E marte, 08.10.2024, 05:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Sami Krasniqi: Përkushtim letrar me rastin e ‘’Flakës së Janarit’’

E hene, 25.01.2010, 10:55 PM


Përkushtim letrar me rastin e ‘’Flakës së Janarit’’,
Organizuar nga shoqata ‘’Iliria’’ në Heidelberg

Fjala e rastit.

Kanjusha e verdhë fluturon, fluturon e nuk bie...

Vëllezër dhe motra,
zonja dhe zotërinj,
Të nderuar autorë të librave të cilat do të promovohen sot në këtë përkushtim letrar, zoti Çuni, zoti Tafallari, në emër të kryesisë së shoqatës '' Iliria '' dhe në emrin tim personal ju përshëndes!
Përshëndesim në mënyrë të veçantë familjarët e të rënëve për liri, përulemi me respekt të lartë para bëmave të dëshmorëve si dhe  të gjithë patriotëve të kombit!
Miq të çmuar  ju falëmnderit për pjesëmarrje!
Në shoqatën ''Iliria'' gjithënjë jeni të mirëseardhur!
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Mospërfshirja e më tepër se gjysmës së shqiptarëve dhe të tokave të tyre brenda Shqipërisë së 1912-tes, përbën sfondin më tragjik dhe më të turpshëm të tablosë politike evropiane të shekullit të kaluar. Liria e bashkë me të edhe ëndrra e saj e cila jo rrallë është më e ëmbel se ajo vet, u vra që në hapin e parë të mëngjesit të ri, u vra ashtu sikur të vritej  buzëqeshja e nënës në përqafimin përgëzues dhe të përmallëshëm me birin e kthyer fitimtar nga lufta çlirimtare, u vra mu në gjysmën e vet,në gjysmën e truallit edhe për të cilin ishte lindur dhe ëndërruar.
Parimet bazë të drejtësisë u shkelën rëndë. Përçudnisht të tjerët bënin hartën e vendit tonë. Interesat kuptimësonin krimin për të ricikluar vrasje dhe krime të reja si një hije e zezë dhe tinëzare. Dhe një shpend i mirë i nxjerrë në varg si Kanjushë e verdhë në vështruar fluturont e fluturonte dhe nuk binte... Pas prerjeve mëkatare, motivimi për ëndërren në liri, qytetërim dhe paqë me vlera njerëzore të përbashkëta gati sa nuk u shndërrua në zhgënjim të përgjithëshëm të sharjes qortuese. Mbase edhe pati ndonjë moment ligështie, por idealet nuk thehen, ato nuk mund të vriten.Kështu që vrasja e bartësve kryesorë të idealit për liri vret vetëm atë çfarë mund të vritet, por asesi dashurinë ndaj atdheut dhe ecjen drejt lirisë, sepse nuk thuhet së koti se vrasjet nuk e trembin njeriun e idealit,as popullin e vetëdijësuar për vete dhe gjendjen e tij. Prandaj Kanjusha e verdhe vazhdonte fluturimin e saj dhe asesi nuk binte....
Të nderuar pjesëmarrës të këtij përkushtimi letrar!
Vargu i gjatë i vrasjeve dhe pabesive tinëzare të bartësve pothuajse kryesor të idealit  dhe fatit të detërminuar historik u kryen në terrin e zi të bardhësisë së ngrirë të janarit. Ata, Boletini, Jusufi, Kadriu, Bardhi, Rexhepi, Nuhiu, Zahiri, Hakifi, Edmondi,banoret trima e punëtor të Reçakut e shumë të tjerë me armët dhe gjakun e tyre shkrinë borën në pikë të dimrit. Gjate marshimit të tyre janarin e ndezën me flakën e lirisë.Edhe sot jehojnë mauzerët tek ura e Ribnicës, ende dëgjohet një zë tradhëtie e pabesie: ''.....Predajte oruzhje...'' kumbues hyn në këngë zëri i Isës:''...Jo që besa....s’ja kam dorëzuar mbretit e as krajlit...’’ Ende pikon gjak çatia e Ali Binakut nga lejleku i vrarë.
Ende Kanjusha e verdhë fluturon sa në Bad Canstatt e Gjilan, sa në        Untengruppenbach e Dubovik e me pastaj ndalet tek nje gur i cili tregon udhën deri të shtëpia e bërë me dru dhe kashtë, e aty ndalet për të dëgjuar atë baladën e mocme me kitarë ‘’...Do të kthehem nënë...’’ Më pastaj seç ndjeu mall për Shevarin dhe atë këngen për kroin...Krua të tillë s’ka gjëkundi, nuk shterron as në pikun e verës e nuk ngrihet në mes të dimrit.... Ende Jusufi i rri gatitu betimit se ''...te koka dhe këmbët e këtij populli, vdekja dhe flijimi do të vijë si një nder i madh....'' edhe sot poeti në: Turbulencë shfryn mllef dhe Untergruppenbachun e mallkon, e quan:’’... lugat i cili zgërdhihet nën peshën e krimit, se nuk e pa të udhës që në një kënd, në një mur të bardhë të frymarrjes së vet të shënojë me emrat e lavdisë dhe si lugat futet në  historinë e dhembjes, bashkë me plagët që nuk shërohen.....’’ Ende Bardhës, Bardhë Gërvallës i rri loti në faqe për babën e vrarë kur ajo ende ishte në bark të nënës. Në çdo janar në Poliçkë të Dardanës,me oxhakun e ndezur në kullën e tij Kadriu pret miq dhe shokë duke i uruar:mirëseerdhët burra, a mund dolet! E më pastaj në muhabet e sipër me një zë i cili sikur del nga thellesitë e kohës së vrarë pyet per Jusufin dhe Bardhin...nuk e di se si u bë kjo punë...diku rrugën e ngatërruam...nuk e di se si u ndamë...Edhe ne Bad Canstatt bashkë ishim, tok te tre u nisëm...së bashku  bëmë udhë deri në Prishtine.  
Edhe sot Rexhepi dhe Nuhiu i bëjnë roje lirisë  në një kodër të Prishtinës që aso kohe quhej Vranjevc, e me të dalë nga burgu i tretë, Bacë Adem Demaçi e pagëzoi Kodra e trimave.Me një shtet të tërë në atë kodër luftuan ata trima, sikur të ishin  një ushtri. Paj pak vite më vonë Komandant Zahiri bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës flakë për flakë do ta kallin janarin në Pestovë, ndërsa vojvodët dhe naqallnikët si tentativë e larjes së fytyrës së humbur, në një janar  tjeter duke marrë jetërat e njerëzve tinëzisht dhe barbarisht jashtë çdo norme njerëzore, bënë krim dhe hata në Reçak.
 Zonja e zotërinj,
Edhe sot Kanjusha e verdhë fluturon e fluturimi i saj nuk ndalet, sa në Dubovik e sa në Gjilan, sa në Poliçkë e sa në Untergruppenbach. E kishin parë edhe në Boletin, por varr e as  epitaf  për trimin nuk kishte parë.
Shumë të nderuar miq të fjalës së shkruar!
 Përsonazhet e ''Flakës së Janarit'' janë heronjtë dhe lavdia e kohës sonë. Kudo pranë i kemi. Me ne janë në ditë kremteje e në mort.  Këtu, në mesin tonë janë edhe sot, sepse siç vargënon ne nje poezi te tij poeti, patrioti dhe bashkëluftetari i tyre Zeqir Gervalla ‘’...Ata nuk ranë theror qe ne vetem t’u këndojmë këngë, e ti perkujtojmë në festa e ditëlindje, se Ata dhe kjo tokë (Z)emërjonë Lirinë dhe Ribashkimin Kombetar meritojnë....’’.
Të nderuar të pranishem!
Ata ndërruan dhe lidhen shekujt nga muzgu i vajtjeve në agimet e lirisë. E shihni se si mbi ta ka rënë nuri i të gjitha yjeve
Të nderuar pjesëmarrës të këtij përkushtimi letrar ju falëmnderit për vëmendje!
 
Sami Krasniqi,
Heidelberg, 24 janar 2010


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora