E hene, 29.04.2024, 08:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Alma Hoti: Femra vazhdon të konceptohet si punëtore shtëpie

E enjte, 28.01.2010, 09:03 PM


Flet, gazetarja, regjisorja, fituesja e çmimit të parë parë për regjisorët e rinj, Alma Hoti

Personalisht jam për një bashkjetesë 2-3 vjeçare
Femra vazhdon të konceptohet si punëtore shtëpie 

Nga Albert Zholi

E palodhur, këmbëngulëse, e dashuruar me artin, simpatike, vizionare, këto janë disa nga cilësitë e Almës. Dhe pse një kohë të madhe ja kushtoi gazetarisë ëndrra e saj ka qenë dhe mbetet regjisura. Çmmimi i parë i dhënë më 25 tetor me dramën “Shtëpia e Bernarda Albës”, si regjisorja më e mirë e re ishte një nga ditët më të bukura të saj. Eshtë e lidhur me familjen, por duke mos u shkëputur nga aktiviteti i përditshëm. Sipas saj bashkjetesa sot është e pranueshme për një familje solide në të ardhmen. Bukuria sipas saj është një anë e mirë e femrës, por që primare mbetet inteligjenca. Në këtë intervistë ajo rrëfen sekretet, planet për të ardhmen, xhelozitë mes kolegëve, vështirësitë e artit të sotëm, mënyrën e jetesës dhe mardhëniet mes njerëzve. Ajo rrëfen natyrshëm, plot emocion pa mbajtur rezerva. 

Alma ju në Festivalin e fundit teatror për regjisorët e rinj (25 tetor), zutë vendin e parë me dramën “Shtëpia e Bernarda Albës”. Si u ndjetë për çmimin dhe a e kishit menduar ndonjëherë vendin e parë? 
Te them të drejtën që në momentin që u shpalla një nga fitueset e gjashtë projekteve të festivalit të regjisoreve të rinj, i vura synim vetes që të bëj një shfaqje të mirë dhe të pëlqyeshme për publikun, gjë që natyrisht do mund të me jepte dhe çmimin e parë. Përzgjedhja e veprës në fakt më bëri të ndjehem fituese para kohe, sepse është një vepër shumë e bukur dhe të jep dorë për të bëre një punë të mirë regjisoriale. Por nuk mund të hamendësoja asgjë deri në momëntin që do shihja të gjitha shfaqjet e kolegeve të mi dhe të testoja punën e tyre. Secili prej tyre mund të ishte fitues, por unë e kam thënë dhe e them një nga armët e mia me të forta ishte vepra jashtë mase e përkryer në të gjitha aspektet dhe fakti i tetë aktoreve femra. Natyrisht që në minutat e fundit kur po priteshin emrat e fituesve kam qënë shume e emocionuar dhe nuk dija ku isha aq sa me pas kur u permend emri im, kam dalë në skenë e përlotur dhe kam folur duke u dridhur, gjë që nënkupton më së miri rëndësinë që kishte ky çmim për mua. Jo rëndesi karrieriste se fitova një çmim dhe kushedi çfarë bëra, por rëndësi në kuptimin më të mirë të fjalës, vlerësim, stimulim, inkurajim.
Që në rini ju u afruat me gazetarinë e folur, si lindi tek ju kjo dëshirë?  
Kam qënë vetëm 12 vjeçe kur për herë të parë kam drejtuar një program radiofonik në Radio-Shkodra, në qytetin tim të lindjes, e për të vazhduar më vonë në televizionet lokale, Tv-Rozafa, Tv-Shkodra etj.. Dhe u rrita me një pasion të çmendur për  televizionin dhe radion, tamam sikur të kisha bërë shkollë për atë punë. Ato kanë qënë vitet më të bukura të cilat më stimuluan dhe më dhanë krahë për të ecur më tej, për të fluturuar në Tiranë, në TVSH, Vizion- Plus, Tv-Norba, Tv-Koha etj., e për t’u ndalur përfundimisht në Akademine e Arteve, në degën e regjisurës. Dashuria e çuditshme për kameran dhe mikrofonin, lirshmëria ime në komunikim, natyra improvizuese, krijimtaria dhe imagjinata e zhvilluar, të gjitha këto mund të më çonin vetëm tek gazetaria, por ndodhi ndryshe, e ndjeja që mund të bëja më shumë se gazetaren e thjeshtë, natyra ime shumë impulsive, shumë e fortë dhe e vendosur më imponoi regjinë. Realisht do kisha dashur të studioja për regji televizive, por meqënëse tek ne nuk kishte degë për këtë,  atehere zgjodha  regjinë e teatrit. Për më tepër që kisha dhe një qëllim shumë fisnik në kokë. Ti dhuroja Shkodrës, një regjisore femer të diplomuar, pas mbi 20 vitesh mungese të regjisoreve të rinj në teatrin "Migjeni".
Si regjisore, çfarë planesh keni për të ardhmen?
Si regjisore e re, se si një femër regjisore, do të përpiqem me të gjitha mundësitë të krijoj profilin tim në regjine e teatrit duke tentuar në vepra të mëdha dhe me tema sociale, të prekshme për jetën tonë shoqërore. Bashkëpunimi im i ardhshëm i referohet sërish Ambasadës Spanjolle, e cila më ka propozuar të vë në skenë një tjetër vepër spanjolle. Unë kam filluar të mendoj seriozisht për këtë, pasi bëhet fjalë për ta realizuar më dt 23 prill. Tani natyrisht më duhet të kërkoj dhe mbështetës të tjerë financiarë për të realizuar një tjetër shfaqje. Por duke qenë se pasioni im për televizionin rri paralel me atë për teatrin, mendoj që do tentoj të bëj diçka të bukur dhe në televizion.  
Thuhet se mes regjisorëve ka shumë xhelozi, a është e vertetë dhe ku e ka bazën kjo xhelozi?  
Koha në të cilën po jetojmë mund të them me plot gojën se na e ka futur të gjithëve shejtanin në bark. Jo mes regjisoreve e artistëve që ka xhelozi, po kudo në çdo administratë në çdo sektor apo grup njerëzish që punojnë së bashku, ka hyrë një xhelozi e keqe dhe mjaft plangprishëse që krijon një atmosferë shumë të keqe dhe mbytëse në punë. Realisht, më vjen shumë keq për këtë që po ndodh se po e bën jetesën në grup shumë të vështirë dhe madje të papërballueshme. Lufta mes llojit për të mbijetuar dhe për të ecur duke shkelur mbi të tjerët është bërë e modës tashmë dhe ne përballemi çdo ditë me situata aspak të këndshme. 
A është e lehtë në kushtet e Shqipërisë ta përballosh jetesën vetëm nëpërmjet artit? 
Jo vetëm që nuk është e lehtë, por është e papërballueshme. As që mund ta çosh në mend se mund të jetosh me aq pak lek sa sigurohet sot përmes projekteve, të cilat varet të bien në dorë apo jo. Për mua të vetmit të cilët sigurojnë të ardhura të mira në Shqipëri në këto vite jane vetëm këngëtaret, të cilët ndonëse të shtuar jashtë mase shumë për çudi në këtë treg të muzikës komerciale janë më të paguarit dhe vlerësuarit. 
Sot në shoqërinë shqiptare ka shumë debate për bashkjetesën. Mendimi juaj? 
Unë personalisht jam pro bashkjetesës në kuptimin më të mirë të fjalës. Që do të thotë: 
Mundësia për të njohur partnerin në çdo aspekt. Për një periudhë të caktuar para se të vendosësh nëse ai është njeriu i duhur për ty. Por nuk jam dakort për një bashkjetesë pafund. Bashkjetesa është e mirë për një periudhe 2-3 vjeçare kohë që është e majftueshme për të vendosur mbi një lidhje. Madje për mua është gjëja më e mirë që mund të bëjë çdo çift. 
Tashmë ndoshta më pak kohë të lirë me familjen. Ç’është familja për ju? 
Në fakt është e vërtet që koha jonë sa vjen dhe ngushtohet sepse vetë profesioni është i tillë, por edhe jeta është bërë e vështirë për këdo. Unë për fatin tim të mirë kam ditur dhe do di gjithmonë t’i jap çdo gjëje kohën që i takon, sidomos familjes, që është gjeja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë në jetë. Vërtet që karriera duhet ndjekur që t’i korrësh sukses, por ama edhe familja është një dhuratë që nuk ka çmim, dhe nuk ka të krahasuar. Çdo gjë është kalimtare në jetë, por familja mbetet familje. Unë jam rritur që e vogël me një mungesë të madhe shpirtërore se im atë u largua shumë shpejt nga jeta dhe kam parë sakrificat e nënës time për të rritur tre vajza. Ajo harroi çdo gjë, edhe veten e saj për ne, kështu që kam një shembull shumë fisnik për të ndjekur. 

Box 
Pozicioni i femrës shqiptare në jetë
Femra shqiptare ka ecur goxha po të mendosh vitet e izolimit që e kthyen atë në një skllave dhe vegël pune. Këto vite ka një rritje të konsiderueshme të potencilait të femrës në shoqëri, por pra kjo është shumë pak për të mos thënë është sa për t’u dukur. Femra shqiptare ka vityte të admirueshme për çdo kombësi tjetër, është e gjithanshme dhe është shumë e fortë për t’u përballur me jetën dhe çdo gjë të saj, por nuk jepet vendi i duhur, nuk i hapen lehtë rrugët. Ka paragjykime pafund, në lidhje me pozicionin dhe atë që ajo mund të arrijë. Unë po e shoh vetë çdo ditë, që në vend që të gjej solidaritet dhe mbështetje në botën mashkullore hasim me mentalitete shume të kalbura dhe aspak të moderuara. Akoma femra vazhdon të konceptohet si punëtore shtëpie si një kukull për vitrinë, dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e shoqerisë tonë. 


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora