Kulturë
Albert Zholi: Flet shkrimtari dhe ish Drejtori i teatrit t ë Korçës, z. Petraq Zoto
E enjte, 28.01.2010, 06:00 PM
Flet shkrimtari dhe ish Drejtori i teatrit t ë Korçës, z. Petraq Zoto
Shteti i demokracisë harxhon shuma të mëdha për zyra komode, ndërkohë që, shkrimtarët i ka harruar fare
Nga Albert Zholi
Petraq Zoto është një ndër krijuesit e talentuar që ka lënë gjurmë në letërsinë shqipe. Për një kohë të gjatë ai ka qenë Drejtori i Teatrit të Korçës, teatër i cili ka qenë dhe mbetet ndër më të spikaturit duke nxjerrë nga gjiri i vet me dhjetra aktorë të nivelit të lartë, që edhe sot diskutohen me admirim në rrethet teatrale të vendit. Në këtë intrevistë ai flet për vitet e oara të krijimtarisë, arritjet e teatrit të Korçës, harresa që i ka bërë politika teatrit të Korçës në vitet e demokracisë. Intelektual i qetë, punëtor dhe i respektueshëm, Petraqi mbetet një figurë e spikatur jo vetëm për korçarët por për gjithë shqiptarët.
-Ju jeni shkrimtar, për mjaft kohë keni qenë dhe drejtor i teatrit të mirënjohur të Korçës. Nga ta nisim bisedën?
- Mbase është më mirë sipas renditjes që sapo e bëtë.
-Atëherë, kur dhe si e filluat krijimtarinë letrare?
-Në fillim të viteve ’60. Pranë pallatit të kulturës në Korçë kishte një rreth të mirë letrar, ku bënin pjesë edhe Teodor Laço, Koçi Petriti, Natasha Lako, Kiço Blushi, Guri Miçinoti e të tjerë. I lexonim krijimet e njëri-tjetrit, bënim diskutime krijuese pasionante, shpesh dhe në rrugë a në klube, duke shëtitur në bulevard, deri te parku “Rinia”. Natyrisht, secili përpiqej t’i botonte krijimet e veta, por s’qe e lehtë. Ndërmjet nesh atëherë përdorej shprehja “sa të çash perden e hekurt”. Kështu, pasi botova disa tregime në organe të ndryshme të shtypit, përgatita një libër me tregime për të vegjël dhe e dërgova në konkursin letrar të viti 1966. Ishte goxha guxim, ndaj merret me mend sa u befasova kur dëgjova në radio që kisha fituar çmim. Vëllimi titullohej “Tirka” dhe u botua në dy libra, “Mësuesi im i parë” në vitin 1966, “Ndërgjegjja”,1967. Më pas kam
marrë çmime të tjera, po emocionet e të parit qenë më mbresueset.
- Ju shkruani për fëmijë e të rinj dhe për të rritur. Si e shpjegoni këtë dyzim?
- Është njësoj si të thuash pse dikush shkruan poezi, dikush tregime e romane, një tjetër skeçe a komedi. Ka të bëjë me individualitetin krijues, ç’gjini a lloj letrar e ndien më të afërt dhe ku ndihesh edhe më i aftë, si të thuash, një shtysë e vetvetishme e prirjeve krijuese. Sa më herët t’i njohë prirjet e tij shkrimtari, aq më mirë i ecën krijimtaria letrare.
- 40 vjet krijimtari, si e përcakton Petraq Zoto kohën e vet letrare?
- Thjesht, në dy periudha. E para, nga fillimi deri në vitin 1981, kur botova librin me tregime historike “Bredhi i gjelbër”; e dyta nga 1981 e në vijim. Në periudhën e parë pata 11 botime, kurse në të dytën, sido që më shumë vite, vetëm 8 libra, por gjykoj se janë më të mirët. Më konkretisht, ndër botimet e mia të fundit, romani për moshën e adoleshencës së hershme “Burimi i drerit”, i vlerësuar me çmimin “Penda e argjendtë”, dhe libri me tregime për të rritur “Universi njeri” janë librat e mi më përfaqësues.
- Niveli më i arrirë është fryt i përvojës krijuese apo i rrethanave me ndikim më të favorshëm?
- Edhe njëra, edhe tjetra. Njeriu mëson nga përvoja si ta bëjë më mirë një gjë dhe, sidomos, që të jetë më kërkues ndaj vetes. Pa mëson edhe të mbrohet nga pengesat e kufizimet që s’varen prej tij, Siç thashë më lart, në vitin 1981 botova një libër me tregime historike, në vitin 1984 një libër me mbresa gjuetie dhe personazhe kafshë, në vitin 1989 një roman që e merrte zanafillën nga një përrallë e hershme. Kësisoj, duke anashkaluar temën aktuale, ku vështirë se i shpëtoje ndikimit të kohës, pata më tepër hapësirë krijuese, pra mundësi më të mëdha për cilësi më të lartë.
- Tani jetojmë në demokraci. S’ka më censurë, as autocensurë, askush s’të pengon të shkruash çfarë të duash e si të si duash. A përbën kjo një klimë nxitëse në krijimtarinë letrare?
- Pa dyshim. Liria krijuese është gjë e madhe, s’e mohon dot kush. Ngjarje e dëshiruar që po jep e do të japë fryte të mbara. Por vetëm liria nuk mjafton. Në kohën e mëparshme, pavarësisht përse, kishte kushte nxitëse. Leja krijuese, orare të reduktuara, dieta për udhëtime njohëse. Dhe gjithë ato organe shtypi që botonin letërsi, si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Bota letrare”, “Zëri i rinisë”, revista “Ylli”,” Pionieri”etj. Tani edhe “Drita” s’del më. Kishim një mjedis ku mblidheshim ndonjëherë, aty vepronte edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, u bë seli e Ministrisë së kulturës. Shteti i demokracisë harxhon shuma të mëdha për rikonstruksione selish dhe për zyra komode, ndërkohë edhe një pension i veçantë më pak se 40.000 lekë në muaj, shkrimtarëve u jepet si me pikatore. U desh një mbledhje qeverie për t’i dhënë këtë farë pensioni shkrimtarëve
të tillë si Dritëro Agolli e Sabri Godo dhe kjo u njoftua në shtyp, a thua përbënte lajm! Ra sëmurë poeti i mirënjohur Xhevahir Spahiu, për më tepër akademik, u dërgua jashtë shtetit për kurim më të specializuar me kontribute dashamirësish. Po të qe politikan, me siguri do të nisej brenda ditës me të gjitha shpenzimet nga shteti...
- Vijmë te sfera tjetër e veprimtarisë suaj, ajo e teatrit. Kur u krijua teatri i Korçës dhe mbi ç’baza?
-Teatri “A. Z. Çajupi” u krijua në vitin 1950. Ai vinte si një nevojë artistike e kohës, kërkesë për art skenik profesional dhe me vazhdimësi. Më parë ishte zhvilluar një lëvizje artistike mjaft aktive. Në vitin 1890 në Korçë u shfaq tragjedia “Otello”. Një shfaqje si ajo dëshmon se Korça ka pasur një përvojë teatrore më të hershme. Në vitin 1908 u shfaq drama “Besa” e S.Frashërit, ku aktorët meshkuj luanin rolet e femrave. Po gjallëri të madhe arti skenik njohu në vitet ’30 me krijimin e shoqatave kulturore e artistike dhe me kthimin e Sokrat Mios, i diplomuar në Paris. Ai mbrunte në vetvete një pasion të veçantë për teatrin, aq sa studioi për regjisor, kur në Shqipëri s’kishte asnjë teatër profesionist. Madje e tregonte si anektodë thënien e një njeriu të shquar, kur mësoi përse kishte studiuar. E ç’do të bësh në Shqipëri me këtë profesion, i pati thënë trishtueshëm
ai.
Në vitin 1936 Mio vuri në skenë dramën e Ibsenit “Armiku i popullit”. Shfaqja pati jehonë të gjerë në qytet dhe i shqetësoi autoritetet e kohës. S. Mio shkoi edhe në qytete të tjera, kudo ku kërkohej ndihmesa e tij. Ai ka qenë regjisori i parë i Teatrit Popullor, drejtor i shkollës së parë për aktorë në Tiranë, regjisori i parë i teatrit të Korçës. Së bashku më vëllanë Vangjush Mio, piktor i mirënjohur, skenograf në teatrin e porsakrijuar “A. Z. Çajupi”, dhanë ndihmesë të vyer në formësimin e teatrit profesionist. Më pas të dy merituan titullin e lartë Artist i Popullit.
- Si shpjegohet pagëzimi i teatrit tuaj me emrin e poetit zagorit?. Ç’ lidhje kishte Çajupi me Korçën?
- Çajupi pati lidhje me patriotët korçarë që punonin e jetonin në Egjipt, por emërtimi erdhi nga lart. Korça kishte propozuar emrin e Fan Nolit.
- Ndonjë gjë të veçantë nga fillimet e teatrit profesionist, puna e Sokrat Mios, aktorët e parë...
- Regjisorit Mio iu desh të punonte me aktorë amatorë, të cilët s’ kishin as arsimin e përgjithshëm të mjaftueshëm, jo më atë profesional. Para dite bënte prova për premierën e re, pasdite punonte me aktorë të veçantë për t’u mësuar konceptet bazë profesionale. Thërriste herë njërin e herë tjetrin, mirëpo njëri pas tjetrit vinin të gjithë dhe vetiu kryhej një kurs i vërtetë profesional, shpesh po vetiu rifillonte prova e paradites. Aktorët kishin mangësi kulturore e profesionale, ama shumë dëshirë e vullnet dhe sillnin njëfarë përvoje artistike. Trajçe e Grabocka tashmë veteranë të artit skenik amator, Raidhi e Skali nga teatri partizan, Dhorka, Stavri e Thimi nga grupi teatror pranë pallatit të kulturës...Premiera e parë ishte një dramë sovjetike, ku Vani Trako luante rolin kryesor...
Teatri ynë ka qenë me fat, pasi, përveç S. Mios, i cili e vuri në shina profesionale, punuan aty Pirro Mani e Mihal Luarasi, dy regjisorët tanë më të shquar, mandej Dhimitër Orgocka, që, siç e pranon vetë, të thuash, bëri shkollën e tyre, veçanërisht të Pirros. Inskenime të tilla si “Pamje nga ura”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Hijet e natës” dhe “Këneta” apo “Njollat e murrme” e bënë teatrin tonë të njohur e të dashur për mbarë spektatorin shqiptar.
- Si u gjende në drejtimin e këtij teatri? A e kishe shkuar ndonjëherë ndër mend dhe cilat janë mbresat e tua të para?.
- Para se të vija në teatër, isha drejtor i pallatit të kulturës. Si të thuash, jetonim në të njëjtën shtëpi, ishim të afërt e njiheshim mjaft mirë. Atëherë nuk mund ta refuzoje detyrën. Ndërkohë unë kisha botuar disa libra dhe më ishte dhënë orar i reduktuar, kështu që e nisa detyrën e re me mendimin se së shpejti do të gjeja një variant pune me më tepër mundësi krijuese, gjë që nuk ndodhi. Teatri ynë kishte në përbërjen e vet tri trupa artistike:teatri i dramës, estrada, teatri i fëmijëve, çdonjëra një konvejer artistik i pandalshëm. Dhe çdonjëra me probleme e shqetësime, të cilat drejtorit i duhej t’i zgjidhte në mënyrën më të mirë të mundshme.
Megjithatë, ishte një punë gjithë variacion. Bashkëpunimi me autorët, përgatitja e pjesëve për t’u vënë në skenë, bërja e dekoreve, organizimi i shfaqjeve...Secila trupë artistike arriti të realizonte 4 premiera dhe 200 shfaqje në vit...
-Teatri i Korçës tërhoqi vëmendjen e udhëheqjes së asaj kohe. Mund të na thoni ndonjë gjë të veçantë?
-Me sa di unë, Enver Hoxha kishte parë disa shfaqje në vitet ’50, por pa bërë ndonjë koment. Në vitet ’60 kritikoi ashpër “Rrethimin e bardhë” të Naum Priftit dhe sidomos “Njollat e murrme”, fituese e çmimit të parë në festivalin e vitit 1969. Kritika e tij i çoi në burg autorin Minush Jero dhe regjisorin Mihal Luarasi. Në vitin 1975 e lavdëroi premierën e komedisë “Zonja nga qyteti”.
- E takuat ju? Çfarë tha konkretisht?
-Unë isha me pushime në Dhërmi. Rrugëtimi nga Dhërmiu në Korçë donte një ditë të tërë. Po s’pati kohë për njoftim, sepse ai vajti në Korçë në mënyrë disi të beftë që nga Pogradeci, ku rrinte gjatë verës. Në informimin e zakonshëm për këto raste, drejtuesit e rrethit i folën edhe për premierën e re të teatrit dhe kërkoi ta shihte. Nuk e ndjemë fare si iku koha, u tha të pranishmëve. Shfaqje e bukur. Dhora është aktore e madhe, Ruzhdi Pulaha shkrimtar i talentuar. Pas kësaj na njoftuan ta jepnim në Tiranë. Ishte verë, megjithatë gjatë gjithë javës salla plot e përplot. Erdhi TV dhe e regjistroi. Më vonë Pirro Milkani e bëri film.
- Po udhëheqësit e tjerë?...
- Mehmet Shehu ia hoqi nga repertori teatrit dhe Televizionit dramën e Vedat Kokonës “Hijet e natës”, një vlerë e artit skenik shqiptar. Më vonë, kur kishte nisur tatëpjeta e tij, pa komedinë “Shoqja nga fshati” dhe i pëlqeu. Shfaqjet tona i kishin ndjekur edhe R.Alia, M. Myftiu, R.Marko, H. Isai, etj. Ramizi jepte mendime konkrete. Njëherë na tha që roli i partisë të mos shihej vetëm te sekretari apo komisari. Duke dalë nga premiera e dramës së Teodor Laços “Qyteti i akuzuar “, Manush Myftiu u ndal një çast te shkallët përjashta e u shpreh i ekzaltuar:”Këtë ta japësh në Kosovë!...”
- Cili ka qenë aspekti më i pëlqyeshëm i punës në teatër? Po më i pakëndshmi?
- Më i pëlqyeshmi, merret me mend, kur premierat dilnin mirë e aktiviteti shkonte mbarë. Premiera të tilla si “Zonja nga qyteti”, “Maro Mokra”, “Qyteti i akuzuar”, “Kopraci”, “Mësuesi i letërsisë”, “Plumbat e shkronjave”, “Shi në plazh”’ “Nusja moderne” e ndonjë tjetër u shfaqën radhazi secila më se 30 herë dhe me sallën plot.
E pakëndshme, madje tejet e mundimshme, praktika e miratimit të premierave. Në provën e përgjithshme përherë kishte edhe zyrtarë nga komiteti i partisë. E shikonin shfaqjen e iknin pa thënë asnjë fjalë. Ne vej e vinim duke hamendësuar çfarë do të na thoshin. Të nesërmen na thërrisnin në komitetin e partisë dhe kërkonin të bënim edhe këtë e atë. Nuk na e miratuan premierën e dramës “Orteku i vjeshtës” të Sotir Andonit, sepse ndërkohë atij i ishte hequr e drejta e botimit, gjë që s’na e tha kush. Më pastaj autorit iu hoq masa penguese, po premierën nuk na e lejuan. Më erdhi keq për Spiro Karanxhën, pasi në atë premierë të ndaluar pati një rol të spikatur që spektatorët s’e panë, njësoj si me “Hijet e natës”, ku gjithashtu kishte rol kryesor të realizuar bukur. Një premierë tjetër, ajo e dramës së Eglantina Mandisë “Pranverë 44”, na u ndalua nga ekipi i Ministrisë, me të
cilët u bashkuan edhe autoritetet e rrethit. Po atë vit dhe po nga ekipi i Ministrisë patëm telashe për dramën e Pulahës “Djemtë e Bato Gorës”. Hoqëm picirin deri sa e shfaqëm, falë miratimit të Pirro Kondit, i cili në atë kohë erdhi me transferim në Korçë.
Në njërën nga këto raste, e pësova dhe unë. Ishte viti 1986. Institucioni ynë po e mbyllte me arritje si asnjëherë tjetër, të gjithë treguesit të realizuar, secila nga tri trupat artistike meritoi çmim të parë në takimet përkatëse. Mirëpo në fillim të nëntorit përgatitëm një koncert recital të Lindita Thedhorit. Koncert i bukur, me këngë të zgjedhura dhe prezantim të këndshëm nga vetë këngëtarja, e cila kishte studiuar për aktore, me fjalë të tjera, spektakël i paparë ndonjëherë në skenën tonë, ndaj dhe u këqyr me lentë zmadhuese. Dhe u gjetën në të izma e shfaqje të huaja deri edhe te orkestrimi i këngëve dhe në detajet e dekorit, ku dikush konstatoi simbole të flamurit izraelit! Për më tepër, u kënduan edhe këngë franceze e greke, dhe kur pa, në prag të festave të mëdha të nëntorit!...U bënë mbledhje pa fund, pas të cilave unë dhe inspektori i kulturës u shkarkuam,
dirigjentin Adrian Jorgji e çuan në prodhim. Tërsëllëma më e madhe i adresohej këngëtares, por ajo ngeli pa u lagur, ngase dy ditë më vonë erdhi në Korçë Dritëro Agolli dhe ai ua tha haptazi drejtuesve të rrethit që kishin gabuar, pasi prova e një shfaqjeje është punë ende në laborator, mund të hiqej a të vihej ndonjë gjë dhe çdo shqetësim zgjidhej pa gurgule e masa ekstreme. Ndërkaq, mua më tha se isha një shkrimtar pa dramë dhe u bëra me dramë!... Problemin e masës ndaj meje ai e ngriti edhe në një mbledhje për teatrin e dramaturgjinë dhe pas dy vjetësh më rikthyen në detyrë. Kur u bë prezantimi im në teatër, përballë meje pashë sy të përlotur. Këtë ndjesi nuk do ta harroj kurrë.
-Ndonjë ndjesi tjetër emocionale?...
-Kanë qenë të shumta, po tregoj njërën. Erdhi në Korçë teatri i Prishtinës me drejtor shkrimtarin Ramiz Kelmendi. Si mirëseardhje shfaqëm për ta premierën e radhës, “Maro Mokra”. Të nesërmen i çuam në kinema, ku panë filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”. Kur dolëm përjashta, kishte filluar shëtitja në bulevard dhe në shëtitje takuam si me porosi njërin pas tjetrit Sotiraq Bratkon, Llazi Sërbon e Thimi Filipin, interpretë në atë film. Aktorët prishtinas i qarkuan me ëndje dhe ua qepën sytë gjithë dritësim e ngrohtësi admirimi. Teatri i Korçës ka aktorë të mëdhenj, tha i emocionuar shkrimtari Kelmendi...
-Vërtet emocionuese, aktorët e Korçës u bënë të mirënjohur e të dashur. Por...a keni ndonjë peng nga puna shumëvjeçare në teatrin “A. Z. Çajupi”?
- Natyrisht, asgjë nuk ecën gjithmonë fjollë. Teatri ynë bëri emër dhe mirëpritje gjithandej, megjithatë e vuante disi të qenit në provincë, sido që në një qytet si Korça, i njohur për traditën e shquar në art e kulturë. Nëse për një rol të mirë të një aktori me banim në Tiranë s’lihej lavdërim pa iu bërë, aktorëve tanë u qëmtohej ndonjë yçkël. Fjala vjen, Dhorkë Orgocka, aktore shumë e talentuar, realizoi me sukses kryerolin e Maro Mokrës. U thanë fjalë të mira, pa dyshim, ama u gjet edhe një cen, emfaza, dhe steka e vlerësimit u ul mjaft. Vetëm kur ajo ndërroi jetë, nga Teatri Kombëtar u shfaq pa ngurim mendimi se Maro Mokra e saj është një nga dy rolet më të mëdha epike për femra në teatrin shqiptar. Kam qenë në një emision televiziv bashkë me disa opinionbërës të artit skenik. Njëri prej tyre tha se Aleko Prodani është aktor i shquar korçar. Aktor i shquar shqiptar,
ndërhyra unë. Po, po, mërmëriti ai, a thua i kishte shpëtuar padashur. Në të vërtetë përcaktori krahinor jo rrallë përdorej për ta zvogluar lavdërimin. Edhe Lekos vetëm pas vdekjes iu bë vlerësimi i merituar me titullin Mjeshtër i madh.
Një peng tjetër i madh ka të bëjë me zhgënjimin nga tranzicioni. Shpresuam shumë, donim të bënim turne nëpër botë, së paku në trevat ku banojnë shqiptarë. Tentuam disa herë e dështuam për dy arsye gangrenë të asaj kohe, vizat dhe fondet e nevojshme. Ra interesi shtetëror për artin skenik, ra edhe interesi i spektatorëve. Njerëzit zunë të popullonin lokalet që mbinin si kërpudhat pas shiut, disa iknin rrëke përtej kufijve, të tjerë u dhanë pas biznesit. Sikur të mos mjaftonin këto, u shkurtuan fondet dhe u bë reforma, thënë ndryshe shkurtimi i organikës. U bënë testime për listën e përcaktuar nga Ministria e Kulturës, gjysma e artistëve doli në asistencë. Ishte tejet e dhimbshme, e ndiej fort edhe sot e kësaj dite...
Së fundi, në 40-vjetorin e teatrit bëmë një sallë-muze me foto e sende që nga fillimet e artit skenik në Korçë. I mblodhëm në një dosje të madhe gjithë shkrimet për jetën artistike të qytetit, krijuam një arkiv me foto e shkrime për çdo premierë e për çdo aktor dhe historikun e trupave artistike. Aktori Koço Qendro që punoi me aq pasion për muzeun e arkivin, thotë me trishtim se është dëmtuar gjithçka. Do të jetë mirë që aktorja e talentuar dhe tejet aktive Zamira Kita, tani drejtore e teatrit, ta ketë në vëmendjen e saj riaktivizimin e memories së artit skenik nga e cila rrjedh si gurrë përvoja e mirë ndër vite, pasuri e teatrit dhe e mbarë qytetit.
- E ndihmoi apo e pengoi drejtori Zoto shkrimtarin Zoto? Dhe ç ’po shkruani tani?
- Edhe vetë e kam shkuar ndër mend se si do të ishte jeta ime letrare me punësime të tjetra. Me argumentin e letërsisë shmanga dy raste emërimi në Tiranë, ndërkaq puna si drejtues i dy institucioneve kulturore e artistike nuk shkonte dhe aq ndesh me sferën krijuese. Pastaj dihet se një tru me ngarkesë e ngacmime të pareshtura, është më pjellor sesa një tru i qetë. Në vitet e ndëshkimit punova në arsim, ku m’u dha mundësia ta zbatoj orarin e reduktuar. Punoja vetëm tri ditë në javë dhe kohë kisha boll, megjithatë ato dy vite janë më të zbehtët në krijimtarinë time letrare.
Dhe...përgatita për botim një libër me tregime për fëmijë e të rinj, tani po rishikoj një roman, që e kam hedhur në letër tre vjet më parë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Pilo Zyba: Kënga arvanistase dhe magjia e saj
Mihai Antonescu: Syri i gjumit mbi krojet e Kosovës
Halit Bogaj: Bert Llankaster (1913-1994)
Demir Krasniqi: Një kodër varre
Sami Islami: Kur Rasku e Veli ikën nga fshati
Suzana Kuqi: Rënkim
Ziko Ll. Kapurani: Njohje në xham
Dy poezi nga Nehat Jahiu
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
U promovua libri “Pellgu i Dhembjes” - Monografi kushtuar rokerit të njohur Uran Bajramit
Kozeta Zylo: Intervistë ekskluzive me redaktoren e kulturës të gazetës “TemA”, zonjën Dhurata Hamzai
Alma Papamihali: Eda Zari - Këngëtarja sensacion e muzikës shqiptare!
Baki Ymeri: Poezi rumune - Nicolae B?ciu?/Nikolae Bëçuc
Petraq Zoto: Ridimensionim krijues
Përparim Hysi: Thërrime malli
Remzi Salihu: Poezi nga poetja zvicerane Brigite Fuks
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Jusuf Zenunaj: VetëvendosjA është një...
Bilall Maliqi: Heshtja metaforë poetike
Mihai Antonescu: Drita e Dardanisë dhe Shqiponja e Bukureshtit