E marte, 05.11.2024, 12:22 AM (GMT)

Kulturë

Sami Islami: Stafeta e fundit

E enjte, 04.02.2010, 09:27 PM


Tregim

Sami ISLAMI

STAFETA E FUNDIT

Viti 1987 ishte viti kur për herë të fundit anë e kënd Kosovës u bart, e ashtuquajtura,   „Stafeta e  rinisë“.  Kështu quhej atëherë kjo stafetë që lidhej me ditëlindjen e presidentit dinak të Jugosllavisë së atëhershme, të antishqiptarit  Tito. Është e çuditshme të theksohet se kjo stafetë , edhe pas 7 vjetësh, qëkur kishte vdekur presidenti, vazhdonte të festohej në Jugosllavi, pra edhe në Kosovë. 
Si zakonisht, edhe sivjet, pra,  të rinj e të reja në tërë Kosovën e prisnin dhe e përcillnin me  këngë e valle stafetën. Kjo qe stafeta e fundit , e cila do të mbahet mend edhe për faktin se në këtë vit, në Prishtinë, një grup studentësh për pak sa nuk arritën ta  rrëmbenin këtë stafetë, me qëllim që ta hedhnin  në kanalizim! Por shpëtoi! Dhe si duket ky qe ndoshta edhe „mësimi“ që kurrë më nuk u prit as nuk u përcoll stafeta!
Megjithatë, edhe këtë vit, partiakët, të përkushtuarit e regjimit, bënin ç’mos, që kjo pritje  e përcjellje e stafetës të shkonte si më së miri. Bile po të ishte puna që ata të pyeteshin për stafetën, Zoti e di se edhe sa vite  do të zgjaste kjo.
Në televizionin e atëhershëm, disa partiakë, komunistë të devotshëm,  frymën e „vëllazërim-bashkimit“ donin ta  zgjatnin edhe me tej! Edhe pse dukej qartë se Serbia po bënte plane ndër më ogurzezat për shqiptarët,  kjo nuk u bënte përshtypje partiakëve!  Duke qenë se punonin në mediumin ku kjo punë do të dukej më së shumti, përpiqeshin të jepnin maksimumin, për ta ruajtur sistemin që po vdiste.

Miri  punonte  atëherë në këtë medium, pra në televizion.   Një ditë Miri kishte punë në montazhë (Montazhë quhej vendi ku bëhej montimi i filmave). Aty do të  montonte një emision, dhe derisa po priste të vinte montazheri, ndërkohë,  kishin ardhur disa kolegë të tij të një programi tjetër, bashkë me redaktorin e tyre. Siç më tregonte Miri,  redaktori  e kishte emrin Mender, por shkurt e quanin Eri. Ai ishte një njeri trashalluk, me bark sa gati nuk ia prekte gjunjët. Zakonisht veshte këmishë, të cilën e hedhte mbi pantollona.Nuk mbate rrip të brezit, se edhe sikur të donte, nuk di se ku  do të gjente rrip të tillë për të blerë? Po  as nuk do t’i hynte në punë, se zor se do ta përthekonte barkun e tij sa një kosh! Pantollonat i mbante me rripa mbi supe! Mbante syze të rrumbullakta, sa të lente përshtypjen e një udbashi të regjur.  Ata e kishin sjellë edhe montazherin e tyre me vete. U ulën rreth tavolinës së montimit dhe ishin gati për ta shikuar emisionin,  që paraprakisht e kishte përgatitur Lili. Fundja  kjo kontrollë kishte të bënte drejtpërdrejt  me syçeltësinë e  Lilit, se a mos kishte depërtuar  në emisionin etij diçka  e dyshimtë. Prandaj Lili edhe dukej pak si i merakosur. Përsoni tjetër që ishte me ta ishte i veshur bukur dhe  mbante qëndrim serioz.
  
Në makinën bukur të vjetëruar, montazheri e vendosi rrotën e madhe filmike. E startoi filmin dhe në ekran  filloi  të prezentohej rrugëtimi i stafetës  nga një vend në tjetrin. Atmosfera e hareshme e të rinjve  filloi të hynte në dhomën gjysëm të errët. Këtë atmosferë e plotësonte natyra e bukur pranverore e Kosovës,me gjelbërimin e pafund, lulet e freskëta të kësaj stine. Në disa sheshe kishin ngritur edhe  tribuna, ku dukeshin partiakët duke  mbajtur  fjalime! Tribunat ishin poashtu të rregulluara bukur me flamuj shtetëror dhe kombëtarë. Dukeshin djem e vajza shqiptare, të veshura me kostume kombëtare... 
Të gjithë që ishin aty po e ndiqnin stafetën (filmin) me interes. Duke mos pasur se çfarë të bënte, të njëjtën gjë po e bënte edhe Miri. Edhe ai po e shikonte, por pa ndonjë interersim të veçantë. Ai po e shikonte filmin vetëm sa për ta kaluar kohën!  Në këtë mes dallohej sidomos  Eri, i cili i kishte bërë sytë katër, si thonë.  Ai  nga koncentrimi, i kishte zgugurdhuar sytë sa  kishe bindjen se edhe pak e do të futej brenda në ekran! Nuk di se sa minuta kaluan duke e ndjekur filmin. Në dhomën e freskët dhe mjaft të errët, ku dëgjohej vetëm  zhurma e lehtë makinës, qetësinë e theu e  zëri i Erit, i cili në mënyrë autoritative i tha montazherit:
- Stop! Ndale filmin këtu! Afroje pakëz! Përqëndrohu në këtë skenë! Pak më majtas! Pak më djathtas! Stop! Dhe në ekran tani dukej vetëm një fotografi filmike e ngrirë! Në këtë moment Eri, u mbështet në karrige, se deri atëherë kishte pasur qëndrimin të kërrusur, duke e zgjatur kokën në drejtim të ekranit. Mori pozicionin vertikal, u shlirua pakëz dhe duke mos i hequr sytë  edhe më nga ekrani, sikur të kishte  zbuluar ku ta dish se çfarë, iu drejtua atij mikut që kishte ardhur me të, me fjalët:
- A po e sheh?
- Po,  tha miku i tij mjaft serioz (ashtu siç  ishte vazhdimisht).
- Ti , a po e sheh?- i tha edhe autorit. 
- Po, tha edhe Lili,  autori i emisionit ,  me një lloj pendimi, sikur të kishte bërë ku ta dijsh se çfarë faji.
Kur e dëgjova këtë dialog, vazhdonte rrëfimin  Miri , e sidomos fjalët  e Erit  “a po e sheh” më bënë kurreshtar të afrohem më afër dhe të shoh se çfarë do të jetë kjo, vallë,  që të tretë po e “shohin”! Tani  e përqëndrova edhe unë  shikimin në këtë fotografi por  nuk shihja asgjë, bile edhe po të kisha qëndruar edhe me orë të tëra nuk besoj se do të kisha “gjetur” diçka që do të më zgjonte kurreshtjen.  Nuk durova më gjatë dhe e pyeta Erin: 
-A po më tregoni, çfarë po shihni, se unë vërtetë s’po shoh asgjë!? 
-Edhe pse nuk e sheh , nuk po ta zëmë për të madhe,  se ti nuk je për këtë punë! – më tha Eri si me ironi!   Të them të drejtën më erdhi inat , tregonte  Miri, që “bosi”më tha se “ti nuk je për këtë punë”, dhe insistova edhe më me ngulm ta mësoja këtë „zbulim“ të tyre! 
-Mirë.- tha Eri. A po e sheh këtë vajzën këtu me qifteli në dorë?
-Po, e shoh, i thashë , por çfarë të keqe paska këtu!?
-A po e sheh se në qifteli po  shkruan “Shqipëria”?!
-Edhe …?!
- Si edhe….?!  A e di ti që, po të dali  nesër kështu në TV çfarë skandali do të bëhej?! Unë do të fluturoja nga vendi im i punës! Se puna ime është kjo, të mos lëshojmë asnjë gjë që i del ndesh politikës programore! Ne e ndjekim rrugën e partisë…
(Aha!Tani m’u kujtua! Harrova të them se  Eri ishte vërtetë edhe sekretar partie).
- A di çfarë shoku  Eri, se atëherë me “shok” i drejtoheshim njëri-tjetrit, si në të gjitha sistemet komuniste, që të mos kemi probleme sot e tutje , e mira do të kishte qenë që emrin “Shqipëri” ta heqim fare! Ta shlyjmë fare ! E, si thua ti?-  i tha Miri si me ironi. Po Eri, duke mos dashur ta çonte bisedën më gjatë tha: 
-E dimë ne atë punë, ti shikoji punët tua!- tha dhe vazhduan shikimin….
I lashë duke “punuar”, vazhdoi tregimin  Miri, se në atë kohë më erdhi edhe montazheri im dhe po shikonim të gjenim një vend tjetër për të punuar emisionin tonë.  Por, në të njejtën kohë, po meditoja: si qe e mundur Eri ta “vërente” një gjë të tillë, që për mendimin tim as udbashi tjetër më i rryer qoftë, nuk besoj se do ta kishte “vërejtur” një gjë aq të parëndësishme!? Dhe edhe sot nuk e kam të qartë, a e kishin parë edhe  Lili me mikun e Erit , apo ata thanë  “po” vetëm sa për t’u treguar se edhe ata ishin “symprehtë” para  Erit! Çfarë syri të sëmurë kishte ky  Eri? Se  vërtetë vetëm një sy i prishur, si i tij,  do të mund të “shihte”  atë fjalë të shkruar në qifteli  në atë grumbull të madh të rinjsh me instrumente të ndryshme në duar! A ka censurë më paradoksale, se censura kur vjen nga shqiptari për shqiptarin!  Regjimi serb ushtronte represion të pa parë mbi shqiptarët, kurse shqiptarët si  Eri , për të treguar servilitetin e tyre ndaj Serbisë e goditnin akoma më shumë shqiptarin dhe  veten!  
Duke u kthyer edhe një here tek   filmi për stafetën, vlen të theksohet se të nesërmen,  Miri e kishte marrë vesh se Eri, për çudi, atë pamjen ku dukej vajza shqiptare me qifteli  e kishte mbuluar me një fotografi tjetër, vërtetë për të mos u parë  fjala “Shqipëri”! 
Dhe ironia e kohës nuk përfundon këtu. Ky Eri edhe sot në demokraci “udhëheq” një television privat në Kosovë!


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora