Kulturë
Cikël poetik nga Sami Vranovci
E marte, 02.02.2010, 10:56 PM
Sami Vranovci u lind me 5 shkurt 1962 në Prelez të Muhaxhirëve. Shkollën fillore e kreu në Prelez të Muhaxhirëve, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Mbaroi Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Merret kryesisht me poezi për të rritur. Ka botuar në Gazetën “Bota e re” , “ Zëri i Rinisë” , “Bashkimi”, në Prishtinë, “Ferpress” në Ferizaj.
Është bashkautor në librin “Katërmbëdhjetë autorë” i botuar në vitin 1985 në Ferizaj, nga Klubi letrar “De Rada” dhe në antologjinë “Orët e bardha” të krijuesve të Klubit letrar “De Rada” të Ferizajt,botuar në vitin 2001.
Në dhjetor të vitit 2005 zuri vendin e parë në konkursin letrar –Takimet Kulturore “Kadri Kadriu” të organizuar në Drejtoria e Kulturës dhe Qendra e Kulturës e Pudujevës, konkurs në nivel të Kosovës.
Punon në shkollën e mesme bujqësore “Zenel Hajdini” në Ferizaj.
VITI 1443
Skënderbeu nën hijen e blinit lexon një kartë
Në zemër shumëzohen të reja plagë
Ballkanit i ranë dhëmbët, kurani shtrihet mbi hartë
Në bregun e shpresës ikën me emrat Gjin Gjon Bardh..
Harta e gjakut u tkurrë në të parin acar.
Gjergji si një portë të madhe e mbyll kartën
Mbi Azi e Evropë i shtrinë tre hapa
Me hapin e parë
Kalon Azinë nëpër tehun e shpatës
Në hapin e dytë
Djeg atllasin e gradimit në Fushën e Nishit
Në hapin e tretë
E shtrinë pamjen e largët mbi Fushën e Epirit.
ATDHEU PENG
Atdheu peng varr i kokës e prush ferri
Si lumë i vdekur dordolecët dalin nga terri
Atdheu është mizor në përdhunime antike
I egër në rrjetë merimange e lojna mistike.
Jeta është bërë lëmsh dot s’ia gjejmë fijet
Çdo ditë na gërryejnë ecjet e rënda dhe hijet
Përbindëshi i etur kafshon dhimbshëm retë
Shalli i bardhë mbi plis e qafë oazë mbet.
Atdheu dhunohen nga fjalori qiellor
Kufiri idhnak shtrihet mbi gurin malor
Shumëzohet gjuha e djallit në fjalorin mistik
Jeta e vdekja gjakosen në shekullin anemik.
TAKIM PAS SHUMË KOHE
Bën acar e ka errësirë
Limfa deri në fund është ngrirë
Pranë portës së fjalës pret
Bogdani, Konica, Brehti
Fishta, Poradeci, Borhesi
Gërvalla, Xhaferri, Havelli
Kurse në shtëpinë e përgjysmuar
Bisedoj e pi kafe pa sheqer
Me Hamit Dervishin mikun e vjetër.
I shpronësuar deri në palcë
Shfletoj biografinë e familjes
Gylja- e vyshkur në ballkon
Leutrimja- kufomë pa arkivol
Flamurja- në gjysmë shtizë valon
Urtaku- degë e trungut ilir shumëfish i ndarë
Liraku- ardhacak i sëmurë në jetë.
Të lutem, o Hamit Dervishi, më trego
Mire se erdhët t’u them a është vonë?
KRYEFJALA E KOHËS
Fjala e Hamit Dervishit
Zë zjarri, kryefjalë e kohës
E për një çast dheun merr
E fjala e pa thënë pushton jetën
Ringjallet koha e harruar
Fjala sikur jeta
Thirrjen e bën në zinxhir
Lidh tokën me zemrën e ndezur
Pastaj shkruan kryefjalën e kohës
Në librin e jetës të shekullit shtet
HIRARKIA
I pari thur plane me paragrafë të sëmurë
Nisja përshëndetet me hartën e marrëveshjes
Asgjë s’matet me peshën e gurit të vendit
Epruveta deri në thellësi mbushet me gjak
Vdekjet numërohen me paragrafin e planit
Koha matet e çmatet me sahatllëkun e ndalur
Fëmijët flasin në gjuhën e shkrimeve.
I dyti kujton motin e marrëveshjes si zgorç ëndrre
Shfleton fjalorin e mundimeve
Të shkruar nën hijen e vdekjes pas shpine
Çdo gjë rritet në pasqyrën e thyer
Pasqyrën e thyer nga gjaku kryengritës.
I treti kopshtin mbjell me bimën e dreqit
Njerëzit i veshë me këmishën e mallkimit
Metamorfoza e historisë e humbë gjuhën plastike
Harta fshihet me gomë zjarri
Çdo gjë fillon nga fillimi.
ANATEMA E SHPIRTIT
Në qytetin e zverdhur
Njerëzit flasin me gjuhën e të miturve
Anatema e shpirtit lexohet në pasqyrë
Qeni i Kërberit leh si i laritur.
Me planin fluid pushtohet hapësirë
Rrënohet arkitektura e jetës
Në emër të ligjit në emër të idesë.
Në qytetin e zverdhur
Zoti Ares strehohet në vargun e poetit
Bimës së dreqit i shkundet poleni.
DUA TË JEM
Dua të jem
Zog lazdrak në qytetin e zverdhur
Olimpik i lojërave të çmendura
Trishtim nate me vello të zezë.
Dua të jem
Në ditën çmendurake vrasës i zogut të natës
Solist pa pentagram në kortezhin pa funeral
Dirigjent i himnit të gjakut tim të ADN-së.
Dua te jem
Pasqyrë e bardhë për fytyrat tinëzisht të dhunuara
Kronikat kryengritës i rrugëtimeve të marra natën
Ushqyes me bukën e vjedhur nga minjtë.
Dua te jem
Arkeolog në rrjetin e merimangës
Kokëkrisur i pasqyrës së minjve
Unazë e dhëmbit helm të gjarprit.
Dua të jem
Lokomotivë e kokës me kufoma të gjalla
Lajtmotiv i ëndrrës të papërfunduar
Vrapues në maratonën olimpike .
VDEKJA MONSTRUOZE
Erdhën me listën e zezë ditëvdekja e shënuar
Unaza e ngrohtësisë u shndërrua në unazë të ndarjes
Ikën e hynë në stinën e harrimit me heshtjen e thellë
Kambanat e pendimit bien e bien deri në çmenduri
Lot gjaku rendë pikon në fushën e faqes së njomë
Krijohet fjalori nga grumbulli i fjalëve të vdekura.
Loja luhet me maskat e kohës sterile të mbetur
I ranë kryq e tërthor rrugës së heshtjes sime
Vunë barrikada me parulla në muret e fjalës
Harruan veten duke tredhur fjalë në errësirë
Lakmuan diellin dimëror, që herët perëndon
Ikën nga jeta në kohë çmendurie rrojnë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Xhafer Leci: Lavdi jetës dhe veprës të Fadil Feratit!
Teuta Shala: Vepër unikale për Beratin dhe Vlorën
Reagim, lidhur me inforamatën e lëshuar nga kryetari jolegjitim i klubit letrar ‘’Feniks’’
Nehat Jahiu: Kurbeti
Bilall Maliqi: Emra që ndryshuan historinë
Klajd Kapinova: Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë
Hilmi Saraçi: Cubeli
Mehdi Krasniqi: Ikja
Xhenc Bezhi: Poemë mërgimi
Sulejman Mato: Poezia e Arben Shehit, një rrugëtim i vazhdueshëm drejt lirisë
Jusuf Zenunaj: Nën petkun fetar
Luigi Luca Cavalli-Sforza: Algoritam
Bajame Hoxha - Çeliku: Zemra ime gjithmonë jashtë
Ukshin Zajmi: Një rrugë antike e pastudiuar e Dardanisë
Mazllum Saneja: Poezia moderne polake - Eugeniusz Kasjanowicz
Demir Krasniqi: Këqyrama njëherë surratin, tani lyp tambël prej meje!
Remzi Salihu: Rruga e një meditimi të mbarë
Ngushëllim nga Klubi Shqiptar “ Verrat e Llukës”
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Rrustem Geci: Afishe për Homerin