E enjte, 10.10.2024, 03:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Laureta Petoshati: Poezia e Kozeta Zylos nderim për shpirtrat njerëzorë

E diele, 07.02.2010, 09:55 PM


Poezia e Kozeta Zylos nderim për shpirtrat njerëzorë
 
Nga Laureta Petoshati

Ishte mjellma e liqenit që rrekej të shihte fytyrën e saj të pasqyruar në tërë atë kthjelltësi drithëruese. Është mjellma apo zemra e një gruaje që me dendësi shprehjesh në dy vëllime poetikë njëri pas tjetrit, njërin të quajtur “Mjellmat po të vijnë” dhe tjetrin “Monumenti i lotit”, bën lidhjen e ëndrrës dhe zhgjëndrrës për të ardhur tek lexuesi me një thellësi aristokratike që i përket një shpirti njerëzor që ëndërron, një zemre fisnike e një gruaje që gëzon me një gazmend të sinqertë e qan me “lot pëllumbash.”  
Forma, domethënia, ritmi, muzika, shija, parfumi, ndjenja, emocioni, arsyeja dhe ndërgjegjja vijnë në mënyrë të natyrshme dhe ndajnë në mënyrë të vetëdijshme gjysmën e saj ekzistenciale dhe gjysmën tjetër ëndërrimtare, të zhytur në hirin e zjarrit të saj të brendshëm.  Aty, siç e thotë edhe ajo në poezinë me titull “Në hojëza mjalti”, është universi i mbizotëruar nga një grua që thotë: “E duke ardhur pranë ëndrrës sime / Si simfoni dhimbjesh në dashuri / Në prelud tingujsh rrokulliset loti/ Në hojëza mjalti, nuk je më ti!” 
Fjalët  që thotë poetja të duken si ëndrra fluide, të rrjedhshme, të një realiteti konkret, të jetuar në fantazi romantike. Këto ëndrra sa joshëse, aq dhe mendimtare na shfaqin përpara nesh poeten Këze (Kozeta) Zylo, si një grua pa kohë, por jashtëzakonisht moderne.   
Edhe pse në këtë lloj poezie, ku tregohet qartë ikonografia e gruas shqiptare, apo më mirë ngjyrat e brendshme dhe hijedritat e saj, shkruajnë në harkun e saj kohor edhe disa poete të tjera shqiptare si Fatime Kulli, Raimonda Moisiu, Alisa Velaj, Albana Lula, etj... përsëri Kozeta Zylo, i paraqitet lexuesit me identitetin e vet unik të poezisë.  Ajo, vjen me vargjet e saj në kërkim apo më mirë në këqyrje të vetvetes, me muzë të thellë e pasiononte. Kjo është e dukshme tek disa poezitë të saj si për shembull në poezinë me titull “Pa ty” ku thotë: “Merrma prushin brenda shpirtit, / Që të feksin botën e territ / Se pa ty dhe zjarret fiken,/ Yjet shuhen në kupë të qiellit” apo dhe tek "Poleni e Jetës" që shprehet se “Puthjet e ëmbla janë si flutura / Që fluturojnë magjishëm në hapësirën e zemrës / Ndezin gjakun, shtojnë ritmin e jetës.” 
Poezia e saj për dashurinë, për dëshirat e trupit femëror, janë si një opus, vepër muzikore që kapërcen kufijtë e caktuar nga shoqëria, kufij që nuk dihen se ku fillojnë si personalë dhe ku mbarojnë si artistikë. 
Që të pohojë se vjen nga një shoqëri tradicionale shqiptare, ajo flet edhe në poezi me stil tradicional ndaj në vargjet e saj dallohet qartë e kaluara e saj, e shprehur me shumë sinqeritet, si për shembull tek poezia “Dallgët e kaltra të vajzërisë” ku shprehet e shkuara e saj, dashuria e kufizuar në një puthje, apo më mirë në prekje si petale puthjesh: “Vizatoj vallëzimin e netëve / Që kërcejnë valsin e lumturisë / Me petalet e puthjeve/ Brenda kopsave të mëndafshta”. Duket qartazi që nuk ka shkopsitje, por ka vetëm tundim. Më tej në poezinë “Po ç’kam një zjarr”, me një përzierje të klasikes me tradicionalen shqiptare, autorja ka një rritje shpirtërore dhe me anë të vargjeve përshkruese tregon me hollësi të përpiktë se çfarë kërkon trupi i saj: “E di, i dashur mezi e pret,/ Prekjen e buzëve të kuqe prush, / Nga malli tretur, ato po çahen,/ Veç ti i shëron, jo tjetërkush!” Vetvetja e saj, shfaqet po prej saj, me elementë logjikë narrativë si tregues themelorë të poezisë moderne. Çdo fjalë e saj në këtë vetëshfaqje, vjen e vendosur me një ritëm dhe me një masë të paracaktuar, kjo gjë tregohet tek poezia “Një Romeo e Zhuljetë po rishfaqet përsëri”, në të cilën formën e bashkërendon me përmbajtjen se, pasi flet për dashuri të zjarrtë, kur e kupton se duhet të përballohet me një pjesë të prapambetur të shoqërisë, u kundërvihet me vargjet: “Heshtni ju të marrë, / Mos më thoni se mëkatova.” Me një drejtpeshim të arsyes dhe ndjenjës së saj për njeriun e jetës, ku emocionet e shprehura janë thjesht vetvetja, ajo me vargje tepër elegante, por edhe tepër fëmijërore duket sikur kthehet tek mosha e pafajësisë pikërisht tek poezia “Gjithmonë miturake” ku thotë: “Si kotele të mbledhura,/ Dremisin ëndrrat e mia,/  Nën prehrin e yjeve/ Dhe me lulet e Majit.” Poezia e saj është zëri i ëndrrave të saj. Heshtja e saj është vetëm në paraqitjen e saj të jashtme, se brenda vetes ajo gëlon nga ëndrrat, ja përse tek poezia “E di” ajo thotë se:  “Në këtë natë vetmie më vjedh heshtjen”.  
Pikërisht, për mallin e një gruaje që pret në heshtje, me një stil tejet të gjallë, me vargje të goditura me mjeshtëri, nganjëherë dhe surrealiste, ajo tek poezia “Copa dhimbjesh”, flet me një zë tejet prekës, me një shëmbëlltyrë të trokitjes dhe të shembjes në portë, si tek përfundimi i baladës shqiptare “Kostandini dhe Dorontina”, ku shprehet: “Dhe vesha rrugën lakuriqe/ Zhveshur sot nga ëndrra ime / Dhe me heshtjen prej mermeri /  Plasën zemrat në portën time.” Këto vargje janë nga më të bukurat që ajo ka krijuar, sepse përdor oksimoron, figurën retorike të përdorur fuqishëm nga Petrarka dhe Giacomo Leopardi, që konsiston në bashkëvendosjen e dy fjalëve në antitezë të fortë ndërmjet tyre, të cilat krijojnë një kontrast të pazakontë. 
Kuptohet fare mirë që nuk mund të vishet njeriu me lakuriqësinë. Në ngjyrat e forta, të përshkrimeve të poetes Kozeta Zylo, kemi një përndezje të theksuar të ekspresionizmit në letërsi, pasi në vargjet e saj, të shkruara me vrull të brendshëm, është një pjesë e saj që zhytet në ëndrra edhe kur është zgjuar. Duket tamam si një tërësi veprimesh që ajo i quan “Ritual”, si vetë vargjet e poezisë me të njëjtin emër : “Ndërsa në natën me hënë /  Kaloj në ekstazë me yllin,/ Që lan trupin tim, / Me rrezet verbuese të ylberit.” Këtu kemi një ngjashmëri të poetes Zylo me poeten  hebraiko - gjermane Else Lasker Schüler dhe mund të themi pa frikë se ajo është shpirti i saj binjak në përshkrimet ekspresioniste dhe sidomos në mallin për atdhe ku edhe Schüler ka një poezi me të njëjtin titull.  Madje, në gjithë poezinë e mallit, të duket se jemi bashkëshoqëruese të dy poeteve, të cilat provojnë emigrimin dhe shkojnë si një lumë kundër rrjedhës, ku vetë jetojnë diku tjetër dhe ëndërrimi merr rrugën e origjinës nga vijnë. 
Kozeta, shpirtin e saj e ka tek vendlindja e saj, të cilës i kushton poezinë “Mezhgorani im”. Është një oqean i madh, i cili ndan Shqipërinë e saj të vogël, ku është dhe Mezhgorani, ndaj Kozeta i lë po kaq hapësirë të madhe edhe mallit kur thotë: “Ç’mu shfaqe sot, Mezhgorani im,/ Me shtëpitë e gurta e mure të bardhë, / Me foshnjat në djepe si dikur / Në ninulla këngësh plot zjarr e mall.”   
Mezhgorani, për të, është toka e historive të lashta, e nyjeve të pazgjidhur të një kulture shqiptare që nuk duhet të vdesë tek ata që e kanë marrë me vete kudo ku kanë shkuar, por që kërkon këmbëngulje dhe njohje të thellë për ta rrënjosur dhe mbajtur gjallë që ajo të mos mbetet siç thotë poetja “Përveç pergamenës gri”, apo të jetë tepër vonë, si në vargjet: “Do të  vijë një ditë që do hapet  /Heshtja ime në hieroglifë mavi,/ E atëherë do të jetë vonë, tepër vonë, / Ani, gjithsesi.”  
 Me një dashuri të përgjëruar poetja Kozeta Zylo, flet edhe për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, tek poezia “Tungjatjeta Kosovë”, ku duket sikur ajo dhe çdo shqiptar tjetër, që mezi e kanë pritur atë ditë të ardhur me shumë vetëflijime dhe me shumë gjak, ngjiten në Majë të Olimpit. Ja si  shprehet ajo në këtë poezi ku bulëzon simbolizmi i pastër në kurorëzimin e asaj dite: “Tungjatjeta Kosovë / Tungjatjeta Princesha ime, /  Sot po udhëtoj kudo,/ Me medaljonin e lirisë në gjoks,/ Medaljon që s’do ndryshket kurrë,/ Në kujtesën e dhimbjes shkumëzon shpirti,/ Për rrëmbimin e të artit medaljon të Olimpit...!” 
Përpos kësaj, Kozeta shkëlqen edhe në elegjitë e dhimbjes. Ajo duket sikur penën e ka zhytur në lotët e shpirtit. Ka një poezi të saj kushtuar Akademikut te ndjerë Bedri Dede,që ajo e ka pasur pedagogun e saj. Kjo poezi, që kalon nga dhimbja e vetvetes tek dhimbja universale njerëzore, për të gjithë ata që ikin në përmasën tjetër dhe në fund rikthehet me vargje përsëri ku ka nisur, ka nota të theksuara teizmi.  Aty, nuk mungojnë as futja e yjeve dhe e elementëve të tjerë që janë karakteristikë e mitologjisë shqiptare. 
Ja si shprehet autorja: “O Zot sa më dhimbsen Yjet! / Veçanërisht, ata,/ Që i fsheh muzgu i qiellit shqiptar!” Maja e mbresave për poezinë e poetes Zylo, të lind kur shikon jo vetëm unitetin ritmik dhe sintaksor në poezitë, por edhe natyrën idilike të përshkrimit që i bën nënës së saj. Dhimbja e humbjes së nënës është e fortë, si qarje me ligje labe. 
Tek poezia “Ave Maria, Nëna ime!, ajo i bën nënës një përshëndetje engjëllore, një gjunjëzim dhe homazh para kujtimit të saj, sikur të jetë vetë poetja një pendestare, që faji i saj i vetëm është se nuk mundi ta mbajë dot në jetë nënën e saj: “Ja, papritur, gjeta baladën e pikëllimit,/ Ku gdhenda lotin në gravurën fine,/ Vetëtimthi një Iliadë më dukej se po ngrihej,/ Ave Maria, Nëna ime!/ Ave Maria, mbretëresha ime!”. Siç e shohim në këto vargje, por edhe ato në poezinë  “Si engjëll më shfaqesh” kemi nuanca të forta të teizmit, si filozofi që parashikon ekzistencën e një apo disa hyjnive dhe të realitetit të përtejshëm. 
Madje, në mënyrë më specifike, kemi nuanca të deizmit, ku vetë autorja përdor arsyen për t’i lejuar vetes përpunimin e një feje të vetën, natyrale si dhe një arsye të plotë dhe të kënaqshme në kundërshtim me panteizmin që pranon vetëm një zot. 
Një nga këta zotër të Kozetës është dhe nëna e saj: “Më ike nëna ime, më ike / Me ngricat e shkurtit lart në qiell,/ Si engjëll më shfaqesh papritur sonte / Duke qëndisur ajrin me ca fije diell!”   
Por Kozeta nuk mjaftohet me dhimbjen e nënës së saj. Ajo u këndon poetëve. 
Në fakt, poetët janë shpirtrat e lirë, që e vërteta e shprehur prej tyre ka tronditur perandoritë e së keqes, por që vetë poetët i ka shpënë në gijotinë. Këtë gjë poetja e shfaq tek poezia “Për ata që u vunë në gijotinë...” Është një dhimbje universale për gjithë poetët. Edhe pse ajo nuk shpreh në poezi emra poetësh, kuptohet se dhimbja fillon që nga spanjolli Federico García Lorka që u vu ne vitin 1936 para skuadrës së pushkatimit e deri tek poetët shqiptarë Genc Leka e Vilson Blloshmi që në vitin 1977 patën të njëjtin fat. 
Ja, çfarë thotë poetja Zylo: “Si legjendë u ngritët në copa shkretëtirash,/ Ku zbrazëtia e tyre ju gëlltiti në fytin e honit,/ Tingullin e Lirisë! / Çuditërisht, fyti nuk u mbyt nga ky tingull,/ Por vazhdon të përthithë më shumë../ Legjendën ta fusë përsëri e tinëzisht,/ Në gijotinë!” 
Kur flet për shkretëtira, ajo, në mënyrë simbolike, flet për simbolistin dhe hermetikun më të madh shqiptar Vilson Blloshmin, i cili ashtu si shkroi Charles Baudelaire “Lulet e së keqes” apo “Albatros” dhe si  Eugenio Montale shkroi “Ngjalën”, shkroi “Saharanë”: “Saharaja s'di të ëndërrojë./ Ajo bluan gurë në mënt' e sajë…/ Saharaja s'ka këngë të këndojë,/ Saharaja s'ka as lot të qajë.” Pra, siç e thotë poeti Blloshmi, duhet të kesh shpirt të ndjeshëm që të këndosh dhe të qash. 
Këtë e bën më së miri Kozeta në poezitë e saj, aq sa i ngre monument dhe lotit. 
Poezia e Kozeta Zylos është nderim për të gjithë shpirtrat njerëzorë në këtë botë apo në përmasën tjetër. 




(Vota: 8 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora