E shtune, 27.07.2024, 10:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Vdekja më deshi më pak se Ti (Cikël poetik)

E marte, 09.02.2010, 09:29 PM


KALOSH ÇELIKU

Vdekja më deshi 
      më pak se Ti  

Gjumë ende s’ka. Unë jam i çmendur
Ndodhë një ditë Vdekjen ta marr grua.
Shtëpinë ta mbush me fëmijë. Atdheun
Dhe, të flej i qetë. Nesër të ngrej dolli.
Edhe për Miken. Edhe Cucën Boheme
Vërtetë ju ishit gra të bukura. Asgane.

Vetëm, edhe Vdekja është Grua e bukur… 

Plaga e dhjetë 
       me Hënën 

Nëntë vjet e mbyta Veten me verë
Gjithë Natën duke shkruar poezi
I zgjuar me Hënën. 

Nëntë vjet ndeza një qiri
Me Hënën e plotë mbi Liqe
Jerm mes dy shtambave me verë. 

I çmendur pak para agimit
U zgjova nga varri im me libra… 

Sonte Hëna 
   ka hëngër darkë  

Moti se kam parë Hënën. Nuse
Edhe Ajo s’më ka parë në verandë.
Në breg të Liqenit duke pirë verë
Pranë një qiriri të ndezur
Dhe, Mikes të pagjumë. 

Po. Moti nuk e kam parë Hënën
Si ato net ashtu kulaç mbi Liqe.
Siç thonte nëna ime në Katund:
“Sonte Hëna ka hëngër darkë…“

Nuk e di  

Nuk e di ç’kisha bër për Ty. Nesër
As Ti për mua mbi varr. Rrëzë Çukës.
Natën e gjykimit kur do më merrnin në pyetje
Pa dy shtamba me verë. Rrapin.
Dhe pa Ty. Qiririn e ndezur mbi kokë
Zonjën Vdekje me të cilën ngrita dolli. 

Nuk e di. Vërtetë nuk e di. Nesër
Kush cilin do ta ngrente nga varri… 

Edhe nesër

I vdekuri e mba të gjallin mbi shpinë
E tërheq te Rrapi. E lidhë nën hije.
Dy shtamba me verë ia vë te koka. Armën
Ia zbretë nga dega. Cucën Boheme.
Edhe njëherë ta ngrej nga varri. Ringjalli
Luftën ta vazhdoj me penë. Edhe nesër.

Një Meleqe para. Dy ta mbajnë përkrahu
Dhiareve për në Baba Tomor. Agim… 

Rrapin e kam Tyrbe

Rrapin e kam Tyrbe. Vera
Nën t? rrjedhë lum. Pini!
Unë jam i bekuar. Zbrita nga qielli
Cuca Boheme me dy Shtamba verë
Më ktheu në jetë. Ringjalli.
Poezinë e kam grua. Cucën Boheme
Dashnore. Që më vodhi nga vdekja.

E më ktheu përsëri nën Rrap. Tyrbe…

E pashë Vdekjen 
     në Voskopojë 

E ndeza një qiri në kishë. Voskopojë
Meshë bëra me poetë. U luta për Ty.
Matanë flakës e pashë Zonjën Vdekje
Buzëqeshi. Edhe ma bëri me sy. 

Ia ktheva përshëndetjen. Buzëqeshjen
Edhe për Të ndeza një qiri.
E ngrita me fund një gotë raki…

Edhe një qiri
   për Lejdin Di

Gjatë Netëve të poezisë korçare
E vizitova vendlindjen. Korçën.
Dhe, vendvdekjen. Voskopojën.
Hyra në kishë. I ndeza dy qirinj:
Një për Miken. Një për Cucën Boheme.
Paprtitmas, m’u afrua një poete azgane
E më tha: me një qiri nuk ndizen o burrë
Më shumë se dy, përpara Shën Mërisë!

Plumb iu përgjigja: Unë jam Poet bohem
Lotët e Shën Mërisë nën Rrap i ngrej dolli.
Harrova të ndez edhe një për Lejdin Di...

Hëna e ka marrë
            për burrë

E dëgjoj zërin e Mikes
Nuk e di nga vjen. Nga qielli
Apo toka? Varri...

E njoh atë zë. E dëgjoj ditenatë
Edhe në ëndërr. Vetëm hapat e Mikes
Nuk i dëgjoj. Vargun e saj rrebel.

Siç duket Hëna e ka marrë për burrë...

Hënën do ta marr
              për Grua 

Në shtratin tim flen Vetmia
Yje ku jeni? Xixa qielli.
Zbrisni nëpër fusha! Male
Lumit ia ndriçoni rrugën. Mikes
Që iu thyen shtambat te kroni.

Në shtratin tim flen Vetmia
Hënën do ta marr për Grua!... 

Hëna e verdhë vdiste
                  në Kopsht
 
Hëna e verdhë vdiste në Kopsht. Hije
E kishte tradhtuar Dielli. Burri i
Botës me një grua tjetër. Putane.
Që, i biente lirës. Dhe, e hante mollën.

Hëna e verdhë vdiste në Kopsht. Hije
Unë me verë përpiqesha t’ia kthej shpirtin…

Më thoshte: mbi këtë tavolinë
       me Ty kisha bërë dashuri

Vështirë e kisha ta nxjerrë nga banesa
Edhe më vështirë ta kthej në shtëpi.
Te Nëna. Edhe një verë! Edhe një cigare!
Zbraste shishe me verë njëra pas tjetrës
Cigare tymoste. E di çka, më thoshte:
Mbi këtë tavolinë me Ty kisha bërë dashuri.

Vështirë e kisha ta nxjerr nga banesa
Edhe më keq ta kthej në shtëpi. Më thoshte:
Mbi këtë tavolinë me Ty kisha bërë dashuri...

Unë nuk të kam shkruar. Me 
  siguri i ke ngatërruar gratë

Pasmesnate më vjen një mesazh pa emër
Komunikova me Hyjnitë. Dhe, më shkruan:
Titulli i librit do të jetë: Regjia nga shpirti.
Mendova se ma kishte dërguar Eshkundura
Harrova se, edhe një libër kisha nëpër duar.

Dhe, ia ktheva. Edhe mua më pëlqen titulli
Ti je e çmendur! Eshkundur, përtej kufiri.

Dikur, më erdhi një mesazh nga Ajo:
I shashtisur. Unë nuk të kam shkruar
Me siguri, Ti i ke ngatërruar gratë!...

Pranë një qiriri të ndezur
                e tirrnim Natën

Natë për natë bisedonim për Gruan time
Miken. Dashnoret. Gratë e mia besnike.
Dhe, ma prisje plumb: përderisa je me mua
Nuk dua të flesh me asnjë grua. Putane.
Edhe unë përderisa jam me Ty. Nuk do fle
Dashuri nuk do të bëj me asnjë burrë. Grua.

Dhe, natë për natë pranë një qiriri të ndezur
E tirrnim Natën... Veten, deri në agim...

Një natë i dehur pranë 
          Liqenit të ngrirë

Gjithë ditën e lume pimë në Kërçovë
Edhe Natën e Madhe ngritëm dolli.
Pasmesnate na hodhën matanë maleve
Qyteti i kishte mbyllë portat. Dritaret.
Baxhën e kishte lënë hapur mbi çati
Shkallët. Dhe, një shtambë me raki.

Mëngjesi më gjeti në shtrat qyqe. Varr
Një natë i dehur pranë Liqenit të ngrirë...

Ç’ dobi të jesh Poet
      edhe atë i madh

Ç’dobi të jesh Poet. Edhe atë, i madh
Më mirë të jesh cigare në gojën e Asaj.
Digjesh. Dhe, ngritesh tym në qiell
Xixë e strukur në mjegull. Hënë.

Ç’dobi të jesh Poet. Edhe atë, i madh
Mes këtij bërlloku.Që, përditë të han…

Mbylleni gojën 
         trusakatë 

Mbylleni gojën trusakatë! Heshtni
Kurrësesi nuk mund t’ju kuptoj.
Dje, sot… Dhe, nesër “patriotë”
Kuqezi të Nënës Parti. 

Mbylleni gojën! Heshtni
Dje komunistë. Trusakatë.
Sot “ballistë”. Trusakatë
Nesër: MUT…Hale… 

Cuca Boheme është Partia ime…


(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora