesar i pjekur ideshë poetike
Nga Monica Mure?an
Takimi me poezinë e Basri Çapriqit
është i mirëseardhur në gjuhën rumune për të lapsëruar portretin e një artisti
shqiptar. Një ndjeshmëri e jashtëzakonshme e nxit këtë t’i fshehë emocionet
abstrakte, duke i tulatur sentimentet nën vellon semitransparente të një
padukshmërie e dila mund të deshifrohet vetëm përmes forcës dhe aftësisë sonë
për koncentrim mbi idetë e mirëpozicionuara e të fshehura në tekst. Këto pasuri
dhe kjo plurivalencë vlerësohet te Hapja
e guacës në cilësi artistike dhe
kualitative, në prizmin e një akumulimi të dukshëm kuantitativ përfytyrimesh,
gjendjesh, shenjash, meditimesh dhe konceptesh filozofike. Diskursi poetik,
herëherë hijerëndë, nuk është gjë tjetër veçse një mburojë pas së cilës poeti e
konzervon dhe mbron vetveten nga efekti destruktiv i materiales, bezdisshmërisë
dhe përditshmërisë. Artisti kosovar ka kapacitetin e hatashëm për të patur një
trajekt të përpjetshëm, me një konstrukcion të mirëpërgatitur, duke u drejtuar
kah zonat esenciale të shpirtit me ndihmën e syrit të mendjes. Intuitat e tij
gjejnë përgjigje dhe konture përmes një materializimi virtual. Rikthimi në
planin e materialitetit tokësor përshkohet, ndërkaq, ciklikisht, falë faktit se
autori din të përcjellë elemente nga kjo botë në botën tjetër, duke i purifikuar.
Në këtë kontekst ngjet dhe një
fenomen i anasjellttë, në një simetri të përmbysur, autori duke përfituar nga
pronësia e një shpirti të observimit që e ndihmon të përkthejë shenja dhe
simbole, duke i përshkruar poetikisht, kështusoj duke ua dekodifikuar
manifestimin e mrekullueshëm në planin konkret të jetës së përditshmërisë me
banalitetin e saj. Përmes këtij antropoformizmi të shfrytëzuar me qëllim
stilistik, disa gjëra të jetës apo elemente të botës vegjetale marrin zë dhe
është shumë më shumë se sa evidente që pa këtë pronësi senzoriale të poetit,
asgjë nuk do të kishte ngajrë. Kështu pra, gjithçka është e mundur në botën
poetike të B. Çapriqit. Përndryshe, hyrja në këtë botë bëhet përmes portës së
padukshme të syrit dhe përmes iniciimit të një rituali (jo përmes një rituali
të iniciimit), për motivin e thjeshtë se një i iniciuar ka aftësi për kundrimin
e një porte të padukshme. Për atë, shenjën e parë e gjejmë te Guaca
(poezia me të cilën hapet ky vëllim), përmes së cilës i referohet praktikës së gjeomancisë
(pra, të deshifrimit të fatit në gjurmat e lëna mbi dheun e gurtë, gjethe apo
guaca), duke i avertizuar ato në fushën e rieditimit të kultit të lashtë të
hyjnores. Sigurisht, njeriu i (pa)përmendur do ta receptonte këtë poezi në
nivelin e vet e të evolucionit të tij, por, madje, edhe ashtu, po ai di të
intuojë kuptime të fshehta pas fjalëve të dukshme (aparente), siç mund të jetë
në këtë rast, morfogjeneza, respektivisht fshehtësia e krijimit.
Njeriu i sakralizuar është i
përfshirë nga mrekullia e krijimtarisë duke e harruar esencën e saj hyjnore, e
gulçuar herëpashere nga senzualiteti i konkretizimit të ndjenjave. Ai është “kyçur” në senzualitet, duke hapur
horizonte të reja, edhepse hapja e tij përmes njohjes ekziston, potencialisht,
prej ku buron edhe shpjegimi i etjes së tij ndaj absolutes, vetëtejkalimit dhe
shijes me të cilën kundron, mahnitet dhe di ta shpjegojë e ta kuptojë. Duke i
lexuar shenjat, ai nuk e ka harruar formulën e kushtrimit për hapje: “Hapu se/ Dua të dal/ Të pi ujë drejt nga qielli// Hiqu
yjeve/ Pi ujë nga goja ime/ Mbyllim farën tone/ Në fund të detit// Sa kohë u bë
që jemi mbyllur/ Humbur brenda o zot/ E s’dëgjojmë zërat e ujit” (Guaca). Në mënyrë
evidente, shungullima e fjalëve sugjeron kapacitetin e mrekullueshëm të ujit
për stokimin e informacionit, vetë trupi njerëzor duke qenë i përbërë nga uji
në proporcion prej rreth 70 për qind. Pasojnë shenja tjera: Porta, Muri dhe
Pasqyra, të cilat, të gjitha këto dhe
secila veçmas, ndajnë jo vetëm njërin plan nga tjetri, duke e ndarë realen nga
imagjinarja, por përfaqësojnë dhe një mjedis hyrjeje dhe kalimi nga njëra në tjetrën anë, por edhe për
kontinutetin e njërit përmes tjetrit: “muri
s’është aty për t’u kapërcyer/ për t’u ndarë më dysh” (shih Muri gjigant). Ideja është e rimarë, mes
tjerash, edhe te poezia Përkryerja e shiut,
kështu: Kaq kohë presim atë ujë të rëndë/
Me na shkëput/ Përgjithnjë nga tokë e dashur. Poeti duket të jetë përçuesi
apo elementi i lidhjes ndërmjet planeve, ndërmjet gjuhës (fjalorit, diskursit)
të shenjave dhe fjalorit të shfrytëzuar në komunikim. Është evidente se plurivalenca për të cilën
bëja fjalë vjen si pasojë e specializimit të tij si profesor i stilistikës dhe
semiologjisë.
Në bazë të seleksionimit të lëndës në gjuhën rumune që e
ka realizuar dhe rikënduar me mjeshtri dhe besnikëri B. Ymeri, tekstet e B.
Çapriqit e justifikojnë formacionin e
tij filologjik dhe shkencor, duke sjellë kontribut të veçantë që e ndihmojnë
teorecienin të aplikojë në praktikë atë që e di, dhe atë që e intuiton. Mu ky
specifitet observohet në poezi, gjë që na e përforcon impresionin se autori ka
një praktikë të shkrimit, se për zotërinë e tij shkrimi është si ecja, zgjimi
apo çdo ndërmarrje dhe preokupim ditëror (i përditshëm), dhe sërish mu ky
banalitet i përditshmërisë është i
mbrujtur me një fshehtësi të mrekullueshme të gjestit, dukshmërisht të imtë,
një gjest që potencon në të manifestimin diskret të mahnitjes, duke e
kultivuar, duke e përsosur dhe shumëfishuar lumturinë për përfytyrimin e një
bote më të mirë. A ekziston vallë nevoja të manifestojmë përgëzimin tonë për të
zbuluar një poezi magjike, arkitektura mentale e së cilës mund të rindërtojë
një botë të tërë, duke filluar nga studimi i përgjithshëm i shenjave deri te
parashtrimi i pyetjeve mbi aspektet dhe relacionet e jetës sociale?
Bota e Basri Çapriqit dëshmohet të jetë një fryt i proshkët ideshë të pjekura: ajo është bërë më e mirë mu për shkak të kapacitetit për të evoluar nëpërmjet observimit, eksperimentimit dhe njohjes ; ajo duke mbetur në një plan të cerebralitetit (pjekurisë mentale), duke kristalizuar dhe stokuar (grumbulluar) inforenergji siç është uji. Po e përmbyll duke e nxjerrë në pah edhe eksperimentin e rëndësishëm hermeneutik, duke i bashkuar përmes një harku të bardhë tingujt nga vargjet e famshme të Goethes: Ich gehe im Walde/ So vor mich hin/ Und nichts zu suchen,/ Das war mein Sinn, për jehonën e një poezie të poetit rumun Luçian Blaga, i cili, nuk e shtrydhte „kurorën e mrekullive të botës”. Në këtë kontekst, ja pra se si tingëllon magjia e vargjeve të Basri Çapriqit: Sheh rrushi rrushin dhe s’piqet/ Pema ime po kalbet nga fortësia e vet/ Apo nga shiu nga breshëri nga kohë e ligë/ Po u poqa tashti/ A më ha ti nga malli për pemët apo për drunjtë/ A më lë vjerrë nga metafizika ime e thartë/ Unë s’dua të kalbem pendimi më mire/ S’piqem fare/ Vetëm i papjekur mund të mbes pemë përgjithnjë/ Si thua ti të mbetem mollë/ Tash që po hyn së dyti në drurin parahistorik/ Apo aty ishe e të mbulonin gjethet// Kur sheh rrushi rrushin e s’piqet (Të piqet) – fjala e poetit.