Kulturë
Mihai Antonescu: Syri i gjumit mbi krojet e Kosovës
E merkure, 27.01.2010, 10:34 PM
Syri i gjumit mbi krojet e Kosovës
Nga Mihai Antonescu
Portat e mbyllura mes njeriut dhe horizontit janë si sytë e gjumit mbi krojet e Kosovës. Për ta zgjuar gjumin nga shtrati tij, portat përplasen në qarkun e shikimit, në katrorin e hapsirës restriktive dhe në imagjinatën e mëndjes së pafajshme. Ç’është kjo vallë? Kështusoj, “mbyllja” dhe “hapja” kaplojnë nyanca dhe kuptime për përfitimin që mund edhe humbje të jetë, ndërmjet humbjes dhe degdisjes që fitim mund të sjellë. Si kalojmë ne përmes qenarit të restriksionit dhe në shërbim të kujt e lodhim përvojën duke e transformuar në një poem përmes dhuntisë që ua fal Zoti shqiptarëve, edhepse portat e Dardanisë ishin të mbyllura në një kohë të krisur.
Basri Çapriqi është poet që din të depërtojë në universin e dashurisë, edhe përmes vëllimit Hapja e guacës, një përmbledhje briliante që e ka parë dritën e botimit në Bukuresht, në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, në përkthim të Baki Ymerit, një shqiponjë bukureshtare me dy zemra në krahëror, dhe me një engjëll mbrojtës në garsonierën e tij, një atdhetar i denjë për ta prurë Kosovën në veri të Danubit, dhe për ta përcjellë shpirtin e Saj në portat e Parajsës. Marius Qelaru, në parathënie të vëllimit thekson një gjë të jashtëzakonshme, se frymëzimet e Basri Çapriqit mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, duke patur më shumë çelësa, dhe kështu është. Duke e përqëndruar vëmendjen në këtë konstatim estetik, si dhe në pasthënien e poeteshës Monika Mureshan, konstatojmë se ndjeshmëria shqiptare shëmbëllen me botën sentimentale rumune, se autori vjen në gjirin tonë përmes magjisë së një gjuhe universale, e cila na josh përmes hijeshisë së saj dhe deshifrimit të enigmave të një fqinjësie të lashtë.
Por, siç qëndron kushtrimi i poetit mbi shtratin e gjuhës që e përdor, detyrohemi t’i hapim veshët në drejtim të tij, për të kuptuar atë që e thot personalisht, duke e përkthyer për ne kuptimin e portave të gdhendura në esencën e poemave të tij: “Hapu se/ Dua të dal/ Të pi ujë drejt nga qielli// Hiqu yjeve/ Pi ujë nga goja ime/ Mbyllim farën tonë/ Në fund të detit/ Sa kohë u bë që jemi mbyllur/ Humbur brenda o zot/ E s’dëgjojmë zërat e ujit” (Guaca). Por, që ta dëgjosh zërin e ujit, duhet të hapet guaca, në të cilën edhe ti, edhe Zoti, jeni hasur dikurë, për përgëzimin e njërit, dhe pastaj, duke u degdisur mes jush, i keni dhënë kuptim qiriut që nuk ka misionin e ndriçimit, por të vuajtjes dhe të kuptimit deri në shuarjen e trupit: “Habitem sa pranë më rrinë/ Qirinjtë që/ Ndez ti/ Me sy të përflakur/ Atje përtej më ikin parajsat/ Të humburat/ Veç kështjellat nguliten/ Është fati që/ Të vë atje lart dhe / Digjesh kot për mua/ Habitem sa pranë më digjen/ Qirinjtë/ Them me pasë pak frymë/ Me fikë trupin” (Qirinjtë).
Paralelisht me dritën e tij dhe me atë të botës së panjohur që e pranon, poeti e sheh kulmin përmes prizmit preliminar të brigjeve të territ, errësirë ku derdhet çdo gjë, dhe si mund të mbrohet më mirë nga një tmerr i pakufishëm porta e mendimit tënd, intuitë e domosdoshme, qoftë madje edhe me mentesha të mbërthyera në glinën e butë të iluzionit: “Ti je ai që vjen kur bie terr i dendur/ kur dridhen fëmijët dhe të hapen portat/ si kurrë më parë e shoh unë tash/ botën të pshurrur nga fëmijët e frikësuar// dhe ajo botë pastaj të lëpihet e të sillet/ dhe ata fëmijë bëhen heronj e qyqarë/ a mund ta zësh një mizë në ballin tim/ pa hequr në çark pa më vrarë të lidhur//dhe ato porta të hapen si në kohëra breshërish/ e s’hyn dot një zog as një rreze dielli/ një qiell të tërë e vizatoj unë në gjoks/ dhe vishem trashë të mbrohem nga terri” (Ikje nga terri).
Poet i gjendjeve/disponimeve refleksive, i ikjeve nga tiparet dhe i rikthimit opsesiv në kufirin ndërmjet materiales dhe imateriales, Basri Çapriqi ia transferon totalitetit universal atë pjesë të ndërgjegjes që quhet Lumturi, vetëm e vetëm për t’i dhënë kuptim krijimit të saj: “Diçka duhet të vdesë në ne/ një mollë të akullt e kemi në qafë/ s’ke ç’bën edhe kur të këputet beli/ nga brendia jote vdes pak koha// në sy të shpërthen zjarr dhe lot/ kur s’arrin të prekësh veten dhe mua/ me duar në gji ty s’të shoh që s’të shoh/ diçka duhej të vdiste në gjakimin tonë// diçka duhet të shkrihet nga ne/ nga sytë e tu nga buzët nga puthjet/ ta rrafshojmë retorikën për të ardhmen/ t’i gëzohemi shiut po bie shi” (Vdekja e kohës).
Me çelësat e të gjithë atyre që e lexojnë dhe përvetësojnë në mënyrën e vet këtë poet, frymëzimet e tij më joshin, madje dhe më gjunjëzojnë, për atë marr guximin të them se poeti na jep të gjithëve të drejtë, dhe mu përmes kësaj ai bëhet universal, duke na pajtuar dhe duke na nxitur të kemi besim ndaj fjalës, si dhe ndaj faktit: “Dera s’është frikë/ Mbyllet vetvetiu/ Nga guximi ynë/ Për të shuar dritën/ Kur këmbët shkëpusim/ Nga terren i fortë/ Për me ba harqe n’ajër/ Nis lëkundet besimi/ Varur/ Në shpinë të derës/ Dera s’është mashtrim/ Po na u desh shumë/ Kohë të kuptonim se/ Nuk është në dorën tonë/ Të heqim nga mendja/ Gjithë atë barrë të/ Përjetshme/ Kur do thyhet dera” (Dera). Pos portave të Kosovës, këtu e ndjej disi të afërt edhe poetin, duke e gjetur të ashpër por të ndershëm në ndërmarrjet e tij krijuese, duke e vendosur gjithmonë në peshoret e jetës dhe të mendimit, jetën e ditëpërditshme të një bote të përbujshme, me të gjitha shenjat e stërholluara nga mjegulla e një relativizmi të pakapshëm.
Komentoni
Artikuj te tjere
Halit Bogaj: Bert Llankaster (1913-1994)
Demir Krasniqi: Një kodër varre
Sami Islami: Kur Rasku e Veli ikën nga fshati
Suzana Kuqi: Rënkim
Ziko Ll. Kapurani: Njohje në xham
Dy poezi nga Nehat Jahiu
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
U promovua libri “Pellgu i Dhembjes” - Monografi kushtuar rokerit të njohur Uran Bajramit
Kozeta Zylo: Intervistë ekskluzive me redaktoren e kulturës të gazetës “TemA”, zonjën Dhurata Hamzai
Alma Papamihali: Eda Zari - Këngëtarja sensacion e muzikës shqiptare!
Baki Ymeri: Poezi rumune - Nicolae B?ciu?/Nikolae Bëçuc
Petraq Zoto: Ridimensionim krijues
Përparim Hysi: Thërrime malli
Remzi Salihu: Poezi nga poetja zvicerane Brigite Fuks
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Jusuf Zenunaj: VetëvendosjA është një...
Bilall Maliqi: Heshtja metaforë poetike
Mihai Antonescu: Drita e Dardanisë dhe Shqiponja e Bukureshtit
Baki Ymeri: Qyteza dhe Njerëzit e saj
Sami Krasniqi: Përkushtim letrar me rastin e ‘’Flakës së Janarit’’