E shtune, 27.04.2024, 04:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Zef Gjata: E ardhmja e Kolecit

E premte, 29.01.2010, 07:41 PM


Prof. As. Dr. Zef GJETA

E ARDHTMJA E KOLECIT

Bakiu e Tereza ishin një çift mjaft simpatik. Ani ç’ka se njëri ishte nga jugu e tjetri nga veriu. Ata ishin njohur në një nga ato ditët e punës së detyrueshme që asokohe i quanin si aksione vullnetare. Këtu nuk është as rasti e as vendi të tregojmë për peripecitë që i dolën çiftit derisa u martuan. Ishte fundi i diktaturës e njerëzit kishin filluar të harrojnë mësimet e partisë “të gjithë njëlloj”, e këmbëngulnin se “lopa dhe gruaja duhen nga zona jote”. Por nejse, ata bënë si bënë e u martuan. 
Pas martesës u duk se çdo gjë do të shkonte mirë për ta. Meqë privatizuan ca prona që i rregulluan me dokumenta fallso, i shitën e bënë një tufë të mirë me lekë. Por si thotë populli “telashet s’kanë të sosur”. Do të thoni se filloj sherri, vjehërr nuse a diçka tjetër. Në fakt nuk është tamam kështu. Tereza nuk bëri fare fjalë me vjehrrën se u ndanë qysh ditën e parë pas dasmës. Por, tjetër kund qëndronte problemi: çifti nuk bënte fëmijë. 
Kjo gjë i pikëlloi pa masë si çiftin ashtu edhe të afërmit e tyre. Në fillim këtë gjë e mësuan disa nga rrethi i ngushtë familjar, por më vonë lajmi u përhap tek të gjithë njerëzit e tyre ngado që ishin. Ndaj, çifti si fillim shëtiti të gjithë spitalet gjinekologjike, si dhe u njoh me 85 për qind të mjekëve të specializuar për këtë punë. Por jo vetëm ata edhe ndonjë i afërm a farefis i tyre që hynte si mik për tua zgjidhur këtë hall. E pas gjithë kasaj pune, këtë problem e mori vesh si të thuash, tanë Shqipëria.
Filluan të ftohen në këtë mesele edhe ca të “ditur”, pjesa më e madhe e të cilëve dinte mjaft mirë të merrte lekët dhe ti ftonte për ndonjë vizitë tjetër, por jo për tua zgjidhur hallin. Meqë nuk po gjenin derman, shkuan edhe në nja tetë vende fqinje në një turne nëpër spitalet gjinekologjike të tyre. Pas shumë vizitash, konsultimesh, këshillimesh, ilaçesh e dy muaj në plazh, fati më në fund i buzëqeshi këtij çifti: u lindi një djalë plot 3 kile e 795 gram. 
Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm. Numri i njerëzve të ftuar në bankete, të atyre që vinin vetë për vizitë, për ti uruar, dhe sasitë e ushqimeve e të pijeve të harxhuara mori përmasa humoristike. Mjafton që dikush ti thoshte Bakiut “Të rrojë djali!”, dhe kishte s’kishte punë tjetri detyrohej të futej në kafenenë më të afërt me të e nuk dilnin pa u bërë tapë. Kjo vazhdoi për disa kohë, derisa xhepi i Bakiut nuk kishte më të harxhone. Ata kishin tani të ardhura vetëm për të siguruar bukën. Kështu që pas atij gëzimi aq të madh, ditët filluan ti shtynin në monotoni.
Papritur, një ditë, sapo u mblodhën që të tre: Bakiu, Tereza dhe kolopuçi i vogël me emrin Kolec, ju lindi një ide e re. Tereza mbante mënd njërin nga ata të “diturit”, se ai parashikonte të ardhmen. Ndaj i tha të shoqit se tashmë ishte me shumë rëndësi të dinin se çfarë të ardhme do të kishte Koleci i tyre: do të ishte me fat, apo do të ngrysej (mos qoftë e thënë), me probleme e me halle. Aty u tha, aty u muar vendimi. Pa e bërë të gjatë u nisën për tek shtëpia e atij që mund tu shtinte fall për djalin.
Kur shkuan atje u habiten: jo vetëm Tereza e mbante mend, por edhe ai e mbante mend çiftin, pasi aso kohe i kishin dhënë një shpërblim disa herë më të majmë se të tjerët. 
Nuk po zgjatemi se sa me përgjërim iu drejtuan prindërit e këtij fëmije rreth njëvjeçar fallxhorit për t’ju thënë diçka me rëndësi për të ardhmen e trashëgimtarit të tyre, por po hymë direk e në temë.
- Sido që të jetë, ju hatëri nuk duhet t’ju mbetet as qefi mos t’ju prishet. Më jepni një monedhë 50 mijëshe dhe do të vazhdoj me metodat e mija…
Prindërit e njëvjeçarit shikuan njëri-tjetrin si të shushatur. Ata vërtetë donin të mësonin diçka, por a mundeshin të paguanin aq? I zoti i shtëpisë e kuptoi dhe i sqaroi që seanca kushtonte vetëm 10 mijë lekë të vjetra, por ajo kartmonedhë i duhej sa për parashikimin. 
Kështu, ai nxorri vetë një 50 mijëshe nga xhepi, mori një shishe me raki dhe një libër, e që të tria këto i vendosi në dyshemenë e dhomës. 
- Tani, - spjegoi ai, - do të lëmë kolopuçin këtu vetëm. Ne do të shikojmë nga vrima e çelësit. Në rast se ai do të marri lekët, do të bëhet biznesmen, nëse merr librin do të bëhet i ditur. Veçse, në marrtë shishen e rakisë, mos t’ju mbetet qejfi, por ai do të bëhet një sarahosh.
- Mos e dhëntë Zoti! – u hodh menjëherë e ëma. 
Të njëjtën gjë murmuritën edhe i zoti i shtëpisë dhe i jati i fëmijës. Ndërkohë, Tereza, tek po linte djalin në dysheme iu drejtua fallxhorit:
- Po nëse i merr të tria si i bëhet?!
- Nëse i merr të tria është një mrekulli e vërtetë. Djali juaj me siguri do të bëhet kryetar i ndonjë partie apo funksionar i lartë në ndonjë dikaster me shumë tendera… 


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora