E shtune, 27.07.2024, 03:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Dy tregime nga Zef Gjeta

E premte, 05.02.2010, 09:29 PM


Prof. As. Dr. Zef GJETA

GRUAJA APO E DASHURA?

Një herë, në qytetin tonë të lashtë u zhvillua një konferencë mjaft interesante. Aty ishin ftuar njerëz të fushave, moshave dhe të profesioneve të ndryshme. Përzgjedhja ishte bërë mbi bazën e njohjeve personale të grupit organizator, më shumë se sa nga gradat e të ftuarve. Pra, si të thuash, ishte një grup shokësh në një takim të cilët do të diskutonin se cila është më e mirë, gruaja apo e dashura. 
Që në fillim u shfaqën tiparet më karakteristike të brezit të sotëm: të pranishmit u ndanë në dy grupe, për nga mendimi që mbronin. Sejcili nga përfaqësuesit e grupimeve që lindën, mbronte me zjarr, me argumente dhe me fakte konkrete idenë e tij. Të njëjtën gjë bënin edhe përfaqësuesit e grupimit tjetër: jepnin fakte dhe argumente në mbrojtje të idesë së tyre.
Njëra palë, që përbënte shumicën thonin se më e çmueshme është e dashura. Ajo të gjendet në momente stresi, me të je në argëtime të paimagjinueshme, është si ëmbëlsirë pas gjellës së përditshme, meqë është disi ilegale ka më shumë ëmbëlsi, ajo të gjendet në momentet që do të largosh streset e jetës dhe ato të familjes, edhe kur nxehesh me të ajo vuan shumë dhe nuk ka mundësi të hakmerret si gruaja, nuk ke shumë nevojë ta ndjekësh se të vjen vetë mbrapa, e një sërë argumentesh të tjera të këtij lloji, që për logjikën e tyre ishin plotësisht bindës.
Kurse pjesa tjetër thonin se në jetë vetëm gruaja është e mirë, e çmuar dhe që shërben në jetë. Ajo është nëna e fëmijëve, partnerja me të cilën ndan hallet e shqetësimet e jetës, të lan e të hekuros duke bërë edhe gatimin (në rastet më të mira), është bashkëudhëtare në rrugën e komplikuar e të vështirë të jetës, ajo që ndan kafshatën kur je në hall, e plot argumente të tjerë, që ky grup mbronte me vendosmëri. Megjithëse nga numri dukeshin më pak, nga argumentet ishin më të shumtë dhe si rrjedhojë, dukej se po fitonin terren ndaj grupit kundërshtar.
Në sallë, si i ftuar ndodhej edhe një profesor i cili nuk po mbante krahun e asnjërës palë. Por dikush e ngriti që të thonte edhe ai mendimin e tij. Aty nga fundi, mori fjalën e filloi të flasë gjithë vendosmëri:
- Unë i dëgjova të dy palët, dhe mund të them se keni dhe nuk keni të drejtë në të njëjtën kohë.
- Si kështu profesor? – pyetën disa vetë njëherësh. – Cili nga ne ka të drejtë e cili jo?
- Këtu e kisha fjalën. Që të dy grupet në të njëtën kohë keni dhe nuk keni të drejtë!…
- Edhe këta profesorët, si gjithmonë e shfaqin veten se kanë një dërrasë mangut, - filluan të pëshpërisin njerëzit. – Si paska mundësi që njëkohësisht të kemi dhe të mos kemi të drejtë që të dyja palët?!
- Në këtë botë duhet të keshë edhe grua edhe të dashur! – vazhdoi në të tijën profesori.
- Si kështu profesor?
- Po, po. Kjo është shumë e vërtetë. Këtë e kam nga përvoja ime por të konsultuar edhe me literaturën bashkëkohore vendase dhe të huaj për këtë problem. Pse do të thoni ju? Ja tua shkoqit: gruas i thua se ke një takim pune, dhe ajo kujton se do të takosh të dashurën. Nuk i vjen mirë, por nuk ka mundësi të të ndalojë, pasi ti je ai që siguron paratë. Të dashurës i thua se ke punë me gruan dhe s’ka ç’të bëjë. Ndërkohë, që vetë merr çantën nën sqetull dhe nisesh i qetë për në bibliotekë…

NJOFTIMI HISTORIK

Është tashmë e pranuar nga të gjithë banorët e këtij vendi, sa të vogël aq edhe të madh, sa të ri aq edhe të vjetër, se ne duhet çdo vit të arrijmë një rekord të ri. Duhet me patjetër që në një drejtim të caktuar të jemi se s’bën në vend të parë në rang botëror. Kaq e vërtetë është kjo, sa ne nuk mund ta kuptojmë se si mund të mbyllet një vit pa shënuar një rekord. Le të jetë ky i çfarëdoshëm: i mirë apo i keq, dobi apo dëmprurës, me efekt të madh apo të vogël, për ne kjo nuk është edhe aq e rëndësishme. 
Pra, rregulli tashmë ekziston: ne duhet të kemi së paku një rekord në vit. Dhe kjo dëshmohet edhe me fakte: i vetmi vend ateist në botë, fanari i vetëm në brigjet e Adriatikut, medalje dhe vend i parë për ushqimin e popullsisë, përballimi i koalicionit të armiqve, vendin e parë për reformat në vend, vend të parë për ndërtimin e kioskave, vend të parë për piramidat lek-ngrënëse, vend i parë për thash e theme…e një varg i gjatë them e thashesh të tjera me të cilat nuk po zgjatemi, pasi do të përqëndrohemi tek ngjarja jonë.
Për të gjithë është e kuptueshme se derisa bëhet fjalë për vendin tonë, edhe ky është një rekord. Si i tilllë ka ngjashmëri me ato të tjerat, por ka edhe specifikat e veta. Fjala është për korentin, a për energjinë elektrike që i thonë specialistët. Që thoni ju, ca kohë më parë u mblodh drejtoria e kësaj pune me të gjithë specialistët më të mirë të saj nëpër rrethe në një takim urgjent. Në përfundim të këtij takimi, drejtuesit kryesorë dhanë një konferencë për gazetarët e shtypit të shkruar të cilët ishin lajmëruar me urgjencë.
- Siç e dini edhe ju vetë, problemet e energjisë janë themelore për vendin tonë, - e nisi ligjëratën, drejtori. – Ndaj ju kemi thirrur ju që të na ndihmoni në fushatën sensibilizuese për popullatën që ata të kursejnë sa të jetë e mundur energjinë…
E kështu vazhdoi një copë herë drejtori me porositë e tij dhe sapo përfundoi doli jashtë, duke lënë sallën gojëhapur. Në blloqet e gazetarëve gjendeshin pyetje si: “Ç’do të bëhet me ata që nuk paguajnë energjinë?”, “A do të ketë ndonjë përjashtim për ata që kanë qënë të rregullt në pagesa?”, “A pritet ndonjë investim për të përmirësuar gjendjen?”, etj. Gjithësesi, gazetarët u treguan korrekt me drejtuesit e energjisë, pasi në gazetat e tyre, në faqet e fundit, shkruan me shkronja mjaft të vogla: “Qytetarë! Kurseni energjinë elektrike dhe ujin e pishëm!”
Ky ishte një lajm që solli një ndryshim të menjëhershëm: si me komandë njerëzit u ndanë në dy grupime të ndryshme. Në njërin prej tyre u përfshinë të gjithë ata që blejnë gazeta, ndërsa në grupimin e dytë ata që nuk i blejnë ato. Për hirë të vërtetës duhet të pohojmë se grupimi i parë, për arsye nga më të ndryshmet, është relativisht mjaft më i vogël se i dyti. Menjëherë pas botimit të lajmit të sipër përmendur, njerëzit që blenin gazeta as që e çanë kokën që ta lexonin. Kurse ata që nuk blenin gazeta, as që e vunë ujin në zjarr të interesoheshin se çfarë mund të ishte përrallisur në ato të shkreta. Kështu që në një farë mënyrë, lajmi i bujshëm nuk bëri efektin që pritej. 
Por, drejtuesit e ndërmarrjes së fuqishme të elektrikut nuk u mjaftuan me kaq. U mblodhën përsëri dhe përsëri ftuan edhe gazetarët. Këtë radhë përveç gazetarëve të shtypit të shkruar kishin ftuar edhe ata të televizioneve. U dhanë një sërë këshillash dhe udhëzimesh për populatën, ku më e rëndësishmja ishte përdorimi me kursim i energjisë dhe pagimi i saj nga konsumatorët. Për shkak se rezervat e vendit po mbaronin (në ujë për hidrocentralet dhe lëndë djegëse për termocentralet), u njoftua edhe orari i kufizimit të energjisë. 
Përsa i takon gazetave, asgjë e ndryshme nga rasti i parë nuk ndodhi. Pra ata që i blinin gazetat nuk i lexonin, kurse ata që nuk i blinin, nuk e vranë fare mëndjen për njoftimet e shtypit. Kurse përsa i takon televizorëve (që kohët e fundit janë shtuar), populli ynë, siç dihet, i ndjek lajmet me shumë vëmendje. I ndjek, por kur ka drita ama, se kur nuk ka… Kështu, meqë nuk kishte drita në oraret e lajmeve, përsëri vazhdoi e njëjta situate: njerëzit shpenzonin energjinë, kur kishte. Një pjesë e tyre nuk i paguanin, kurse për ata që paguanin tarifat u rritën. 
Meqë situata energjitike po vazhdonte të vështirësohej, drejtuesit e energjisë u mblodhën përsëri. Këtë radhë kishin ftuar edhe nga qeveria. U theksua se populli duhej të mirëkuptohej dhe të kursente energjinë. Atdheu thërriste për sakrificë! Nuk duhej gatuar me energji (se me çfarë tjetër mund të gatuhej në kushtet tona kush e di?). Nuk duhej vënë dushi për të ngrohur ujin (mbase duhej të laheshim me ujë të ftohtë, tani në dimër). Nuk duhej të përdornim paisjet elektronike që punojnë me korent (se me çfarë tjetër mund të punojnë hajde merre vesh). Këshillat vazhdonin me të tjera pika, duke përfunduar me kërcënimin që nëse nuk zbatoheshin këto, atëherë vendit i kërcënohej rreziku i errësirës, sidomos gjatë natës.
Për arsye akoma të panjohura, njerëzit vazhdonin të ndiqnin ritualin e tyre të zakonshëm: aq kohë sa kishte energji, përdornin të gjitha paisjet e mundëshme. Ndiznin të gjitha llampat dhe paisjet elektronike dhe elektro shtëpiake që dispononin, në të njëjtën kohë kur funksionarët e korporatës energjitike dhe përfaqësuesit qeveritarë vazhdonin të bënin thirrje për kursim.
Koha kalonte dhe rituali gjithashtu. Përsëri konferencë shtypi, ku u dha njoftimi se po të mos kursehej energjia nga ana e popullatës. Edhe me kufizimet e zakonshme që tashmë ishin njoftuar, do të kishim vetëm një muaj drita. Nuk kanë të numëruar paisjet elektroshtëpiake të dëmtuara nga ec e jaket e energjisë. Po kështu sasia e ushqimeve të prishura shënoi nivele record, por askush nuk do të shqetësohej sadopak për të kompensuar këto dëme. 
Pas dhjetë ditësh u zhvillua përsëri një konferencë për shtyp. Më e madhja e realizuar deri atëherë. Edhe pjesëmarrja e justifikonte preokupimin e zyrtarëve të energjisë. Nuk mungonin as të ftuarit nga qeveria. Gjithshka ishte organizuar mirë. Pas takimit me dyer të mbyllura, si zakonisht konferenca e shtypit. Drejtori i përgjithshëm dha njoftimin: 
- Tashmë nuk kemi as edhe një kilovat energji! Kapitulluam! Jepjani njoftimin të gjitha radiove dhe televizorëve të vendit! 
Njerëzit nuk kishin ku ta merrnin lajmin, pasi televizorët dhe radiot në përgjithësi nuk punonin. Por, kjo nuk kishte shumë rëndësi. Tashmë njerëzit ishin mësuar me errësirën. Sasia e qirinjve të konsumuar këto kohë është rritur në përmasa humoristike. Prapë se prapë njerëzit nuk ndjehen edhe aq të kënaqur nga ky rekord specifik i shënuar këtë vit në vendin tonë.
Të presim se çdo të synojmë për vitin që vjen!


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora