E hene, 16.09.2024, 01:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Ziko Ll. Kapurani: Njohje në xham

E merkure, 27.01.2010, 08:45 PM


NJOHJE NE XHAM
 
Tregim nga Ziko Ll. Kapurani
 
Kjo rrëfenjë nisi dje pasdite, rreth orës gjashtë, në urbanin numur njëzetë, për t'u mbyllur në një lagje me shtrirje mjaft të gjërë të qytetit ?. Paçka se kjo lagje në qendër të saj është mjaft e bukur, për periferinë e saj qarkullojnë thënie nga më të frikëshmet. Në një stacion të kësaj zone, ku zakonisht hipin shumë pak pasagjerë, një qytetar shtatvogël, sapo u çfaq urbani, i ngriti njërën dorë në mënyrë të trembur. Sikur po ta ngrinte më shumë, do t'ia prisnin. Shoferi, si për ta nderuar, i hapi dyert e autobuzit para se të ndalej mirë. Pasagjeri i ri nuk tregonte ndonjë moshë të thyer. Ai mbante në duar një tufë lulesh të kuqe e rozë, të freskëta, të mbështjella bukur me një letër jeshile, e cila bëhej një me gjethet e luleve. Udhëtarëve u tërhoqi vëmëndjen kjo buqetë aq e pasur, e cila binte në kundërshtim me pamjen e jashtme të mbajtësit, i cili vishej me një këmishë dalëboje, përmbi të cilën i dilnin rrëke djerse. Paçka se djersën në faqet e dobta e fshinte herë pas here me një shami me vija të çngjyrta, ai prapë mbulohej prej saj. Nga vrimat e sandaleve ngjyrëkafe, i dalloheshin disa gishta leshtore, të cilet rrëshqisnin në tabanin e lagur të sandaleve. Pasi hodhi një shikim të shpejtë përqark dhe nuk dalloi ndonjë vënd për t'u ulur, u mbështet pas hekurit të një kolltuku dysh duke rrethuar buqetën e tij me krahë për ta mbrojtur nga dyndja e pasagjerëve. Dy sytë e tij lutës vërtiteshin midis ndenjëseve të zëna si reflektim pasqyre. Më e ndjeshme ndaj atyre shikimeve ishte një vajzë me flokët lidhur bishtalecë, e veshur krejt në gri, nga jaka e këmishës deri tek atletet e këmbës së saj të vogël. Ajo, sapo ndeshi në shikimin e tij të nxehtë, u ngrit dhe i bëri shënjë se po i lëshonte vendin e saj. Tjetri, duke u ulur, me një shënjë të lehtë gëzimi, nuk harroi të përkulej me dorë në zemër ndaj saj për ta falenderuar tradicionalisht. Duke mbajtur lulet nën një kujdes të çuditshëm, u ndesh me re të zinj të një syri të rrethuar po me re, por disi më të zbutur, në një ngjyrë mavi të një zonje të bëshme, me një gjoks të bukur gjysmi jashtë. Zonjës, aq sa i pëlqyen lulet, po aq nuk i pëlqeu prania e pasagjerit të ri dhe thartoi turinjtë. Lulembajtësi e ndjeu thartirën e tjetrës, u ndje fajtor, por nuk mund ta ndihmonte. Ndihej si mbi gjëmba. Bota e tij ish krejt tjetër nga ky ambient mbytës. Ai vinte nga një natyrë e virgjër të një lartësie nga mund të kapje hënën me dorë e ta thyeje si të ishte bukë me qiqër. Vinte nga një fllad i ftohtë në mes të korrikut, nga një fllad gjithë shëndet. Por dita e solli në një mënyrë të tillë jetën atje sa t'i braktisë të gjitha dhe të vijë në këtë vorbull gjithë zhurmë çoroditëse.
- Jini mbuluar me djersë,- u hap papritur, me një ton disi të egër, gruaja përballë. 
- Kam diçka që nuk shkon?- reagoi ai me gjysëm zëri.
- Jo, nuk desha t'ju prek, por kini një djersë që hap një erë të rëndë, pak acaruese për një grua.
-Gratë, ah gratë! Dobësia dhe forca ime!- shpërtheu nga stoli i djersituri.- Nuk e di nëse unë nuk i mbaj dot, apo ato nuk më mbajnë dot mua. Sidoqoftë, një gabim është bërë në ndërtimin tim. Qysh në lindje. Tani nuk i rregulloj dot prapësirat e mia. Kështu vazhdoj pa e çarë kokën. Njihem me gra të reja.
- Më falni, por kjo nuk do të thotë të mos kujdeseni për vehten tuaj. Përkundrazi, duhet të kundërmoni aromë,- nënqeshi madama.
- Nuk ta hedh fjalën poshtë,- vazhdoi ai,- po unë vij prej një hapësire ku bora ze borën. Këtu, edhe të ngarkohem me aromë e të përtypem si cjap me cikla, prapë djersa më kërcen mbi këmishë. E di dobësinë time dhe rrallë udhëtoj me automjete publike.
- Nëse më lejoni, ç'ju detyroi të largoheni prej ajrit të pastër?- nuk duroi vajza me bishtaleca.
- Nuk më mbante dot pak tokë malore, pa ujë. Toka nuk ka vlerë. Ajo tokë që quhet grua, nuk ka bukë. Edhe ajo, si të ishte njëra nga gratë e jetës sime, nuk më mbajti dot. 
- Dhe këtu me se merreni, zotëri?- pyeti madama përballë.
- Bëj një punë që më përjashton nga dinjiteti,- vazhdoi lulembajtësi duke fshirë djersën më mëngën e këmishës. - Shes lotari, domethënë gënjeshtra. Kur merr ndokush ndonjë fletë, është në interesin tim. Nga ana tjetër më vjen keq që ai mbahet me gënjeshtra. Vuaj, por nuk ndryshoj dot asgjë. As në trupin tim nuk kam fuqi të ndryshoj diçka, për shëmbull, këtë djersë. Aq më tepër kur kam nëpër duar diçka. Si sot këtë tufë më me lule. Po, ardhka një ditë, zonjë, që njeriu, po të ndryshojë klimë, mban erë të keqe. Po, po, kini të drejtë. Unë mbaj erë të keqe. Dhe kjo më del nga goja, nga lëkura, nga koka, nga stomaku. Djalli më mori, nuk e kuptoj mirë se nga më vjen kjo e keqe. Ndoshta vjen një ditë...
Në urban u ndje një lëvizje e shqetësuar. Debati, sikur t'i kish vënë dikush shkrepsen, u shpërnda gojë më gojë në shumë vatra. 
-Po nuk duroni dot zonjë, hidhudhi poshtë! Ka taksi!- iu drejtiua së pispillosurës një mesoburrë me ca kombinoshe gjithë njolla boje. 
- Mos u rrëmbeni, zotëri! Nga periferia zbresin gjithmonë njerëz të mëdhenj,- nuk u përmbajt madama, që dukej e porsa dalë nga floktorja.
- Mos u grindni për mua, ju lutem! Më rëndoni!-foli njeriu i klimës malore.- Jam mjaft fatkeq. Për raste të veçanta, si ky i sotmi, kisha një biçikletë të vjetër. Megjithëse e kisha lidhur me kavo në avlinë e shtëpisë, një mëngjes nuk e gjeta. Jo, mos u grindni për mua. Po zbres!- mbaroi dhe bëri të ngrihej për të zbritur në stacionin më të afërt. 
- Të zbresin ata që mbajnë hundët përpjetë! Të zbresin racistët!- ngriti zërin nervoz burri me kombinoshe. Madama e ndjeu trazirën dhe u mundua të hynte në një shtrat më të ngrohtë me një pyetje të ëmbël:
- Buqeta juaj me lule është shumë e bukur. Cila është ajo fatmadhe që do ta marrë në duar?
Pasagjeri së cilës i ish drejtuar, iu çel fytyra.
- Madam! Mund të jetë edhe për ju. Gjithmonë dhuroj lule nëpër gratë e bukura. Paçka se e di humbjen, unë nuk heq dorë. Kështu vazhdoj prapë në marrëzitë e mia. E kam prej djalërisë, më mirë, e kam të lindur. 
- Ke ndonjë marrëdhënie të re?
-Po. Nuk mund të jetoj pa praninë e një gruaje, sado që mbytem në djersë. Merre si të duash, po unë kam punuar si kalë. Bëj dhe dy punë. Vetë e vetëm për gratë e bukura. E dini? - ndërroi bisedën në vënd. -Në avlinë e shtëpisë në fshat, kam një lulishte të vogël. E shikoj si sytë e ballit. Për gratë. Kjo buqetë është pikërisht prej asaj lulishteje. Ja, tani bisedoj me ty dhe zemra sa nuk më çan gjoksin për të hyrë tek ty.
Madama vuri buzën në gaz.
- Mbas pak do të bëhet takimi ynë i parë me një zonjë të bukur. Si ty. Eshtë një njohje në xham, domethënë në internet. Erdhën ditë të çuditëshme. Ju duket e pabesueshme? Unë nuk e përfill shumë besën me gratë. As ato me mua. E ç'është besa? Një tradhëti e fshehur. Mundem shumë lehtë nga gratë. Në këtë moshë më shumë se kurrë,- mbaroi duke kaluar dorën mbi flokët e tij gri lulembajtësi. 
E pispillosura lëvizi pak nga vëndi. Edhe ajo kish një takim në xham me një xhentilment. U panë për disa çaste në sy.
- Jini Xhimi?
- Jini Roza?
Një e paprtitur e këndëshme i pushtoi të njohurit në xham. E, çfarë nuk sjell rasti! Ajo ia rrëmbeu lulet. Ishin për 'të. U puthën lehtë. Takimi i tyre u bë mjaft interesant në të gjithë pasagjerët, por ata krah për krahu, zbritën duke u kërkuar ndjesë. Shitësi i lotarive nuk harroi t'i hedhë një sy vajzës me bishtaleca, e cila zgërdhihej me disa djemka pa i kther sytë nga ai. Pas disa hapave në një trotuar të shtruar rishëm me pllaka gri, lanë pas një rrap madhështor ku rridhte vazhdimisht ujë nga një rubinetë e prishur, u ndodhën në shtëpinë e Rozës. E ftohta e një kondicioneri, dashnorit të ri,i ngriu djersën në trup. Ndërsa ajo, pasi vendosi me kujdes lulet në një vazo qelqi, iu drejtua:
- Me se doni t'ju qeras, i dashur? 
- Kjo e ftohtë më ngjan me klimën time në fshat. Në se ju ndodhet, një gotë raki,- u qetësua Xhimi. Nuk vonoi dhe tavolina u mbush. Ai me raki, ajo me verë të kuqe. U puthën me gjithë shpirt. Kavalieri e dinte se gruaja, si pula, hahet me duar. Dhe ku nuk i hodhi duart e stërvitura. Papritur u prish në fytyrë.
-Ti je transeksual?! 
-A nuk dëshiron një shijë të re?- qeshi madama.
Ai nuk foli. I ktheu shpinën dhe, duke përplasur derën mbi shikimin e saj të tronditur, mori shkallët tatëpjetë pa e kthyer kokën pas. 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora