E diele, 28.04.2024, 05:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Ismail Kadare, një mjeshtër shahu kundër diktatorit Hoxha

E premte, 29.01.2010, 10:56 PM


Nga Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare

Ismail Kadare dhe Enver Hoxha. Dy mjeshtra shahu vendosur kundër njëri-tjetrit, përgjatë tri dekadave, për fatin e Shqipërisë. Çfarë ndodhi në jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarit përgjatë viteve 1959 -1990? Profesor Peter Morgan sapo ka botuar një libër prej 400 faqesh ku analizon jetën e Kadaresë, që ai e cilëson "shkrimtari i guximshëm". 
Morgan, një profesor i Studimeve Europiane në Universitetin e Australisë Perëndimore, ka shkruar kësisoj studimin e parë të gjatë në gjuhën angleze, të betejës për mbijetesën e letërsisë në shtetin e vijës së ashpër staliniste të Shqipërisë. Libri i botuar nga "Legenda" e Oksford & London, është një biografi e jetës së shkrimtarit nën diktaturën shqiptare të Enver Hoxhës. Me titullin "Ismail Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990" , ky libër, siç e cilëson vetë profesor Morgan, "është rrëfimi i dy mjeshtërve të shahut të vendosur kundër njëri-tjetrit gjatë tri dekadave për fatin e Shqipërisë". "Përveçse një shkrimtar gjeni, Kadareja ishte një takticien brilant, i cili ia doli mbanë të mbijetonte në regjimin më të ashpër dhe shtypës të të gjitha regjimeve. Mund të thoni se Kadareja, të cilin e kam intervistuar dhe takuar shoqërisht në raste të ndryshme, ishte si Shehrezadja. Ai e mbajti veten dhe popullin shqiptar të gjallë me rrëfimet e tij". 
Profesor Morgan ka folur për të gjithë shqiptarët që banojnë në Australi dhe për atë çfarë kanë kaluar një pjesë e mirë e tyre nën regjimin e Hoxhës. "Shqiptarët përbëjnë një pjesë të vogël, por të rëndësishme të Australisë multikulturore dhe nëpërmjet veprës së shkrimtarit dhe intelektualit më të madh shqiptar, ne mund të arrijmë të kuptojmë më mirë shqiptarët, historinë dhe kulturën e tyre, dhe shumë shqiptarë në këtë vend mund të kenë familje që kanë vuajtur nën diktaturën e Hoxhës. 
Siç e cilëson Morgan, "Hoxha ishte një narcisit inteligjent, i etur për pushtet, që donte të tregonte se regjimi i tij ishte një regjim i sofistikuar komunist. Ai donte që të shikohej si një njeri që i avancoi artet". Dhe fill pas këtij përcaktimi Morgan kalon tek mjeshtri tjetër i shahut, shkrimtari Kadare. "Kadareja kishte një lloj pushteti mbi të (Hoxhën), në kuptimin, që krijimtaria e tij ishte e mirënjohur në Perëndim, i cili i siguroi atij mbrojtje të gjithfarshme. Kadareja luajti një lojë të rrezikshme me Hoxhën. Ai shkroi romane që në sipërfaqe nuk e kundërshtonin diktaturën, por nëse njerëzit lexonin mes rreshtave, ata do të mësonin shumë për veten dhe për situatën ku ndodheshin". 
Një krahasim jo të zakontë i bën studiuesi shkrimtarit Kadare, ndërsa e cilëson "nemesesi i diktatorit" (Nemesis - Perëndesha e hakmarrjes). "Ai e pa veten si në një ndeshje me Hoxhën për Shqipërinë". Sipas Morgan-it, veprat e Kadaresë ishin aq të rëndësishme në kulturën shqiptare, saqë shumë prej tyre janë përfshirë në tekstet shkollore. "Ai e ngriti gjuhën në një nivel të tillë, të aftë për të mbështetur letërsinë e madhe, ndërkohë që me mprehtësi sulmonte diktaturën e fuqishme". 
Libri i tij duket se do të ketë shumë interes në rangjet e lexuesve anglishtfolës dhe siç pohon vetë autori, ky është vetëm vëllimi i parë. Kjo pasi libri do të njohë edhe një vëllim të dytë, i cili siç shpjegon profesor Morgan, do të përqendrohet në jetën e Kadaresë nga viti 1990 deri në ditët e sotme. Ai ka marrë një mbështetje financiare prej 200.000$ nga Këshilli Australian i Studimeve për të përfunduar vëllimin e dytë voluminoz, "Kadareja postkomunist: Shqipëria, Ballkani dhe Europa në veprën e Ismail Kadaresë". 


(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora