E enjte, 12.09.2024, 08:39 PM (GMT+1)

Kulturë

U promovua libri “Pellgu i Dhembjes” - Monografi kushtuar rokerit të njohur Uran Bajramit

E merkure, 27.01.2010, 07:00 PM


Në organizim të Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, të shtunën më 23 janar 2010, me fillim në orën 12, u promovua libri “Pellgu i Dhembjes” i dy autorëve preshevarë, Ferid Selimi e Jonuz Fetahaj. Monografia e shkruar për Uran Bajramin, themeluesin, bass-kitaristin, tekst-shkruesin dhe promotorin e rok-grupit “Babillon” të Prishtinës. 

Promovimi u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës dhe nisi me himnin kombëtar. Më pas moderatorja Ardita Behluli, para se të ftojë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” të Preshevës, z. Naser Nuredinin që ta hap manifestimin, kërkoi një minute heshtje për Uranin dhe të gjithë të tjerët që tanimë nuk ishin me ne. 
Z. Naser Nuredini (drejtor i Shtëpisë së Kulturës) i përshëndeti të pranishmit e veçmas familjen e Uran Bajramit, që kishin pasur një djalë të tillë i cili pas vetes kishte lënë mjaft vepra e të cilin si opinioni preshevarë ashtu edhe ai kosovarë nuk do ta harrojë kurrë. Sepse, këngët e shkruara nga ai njëzet e pesë vjet më parë, këndohen edhe më tutje nga solistë të njohur kosovarë. 
Më pas moderatorja lexoi pjesë nga biografia e Uran bajramit. Ndër tjerash, ajo theksoi:
Uran Bajrami, u lind në Preshevë më 20 dhjetor 1968. Ishte fëmija i parë i familjes Bajrami. I ati Raifi, ishte arsimtar i matematikës, që më vonë u diplomua në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Një mandat ishte drejtor në Shkollën Fillore “15 Nëntori” në Preshevë (tani SHF “Ibrahim Kelmendi”) për të vazhduar më tej punën në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës, në cilësinë e sekretarit. 
E ëma Qamilja, si mësuese e angazhuar në ciklin klasor, një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, duke mësuar dhe edukuar gjenerata të shumta të nxënësve. 
Urani, në Preshevë, në qytetin e tij të lindjes, arriti që vetëm klasën e parë ta mbarojë, sepse pas përfundimit të vitit shkollor, familja e tij u shpërngul në Prishtinë. 
Shkollimin e mëtutjeshëm e vazhdon në në Prishtinë. Pas përfundimit të arsimit të mesëm regjistrohet në Fakultetin Ekonomik. Vitin e parë e kryen me sukses, duke kryer të gjitha provimet. Derisa pritej të fillonte viti i dytë akademik, në një aksident komunikacioni, humb jetën tragjikisht diku në afërsi të qytetit të Nishit (në Serbi), derisa kthehej nga Bullgaria, ku kishte udhëtuar për të blerë një kitarë elektrike, për të qenë më në trend në bendin e tyre “Babilon”. Pas vetes la katër tekste këngë që edhe sot këndohet, disa poezi dhe disa tregime. Të gjitha këto janë përmbledhur në këtë monografi.
Në fjalën referuese për monografinë kushtuar Uran Bajramit, z Prof. Dr. Nebi Islami, theksoi se Urani ishte i veçantë si për nga jeta ashtu edhe për nga pyetjet që i parashtronte. P.sh. – tha profesor Islami, - ai pyeste: Pse është Dielli kaq i vogël e ngroh aq shumë? Ose, pse ne shqiptarët nuk kemi liri? E pyetje të tjera të cilat nganjëherë nuk kishin përgjigje. E kur nuk dija t’i përgjigjesha, i thosha: “nuk e di!”. 
Në fund të fjalës së tij, ai i luti anëtarët e familjes së Uran bajramit që të lirohen nga dhembja për të, sepse, vepra e Uranit tashmë është përjetësuar. 
Gjatë promovimit të librit vargje poezish të Uranit u deklamuan nga aktorët preshevarë Artan Ibishi dhe Gani Veseli. 
Tubimin e përshëndetën Demush Berisha, kryetar i Klubit Letrar “Feniks”, Nehat Salihu, nënkryetar i Shoqatës së Qytetarëve të Luginës së Preshevës në Kosovë, Demir Behluli, shkrimtar dhe piktor e Venera Bajrami – Agani, e motra e Uran Bajramit. 
Të pranishmit i përshëndetën edhe autorët e librit z. Ferid Selimi e Jonuz Fetahaj. 
Në fund, i ati i Uran Bajramit, z. Raif Bajrami, falënderoi autorët e librit, si dhe udhëheqësit e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë që e organizuan promovimin e këtij libri – monografi. 
Në fund mund të theksohet se për shkak të defektit në rymë elektrike, të pranishmit nuk patën mundësi të përcillnin filmin dymbëdhjetë minutësh” “Someëhere near my hause” kushtuar Uranit dhe Babillonit, film ky i regjisorit shqiptar Agim F. Gërbeshi, që jeton në Amerikë. Megjithatë filmi u shfaq në TV Aldi të Preshevës, të nesërmen duke filluar nga ora 19 e mbrëmjes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora